• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Zoti na i ruajt fëmijët, të rinjtë dhe moralin tonë!

July 29, 2024 by s p

Imam Gazmend Aga/

Brezi im ka kujtime të bukura me Lojerat Olimpike. Ndoshta për mungesë të shumëllojshmërisë së kanaleve televizive, lojërat olimpike ndoshta kanë qenë nga më të ndjekurat në Shqipëri. Televizori qëndronte hapur dhe ndiqeshin lloj lloj garash, pavarësisht se në kohe të tjera as që të interesonin.

Sot, diskutojmë gjëra të tjera për një mori garash të cilat synojnë një lloj tablloje uniteti të popujve të ndryshëm, te cilet jo rrallehere kane garuar edhe gjate lufterave me njeri tjetrin. ‘Perputhen’izimi i lojerave olimpike eshte vec vazhdimesi e asaj qe po perjeton shoqeria sot; humbje te orientimit te vlerave universale.

Tashme e mira mund te jete gjithcka, ose asgje. I moralshem mund te jete gjithkush, ose askush.

Ti mos u pezmato dhe perpiqu te besh me te miren e mundshme. Ne historine e cdo profeti gjen nje popull me histori tehuajizimi vlerash. Ka dicka qe bene profetet dhe qe mund ta besh edhe ti; te jesh shembull i mire pavaresisht gjithckaje qe te rrethon. Te bashkejtosh me masen pa u tehuajezuar.

Zoti na i ruajt femijet, te rinjte dhe moralin tone!

Filed Under: Politike

Bujar Alimani, regjisori i ndërgjegjes kombëtare

July 29, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Me regjisorin dhe skenaristin e mirënjohur, Bujar Alimani, i cili solli një shije të patjetërsueshme në artin e kinemasë, u takova para një jave në Bronx, New York. Po më priste në një kafe me pronar shqiptar, duke dëgjuar këngën legjendare që shoqëron vallen e “Osman Takës”. U prezantua thjesht: Jam nga Mazreku i Çamerisë, fshat i lashtë që kish 600 shtëpi. Rrallë kam njohur njeri kaq modest, empatik dhe human. Besoj të gjithë e mbani mend se në janar të vitit 2020 filmi shqiptar “Delegacioni”, (realizim i vitit 2018) me regji të Bujar Alimanit, ishte përzgjedhur për çmimin “Oscar”. Deri atëhere filmi shqiptar nuk kish njohur ndonjëherë kaq shumë sukses në skenat ndërkombëtare. M’u duk e pabesueshme në atë kohë. Ishte një ngjarje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare. Përzgjedhja në kompeticione ndërkombëtare të filmit siç dihet është e vështirë, pasi nuk konkuron dot me vepra të mbushura me klishe, por me vepra që mbartin background të thellë social e human. Çmimet që mori filmi “Delegacioni”, si “Çmimi i Madh” në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit të kategorisë A në Varshavë, vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. “Delegacioni”, i konsideruar si një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, u shfaq edhe në shumicën e festivaleve ndërkombëatare. Madje u shpërblye edhe me çmimin “Ecumenical”, një çmim për marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmin, që e jep në thelb Federata Katolike e Varshavës, e suportuar nga Vatikani.

Pas suksesit të filmit “Delegacioni”, në vitin 2021 regjisori Bujar Alimani u rikthye sërish në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në edicionin e tij të 37-të, me filmin “Virgjëresha shqiptare”, një produksion shqiptaro-gjerman, me një kohëzgjatje prej 120 minutash, ku bashkoheshin kanuni, komunizmi dhe femra shqiptare, përmes historisë tragjike të një “burrneshe”. Filmi na përball me figurën e femrës shqiptare në kohërat e vështira të jetës zakonore në vendin tonë. Një histori mjaft tronditëse, ku protagonistja braktis dashurinë e saj, për hir të Kanunit dhe ligjeve tradicionale që qeverisin shoqërinë shqiptare. Ky film, i financuar edhe nga Eurimage, ka fituar disa çmime ndërkombëtare, mes të cilëve në Festivalin e Filmit në Varshavë të Polonisë, ku u zhvillua një premierë Botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, dhe në Ostende në Film Festival, në Belgjikë.

Filmat “Virgjëresha”, “Fluturat”, “Amnistia”, “Vëthi i munguar”, etj. mund t’i konsiderojmë kryevepra të llojit të vet. Opusi kinematografik i Alimanit, me një mori veprash, ngërthen në vetëvete një mozaik vlerash humane, me skena fantastike dramash rrënqethëse, me një dinamikë portretesh autentikë, personazhe në zhvillim progresiv, që nuk janë gjë tjetër veçse lodra në duart e rrethanave. Filmat janë brujtur me një simbolikë të rrallë, imazhe turbulluese dhe sfida të madha konvencionale. Alimani na paraqet personazhe të tëhuajtur brenda shoqërisë, viktima të saj, fati i të cilëve vendoset nga rastësitë.(Kujtojmë filmat “Busulla”, “Zois”, “Brava”, “Krom” etj). Kryvlera që bartin veprat e tij është humanizmi, përqendrimi tek njerëzit e thjeshtë. Një virtyt i tillë kërkon shpirt human, një zemër të madhe, dashuri për njeriun, pa dallim. Filmat e tij na ofrojnë një pamje humane, edhe në rrethanat më tragjike, duke nxitur një provokim të thellë shoqëror e politik, duke i yshtur shqiptarët të shohin realisht historinë e tyre, pa doreza. Të pastrojnë memorien, llogarinë me të shkuarën.

Arti filmik i regjisorit Alimani mishëron ëndrrën e shumë njerëzve të realitetit shqiptar, duke krijuar aureolën e gjithë kompleksitetit human në një projeksion ku janë shpresat e dëshirat, komplekset nga të cilat kërkohet çlirimi, kënaqja e shpirtit, lundrimi në ditë e kaluara, nostalgjia…dhe absurdi padyshim. E theksojmë se gjithë krijimtaria e tij është në shërbim të humanizimit të shpirtit njerëzor dhe lartësimit të idealeve humaniste të paqes e vlerave të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Vokacioni kombëtar i regjisorit Alimani spikati edhe gjatë eventit “Noli Film Festival”, që u zhvillua nga data 31 maj deri në 2 qershor 2024 në katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit dhe është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston, SHBA. Në rolin e drejtorit artistik Alimani, së bashku me stafin e festivalit, bënë të gjitha përpjekjet që ky kompeticion dinjitoz të eksportonte te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare, duke zgjedhur 27 filma me autorë nga Shqipëria, Kosova e dhe Maqedonia e Veriut. Në festival u paraqiten filma artistikë, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe të animuar.

Kjo ishte një festë artistike e filmit shqiptar, që u mbështet edhe nga “Vatra”. “Qëllimi ishte që t’i sjellim emigrantëve shqiptarë të Bostonit e më gjerë, krijime të artistëve tanë, të takojmë njëri-tjetrin, të shmallemi, të bisedojmë e të mendojmë edhe për festivale të tjerë në Boston, tha regjisori Alimani. Të merresh me ndërgjegjen kombëtare në radhë të parë tënden dhe më pas të bashkëatdhetarëve të tu, është një gjë jashtëzakonisht e madhe. Ne i jemi borxhli ndërgjegjes kombëtare në përgjithësi dhe, nëse do të flisja edhe si artist me origjinë çame, pjesë e diasporës shqiptare në Amerikë, padyshim që i detyrohemi deri sa të kemi frymë Çamërisë sonë të shenjtë”, u shpreh gjatë bisedës regjisori Alimani.

Në filmat e tij regjisori Alimani e ka shumë të fortë edhe elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social-politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. Në filmat si “Delegacioni”, “Virgjëresha shqiptare”, “Fluturat”, etj, vetëm një fill i hollë e ndan aspektin kohor me aktualitetin.

Një pjesë e mirë e filmave të Alimanit janë një aktakuzë për komunizmin dhe postkomunizmin, për vizionin kontrovers të tyre në shkatërrimin e moralit humanist kombëtar. Në filmin e tij “Fluturat”, që shënjon një arritje kulmore në fondin e filmit dokumentar, realizuar me historitë tronditëse të 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në Gradishtë të Lushjes, regjisori Alimani ndihmon në sensibilizimin e ndërgjegjes kombëtare mbi regjimin komunist, ndërkohë që produksioni shërben edhe për të huajt, për t’u njohur me këtë pjesë të hidhur të atij realiteti. 21 femrat e internuara te “Fluturat”, edhe kur gjenden në llumin e errësirën më të madhe, kokëfortësisht nuk i humbin shpresat, por vazhdojnë të ëndërrojnë për një dritë, një diell që do t’ua ngrohë ditët. Vepra të tilla autori kumton mesazhet më universale, duke u futur në margjinat e shoqërisë, m’u aty ku vlon e ngjizet humanizmi i vërtetë, njerëzillëku e thjeshtësia.

Kompozimet të tilla, pa poza aktrimi, janë fine e të madhërishme. Regjisori Bujar Alimani krijon filma kompleks e universalë, shpesh herë pa ndihmën e dialogut, kryesisht përmes gjesteve dhe lëvizjes. Kështu i ikën me mjeshtëri klishesë. Sot kemi nevojë për artistë dhe krijues të tillë, me një këndvështrimi të ri realist, përballë dilemave morale të shoqërisë dhe ndërgjegjes së bjerrur kombëtare.

Filed Under: Opinion

PREJ TË PARVE PRITËM NJË SHQIPNI TË LIRË!

July 29, 2024 by s p

NIPAT PRESIN PREJ NESH NJË SHQIPNI TË LUMTUM. 

AT PJETËR MËSHKALLA APOSTULLI I LIRISË, NË PËRVJETORIN E VDEKJES!  

C:\Users\user\Desktop\AT pJETER mESHKALLA.jpg

Në një ditë korriku, të nxehtë,data 28 korrik, vjeti 1988 në Shkodrën e traumatizuar nga krimet e komunizmit, në Shkodrën kryeqytetin e krishtërimit shqiptar u hap lajmi si rrufeja se At Pjetër Mëshkalla, heroi i fjalës së lirë, gjikanti i fesë e i kulturës shqiptare, simboli i martirizimit të kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar,Trimi, dëshmitari, mbrojtësi i të drejtave njerzore në diktaturë, i madhi dhe i pavdekshmi At Pjetër Mëshkalla jezuiti shqiptar ndrroi jetë në qytetin e lindjes dhe kulturës ku u edukua e i shërbej me vendosmëri deri në fund, ku fitoi besimin, guximin dhe ku i la një pasuri kulturore e kombëtare jo vetëm Shkodrës por të gjithë shqiptarëve! Sot ne të mbijetuarit e diktaturës e kujtojmë këtë figurë madhore jo vetëm të kishës, por të kombit shqiptar, me një krenari, që ky personalitet i vetëm, e luftoi revolucjonin ideologjik antifetar të viti 1967.

At Mëshkalla i përket brezit të intelektualëve shqiptar të shekullit njëzet, që me stojcizëm dhe trimëri përballuan diktaturën ma çnjerzore mbas luftës së dytë botërore duke u bërë udherrëfenjës i të vërtetës, i besimit në Zot Krisht, i demaskimit të propagandës të komunizmit.

Kur përfundoi 25 vite burg politik, ai ishte 76 vjet. Ai kishte një mendje të freskët, gojën shpatë ndaj padrejtësisë, kur e lypte rasa, fjala e tije ishte mjaltë, bisedat joshëse e tij, sa nuk bahej të shkëputeshe prej tije me orë të tana. Shkodra, por dhe mijëra shqiptar që e kishin njohur në kampet e burgjet politike, pa dallim besimi fetar u piklluen e u trishtuan në zemrat e tyre,  për humbjen e atdhetarit të flakët dhe të të  vendosurit idealist, dijetarin, mendje ndriturin, dhe intelektualin e palodhur për unitetin e shqiptarve. Ushtarin e zdathun të krishtit, luftëtarin e paepur të demokracisë. Mësuesin e pavdekshëm të rinisë, kundërshtarin e pathyeshëm të diktaturës. 

Lavdi në jetë të jetve o Patër i madh që jetove e sakrifikove për atdheun tënd, për besimin tënd, për dashurinë njerzore që përçove me besimin tënd! Jemi krenar me kontributin tënd si në besimin në Zot, në krijimtarinë tuaj kombëtare, në kulturën e dijen tënde që jua përcolle brezave për vitet që jetove e punove për Shqipërinë.

Por  profecit tuaja që i transmetove në kohën e errësirës kur mungonte drita dhe liria, janë  dhe sot  aktuale dhe të domosdoshme për ndërtimin e breznisë së re shqiptare. 

Ato thënja nuk fshihen nga kujtesa kombëtare.

29 Prill1967 në ballafaqim me ideologjinë komuniste në Institutin pedagogjik të Shkodrës ai foli për breznitë që po formohen me edukimin komunist të rinisë shqiptare. Ai do të ju drejtohej ideollogve komunistë me argumentin e tij filozofik “ Po atë efekt kan ba fushatat e çfrenueme  diskretiduese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës tuaj.

 Si përgjigje populli ka mbushë kishat dhe xhamiat deri në çastin e mbylljes  së tyne. Ç”ë vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjshme e  të friksueme  me lloj lloj presionesh? 

Sidomos  pjesa e friksueme  me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun  nga kafshat e bukës, shtrëngohet  me mohue me gojë atë që beson: dhe kështu fushata që po bahen me formue një brezni të “njeriut të ri” nuk është as më pak e as më shumë vetëm një brezni “Pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste, servile tu prish karakterin e shqiptarit në dam të atdheut.”A nuk kemi sot prezencë, profecinë e Tijë,  një shoqëri të tulatur, servile pushteti dhe edukim nënshtrimin ndaj pushtetit politik  partiak???”

Ata që i nënvlerësuan aso kohe thanjet e tije, sot mbas 68 vitesh  po i shohim të gjitha parashikimet në realitetin e sotëm shqiptar:” Apo shkombëtarizohet Shqipnia siç e kishte parashikuar i madhi i të mëdhenjve At Pjetër Mëshkalla, politikanët postkomunistë nuk i patën këto profeci të tije në ndërtimin e shtetit të së drejtës, por ndoqën ideologjinë e forcës së pushtetit komunistë me sundu dhe jo me sjell demokraci. Shqipëria 34 vite që nuk ndërton demokracinë, por një diktaturë të korruptuar dhe një shoqëri të degraduar pa moral. Fatkeqësi kombëtare për humbjen e fisnikërisë e mos ndërtimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria akoma është nën diktatin e ideologjisë enveriste!

Guximi i At Pjetër Mëshkallës që i drejtohehej Kryeministrit sadist Mehmet Shehu duhet të jetë sot “moto” e kundërshtive të padrejtësisë që ban pushteti dhe politika në Shqipëri gjatë këtyre 34 viteve. Ja si i shkruan Patër Mëshkalla kryeministrit sadist në kulmin e zhdukjes së besimit fetar!

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.

                  Drejtua

Kryetarit të Këshillit të Ministrave 

  Mehmet Shehu Tiranë!

Shkëlqesë, Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. 

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. 

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. 

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.  Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.  Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? 

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. 

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit. 

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime 

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla 

   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqënisë Jezuit          5 Prill 1967.

Po të lexojsh këtë dokument që i dërgohej një krimineli siç ishte Mehmet Shehu me pushtet apsolut, çpërgjigje do të na jepshin sot këta moderatorë, analistë, televiz , sahanlëpirsa të pushtetit politikë mbeturina të enverizmit, se Shqipëria nuk pati disidencë siç pati europa juglindore!  Po cili disident europian, apo botëror mundej me ju drejtu një xhelati në mbrotje të besimit dhe Atdheut?. Kujtesa është formë e vetëdijes së një kombi a një populli. E kjo letër e Padër Mëshkallës është sot kujtesa që duhet ruajtur për breznitë, por duhet futur në kurikulumet arsimore për të mbrojtur të vertetën dhe historinë e kombit. Pushtetmbajtsit tanë mediokër gjatë këtyre 34 viteve e rrënua këtë kujtesë historike duke përdorur heshtjen një element kriminal për të luftuar sistemin e demokracisë.

Padër Mëshkalla do të takohej me kriminelin Mehmet Shehut në burgun famëkeq të Burrelit  dhe do ti jepte këtë përgjigje :“Na jemi nën dhe, e ju mbi dhe, por na jemi ma të fortë se ju.”

 E cili disident europian apo botëror mund të kishte guximin , trimërinë e At Mëshkallës përball xhelatëve!?

 Me 19 korrik 1967 në sallën e gjygjit ai do të deklaronte “Ju më dënoni sa të doni, mua nuk keni ça më bani, unë prap se prap do të dal , sepse ju shpejt keni me mbaru , mbasi do të keni hangër shoshojnë e aty është fundi i juaj” Ju kishat rranoni, por toka nuk lot! Dhe Prof. Arshi Pipa do të i shprehte mirënjohjen mbas 5 vitesh që kishe ndrrua jetë dhe mbas 45 vitesh që u kthyen në Shkodrën e tije të dashtun.“Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot gjallë , i detyrohem lutjeve të njerzeve  si Padër Mëshkalla e të tjerve  të cilët kujtoi se kanë kontribue në determinizmin e fatit tem. Prandaj mijëra të burgosur politikë që kan jetuar me At Mëshkallën në birucat e dhomat e izolimit do ta quanin “Ëngjëll i birucave.”

Meriton shumë ky njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrotjen e Zojës së bekueme  siç shkruan ai vetë: Mes xhixhave që më lëshojshin sytë , mu duk se se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme : O Zojë , më ndihmo me i bajtë torturat-iu luta- më forco mos të ligshtohem me ruj me dorën tande.. ndoshta askush nuk e beson , por asht fakt  që gjatë hetuesisë  hangra vetëm një shputë, Çprej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyre  me dorë.

 Sa vetë ke shpëtua nga dëshprimi e vetvrasja ndër ata burgje e kampe të tmershme o At i shejtë!

Përvjetori i vdekjes tënde At Mëshkalla na sjell në vemendje  fjalën e Papa Gjon Palit II në sheshin  Skënderbej  1993 “ Drama juaj , shqiptar të dashtun , zgjon interesin e mbarë kontinentit europian, dhe është e domosdoshme që Europa të mos ju harroi.”    

Besim Ndregjoni i dhuron Shenjterise se tij Papa Franceskut origjinalin e Letres se Pader Pjetër Meshkalles drejtuar Kryeministrit sadist Mehmet Shehu!

Padër Mëshkalla ndaj vepres tënde të ndritur unë me 25 tetor 2023 ja dorzova  letrën tënde që ja dërgoje Kryeministrit xhelat Mehmet Shehut, Shenjtërisë së tijë Papa Françeskut, dhe sot që shkruaj për përvjetorin e kalimit në amshim tuajn ndjehem krenar që kreva një detyrë ndaj  heroit të fjalës së lire! Ndaj jush si gjikanti i fesë, dhe kulturës. Dhe i tregova Atit të shejtë sakrificën heroike të klerit shqiptar në mbrotje të besimit fetar, Kleri katolik Shqiptar është krenari e heroizmit të të gjith krishterve të botës, por mbi të gjitha është simboli i krenarisë shqiptare.

 E këtë simbol e lartësoi Patër Mëshkalla me vepren e tijë. Po e mbyll këtë kujtesë për përvjetorin tënd At me fjalët e studjuesit, biografit tuaj të nderuemit shkodranit të palodhur Fritz Radovani:

“Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbar popullin shqiptar, jeta dhe vepra e Padër Mëshkallës mbetet simboli i atdhetarizmit,besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë fisnikërisë shqiptare  dhe nderës ndaj Flamurit tonë kombëtar.

Besim NDREGJONI 

Filed Under: Histori

FEDERATA VATRA DHE GAZETA “DIELLI” – PSE KOMUNITETI SHQIPTAR I ShBA-ve ËSHTË KOMUNITETI MË I SHËNDOSHË I DIASPORËS SONË?

July 27, 2024 by s p

Prof. Thanas L. Gjika/

Që në vitet e Rilindjes sonë komunitetet shqiptare të diasporës (arbëreshët e Italisë, arbërorët e Greqisë, shqiptarët e mërguar në Rumani, Bullgari, Egjipt, ShBA, etj), filluan të botonin gazeta e revista nën drejtimin e ndonjë ardhetari, ose të ndonjë shoqërie, për të propaganduar idetë e lirisë kombëtare dhe mbas krijimit të shtetit të pavarur edhe ide për demokratizimin e jetës e të politikës së shtetit shqiptar. Mirëpo historia e gazetarisë sonë dhe historia e shoqërive atdhetare shqiptare tregon se vetëm gazeta “Dielli” dhe Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës, kanë qenë binomi që i dha ecurinë më të frytshme shqiptarizmit, përmes kanunores së Vatrës dhe botimit të krijimtarisë publicistike, letrare e shkencore në faqet e kësaj gazete. Më 15 qershor 1906 atdhetari Sotir Peci filloi të botonte në Boston MA gazetën “Kombi”. Atij iu bashkuan edhe emigrantë të rinj të shkolluar si Fan Noli, Kristo Floqi, etj. Në tetor të vitit 1908 S. Peci u largua nga ShBA për të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit. Në fillim të janarit 1909 gazeta e tij u mbyll. Atë Fan Noli, i zënë me punët e kishës dhe me përkthimet fetare, kërkoi Faik Konicën që të vinte nga Londra në Boston për të drejtuar gazetën e re “Dielli”, që filloi të botonte shoqëria “Besa Besën” më 15 shkurt të vitit 1909. Gazeta “Kombi” nga 15 qershori 1906 deri në janar 1909 dhe gazeta “Dielli” nga 15 shkurti 1909 deri më prill të vitit 1912 luajtën rol të rëndësishëm për gjallërimin e atdhetarizmit midis emigrantëve shqiptarë të Amerikës, por si “Kombi” me 110 numrat e saj dhe “Dielli” me 147 numrat e veta që u botua si gazetë e shoqërisë “Besa-Besën” para krijimit të Federatës Vatra, nuk mundën të luanin atë rol që luajti gazeta “Dielli” pasi mori statusin organ i Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës.

Duke ndjekur shembullin e etërve Noli – Konica, atdhetarë të përkushtuar e të talentuar, emigrantë të tjerë si Kr. Floqi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Andon Frashëri, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Prof. Peter Prifti, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, Agim Karagjozi, etj krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. Edhe pse regjimi komunist e luftoi me forma e mjete nga më të ndryshmet këtë federatë dhe gazetën e saj, ato rezistuan dhe i mbijetuan përndjekjes.

Para vitit 1990 funksionuan dhe disa emisione radiofonike në gjuhën shqipe. U shquan në faqet e gazetës “Dielli” dhe Prof. Sami Repishti e intelektualë të tjerë. Kurse pas vitit 1991 nisën aktivitetin dhe disa emigrantë të rinj si Naum Prifti, Anton Çefa, Dalip Greca, Sokol Paja. Filluan botimin gazeta “Illyria” e Hary Bajraktarit (e vijojnë Vehbi Bajrami dhe Ruben Avxhiu), dhe revista të komuniteteve fetare, u hapën stacione televizive, faqe interneti, etj. Por gazeta “Dielli” dhe Federata Vatra mbetën organi dhe shoqata më e rëndësishme e komunitetit shqiptar të ShBA-ve. Ky binom shquhet sot dhe në mbarë diasporën shqiptare që ekziston në Europë dhe Australi. Pa përmendur numrin e madh të biznesmenëve dhe të kuadrove të lartë të shquar që punojnë në fusha të ndryshme sot në ShBA, mund të them pa mëdyshje se komuniteti shqiptar i ShBA-ve ka dhe numrin më të madh të krijuesve cilësorë, poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe studiues në krahasim me komunitetet e tjera shqiptare të botës. Këto arritje nuk janë thjesht pasojë e standartit ekonomik të ShBA-ve, dhe as se këtu numri i emigrantëve tanë është më i madh se gjetkë. Në ShBA jetojnë sot më pak se 250.000 shqiptarë. Në vende me standart të afërt me atë të ShBA-ve si Zvicra ku punojnë mbi 300.000 shqiptarë, Gjermania e Anglia ku punojnë nga 250.000 shqiptarë, nuk mund të krahasohen arritjet intelektuale dhe atdhetare të emigrantëve të atjeshëm me ato të komunitetit shqiptar të ShBA-ve.

Pandaj ideja e Dr. Elmi Berishës, Presidentit të sotëm të Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës, për të krijuar edhe në komunitetet e tjera shqiptare në emigracion shoqëri të ngjashme me Federatën Vatra, të cilat të botojnë dhe nga një gazetë qendrore, vlen të mbështetet nga atdhetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Zvicër, etj. Krijimi i këtyre shoqërive atdhetare me kanunore e gazeta përkatëse duhet të ndihmohen edhe prej qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse ky proces do të ndihmojnë në ecjen drejt krijimit të lobit shqiptar mbarëkombëtar, nevojë e kohës sonë…

Filed Under: Vatra

Dialogu Kosovë-Serbi dhe paradigma e luhatjes gjermane

July 27, 2024 by s p

Prof.dr. Sylë Ukshini/

Do të ishte naive të besoj se me këtë diskurs procesi i Brukselit mund të prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është e qartë se mungesa e pranisë së fuqishme amerikane dhe britanike në dialogun e Brukselit, hap pas hapi e ka deformuar qëllimin e dialogut, i cili në vend të normalizimit, viteve të fundit ky dialog ka shërbyer më shumë si një instrument për menaxhimin e status quosë. Dhe ndoshta pikërisht kjo qasje shërben si pikënisja më e mirë për ta kuptuar paradigmën e luhatjes gjermane

Para 16 vjetësh Gjermania qe një nga shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, e cila e shënonte përmbylljen e procesit të krijimit të shteteve të reja të krijuara në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë shumëkombëshe, si realitet politik. Kështu, pas katër luftërave, vrasjeve masive dhe spastrimeve etnike u vulos shkërmoqja e pjesës së fundit të krijesës politike të Versajës, pikërisht aty ku kishte nisur para më shumë se tri dekadave, në Kosovë. Ky transformim i Ballkanit do të ishte i papërfytyrueshëm dhe i paarritshëm pa rënien e Murit të Berlinit dhe pa mbylljen e çështjes gjermane, e cila ishte epiqendra kryesore e Luftës së Ftohtë. Përveç kësaj, Republika Federale e Gjermanisë, sidomos nga ribashkimi i saj në vitin 1990, është konsideruar si promotor jo vetëm i evropianizimit të shtetit gjerman, por edhe i rajonit të Evropës Juglindore. Qëkur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësitë e tyre dhe kriza e shpërbërjes së Jugosllavisë mori përmasa tragjike, Gjermania, në bashkëpunim të ngushtë me Francën dhe me Britaninë e Madhe, ishin aktorët më me peshë në menaxhimin e krizës. Mbyllja e çështjes gjermane dhe rritja e angazhimit gjerman dhe e partnerëve të tjerë evropianë në Evropën Juglindore i ka shërbyer edhe Kosovës si një mundësi për adresimin e çështjes së statusit politik në fund të viteve ‘90. Krijimi i shtetit të Kosovës në vitin 2008, ndodhi edhe si rezultat i ngritjes së bashkëpunimit dhe partneritetit gjermano-amerikan, gjë që u manifestua me kohezionin e NATO-s dhe profilizimin e BE-së në rrafshin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por, pa dyshim, angazhimi ushtarak gjerman në luftën e Kosovës konsiderohet si moment historik për transformimin paradigmatik të politikës së jashtme gjermane.

Ishte 24 marsi i 1999-s, kur kancelari Gerhard Schröder (SPD), në një fjalim televiziv i tha publikut gjerman se ushtarët e Bundesvehrit ishin angazhuar në një operacion luftarak ajror, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo nënkuptonte se ekuipazhet e avionëve luftarakë gjermanë “Tornado ECR”, që i përkisnin skuadronit operacional Luftwaffe, ishin stacionuara në bazën ajrore ushtarake italiane në Piacenza. “Tornado ECR” gjermane duhej të zbulonte, identifikonte dhe më pas të eliminonte mbrojtjen ajrore serbe me ndihmën e raketave të tyre HARM.

“Tani është luftë, po. Dhe unë kurrë nuk do ta kisha ëndërruar që edhe koalicioni kuq-gjelbër do të jetë pjesë e kësaj lufte. Por kjo luftë nuk ka ndodhur që 51 ditë, por që nga viti 1992 […] Ajo tashmë ka kushtuar jetën e qindra mijëra njerëzve, dhe kjo është pika ku në të cilën Aleanca 90/Të Gjelbërit nuk janë më një parti protestuese [ …] Unë qëndroj mbi dy parime: Asnjëherë më luftë! Kurrë më Aushvic, kurrë më gjenocid, kurrë më fashizëm! Për mua të dyja janë të lidhura”. Me këto fjalë, ministri i Jashtëm gjerman dhe politikani i Gjelbër, Joschka Fischer, u bëri thirrje delegatëve të Asamblesë së Jashtëzakonshme Federale të Aleancës 90/Të Gjelbrit më 13 maj 1999 në qytetin Bielefeld për t’i dhënë atij mbështetjen në politikën e jashtme dhe për vendimin e Qeverisë së koalicionit kuq-gjelbër për pjesëmarrjen e Bundewehrit në sulmet ajrore të NATO-s.

Më vonë, Fischeri e përshkroi fjalimin, i cili gjithashtu u bë i njohur për “krahasimin e tij me Auschvicin”, si më të rëndësishmin e jetës së tij. Qëllimi i angazhimit gjerman në fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe represive serbe ishte ndalimi i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe stopimi i vrasjeve masive dhe i spastrimit etnik. Me këtë vendim, shteti gjerman kishte braktisur “kulturën e vetëpërmbajtjes”, pozicionin e deriatëhershëm hezitues dhe në këtë mënyrë filloi të merrte më shumë përgjegjësi në nivelin evropian dhe ndërkombëtar, edhe pse politika gjermane mbetej edhe më tej e ankoruar thellë në militarizëm dhe në konceptin e njohur të “zivilmachtit”. Ruajtja e paqes në Ballkan është përgjegjësia jonë.

Treshja gjermane, kancelari Gerhard Shreder, ministri i Jashtëm Joshka Fisher dhe ministri i Mbrojtjes Rudolf Sharping, u bënë protagonistët më të njohur në nivelin evropian për të ashtuquajturin “kurs të luftës”, i cili i kontribuoi kohezionit të Aleancës Veriatlantike dhe zhvillimit institucional të BE-së. Gjermania mori pjesë në një aksion, i cili në radhë të parë, para se të ishte ushtarak, ishte emancipues për veten e saj. Gjermania e kishte të qartë se Kosova nuk mund të lihej në mëshirën e fatit, sidomos pas asaj çfarë kishte ndodhur në Bosnjë, përkatësisht në Srebrenicë. Vendosmëria e kancelarit Shrëder forcoi radhët e koalicionit dhe bashkoi sërish radhët me të gjelbrit gjermanë, të njohur për orientimin pacifist. Sipas Fischerit, pa besimin dhe kryesimin e fuqishëm të Shrëderit, do të kishte qenë e vështirë të mbahej qeveria dhe koalicioni Kuq-Gjelbër. Ky qëndrim i qeverisë gjermane ishte edhe një shkëputje me rregullin e vazhdimësisë, që deri atëherë kishte qenë në fuqi në politikën e jashtme të Gjermanisë. Për politikën e jashtme gjermane, politika e Millosheviqit në Kosovë që nga vitit 1989 pothuajse deri në detaj ishte identike me elaboratin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviqit, i cili ishte hartuar në mars të vitit 1937 në Beograd, e që në prill të vitit 1999 e botoi edhe e përditshmja e njohur “Frankufrter Rundschau”. Lidhur me këtë, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer, në memoaret e tij shkruan: “Millosheviqi dukej se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të reja”.

Mbështetur në këto vlera, Republika Federale e Gjermanisë përfundimisht hoqi dorë nga pozicioni i saj historik hezitues dhe vendosi të merrte një rol aktiv politik në skenën evropiane dhe botërore, duke iu bashkuar këndvështrimit amerikan për Kosovën, duke i dhënë zë angazhimit të saj në kuadër të Grupit të Kontaktit, G8-s, NATO-s dhe BE-së. Për politikën gjermane ndaj Kosovës, ky pozicionim do të thoshte korrigjim faktik nga qëndrimi i gabuar për njohjen e Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit në vitin 1996, kur Kosova dhe shqiptarët bënin jetë në rrethana të një aparteidi të vërtetë. Mbi këto premisa, Gjermania do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj rolit paqësor që luan KFOR-i në Kosovë, ku ushtarët gjermanë kanë ndihmuar në etablimin e stabilitetit për më shumë se dy dekada. Në të njëjtën kohë, politika e jashtme gjermane ka luajtur rol aktiv në procesin e adresimit të statusit politik të Kosovës, njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe mbrojtjen e saj juridike ndërkombëtare në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk cenonte të drejtën ndërkombëtare dhe se Kosova është një rast unik dhe i pakrahasueshëm.

Mesazhi i kancelares Merkel në Beograd

Pas angazhimit gjerman në kuadër të intervenimit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë, moment i rëndësishëm i politikës gjermane në raport me Kosovën ka qenë qëndrimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, lidhur me pritjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Vizita e Merkelit në Beograd, në gusht të vitit 2011, e shënon një moment kthese në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi që Merkeli i kërkoi Tadiqit që Serbia t’i përmbushte tri kushte nëse dëshironte të merrte statusin e vendit kandidat të BE-së: E para, duhet të fillojë një dialog direkt me fqinjin e saj, Kosovën; së dyti, duhet të mos e pengojë operimin e EULEX-it në komunat veriore të Kosovës dhe, së treti, duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale serbe brenda Kosovës.

Në të njëjtën kohë, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, nën përcjelljen e komandantit të KFOR-it, Erhard Bühler, më 11 gusht të 2011-s, kishte vizituar edhe pikën kufitare në Jarinjë, të djegur asokohe nga protestuesit serbë.

Ndërsa një vit më vonë, politikani dhe deputeti gjerman, Andreas Shokenhof (CDU), një kritik i shquar i presidentit rus, Vladimir Putinit dhe një përkrahës i hapur i sanksioneve të ashpra kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë, (për disa, rrethanat e vdekjes së tij më 2014 e kujtonin spontanisht sulmin me helm ndaj një ish-agjenti rus dhe kritiku të Kremlinit në Londër në vitin 2006), gjatë një vizite në Beograd në shtator 2012 kishte paraqitur 7 kushtet që Serbia duhet t’i përmbushte për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Asokohe, Gjermania priste që Serbia, para nisjes së negociatave për pranimin si anëtare në Bashkimin Evropian, të nënshkruante me Kosovën marrëveshjen e përbashkët juridiko-obliguese, e cila do të zbatohej deri në fund të negociatave për pranim. Në këtë kuadër, shteti gjerman e theksonte nevojën e arritjes së progresit të prekshëm lidhur me zgjidhjet e çështjeve ende të hapura bilaterale me Kosovën, në këtë rrafsh procesin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ujdia për vazhdimin e dialogut jashtë temave tani më të parashikuara, sikurse janë energjetika dhe telekomunikacioni. Në kuadër të këtyre kushteve, Berlini zyrtare tregohej i vendosur për t’i kërkuar Beogradit ndriçimin e sulmit mbi Ambasadën Gjermane në Beograd në shkurt të vitit 2008, kur Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ndjekjen dhe dënimin e autorëve. Gjithashtu, Bundestagu priste sinjale të qarta në drejtim të vazhdimit të pajtimit në rajon dhe në këtë linjë Berlini zyrtar e cilësonte si hap prapa deklaratën e autoriteteve të Beogradit se “në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid”. Bundestagu pret sinjale të qarta në drejtim të vazhdimit të pajtimit në rajon. Ndërkaq, kushti i pestë kishte të bënte me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.

“Bundestagu pret fillimin e heqjes në vazhdimësi të strukturave paralele në aparatin e sigurisë e të administratës si dhe të financimin e tyre”, nga Beogradi. Në këtë frymë, në pikën gjashtë, i kërkohej Beogradit që të përdorte “ndikimin e vet dhe të ndikojë në vazhdimësi tek serbët në veri të Kosovës që aktivisht të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in.

Përmes këtyre kushteve pala gjermane i bënte të qartë Serbisë se përafrimi i saj me BE-në nuk guxon të bartë konflikte të pazgjidhura fqinjësore. Sipas palës gjermane, Serbia, para hapjes së negociatave për anëtarësim, lypsej të tregojë vullnet evident se është e gatshme të arrijë normalizimin juridikisht obligues të raporteve me Kosovën me perspektivën se të dy anëtaret me të drejta të barabarta në kuptimin e traktatit të BE, mund t’i realizojnë të drejtat dhe detyrimet e veta, pavarësisht nga njëra-tjetra.

Një moment tjetër i rëndësishëm për Kosovën ishte edhe “Non Paper”-i i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë mbi Kornizën Negociuese të BE-së me Serbinë, i diskutuar në fund të gushtit 2013 në takimin e COELA (grupit punues për zgjerim dhe vendet negociatore – “EU Enlargement and Negotiation Countries”). Me atë rast, Mbretëria e Bashkuar (UK) dhe Gjermania (DE) kishin “qartësuar pozicionin e tyre lidhur me kornizën negociuese për Serbinë” përmes një “non–paperi” mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Dokumenti i përbashkët i Britanisë së Madhe dhe i Gjermanisë përmbante 10 pika, të cilat zbërthehen në kushtëzim të jashtëzakonshëm për Serbinë. Ndërsa fokusi kryesor i këtij dokumenti është procesi i normalizimit, ku është përdorur termi tashmë jo i ri i “full normalisation”, i cili nënkuptonte që normalizimi i plotë duhet të formësohet në një marrëveshje ligjore të detyrueshme për të dyja palët dhe i cili do t’u garantonte Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë rrugëtimet e tyre përkatëse drejt BE-së, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit që kjo do të duhej të jetësohet si kushtëzim final i Kapitullit 35. Kjo do të siguronte që normalizimi trajtohet në të gjithë kapitujt që kanë rëndësi për Kosovën. Kjo nënkuptonte se procesi i negociatave për të gjithë kapitujt do të kushtëzoheshin nga niveli i progresistë mjaftueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Nëpërmjet këtyre dokumenteve, Gjermani kishte bërë një hap të madh në fuqizimin e pozicionit dhe të shtetësisë së Kosovës, si dhe i kishte dhënë dinamikë të qartë dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke i njohur Serbisë pronësinë e bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Për më tepër, me këtë pozicion, diplomacia gjermane kontribuoi në formulimin e kornizës negociuese ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe bashkë me këtë edhe të kushteve që duhej të përmbushte Serbia për anëtarësim e saj në BE. Këto kushtëzime gjermane u shndërruan në kushtëzime evropiane për Serbinë dhe, sipas tyre, Serbia deri në fund të procesit për anëtarësim në BE obligohej të nënshkruante me Kosovën një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Këto kushtëzime nënkuptonin gjithashtu se Serbia nuk do të mund të hynte në BE pa nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale me Kosovën dhe pa e njohur pavarësinë e saj. Dhe më domethënës ishte fakti se ky pozicion gjerman kishte mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe, njërin nga aleatët më strategjikë në Evropë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mungesa e pranisë së qartësisë gjermane

Trembëdhjetë vjet më pas, vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, përmbyllet pa asnjë mesazh të qartë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të cilat, duhet pranuar, janë edhe më të këqija sesa që ishin në vitin 2011 apo 2013. Në vend të kushtëzimeve gjermane dhe evropiane si një dekadë më parë u tha se “litiumi e sjell Serbinë më pranë Evropës”. Në Beograd nuk ishte protagonist kancelari gjerman Scholz, as nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili mori bonusin më të madh në karrierën e tij politike përmes nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e baterive, veçanërisht për makinat elektrike. Prania e Schlozit në Beograd vetëm sa e konfirmoi mungesën e pranisë së qartësisë gjermane.

Për politikën gjermane në Ballkan, si duket, më nuk vlejnë parimet dhe përgjegjësitë e saja të formuluara në qëndrimet e një dekade më parë, kur të gjithë ne në Kosovë shpresonim se shteti gjerman po luante në rol aktiv dhe se ishte një adresë e rëndësishme politike për shtyrjen përpara të procesit të evropianizimit të Ballkanit dhe të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi.

Kjo qasje gjermane tregon një luhatje nga qëndrimet e mëhershme parimore ose një kontinuitet në ndryshim, i cili më shumë sesa një udhërrëfyesi për një politike të re ndaj Ballkanit, shpërfaq një tendencë për gjetjen e balancës mes interesave nacionale dhe vlerave. Kjo është ashpërsia që tani e tutje e pret Kosovën. Dhe, si për ironi, pikërisht në përvjetorin e katërmbëdhjetë të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila shënon një fitore të jashtëzakonshme në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës, të cilët bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, të udhëtojnë pa viza sikurse të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor! Ky vendim është hiq më pak se kontestim i shtetësisë së Kosovës, trimërim i strukturave ilegale serbe dhe njëkohësisht cenon integritetin territorial të Kosovës, ngase prej këtij Brukseli legalizon një lloj dualizmi juridik-shtetëror në Kosovë: Kosovën serbe dhe Kosovën tjetër multientike, por jo shqiptare. Ndërkaq, deklarata e kryeministrit Kurti se “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit,” nuk është justifikim i zakonshëm i një kryeministri të vendit.

Nëse ne vërtetë nuk kemi asnjë peshë dhe asnjë ndikim në vendimet që Bruksel merr për Kosovën, atëherë cili është qëllimi i shkuarjeve tona në takimet e Brukselit dhe vazhdimi i këtij dialogu. Mendoj se pakta që duhet të thuhet në këtë moment është, se ato pasaporta do të shpallen ilegale dhe do të konfiskohen. Ky vendim i Brukselit dhe qëndrimi gjerman, francez dhe italian kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës më shumë duhet lexuar si pozicionim në favor të qëndrimit të Beogradit në dialogun e Brukselit sesa ndonjë qëndrim parimor, kur tashmë Asambleja e Këshillit të KiE-së e kishte dhënë dritën jeshile për pranim. Nëse kjo qëndron, atëherë politika e vendeve anëtare të BE-së po e minon qëllimin kryesor të dialogut, integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe evropianizimin e Serbisë si parakusht për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Përveç kësaj, me këtë qasje asimetrike, vendet kryesore të BE-së e bashkë me të edhe politika e jashtme e BE-së po ndihmojnë realizimin e intencës dhe narracionit serb të përkohshmërisë së çdo gjëje dhe të dualitetit në Kosovë. Natyrisht, në këtë situatë specifike gjeopolitike, ky nxitim i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe, ku Kosova figuron si territor i Serbisë, objektivisht shndërrohet në përkrahje te politikes serbe për kontestimin e shtetësisë së Kosovës edhe nga brenda. Ky diskurs absurd i Brukselit duhet të jetë një paralajmërim i qartë për Qeverinë e Kosovës se Aneksi i Ohrit, i cili gjithçka lë të hapur, mund të ketë prodhojë një ndarje të brendshme, e cila bashkë me aranzhimet e reja për Kishën Ortodokse Serbe, do ta bënin jofunksional shtetin e Kosovës.

Në këtë situatë specifike gjeopolitike, kur rolin udhëheqës evropian e ka marrë Gjermania së bashku me Francën, është e dukshme se ka ndryshuar edhe qasja ndaj Beogradit, e cila nënkupton heqje dorë nga pozicionet e dikurshme të qeverisë Merkel. Prandaj, do të ishte naive të besoj se me këtë diskurs procesi i Brukselit mund të prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është e qartë se mungesa e pranisë së fuqishme amerikane dhe britanike në dialogun e Brukselit, hap pas hapi e ka deformuar qëllimin e dialogut, i cili në vend të normalizimit, viteve të fundit ky dialog ka shërbyer më shumë si një instrument për menaxhimin e status quosë. Dhe ndoshta pikërisht kjo qasje shërben si pikënisja më e mirë për ta kuptuar paradigmën e luhatjes gjermane.

Koha.net

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT