• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

SHOQËRIA, TURBULENCAT DHE PATOLOGJITË QË CËNOJNË EKUILIBRIN E BRENDSHËM TË SAJ

June 1, 2024 by s p

Nga: Fran Gjoka

(Me sociologun Gëzim TUSHI,

“Mjeshtër i MADH”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”)

– Shqipëria po përjeton një situatë të dhimbshme kriminale, ku del në pah një dhunë e pashpjegueshme ndaj femrës. Si mund ta konsideroni ju këtë situatë dhe cilat do të ishin rrugët për ta kapërcyer këtë gjendje? 

-Realitetet sociale në shoqërinë shqiptare kanë kohë që janë të inonduara nga shumë dukuri shqetësuese, të cilat tregojnë dobësimin deri në nivele kritike të shëndetit, kohezionit dhe funksionalitetit të saj. Për nga gjerësia e shtrirjes dhe intensiteti i shfaqjes së disa dukurive, si dhuna, krimi, neurotizmi social, konfliktet në familje, fenomeni i bullizmit në shkollë, divorci në zgjerim dhe dekompozimi i strukturës dhe funksionalitetit në shumë familje, zgjerimi i përdorimit të drogës, alkoolit dhe substancave psikotrope nga të rinjtë, rritja e krimit minor dhe abuzimi seksual në moshat e reja, trajtimi i keq i të moshuarve në familje dhe braktisja e tyre në vetmi, bashkuar këto me patologjitë e politikës shqiptare dhe nivelet alarmante të korrupsionit e bëjnë tablonë të dyshimtë dhe fare pak optimiste. Në këtë tablo të problemeve të shumta sociale, më të cilat po përballet shoqëria shqiptare, në mënyrë evidente dhe shumë shqetësues paraqiten dhuna dhe krimi në familje. Sidomos dhuna dhe krimi mbi gratë për shkak të dominimit të koncepteve maskiliste dhe modeleve autoritariste, të cilat jo vetëm nuk janë zbutur, por përkundrazi janë në një proces agravimi të akseleruar, duke e bërë situatën e familjes dhe statusin e gruas shumë të prekshëm. Në jo pak raste, për shkak të dhunës permanente fizike, psikologjike, verbale dhe emocionale që ushtrojnë meshkujt mbi femrat, burrat mbi gratë e kanë bërë familjen “burg për gratë”. Nëse në mënyrë sintetike dhe sociologjike do të përkufizonim situatën e dhunës mbi gratë në familjen dhe shoqërinë e sotme shqiptare, padyshim do të themi se me këto përmasa alarmante në gjerësi, thellësi dhe intensitetin me të cilin ajo shfaqet, duhet konsideruar si një “betejë e pafituar” nga gratë. Burimet dhe gjeneratorët e vazhduar e të “pashtershëm” të dhunës ndaj grave janë disa faktorë me natyrë të ndryshme fizike dhe metafizike, konceptuale dhe materiale, historike e kulturore, biologjike e psikologjike. Sikur të tentonim të bënim diagnostikimin e këtyre shkaqeve në mënyrë enumerative, do të na duhej shumë kohë dhe investim më strategjik. Por në kuadrin e sensibilitetit për gazetën e nderuar “Nacional”, mund të themi se të gjithë këta faktorë kanë secili peshën e tyre në ekzistencën e dhunës mbi gratë. Një gjë është e sigurt: ne jemi para nevojës që pasi kemi bërë këtë diagnostikim të shkaqeve të dhunëqs mbi gratë, duhet të mendojmë, të ofrojmë dhe propozojmë edhe “terapitë” e duhura politike, psikologjike, kulturore e materiale. Në këtë kontekst, gjykoj se paradigma që është instruktive, në këtë rast ka të bëjë dhe lidhet ngushtë me punën që duhet bërë nga institucionet e edukimit dhe formimit human e qytetar, sikurse janë familja, shkolla, media, institucionet fetare. Por natyrisht edhe ato të parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës mbi gratë, e cila, sikurse ka thënë me të drejtë Hillari Klinton në Konferencën e Pekinit në 1995, nuk duhet konsideruar si difekt kulturor, por si veprim i hapur dhe i pastër kriminal, i cili duhet trajtuar dhe ndëshkuar si i tillë. Unë mendoj se bashkimi kompakt i këtyre dy hallkave të procesit të luftës kundër dhunës mbi gratë, domethënë i punës së institucioneve të formimit dhe edukimit me ato të ndëshkimit, kthimi i tyre në një strukturë operacionale kompakte, do të ishte rruga e duhur dhe ajo që imediatisht kërkohet për të mbrojtur gratë tona nga patologjia e dhunës, për t’u garantuar atyre liritë dhe të drejtat njerëzore, duke shmangur kështu paragjykimet e korracuara, arkaike e bashkë me to edhe arketipet maskiliste të trashëguara nga e kaluara dhe që akoma “frymojnë” edhe në ditët tona. Gratë duhet të luftojnë kundër çdo shfaqje mizogjene në familje, shkollë, vendin e punës, politikë, komunitet, familje e kudo që shfaqet. Ato janë në kohën e tyre dhe kanë të drejtë të trajtohen me dinjitet si qënie njerëzore të barabarta. Identiteti seksual i tyre nuk ka pse të jetë “mallkim” për to. Përkundrazi, ky identitet në një shoqëri të emancipuar mund të kthehet në një lloj të veçantë të “privilegjit social”, pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Dhe më në fund, gratë nuk duhet të heshtin ndaj dhunës, përkundrazi ato duhet ta denoncojnë atë pa hezitim. Heshtja është kundër tyre dhe në çdo rast ajo bëhet aleat i dhunës mbi gratë. Ndoshta kjo kërkon edhe një sulm qytetar dhe të qytetëruar edhe kundër indiferencës sociale, që shfaqet shpesh në shoqërinë tonë, e cila ushqehet nga koncepti semplist, i cili dhunën mbi gratë nuk e konsideron problem. Madje e konsideron si problem anësor dhe “çështje rutinore”. Një qëndrim social e qytetar më i angazhuar do t’i ndihmonte gratë në kauzën e tyre të përbashkët kundër dhunës në familje e shoqëri.

Ne foto: Sociologu Gëzim Tushi

–Ngjarja në Shkodër ka tronditur gjithë opinionin publik shqiptar. Cili është mendimi juaj, si profesionist, ndaj shkaqeve dhe arsyeve që çuan në këtë krim?

-Ngjarja e ndodhur para pak ditësh në Shkodër është tejet tronditëse dhe makabre. Në historinë e ngjarjeve kriminale është ndoshta më e rënda, sepse kemi të bëjmë me një kompleks kriminaliteti, ku bashkohet paradoksalisht vetëvrasja me krimin. Këto ditë, me të drejtë, kjo ngjarje ka kapur apogjeun e sensibilitetit social dhe reagimit mediatik. Por shpesh, në analizat e ngjarjes, të shkaqeve dhe përgjegjësive individuale e sociale, në interpretimin e faktorëve janë shfaqur shumë pasaktësi, njëanshmëri e sensibileitete të deformuara. Që jo vetëm nuk të lejojnë të kesh optikë të qartë për shkaqet, por edhe që japin mesazhe të gabuara sociale për rrethanat dhe përgjegjësitë. Ngjarja është e rëndë dhe perceptimi i saj ka qenë tejet tronditës për familjet e viktimave, por dhe opininonin publik. Por nëse duam që të bëjmë analizë objektive dhe të nxjerrim mësime sociale për të ndihmuar në parandalimin dhe “zgjidhjen ndryshe” të kontradiktave dhe konflikteve sociale brenda dhe jashtë familjes, duhet të fillojmë që me objektivitet të bëjmë analiza pa sentimentalizëm dhe gjërave t’u vëmë emrat e duhur. Sepse kjo ngjarje, aq shumë tragjike, në thelbin e vet dhe tronditëse për familjet e viktimave dhe opinionin publik, u bë një lloj “casu beli” për trajtime kakofonike mediatike, me shumë deformime e ambiguitete interpretative. Shpeshherë media në vend të ruajë pavarësinë në analizën dhe gjykimin e rastit është bërë aleate me gjykime apo paragjykime të natyrës empirike apo shkaqeve të improvizuara. Duhet folur shqip, nëse duam të ndihmojmë për të parandaluar dhe shmangur ngjarje të tilla. Pavarësisht se viktimat nuk gjykohen, por përgjegjësia sociale na detyron të themi se sido që të kenë qenë rrethanat, motivet, presionet materiale e agresionet psikologjike që kanë ndikuar si faktor i brendshëm në këtë veprim, nëna ka kryer krim. Së pari, që ka bërë vetëvrasje, që është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm në çdo rrethanë, qoftë nga feja apo edhe shoqëria. Askush nuk ka të drejtë, në asnjë rrethanë t’i marrë jetën vetes me vetëvrasje. Kjo është e para. E dyta, nëse është e vërtetuar se ajo është vrasësja e fëmijëve të saj, ky është krim i rëndë dhe duhet cilësuar pa mëdyshje si i tillë. Megjithatë, tani, pasi ngjarja ka ndodhur, na takon të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar akte të tilla. Dy janë burimet e krimit dhe vetëvrasjeve: shkaqet e brendshme me natyrë psikologjike, mentale e shpirtërore, të cilat janë delikate dhe shpesh e bëjnë të pamundur parashikimin e vetëvrasjes. Por familja, shkolla, komuniteti dhe sidomos rrjeti kapilar i institucioneve mjekësore ka mundësi të dallojë, të marrë masa, të ndihmojë dhe parandalojë ngjarje të tilla. Nuk duhet ndonjë mënçuri e madhe që të dallosh njeriun kur shfaq gjëndje ankthi, pasigurie, dëshpërimi, makthi, paqëndrueshmërie emocionale, etj., që janë shënja të sigurta të fillimit të procesit të destabilitetit mendor, që mund të çojnë njeriun drejt suicidit apo krimit. Ndërhyrja në këtë rast mund të jetë shpëtimtare, rikuperuese dhe rehabilituese, duke shmangur tragjedinë e menduar apo të planifikuar të vetëvrasjes apo krimit. E dyta, janë rrethanat sociale, apo faktori i jashtëm që ndikojnë në situate të tilla, që lidhen me statusin e familjes, gjendjën ekonomike, marrëdhëniet bashkëshortore apo lidhjet midis pjesëtarëve të familjes, konfliktet e mundshme, situatat e agravuara nga përdorimi i lëndëve psikotrope, drogë apo alkool, etj. Këtu është roli i institucioneve sociale dhe atyre të përkujdesit shëndetësor. Sidomos të nevojës për të patur ekipe mobile për të ndërhyrë në momentin e duhur dhe për të intervenuar me instrumente profesionale adekuate për ndryshimin e situatës materiale, psikologjike e sociale në familje.

– A ndikojnë negativisht përplasjet e politikës, që dhuna të bëhët prezente në çdo celulë të shoqërisë dhe si mund te ndikohet mbi një fenomen të tillë?

– Besimi se sa më shumë të përparonte demokracia në Shqipëri, aq më i zhvilluar, qytetar dhe qytetërues do të ishte gjuha dhe dialogu politik, nuk po vërtetohet. Përkundrazi gjëndja linguistike, retorike e oratorike e saj, në gjuhën e politikanëve të pozitës dhe opozitës, është duke u degraduar deri në nivele alarmante. Sidomos në këto ditë të nxehta klimatike dhe politike, marrëdhëniet e pozitës me opozitën kanë qenë të jenë të vështira. Nuk bëhet fjalë për mungesën e logjikës së kompromisit, që në politologji konsiderohet si “lavdia e demokracisë”, por thjeshtë për deformimin e standardeve dhe rrugullat e “gjuhës politike” në Shqipëri.  Në Parlament dhe sidomos mediatikisht, ajo është banalizuar deri në limitet e fundit të etikës dhe ka marrë një rrugë të mbrapshtë në dialogun interaktiv të politikanëve kundërshtarë. Madje ajo është deformuar keq jo vetëm tek politikanët profesionistë, ndikimi i saj si refleks ngjitës ka filluar të ndihet në media dhe e reflektuar gjerësisht edhe në gjuhën komunikuese dhe dialogun neurotik tek publiku i gjerë. Nuk është fjala për të bërë teori për rolin e gjuhës në politikën moderne, por ama kur shikon këtë situatë të shpërdorimit ekstrem, nuk mund të mos evidentosh të vërtetën për nivelin e mjeruar të “gjuhës politike”, për këtë mjet kryesor, në mos të vetëm, me të cilin bëhet politika e kohës demokratike. Një mjet që është pasqyrim i faktit, që politika në këtë vend, në vend të emanciohej si instrument i komunikimit politik, kulturor e publik, po ecën drej degradimit dhe banalizimit të saj. Nuk e di nëse politikanët tanë kanë nivelin e duhur dhe konceptin adekuat për të kuptuar se forca dhe vlera e gjuhës politike, si mjet komunikimi në shoqërinë demokratike, është shumë e madhe. Duket që politikanët, shumica e tyre më saktë, nuk e kanë të qartë “përgjegjësinë e gjuhës politike”. Këtë të vërtetë e kupton kur përballesh me atë që po ndodh në politikën shqiptare, në të cilën ka shpërthyer “epidemia” e një fushatë gjuhësore politike banale, e shfrenuar, e dalë nga kontrolli etik, nga vetëpërmbajtja demokratike. Përgjithësisht politika jonë, tradicionalisht në tre dekada, ka qenë e ashpër, jo tolerante nga pikëpamja fizike, konceptuale e gjuhësore. Sipas mendimit tim, artikulimi gjuhësor ka rënë kaq poshtë, gjuha e politikanëve të këtij vendi duket se ka percepituar në “fundin e lejueshëm saj”, duke e reduktuar debatin jo me instrumentet adekuate e elokuente të saj, por në gjuhë të ashpër, të drunjtë, të fortë, jo etike. Padyshim, atmosfera politike në Shqipëri duket se është e tensionuar për shkaqe thelbësisht ekstragjuhësore. Kjo ndihet dhe kuptohet lehtë nga qytetari, sepse është ai që po përballet përditë nga “bombardimi politik” me gjuhën e “drunjtë”, madje të hekurt, që ka mbuluar politikën tonë. “Eteri” i jetës publike është inonduar nga fushata dhe kundërfushata retorike paralele, të goditjeve dhe kundërgoditjeve gjuhësore politike të pozitës dhe opozitës. Vrazhdësi e skajshme, brutalitet i dukshëm, gjuhë politike devijante, e cila para se të shfaqet në ekran, gati ka nevojë për “pullë të kuqe”. Fytyra të acaruara, grimasa të pakontrolluara të politikanëve e kanë inonduar keq situatën qytetare. Kjo gjëndje e sjelljes dhe e gjuhës politike është duke e cënuar keq dinjitetin e politikës shqiptare, e cila për fat të keq, jo vetëm që nuk po frenohet, por ka marrë rrugën e degradimit moral dhe profesional kreshendo. Një bezdi e vërtetë qytetare, që na vjen si “peshqesh”nga politika, të cilës të paktën mungesën e etikës së sjelljes politike dhe artikulimin banal gjuhësor, nuk ja kemi borxh. Sepse një politikë me gjuhë frenetike, të pa ekulibruar, nuk dëmton vetëm cilësinë dhe performancën e politikës, por pengon qytetarët të jenë në gjëndje të dallojnë, ca më shumë, të ndajnë thelbin e vërtetë të debatit politik, esencën e çështjes nga objekti i artikuluar i “gjuhës politike” që përdoret. Kaq intensive është bërë të folurit me tone banale dhe ofenduese, sa që është bërë e vështirë për qytetarin të dallojë se ku është “argumenti” dhe ku fillon “shpifja”, ku është dhe sa është e vërteta e konfliktit pozitë-opozitë dhe ku mbaron retorika gjuhësore si mjet që fsheh objektin e vërtetë të konfliktit politik, pas “ambalazheve” gjuhësore të përdorura nga politikanët. Gjuha e politikanëve ka humbur sensin, elegancën, argumentin dhe është lëshuar brutalisht në “fushën e vet”. Madje, tani lëviz e lirë, pa asnjë “censurë etike”, sepse ka dalë e lirë në qejfin e saj. Në vend të gjuhës që duhet të ketë argument politik mbushamendës, ne po përballemi me një “fjalamani” të tepërt, me abuzime të shëmtuara me faktet dhe të vërtetat, me shkelje të rregullave dhe standardeve të komunikimit politik. Në historinë e politikës moderne, jo vetëm në Shqipëri, ka raste kur objekti delikat i një debati mund të çojë në degjenerime të përkohshme të gjuhës politike. Por kjo që po ndodh në politikën tonë është ndryshe. Nganjëherë të duket më shumë si qëllim në vetvete, nga që nuk ka aq “lëndë ontologjike”, që të justifikojë këtë gjuhë me logjikë politike sakate, të artikuluar keq, e cila jo vetëm po rëndon situatën e vet, por veçanërisht gjëndjen psikologjike të qytetarit. Nuk është gjuhë politike ajo që kanë përdorur politikanët kundër njëri-tjetrit, sepse në esencë nuk kemi gjuhë që pasqyron të vërtetën politike, por një gjuhë që ka marrë forma të shëmtuara, dredharake, që nuk të tregon as thelbin e debatit, sepse është një gjuhë që nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me përmbajtjen e debatit dhe objektin e të menduarit, madje as me standardet elementare, mbi të cilat duhet bazuar të folurit politik. Kjo e ka cënuar rëndë nevojën dhe detyrimin gjuhësor elitist të politikanëve. Në politikën e sotme moderne ka një normë edukate gjuhësore, që politikës i vjen si imperativ kategorik i brendshëm, të paktën që nga koha e Aristotelit, sipas të cilit punët e shtetit dhe të politikës duhet të udhëhiqen nga ata që kanë edukim dhe formim sa politik, etik edhe gjuhësor. Politika është art i vështirë, sidomos kur duhet lufta për gjetjen e argumentit dhe përdorimin adekuat të gjuhës, sepse plotësimi i këtyre standardeve kërkon formim intelektual. Politikanët tanë kanë filluar të flasin pa doganë, pa kujdes etik. Si qytetar i këtij vendi, mendoj se duhet frenuar kjo gjuhë banale, që nuk është natyrale apo organike, për të zhvilluar politikën në një vend të qytetëruar. Nuk është modeli gjuhësor i duhur që duhet përdorur, sidomos nga ata që udhëheqin punët e politikës në këtë vend. Por askush nuk beson se e keqja është vetëm këtu dhe problemet e ditës për politikën tonë janë vetëm “probleme gjuhësore”. Çështja është ca më e thellë. Por atmosfera gjuhësore që ka krijuar politika shqiptare, duke u marrë në frontin më të gjërë të mundshëm me banalitete, po ndikon shumë në deformimin e opinionit demokratik të qytetarëve, të cilët janë bombarduar me gjuhë politike banale, e fshehur në emër të moralitetit politik. 

– Sapo ndodh një krim, çdo shqiptar bëhët gjykatës dhe vë dorë “me kompetencë” mbi fajtorin. Si e shpjegoni këtë gjë?

– Është e vërtetë që shoqëria shqiptare, për shkak të së kaluarës së vet kolektiviste, vazhdon inercinë e gjykimeve populiste dhe reagimeve instiktive, bazuar në arketipet e gjykimeve dhe paragjykimeve të ardhura si module të gatshme të reagimit. Shpesh të parakohshëm apo instiktiv. Kjo është një nga shënjat e nevojës së formimit dhe konsolidimit modern të shoqërisë shqiptare, për të mbajtur distancën nga gjykimet e improvizuara apo konkluzionet e parakohshme. Shqiptarët e kanë qejf gjykimin e personalizuar dhe konkluzionet e “instancës së fundit” për çdo ngjarje apo raste.  Këtu kanë ndikimin e tyre kontroversal edhe sistemet e informimit dhe gjykimit, të cilat gjithashtu nuk kanë reagime adekuate dhe informacione definitive e të bazuara në fakte. Kjo bën pastaj që të kemi”çarje të brendshme” të opinionit publik, gjykime të diversifikuara, të cilat, në jo pak raste, shoqërohen me konflikte të përhapura, të cilat përplasen në të njëjtën kohë me paradigmat morale dhe gjykimet e secilit, të lidhura këto pastaj me nivelin e tyre kulturor, traditën e kulturën familjare, paradigmat rrethanore jetike dhe stuatat e habitateve komunitare. E kemi patur, për fat të keq, në AND e shoqërisë tonë procedimin dhe gjykimin e ngjarjeve, fakteve, ndodhive duke i vënë nën “panoptikonin” e njohur të “vijës së masave” dhe të drejtës së kujdo për të “gjykuar për gjithçka e për çdo gjë”. Besoj se koha e sotme ka si gurë caku të drejtat e njeriut dhe gjykimin e fajtorit nuk e bëjnë as masat, as opinion publik, por organet e drejtësisë. A, kur është fjala për gjykim moral të një akti që ka peshë, interferim dhe ndikim social, po, kushdo ka të drejtë të gjykojë e të mbajë qëndrim. Qoftë në nivel social apo në plan të personalizuar. 

– Përfundimisht, a shihni ju mundësi dhe rrugë për t’i shëruar këto plagë sociale në Shqipëri?

– Situata sociale në Shqipëri këto kohët e fundit është bërë shumë e agravuar. Në sipërfaqe të saj kanë dalë shumë probleme. Të reja dhe të vjetra, të njohura e të panjohura, të cilat duket sikur e kanë zënë shoqërinë në befasi sociale dhe e kanë “kapur për fyti” dhe nuk po e lënë të marrë frymë. Shoqëria po shfaq doza të larta neurotizmi dhe konfliktualiteti shoqëruar me zgjerim të dhunës dhe shtimit të mosmarrëveshjeve sociale. Probleme të shumta në familje, e cila në disa raste duket se ka pësuar rupturë të forta në strukturë, funksionalitet e komunikimet interpersonal brenda saj. Në vend që të jetë një qendër e paqes sociale për pjesëtarët e saj, ajo po bëhet një vatër e konfliktualitetit midis bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve. Probleme ka edhe shkolla, e cila gjithashtu po vuan patologjitë e saj jo vetëm në aspektin professional e cilësor të mësimdhënies e mësimnxënies, por sidomos në “thelbin deontologjik” të përgjegjësive të saj formuese dhe edukative për formimin qytetar të nxënësve. Probleme kanë edhe institucionet sociale, shëndetësore, strukturat e shtetit dhe pushtetit vendor. Megjithatë, unë mendoj se ka një rrugë për të ndalur këtë kaos social dhe anarki të jetës urbane. Sipas mendimit tim, është e udhës të investojmë për të forcuar ato që përbëjnë bazën e formimit dhe rregullimit të “amortizatorëve” të shoqërisë. Kjo do të thotë që politika, shteti, bashkë me ata që shoqëria i ka zgjedhur apo të përzgjedhur në strukturat e politikëbërjes apo në “bordin e shoqërisë”, duhet të mendojnë dhe të investojnë për të rregulluar funksionimin normal të institucioneve të autoritetit social. Kjo do të thotë që për të sjellë në normalitet jetën shoqërore, duhet të forcojmë ato institucione ku mësohet, edukohet, formohet, por dhe ndëshkohet, sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, media, shoqëria civile, por dhe institucionet e autoritetit shtetëror. 

– Është degjeneruar familja shqiptare aq shumë, sa tradhëtia bashkëshortore është bërë shqetësim i ditës. Në gjykimin tuaj, si e shikoni ketë fenomen tronditës?

– Padyshim, një nga dukuritë që po e trondit familjen shqiptare dhe po i shton problemet dhe kostot sociale shoqërisë, është zgjerimi i përmasave të divorcit. Në shikimin tim, divorci duhet parë me kujdes në të dy “kahjet” e veta. Nga njëra anë, ai është “kazma e martesës”, por nga ana tjetër, është edhe shprehje e emancipimit të saj, si zgjidhje e qytetëruar në rastet kur lidhja martesore nuk funksionon. Megjithatë, fakti që sasia e divorceve është rritur në përmasa alarmante dhe me shifra socialetronditëse, të detyron të mendosh se shkaqet e këtij fenomeni janë të lidhura me martesën, me kulturën e martesës. Sepse shumë martesa bëhen shpeshherë me mëndjelehtësi dhe pa përgjegjësi, në mënyrë të parakohshme ose nën tundimet e seksualitetit. Krahas tyre, dhe shumë evidente, është tronditja e monogamisë martesore (martesa seksualisht e mbyllur) dhe përhapja e lidhjeve jashtëmartesore apo e lidhjeve paralele. Pasojat e numurit të divorceve në shoqërinë shqiptare janë të shumta, të shumëfishta e të shumëllojshme. Ato rëndojnë mbi familjen, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Megjithatë kemi nevojë të përmirësojmë edukatën për martesën, kulturën e saj dhe kulturën e divorcit, në mënyrë që ato së pari, të jenë zgjidhje humane, të qytetëruara e konsensuale për ato martesa që nuk funksionojnë apo që janë në situata të parikuperueshme konsensualiteti. Ndërkaq është e udhës që partnerët e divorcuar, por që kanë fëmijë nga martesa e tyre, duhet të kuptojnë dhe të pranojnë se ata, nga divorci, nuk janë më bashkëshortë, por statusi i prindit dhe përgjegjësia sociale e prindërimit ndaj fëmijëve që kanë sjellë nga martesa, mbetet një detyrim i pandryshuar. Ky është një problem që po e shqetëson situatën e fëmijëve, të cilët nga divorci nuk duhet të mbeten “jetimë socialë”, kur i kanë prindërit biologjikë. Qoftë edhe të divorcuar…  

– Sa e rëndësishme është marrja serioze e shëndetit mendor dhe sa e vlerësojnë sot institucionet shtetërore dhe sociale? 

– Filozofët, psikologët, sociologët dhe psikoterapistët kanë parashkiuar se për shkak të ndryshimeve thelbësore që po ndodhin në jetën e sotme, ekzistenca e një shoqërie me natyrë liberale dhe individualiste e gjithnjë e më pak solidare e humaniste, thellimi i natyrës egoiste dhe ambicioze të njeriut, etja e shfrenuar për para, sukses, karrierë, celebritet e famë kanë krijuar kushtet e shfaqjes së problemeve dhe shqetësimeve të shëndetit mendor. Kudo në shkollë dhe në vendet e punës, në rrugë e jetën komunitare përballemi me njerëz që shfaqin shënja pasigurie e dëshpërimi, ankthe e makthe, tronditje shpirtërore dhe çrregullime psikologjike. Është një situatë që duhet vlerësuar, duke evidentuar shkaqet e kësaj dukurie sociale e psiko-patologjike si dhe masat që duhen marrë për të parandaluar agravimin e sëmundjeve dhe kalimin e tyre nga niveli i shqetësimit psikologjik, në standardin e vështirë të sëmundjeve psikiatrike. Duhet treguar kujdes me fëmijët, por dhe njerëzit e tjerë, kur ata shfaqin shenja sikurse janë vetmia, mbyllja në vetvete, asocialiteti, mungesa e dëshirës për t’u përfshirë në jetën sociale, ndërprerja e lidhjeve komunitare, mungesa e dëshirës për të shkuar në shkollë apo për t’u përfshirë në punë aktive, mungesa e oreksit e plot shenja somatike paralajmëruese. Në këtë rast, në mënyrë evidente, është e nevojshme që prindërit, mësuesit, familjarët duhet të kenë kulturën dhe vigjilencën e duhur për të dalluar në horizont fillimet e shfaqjes së problemeve psikologjike, duke bërë ndërhyrjen e domosdoshme përmes trajtimit familjar dhe sidomos psikologjik të shenjave të para të anomalive shpirtërore apo psikologjike. Parandalimi i sëmundjeve mendore është plotësisht i mundur dhe shërimi plotësisht i sigurt, nëse i diktojmë simptomat tek njerëzit dhe bëjmë intervenimet e duhura psikosociale për të rikuperuar shëndetin e tyre mendor. Tani i kemi njohuritë, kushtet, institucionet dhe një armatë të gjerë me punonjës të specializuar, sikurse janë psikologët gjëneralistë e të specializuar, punonjësit socialë, psikoterapistët, sociologët, që kanë “pushtetin e dijes” dhe kompetencën profesionale. Na duhet një kulturë tjetër, duke shmangur stigmën që akoma në pjesë të caktuara të shoqërisë ekziston, që shfaqet në frikën nga kontakti me figura të tilla profesionale, sikurse janë psikologët, sociologët apo edhe psikiatrit. Tendenca globalisht në zgjerim e problemeve të shëndetit mendor, që po agravohen në këtë shoqëri turbokapitaliste e likuide (sikurse thotë Zygmunt Bauman), të konkurencës dhe rivalitetit të pandërprerë, me punë stresuese dhe me orë të gjata, kërkon një tjetër kulturë dhe trajtim preventiv, paraprakisht diagnostikues dhe pastaj edhe terapeutik e rikuperues nga familja, shkolla dhe institucionet e specializuara të shëndetit mendor. Një rishikim më me përgjegjësi i Strategjisë së Shëndetit Mendor dhe aktivizimi më kompakt i strukturave dhe institucioneve me funksione specifike të drejtpërdrejta apo të tërthorta, është një detyrë immediate dhe konditë “sine qua non”, për t’u përballur me situatën aktuale, por dhe tendencat e së ardhmes në këtë fushë delikate të jetës sonë sociale.

Filed Under: Interviste

PËRMENDORE ARTISTIKE PËR STUDIUESIN DHE POETIN BESIM MUHADRI

June 1, 2024 by s p

Dr. Nexhat ÇOÇAJ/

Që në fillim të shënimit tim, kjo vepër e Mëhill Velajt na sjell para lexuesve portretin e kompletuar të një pedagogu, shkrimtari dhe studiuesi të palodhshëm, që nga ditët e para kur ka nisur të merret me krijime letrare e deri në vitin jubilar të 60 vjetorit të lindjes.

Edhe pse libri është botuar në SHBA, ai ka ardhur te ne si një dhuratë me shumë vlera për të dëshmuar rrugën e krijimtarisë letrare, publicistike e shkencore të Besim Muhadrit, i cili në fakt një pjesë të madhe të këtij rrugëtimi e ka barë së bashku me mua e në veçanti në rrugëtimin e publicistikës.

Për të folur për këtë libër monografik, së pari do të ndalem me pak fjalë për titullin, që mendoj se është një titull i qëlluar, që përkon me rrugën e veprimtarisë letrare e shkencore të Besim Muhadrit dhe në anën tjetër lidhet ngushtë me titullin e veprës së studimeve dhe kritikave të Besim Muhadrit me titull “Tradita hasjanë e shkrimit shqip”, në të cilën vepër ka prezantuar autorët e preferuar të tij, pasi Hasi ka edhe shumë shkrimtarë e studiues tjerë, për të cilët do të duhej disa vëllimshme të shkruhet një studim gjithëpërfshirës. Me këtë titull autori Velaj, e pranon faktin se rrënjët e shqipes janë në Has, gjë që edhe kjo lidhje e shoqëron shtjellimin e autorit nga fillimi deri në fund.

Librit i paraprinë një parathënie, përmes së cilës autori Mëhil Velaj tregon për arsyet pse ka vendosur ta botojë këtë libër që po e përurojmë sot. Ndërsa sa i përket strukturës së veprës autori Velaj, ka zgjedhur në mënyrë simbolike ndarjen e librin në katër pjesë. Numri katër ka simbolika të shumta, në radhë të parë për të qenë njerëzimi të barabartë. Numri katër shpreh simbolikisht “kryqin e fijeve që përbëjnë mirëkuptimin tonë”. Në anën tjetër simbolizon katër stinët e vitit, ku njeriu duhet të bashkudhëtojë me peshën e jetës në të katër stinët, pavarësisht kushteve dhe rrethanave.

Në pjesën e parë të librit autori përmes një analize të veprimtarisë letrare e shkencore të Dr. Besim Muhadrit, të ndarë në shtatë pjesë, flet për krijimtarinë letrare e shkencore të Besim Muhadrit duke filluar nga të dhënat biografike e deri te aktivitetet e fundit në fushën e shkencës, përkatësisht në harkun kohor 1991 – 202 4 ose nga viti kur e boti përmbledhjen e parë me poezi “Diçka e bukur po ndodhë” e deri te libri shkencor “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”. E veçanta e kësaj pjesë mund të themi është fakti se autori Velaj e ka e portretizuar Besim Muhadrin si një krijues të lidhur e të mishëruar me truallin e lindjes. Por, gjithsesi edhe vlerësimi për punën shkencore në fushën e letërsisë në veçanti me studimin për njërin nga figurat kresore të poezisë moderne shqiptare Din Mehmetin, që për autorin e kësaj monografia Dr. Besim Muhadri është kompetent dhe profesional, pasi ai e ka zbërthyer në mënyrë më të mirë të mundshme poezinë e Din Mehmetit, pasi edhe e ka njohur personalisht. Mëhill Velaj, Dr. Besim Muhadrin e argumenton në këtë libër edhe prurje serioze dhe akademike në fushën e kritikës letrare, duke i veçuar disa nga punimet e Besimit si kritik letrar. Në pjesën e gjashtë të kësaj analize të autorit Velaj, autori flet për prirjen e Dr. Besim Muhadrit si mjeshtër i publicistikës dokumentare, ku gjithashtu i përmend disa nga veprat më të arrira të Besimit, ndër të cilat veçon monografinë për atdhetarin Zenel Sadikun, Vezir Ademaj- Heroi i Kosovës, për Gaspër Karaqin, për Avdyl Gjocin, për Mehmet Cenën , për nacionalistin Rexhep Krasniqin e disa vepra tjera që i përmend autori. Ndërsa në pjesën e shtatë autori Velaj, në analizën e thuktë të tij për veprimtarinë letrare të Dr. Besim MUhadrit e vlerëson dhe e krahason me Bogdanin dhe citoj: “ Jo rastësisht e citova këtë paragraf të një shkrimi të Besim Muhadrit për Pjetër Bogdanin. Qëllimi dhe arsyeja janë se si njëri ashtu edhe tjetri (ndonëse në një diferencë kohore treshekullore) janë të lidhur fort me vendlindjen e tyre, Hasin, prej të cilës krahinë marrin frymëzim , krenarinë dhe forcën krijuese. (f. 25-26)

Për pjesën e dytë të librit, autori Velaj, ka prezantuar tetë kumtesa të njohësve dhe studiuesve që jetojnë në SHBA me rastin e promovimit të katër librave në selinë e Federatës Vatra, në janar të vitit 2023. Librata që u promovuan janë: 1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2. Prof. Rexhep Krasniqi- Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike” 3. “Esencat e mendimit letrar” dhe 4. “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” në anglisht.

Në kumtesën e parë të Sokol Pajës, editor i gazetës “Dielli” në Amerikë ka bërë një përmbledhje të këtij promovimi tepër të suksesshëm të Dr. Besim Muhadrit.

Adnan Mehmeti, në kumtesën e tij të titulluar “Studime të rëndësishme për letërsinë shqipe” ka folur për librin “Esencat e mendimit letrar” dhe për jehonën e këtij libri që ka bërë në Amerikë, duke veçuar disa nga pjesët më të arrira të këtij libri. Po për këtë libër ka folur edhe miku i Besimit Pal Ndrecaj, i cili ka theksuar se ky libër studimor mëton të zbërthejë aspekte qenësore të artit letrar dhe ka shtuar se kjo vepër i jep lexuesit një mundësi të mirë për thellimin e kuptimit të veprave letrare.

Në anën tjetër Frak Shkreli, ish gazetar i “Zërit të Amerikës” në kumtesën e tij ka folur për librin e Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe për librin e Rexhep Krasniqi, duke i quajtur këto dy figura apostuj të idesë për bashkim kombëtar, ndërsa autorin e këtyre librave Dr. Besim Muhadrin e cilëson si njërin ndër studiuesit më serioz të letrave shqipe, pasi përmes këtyre studimeve, tregohet se fryma atdhetare e Gjeçovit dhe Rexhep Krasniqit ende është gjallë.

Kumtesa e Valdete Cenalisë, ishte përqendruar në veprën për Rexhep Krasniqin të përgatitur e të redaktuar nga Dr. Besim Muhadri, e cila ndër të tjera ka theksuar se Besim Muhadri përmes këtij libri, e ka nxjerrë në mënyrë komplekse figurën e atdhetarit Rexhep Krasniqi.

Për veprën “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me kumtesën e saj “Letërsia dhe etnologjia në një libër” ka folur Doktorantja Arjeta Ferlushkaj –Kotrri, e cila ka theksuar se ky studim është një prekje interesante në krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë. Për Kanunin e Lekë Dukagjinit, përkatësisht për veprën e Dr. Besim Muhadrit ka folur edhe Dr. Bexhat Hasani, i cili si njohës i trashëgimisë kulturore jep vlerësime për këtë vepër të Besim Muhadri.

Në këtë pjesë është sjellë për lexuesit edhe një recension për librin e Avdyl Gjocaj – mësues dhe luftëtar” nga studiuesi dhe poeti Mëhill Velaj, njëherësh edhe autor i monografisë për studiuesin Besim Muhadri, që po e promovojmë sot. Në këtë analizë brilante të poetit e shkrimtarit Velaj, vihet në pak gjetja e autorit Muhadri për ta skalitur në pavdekësi një mësues e atdhetar, që një jetë e kishte kaluar duke u angazhuar për çështjen kombëtare.

Në pjesën e tretë të librit “Vlerësimi nëpër vite për librat e Besim Muhadrit”, autori i librit ka përzgjedhur 14 recensione nga 10 studiues. Ndër këta recensione po i përmendim Prof. Dr. Agim Vincën, që ka falur për studimin e Besim MUhadrit për Din Mehmetin, recensionin e Akademik Mehmet Halimit, Halil Haxhosajt, Besim Cengut, Ismail Sylës, Murat Gecajt, Alban Dobrunës dhe Dalip Grecës. Në fakt të gjitha këto recensione ose janë të botuara në librat e Besimit ose janë lexuar si kumtesa gjatë promovimit të librave, që dëshmojnë për punën e shkëlqyer të studiuesit e poetit Besim Muhadri. Këto vlerësime në fakt janë edhe vlerësim për veprat e autorit dhe janë të ngjashme me vlerësimet e pjesës së dytë.

Në pjesën e katërt autori Mëhill Velaj ka përzgjedhur 21 artikuj të Dr. Besim Muhadrit nga fusha e studimeve që është marrë gjatë dy dekadave të shekullit 21. Të gjitha këto studime të prezantuara në këtë libër janë një punë kolosale e Dr. Besim Muhadrit në fushën e letërsisë me një stil dhe mënyrë të veçantë të shtjellimit. Ndër këto punime do të veçoja disa nga këto studime, të cilat do të mbesin pikë referimi për të gjithë studiuesit që merren me letërsi:

– Kanuni – vepra që rilindi Shtjefën Gjeçovin, pasi Gjeçovi sipas autorit u rilind pas botimit të Kanunit e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore;

– Tradita hasjanë e shkrimit të shqipes, ku flet për Pal Hasin dhe korifenjtë e Beogdanëve, e që më pas ky punim bëhet shkas për botimin e librit me të njëjtin titull, duke i përfshi këtu edhe autorë tjerë hasjanë që kanë kontribuar për Hasin, duke mos harruar edhe ata që kanë shkruar edhe disa vargje për Hasin.

– Poezia e Ernest Koliqit në kontestin e letërsiss shqipe të shekullit XX;

– Anton Pashku simbolist i spikatur i prozës moderne shqipe;

– Letërsia e shqiptarëve të Amerikës dhe integrimi i saj në letërsinë gjithëkombëtare e shumë artikuj tjerë.

Gjithsesi në këtë pjesë të librit vihet re gjetja tepër interesante e dr. Besim Muhadrit për figurat dhe për fenomenet e letërsisë shqipe, gjë që ia ka bërë më të lehtë autorit Mëhill Velaj t’i përzgjedh nga shumë punime shkencore këto 21 punime, që në fakt numri 21 në mënyrë simbolike shënon katër 21 shat e mot moti 21 marsi, 21 qershorin, 21 shtatorin dhe 21 dhjetorin, që pëe autorin Velaj nuk ka qenë e rastësishme përzgjedhja e 21 punimeve për t’i prezantuar.

Në fund të librit është paraqitur edhe vlerësimi Dr. Ermelinda Kashah, që gjithsesi për të gjithë juve që do ta keni në dorë këtë libër do të jetë një lehtësim më i madh për ta kuptuar këtë vepër kapitale për mikun tonë Besim Muhadrin, i cili vazhdon të jetojë e të krijojë nën rrënjët e Hasit.

Mëhill Velaj: “Në rrënjët hasjanë të shkrimit shqip- Besim Muhadri poet dhe studiues”, Botoi Shtëpia Botuese Adriatik Press në New York, 2024.

Filed Under: Kulture

“Çamëria” në Dosjet e Sigurimit të Shtetit

June 1, 2024 by s p

“Balkanweb”/

Shoqata Patriotike Çamëria dhe Aurotiteti për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit firmosën marrëveshjen për të hapur të gjitha dosjet e ish-sigurimit të shtetit për të gjithë shqiptarët e Çamërisë të skeduar gjatë diktaturës. Këto dosje përfshijnë të gjithë periudhën komuniste nga viti 1945deri në vitin 1991, duke vënë në dispozicion tre fonde në total prej 105 dosjesh, që përmbajnë rreth 200.000 fletë arkivore.

Këto dokumente arkivore fillojnë nga dega e punëve të brendshme Sarandë, Berat, Lushnje, Elbasan, Tiranë, Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Këto dokumente përfshijnë të arratisur, të pushkatuar, të masakruar, dokumente për survejimin, përndjekjen dhe deri tek dënimet e rënda me burg dhe internimet e të gjithë komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë.

Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi theksoi se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët e Çamërisë sepse zbardhen të vërtetat e periudhës më të errët që komuniteti përjetoi nga viti 1945 e deri në vitin 1991.

“Akti i hapjes së dosjeve të Çamërisë, pas miratimit të rezolutës dhe ngritjes së Varrezave Monumentale të Kllogjerit është një hap i rëndësishëm transparence të munguar. Për institucionet relevante të shtetit shqiptar është shumë e rëndësishme që përfshirja të mos mbetet vetëm tek Autoriteti I Dosjeve, por të gjithë institucionet duke filluar nga Akademia e Shkencave e deri tek ministria e Arsimit me librat e historisë, duhet të zbardhin të vërtetat mbi Çamërinë dhe shqiptarët e Çamërisë.

E kam thënë shumë herë se Enver Hoxha i vrau për herë të dytë shqiptarët e Çamërisë. Nuk mjaftoi atë që Napolon Zerva bëri me një krahinë të tërë, një gjenocid I pastër dhe spasrtim etnik, por duhej që edhe në tokën amë, në Shqipëri ne të përndiqeshim përsëri.

Dosjet që do të duhet të studiojmë dhe që falenderojmë Autoritetin për këtë bashkëpunim përfshijnë emrat e familjeve të mëdha të Çamërisë dhe zbardhin të vërtetën e madhe dhe betejat e tyre të paepura si gjatë kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe stigmatizimin me të cilin ushtria propagandistike e Enver Hoxhës përndoqi për së dyti të gjithë shqiptarët e Çamërisë”.

Ndërsa kryetarja e Aurotitetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula tha se: “Së pari këto dokumente ofrojnë prova të reja dhe të paanshme historike mbi ngjarjet që ndodhën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke ndihmuar në qartësimin e fakteve dhe ngjarjeve. Ky është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe zgjidhjes së drejtë të Çështjes Çame duke ndihmuar jo vetëm historinë e Shqipërisë, diskursin publik, por edhe përpjekjet diplomatike. Së dyti, hapja e këtyre dosjeve për shqiptarët e Çamërisë nuk është vetëm emocionale, por edhe identitare”.

Ndërsa kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj tha se kjo marrëveshje na vjen në ndihmë të njohjes së dosjeve të personaliteteve të spikatura të komunitetit tonë çam, për të zbardhur veprimtarinë krimainale të ish sigurimit të shtetit dhe krejt makinerisë që u vu në dispozicion për të na përndjekur për herë të dytë. Ndaj i ftoj të gjitha institucionet që të bëhen pjesë e zbardhjes së historisë së Çamërisë për t’i dhënë zgjidhje Çështjes Çame.

Në fjalën e saj sekretarja e grupit parlamentar të PDIU-së, deputetja Mesila Doda theksoi se hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit është një nga betejat tona më të rëndësishme sepse ne nuk zbardhim të kaluarën, por ne u tregojmë shqiptarëve historinë, si për sa përket kontributit të çmuar të shqiptarëve të Çamërisë në LANÇ, por edhe thyerjes përfundimisht të stigmatizimit. Kjo është beteja jonë. Dhe jo vetëm për shqiptarët e Çamërisë, për për të gjithë shqiptarët”.

Në këtë aktivitet pati diskutime të shumta mbi këtë ngjarje të rëndësishme që çon drejt zbardhjes së periudhës së errët që komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë përjetoi gjatë regjimit diktatorial. Gjithashtu kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm që çon drejt zgjidhjes së Çështjes Çame dhe vendos edhe ura të reja komunikimi diplomatik midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Filed Under: Ekonomi

MBI NJË GJYSMË KAFKE BUNKERI

June 1, 2024 by s p

Laureta Petoshati/

NË POEZINË E ARMENIDA QYQES FJALËT JANË SI QENIE TË GJALLA/

Me një spontanitet dhe një zhdërvjelltësi të hijshme, me një çiltërsi dhe një shkrirje magjepsëse të realitetit me surrealitetin e ëndrrës ku konvergon dëshira dhe shpresa, vjen poetja Armenida Qyqja me vëllimin e saj më të ri poetik “Mbi një gjysmë kafke bunkeri”, për t’u dhënë lexuesve jo vetëm vargje me thellësi mendimi, por dhe shkëlqimin e menjëhershëm të bukurisë së vargut. I gjithë ky vëllim poetik ka më të theksuar temën e dashurisë, si një temë universale dhe e përbotshme, për të cilën kanë shkruar që nga Safo, Virgjili, Dante, Shekspiri, Petrarka, Rumi, Khajani, Elisabet Barret Browning, Maya Angelou, Alda Merini e deri tek poetët tani si De Rada, Naim Frashëri, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Fatos Arapi, Frederik Reshja, etj.
Armenida Qyqja është një poete që ka individualitetin e saj poetik edhe pse ka shumë pika takimi në ngjashmërinë e saj me poetë të tjerë të njohur, sidomos me poeten bashkëkohore italiane Vivian Lamarque për mënyrën e qartë të vargut, por dhe temat që trajton.
Poezia e poetes Armenida Qyqja është një shkrirje e ëmbël e shumë zhanreve dhe kulturave, që shkon në përputhje me jetën e saj në Shqipëri dhe me atë matanë oqeanit, në Kanadanë e largët dhe të lirë, të zhvilluar si një mozaik kulturash dhe përkatësie demokratike. Ajo jeton në Vankuver, por malli e sjell në rrugët e Shqipërisë, në Mesdheun e bukur plot ngjyra dhe dritë. Poezia e saj shpreh mallin për njeriun e zemrës, por ajo ka brenda dhe mall për parfumin, aromat, shijet, zhurmën e dallgëve, këngët, dritën e pasqyruar mbi det, etj. Mungesa e njeriut që dashuron, dhimbja që shkakton në shpirt pritja, momentet e ngulitura në kujtesë, kanë bërë që poetja të derdhë nga shpirti i saj në letër, poezi të tilla si: “Frymo në mua”, “Puthjet le ta shkruajnë të ardhmen” ,“Stinë rrahjesh”, “ Imprint tredimensional”, “Në udhë e sipër”, “Ëndrrat ngrenë foletë”, “Udhën merr me mendje”, “Lutem të mos rritemi”, “Pa rrudha e dua dashurinë”, “Rrëzoja pritjes tërë frutat”, “Savanë tropikale u bënë pritjet”, “Bëmë të besoj në mrekulli”, “Mbi retë e mallit”, apo dhe “Në hallkat e gjakut koduar”, ku duket se malli merr formën e lotëve në atë zhuritje shpirtërore:
“Një pikë shiu zbret mbi mallin tim të prushtë,
Ku je? Sillmi sytë, si dikur të t’i puth mëngjeseve…”
Malli i dashurisë vjen në forma dhe intensitete të ndryshme, me metafora ekspansive, ekstensive dhe konceptuale. “Një pikë malli mbyt detin e thellë të syve”, shkruan poetja te poezia “Brenda pikës së mallit”, madje te poezia “Një baticë hënore”, ku vetë titulli është një metaforë e jashtëzakonshme e largësisë, mallit dhe intensitetit, por është dhe një sinestezi, sepse vendos pranë hënës atë që i përket detit dhe, nga ky bashkim kemi vargje të mrekullueshme, që nuk të shqiten nga kujtesa që në krye të saj:

“Malli yt, një baticë hënore
Që mbulon pa u ndjerë buzët e mia,
Askush s’e kupton kyçjen e tyre
Veç dallgëve që mbajnë puthjet e tua…”

Ashtu si në këtë poezi, ajo që e bën të dallueshme poezinë e saj të dashurisë, është spërkatja me nuanca erotike, që edhe pse përfshihen në shumë poezi të saj, prapëseprapë këto nuanca nuk e kalojnë kufirin për të marrë formën e një poezie të mirëfilltë erotike. Dashuria shfaqet romantike, me kënaqësi të shpirtit dhe trupit, me ngritje emocionale në poezi të tilla si: “Me dritën e etur drejt teje”, “Pak frymë”, “Ditënetët e zhubrosura”, “Përtej njëmijë e njëshit”, “Sërish”, “E prushtë mes buzëve”, “Mendimi yt”, “Nisi zemrës një puthje”, “Ti nuk e di”, etj. Te poezia “Ti nuk e di”, bëhen bashkë arti poetik me artin e joshjes, sendërtohen rikumbimet shpirtërore, si në vargjet:

“Mbi buzët e tua dridhen puthjet e mia,
Ti qesh dhe të fshehtë ma mban,
Nuk e di që unë ua ndiej drithmën
Dhe pse mijëra kilometra na ndajnë… ”

Me nuancat më intime dhe më të holla të fjalëve, poetja na jep një atmosferë intime dhe situatash personale, që të fut në një vorbull dhe pështjellim të shumëfishtë përjetimesh dhe emocionesh, aq sa kush njeh poezinë e poetit amerikan E.E. Cummings dhe poezinë e tij “Më pëlqen trupi im kur është me tëndin”, të duket se Armenida Qyqja është alterego e tij. Poezitë e saj bëhen aq sensuale, sa në disa raste të kujtojnë shprehjen e Milan Kunderës te “Lehtësia e padurueshme e qenies”, që thotë: “Sensualiteti është mobilizimi i plotë i shqisave: një individ vëzhgon partnerin e tij me vëmendje, duke u përpjekur të kapë çdo tingull.” E pra, Armenida Qyqja, i ka kapur të gjitha tingujt, madje dhe nuancat e tyre. Edhe pse ajo është tashmë një grua e pjekur, madje nënë, në vargjet e saj ndihet një freski vajzërie, që është tejet natyrale në tërë thjeshtësinë e saj të të shprehurit të ndjenjave dhe emocioneve.
Por ajo nuk qëndron vetëm te tema e dashurisë, te malli dhe sensualiteti. Pesha e përgjegjësisë morale në drejtim të vendlindjes dhe atdheut të saj duket se rëndon në shumë poezi të saj dhe këtu mund të përmendim poezi të tilla si: “Fli Ali Asllani”, “Pak shpresë”, “Udhëve të zbrazëta”, “Nga shekulli në shekull”, “Rekuiem për Trojën time”, “Hebrenjve të mi”, “Kur dekorohen ujqërit”, etj. Në të gjitha këto poezi të saj të gjitha temat e trajtuara janë aktuale dhe mjaft të mprehta. Shpesh herë ato janë dhe një lloj hakërrimi si ai i Ali Asllanit dhe konkretisht, kjo protestë poetike, apo ky denoncim a demaskim, nëse mund ta quajmë kështu, bëhet për temat e korrupsionit, vëlla –vrasjes për një copë tokë, braktisjes së atdheut, servilizmit, indiferentizmit, etj.
Mendoj se poezia më e spikatur, që i ka dhënë dhe titullin librit është “Një gjysmë kafke bunkeri”, e cila e ka zanafillën te një pamje bunkerësh që mbeti e gdhendur në mendjen e poetes, e cila shkruan një poezi, që zbulon një imagjinatë mbresëlënëse, por njëkohësisht dhe disa shtresa të thella kuptimore, si dhe kontekstin historik. I gjithë imazhi i bunkerëve i përshkruar nga poetja është drithërues. Për një njeri, që i ka parë në realitet këto bunkerë, kemi një simbolikë historike dhe realiste, por mënyra e përshkrimit, fjalët e zgjedhura, dikotomia e vendosur në raportin bunker dhe pulëbardhë, pra në raportin burgosje dhe liri, na jep një skenë surrealiste:

“Po shtriqet batica mbi frontin e braktisur,
Nga një fije, përherë e më shumë,
Në një gjysmë kafke bunkeri të përmbysur,
Një pulëbardhë po darkon plot zhurmë…”

E gjithë skena e përshkruar me fjalë nga poetja Armenida Qyqja, të sjell si rezonancë në mendje pikturën e famshme “Kafka e Zurbarán-it” të Salvador Dali-së. E gjithë kjo poezi është në fakt një metaforë e gjithçkaje që ka ndodhur dhe që po ndodh në Shqipëri. Gjysmë kafka është dhe një skizmë, pra çarje e një mendjeje të çoroditur, që ka sjellë si pasojë mosfunksionimin e jetës normale në Shqipëri, apo ikjen e shqiptarëve matanë deteve, si pulëbardha e përshkruar. Në të gjithë tërësinë e saj, kjo poezi flet metaforikisht për fenomenin shkak-pasojë, por që të mos përsëritet e kaluara, ajo i kthehet dimensionit të kujtesës. Këto ide dhe koncepte ajo i shpreh te poezia “Kujtesë e tkurrur”, ku të trondit me vargjet, me të cilat i bën apel ndërgjegjes së atyre që kanë vuajtur që të mos harrojnë, por të gjejnë forcë dhe kurajo njerëzore përballë asaj makinerie shtypjeje që ka ndryshuar formën, por jo përmbajtjen:
“Pa zhvishini trupat dhe pyesni plagët,
Tmerrin që fle nën kore e damarë,
Pllakave të zeza të reve thuajuni t’u rrëfejnë,
Për vëllezërit që s’dihet varret ku i kanë…”
Poezi të tilla të kujtojnë mesazhin e Primo Levit sidomos atë që jep te libri dhe poezia me të njëjtin titull “A është vallë, njeri …?”, sepse dhimbja është dhimbje që, sipas filozofit spanjoll George Santayana “Ata që nuk e kujtojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë.”
Edhe pse ky libër ka shumë poezi të tilla demaskuese të fenomeneve negative në shoqërinë shqiptare, prapëseprapë, aty nuk ka urrejtje, ka vetëm dashuri. Poetja i shkruan dhe dashurisë për atdheun, dashurisë së nënës për fëmijën, dashurisë për prindërit, dashurisë së njeriut për njeriun, si ajo shprehja e poetit tonë Ndoc Gjetja se “Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu!” Poezi të tilla si “Atdheun kërkoj”, “Nënat”, “Dashuria e nënës”, “Bijve”, etj, flasin për dashuri sublime, hyjnore. Madje te poezia “Nënat”, kemi vargje përlotëse qysh në fillim, por dashuria për nënën e saj në fund shndërrohet në dashuri universale për të gjitha nënat:

“Pranë oxhakut të ndezur do të ngrohet dimri,
Dhe veten do lëshojë i shkrehur në gjumë,
Mua, zgjuar do më mbajë i ftohti,
Drithma e nënës atje lart, mes reve…”

Me një mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë të shprehuri, aq sa kur lexon të duket se fjalët janë vendosur brenda një kristali, ajo gjërat e vogla dhe të zakonshme të jetës, të bën t’i përjetosh në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të nxjerrësh mesazhe të vlefshme jetësore. Duke folur për një ritual krehjeje të flokëve dhe vështrimin para pasqyrës, ajo bën një krahasim tronditës te poezia “E vranë Mahsanë”, ku Mahsaja është një vajzë në Iranin e largët, që e vrasin njerëzit sipas ligjeve të Sheriatit, vetëm se kishte mbajtur flokët lëshuar. Duke folur me emra të përveçëm, si Mahsaja, por dhe Alani, si te poezia “Të harruan Alan”, ajo vërtetë që ngre zërin për çështje universale, mbi të gjitha për trajtimin e gruas dhe për mbrojtjen e fëmijëve nga tmerret e luftës, por tregon dhe një humanizëm të thellë duke i trajtuar ata si njerëz krejt të afërt, si të njohur, duke e bërë poezinë tejet prekëse.
Të gjitha poezitë e saj tregojnë për një kulturë të poetes, e cila përdor mitet, termat dhe simbolet biblikë si metafora të fuqishme dhe me kuptime të shumëfishta. Ajo këtë semantizëm e ka në themel me artin e fjalës, ku fjalët lëvizin sikur të jenë qenie të gjalla, apo diçka materiale që ka peshë dhe shpejtësi. Këtë gjë ajo e specifikon te poezitë “E vogël është fjala”, “Vagonët e fjalëve”, “Mbi fëshfërimën e zemrës”, apo “Racë njerëzore”, e cila ndërmjet të tjerave ka brenda metaforën “Ashensorët e fjalëve”. Nëse në Bibël kemi fjalën që u bë njeri, këtu kemi fjalën që nga ide bëhet diçka konkrete, materiale, që lëviz në mënyrë horizontale dhe vertikale, pra kemi alegori si forma më e lartë e metaforës dhe fjalët e vendosura në mënyrë të tillë, që hapësira e poezisë u jep kuptim tjetër nga ai i zakonshmi, e bën poezinë e Armenida Qyqes unike. I gjithë ky vëllim spikat me magjinë e fjalës, që rrjedh e lëshon jehona shpirtërore.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT