• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

IKONA E “ZËRIT TË AMERIKËS” DR. ELEZ BIBERAJ DHUROI 1 MIJË DOLLARË PËR GAZETËN DIELLI

November 23, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin respektin më të thellë, mirënjohjen më të përshpirtshme dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptaro-amerikane Dr.Elez Biberaj për dhuratën e tij bujare prej 1 mijë dollarë në mbështetje të gazetës Dielli, gazetës historike të shqiptarëve të Amerikës.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e falenderojnë Dr. Biberajn për bashkëpunim e shkëlqyer në dekada në të gjitha aktivitetet patriotike, komunitare, konferencat shkencore e simpoziumet, tubimet kulturore e atdhetare. Dr. Elez Biberaj i shërbeu të vërtetës, kombit e komunitetit shqiptar për 43 vite duke qenë zëri më i fuqishëm i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë.

Mirënjohje për ju Dr. Elez Biberaj, pasuri dhe vlerë tejet e çmuar e kombit dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

GLOS POLSKI (1925) / “LODZI I POLONISË PRET NJË ARTIST TË MADH.” — INTERVISTA SPECIALE ME ALEKSANDËR MOISIUN PËR ARTIN TEATROR

November 23, 2024 by s p


Wieli Artysta (Një artist i madh) — Burimi : Światowid, e shtunë, 31 mars 1928, ballinë
Wieli Artysta (Një artist i madh) — Burimi : Światowid, e shtunë, 31 mars 1928, ballinë

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  23 Nëntor 2024

“Głos Polski – Zëri i Polonisë” ka botuar, të enjten e 15 tetorit 1925, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Łódź të Polonisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Łódź-i pret një artist të madh

Moisiu për artin teatror

Burimi : Głos Polski, e enjte, 15 tetor 1925, faqe n°4
Burimi : Głos Polski, e enjte, 15 tetor 1925, faqe n°4

Rusët janë të apasionuar pas teatrit, amerikanët janë plot naivitet fëminor, ndërsa në çdo kinez ka një aktor të madh.

Intervistë speciale e “Głos Polski” me z. Aleksandër Moisi

Dje, Aleksandër Moisiu ka mbërritur në Lodz dhe do të performojë mbrëmjen e sotme në sallën e Filarmonisë.

Artisti-recitues i shkëlqyer është një nga njerëzit kryesorë të teatrit, një nga avangardët e artit bashkëkohor; një mjeshtër fjalësh që ka përvetësuar një aftësi unike si një person i rrallë.

Shfaqjet e tij si Hamleti dhe Edipi Mbret, gjesti i tij dramatik dhe patosi i thellë e bënë atë një nga ata aktorë të rrallë sot që krijojnë vizione poetike, recitimi i të cilave është një krijim i gjallë, një art i madh, që përmban shtatë vulat e fillimit, art në vetvete.

Një zë jashtëzakonisht i këndshëm, thjeshtësia e këndshme, e ngrohtë dhe ironia delikate që përshkojnë bisedën — e bëjnë atë një shok të jashtëzakonshëm për një bisedë të jashtëzakonshme.

Në këtë bisedë, në një dhomë të qetë të Grand Hotel-it, artisti i madh foli për eksperiencat e tij në vitet e fundit, për qëndrimin e tij në Rusi dhe Amerikë – dhe tha :

— Një fenomen fenomenal, i padëgjuar askund, është përqendrimi i çuditshëm, entuziast i publikut të teatrit rus.

Aty po bëhet shumë për artin dhe letërsinë.

— Si e shpjegojnë këtë ?…

— Mendoj se ajo që dikur ishte një besim dhe fe e thellë, tani është shndërruar në një dashuri të thellë për artin e formave teatrale dhe shpirtin e teatrit.

Këto simptoma të përqendrimit dhe të dëgjimit i kam parë gjatë gjithë kohës në Rusi : në Moskë, Kharkov, Kiev apo Petrograd.

— Po në lidhje me nivelin e teatrove ruse ?

— Shumë i madh. Nuk ka asgjë të çuditshme për këtë, për mendimin tim. Publiku që e krijon është i lidhur me teatrin dhe ndikon në formën e tij në një mënyrë apo tjetër.

Në Evropë kemi një audiencë të përbërë nga snobë, njerëz që duan të shohin një shfaqje të re në teatër, me ekspozimin e tij, lakuriqësinë, gjithë pompozitetin dhe shkëlqimin e tij.

Në Rusi, njerëzit adhurojnë me fanatizëm Chaliapin, një kult të cilin nuk e kam hasur askund tjetër.

— Fenomeni i dytë fenomenal teatror, fenomeni më interesant që kam hasur, është teatri kinez.

Kam përshtypjen se kjo është kultura dhe arti që sapo ka filluar të hapë të çarat e ngushta të syve të pjerrët.

Në këtë teatër ka një lojë të mrekullueshme fantazie, ka poezi për fëmijë; Mendoj se në çdo kinez ka diçka të një aktori të madh.

— Dhe eksperimentuesit e teatrit rus : Majerhold dhe Tairov ?…

— Tairovi është një zbatues perfekt i konceptit teatror vetëm në një aspekt. Formën e ka përvetësuar si asnjëherë më parë — por i mungon ajo që unë do ta quaja shpirti i veprës.

Nga ana tjetër, Majerhold prodhon kryevepra unike.

Në vend të spektakleve erotike, ai jep spektakle politike, duke i paraqitur me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, një ekspozitë mbresëlënëse dhe origjinale.

Inskenimi i tij i “La destruction d’Europe” të Ehrenburgut më mahniti absolutisht.

Ne gjithashtu nuk duhet të harrojmë Stanisławskin dhe Nemirowicz-Danchenkon. Këta dy njerëz kohët e fundit kanë bërë përpjekje interesante në vënie në skenë të veçanta të operave: “Carmen” dhe “Lysistrata” — sipas tyre, këto janë gjëra krejtësisht të reja, një mijë mundësi poetike.

E kundërta e këtyre dukurive është padyshim teatri amerikan : ka verizëm, ekspresionizëm, që mund të ketë njëfarë ndikimi në Evropë.

Amerikanët janë ende naivë në këtë fushë : importojnë nga Europa pjesë teatrale, kryesisht të varfra, të cilat ngjallin admirimin dhe entuziazmin e tyre naiv.

Veprat e Shekspirit trajtohen si operetë, dhe puna e Bernard Shaw është “shumë, shumë qesharake!”

—  Qëndrimi juaj ndaj filmit ?…

— Nuk i kushtoj shumë rëndësi. Artisti përballë objektivit, nën dritën e projektorit, nuk mund të fokusohet dhe të japë vetveten, thelbin e tij.

— Në kinema, më intereson kryesisht lëvizja, jo njerëzit.

Më pëlqen shumë Charlie Chaplin, i cili e ka përvetësuar në mënyrë të përsosur lëvizjen dhe e përdor atë në mënyrë të shkëlqyer.

— Në çfarë drejtimi do të shkojë zhvillimi i artit, veçanërisht ai i teatrit ?

— Teatri është pasqyra e jetës.

A është e mundur që sot të vihet një vijë zhvillimi për këtë apo atë komb ?

Gjithçka është në një gjendje të rrjedhshme, të pakapshme, të mjegullt.

Asnjë komb nuk mund ta masë të ardhmen e tij, peripecitë e fatit janë të ndrysshme.

Është e njëjta gjë në art : gjithçka që shoh rreth meje janë përpjekje, eksperimente, përpjekje jo gjithmonë të suksesshme.

— Hapat e mëtejshëm në rrugëtimin tim ?…

— Berlini, Holanda, Vjena…

Një bashkëbisedim me një artist të madh krijon ambientin e gjërave të tjera, çështjeve që sapo dalin dhe krijohen.

Në këto fjalë, vibron vetëdija e një krijimtarie të madhe, të ruajtur nga artisti njerëzor.

M. K.

Filed Under: Kulture

112 VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 23, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, historia dhe identiteti i shqiptarëve në Amerikë, bashkoi vëllazërisht patriotët shqiptarë nga shtete të ndryshme të Amerikës, Kanadaja e Europa duke festuar me madhështi e hijeshi të veçantë 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni të veçantë festive organizuar në Bronx, New York, Vatra bashkoi organizata e shoqata patriotike, ambasadorë, diplomatë, luftëtar të UÇK, veprimtarë të çështjes kombëtare, aktivistë të komunitetit shqiptar, mësues, media e përfaqësues nga shoqat shqiptare në New York, New Jersey, Boston, Florida, Michigan e Connecticut në një festë madhështore siç i ka hije shqiptarëve të dashur e të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Festa e flamurit kombëtar, dita e Pavarësie është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar karshi kombeve më të përparuara e më të qytetëruara të botës. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë kombëtare që e bën të përjetshëm e të pavdekshëm historinë e lavdishme të popullit e kombit shqiptar. Flamuri që ngritën në Vlorë: Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Rexhep Mitrovica, Abdi Toptani, Mit’hat Frashëri, Iljaz Vrioni, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi e shumë patriotë të tjerë të shquar, është simboli më i çmuar i një populli e kombi të lirë e të pavarur. Flamuri kuq e zi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi i përjetshëm.

Me pjesëmarrjen e veçantë të patriotëve të shquar të kombit tonë si Elez Biberaj, Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Bajram e Drenusha Dreshaj, Rasim Hasanaj, Bujar Golemi, Virgjil Kule, Mimoza Ferraj e patriotë të tjerë, festa e flamurit kombëtar shënoi momentin më emocional kur këngëtari Hysni Kelmendi i dhuroi Vatrës flamurin kombëtar shqiptar të përdorur në luftën e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1998. Ky flamur frymëzoi shqiptarët në betejat e lirisë, me një qëllim të vetëm për lirinë dhe pavarësinë e e Kosovës. Ky flamur i shenjtë falë luftëtarëve trima nuk ra kurrë në duart e serbëve dhe u mbrojt me gjakun e lirisë.

Nën prezantimin e Editorit të Diellit dhe videoregjistrimin mjeshtëror të gazetarëve: Halil Mula, Nazim Salihu( Noli Tv), Ramazan Çeka e Dritan Haxhia, darka gala e Vatrës në Bronx filloi me këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u ekzekutuan mjeshtërisht nga tenori Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh) e tenori Julian Gjojdeshi.

Kryetari i Vatrës Dr.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes paraqiti me detaje para të pranishmëve sukseset dhe arritjet e Vatrës në vitet e fundit duke rreshtuar vizitat zyrtare në Uashington, Kosovë, Shqipëri, Çamëri, Vatikan dhe u përqendrua në rolin e jashtëzakonshëm që Vatra po luan në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthimi i Vatrës në institucion partner me Departamentin e Shtetit Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe institucionet ligjzbatuese amerikane.

Imam Gazmend Aga gjatë bekimit të darkës së Flamurit Kombëtar solli dy shembuj klerikësh e patriotësh të shquar Vehbi Dibra që në ditët e pavarësisë kombëtare më 1912 u lut: “O Zot, jepi popullit tonë mendje të kthjellët dhe zemër të pastër që të ecë përpara me besim, dije dhe bashkim.” Na jep forcë, o Zot, që të ruajmë vendin tonë të bekuar, duke e ngritur atë me punë të ndershme, drejtësi dhe dashuri për njëri-tjetrin. O i Plotfuqishëm, ruaje gjuhën tonë dhe traditat tona të çmuara, që ato të mbeten gjithmonë burim krenarie dhe uniteti, u lut Imam Aga. Ai përmendi dhe Hafiz Ali Korçën i cili ka kujtuar: “Bashkimi, dashuria dhe puna e ndershme janë çelësi i shpëtimit të kombit.”

Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama në fjalën e tij theksoi se Vatra, ka ruajtur dhe forcuar identitetin dhe traditat tona kombëtare. Vatra ka qenë një shtyllë e fortë që ka mbajtur gjallë traditat dhe vlerat tona, duke kontribuar në zhvillimin personal dhe profesional të shqiptarëve në Amerikë. Vatra vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme në komunitetin shqiptar në Amerikë, duke organizuar aktivitete kulturore, edukative dhe lobuese që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në diasporë dhe atdheut. Përmes gazetës së saj “Dielli”, Vatra ka mbajtur të informuar dhe të lidhur komunitetin shqiptar për më shumë se një shekull. Festa e Flamurit është një ditë që simbolizon shpirtin e qëndrueshmërisë dhe krenarisë kombëtare të popullit shqiptar. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, tha ndër të tjera kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama.

Në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Uashington dhe Misionit në Kombet e Bashkuara përshëndeti Konsullja e Shqipërisë në New York, Valentina Loka kurse në emër të Konsullatës së Kosovës në New York përshëndeti diplomati Fatmir Zajmi. Ata theksuan rëndësinë e Pavarësisë së Shqipërisë dhe rolin historik të Federatës Vatra në përpjekjet për kombin dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Diplomati Frymëzim Isufaj në fjalën e tij vuri theksin te miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin Amerikan, nuk është vetëm në shenjë falënderimi për gjithë kontributin që ky vend dhe ky popull mik e dha gjatë gjithë periudhës historike edhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në ruajtjen e sovranitetit por edhe në ndërtimin e proceseve demokratike pas rënies së komunizmit, por edhe për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën vendimtare e të pakursyeshme, për intervenimin humanitar të NATO-s që ndali gjenocidin, që riktheu shpresat në vlerat humane, civilizuese, duke larguar një herë e përgjithmonë hegjemonizmin nga ajo pjesë e Evropës.

Nën tingujt e magjishëm të muzikës autentike shqiptare kënduar nga Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh), tenori Julian Gjojdeshi e Hysni Kelmendi, mbrëmja festive kulmoi me recitimet e vallet kombëtare nga fëmijët shqiptarë të organizatës patriotike “Rrënjët Shqiptare” përgatitur nga koreografja Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh), ambasadorja e veçantë e kulturës shqiptare në mërgatën e Amerikës.

Mbrëmja madhështore e Festës së Flamurit Kombëtar, përkoi në një ditë të shënuar historike kushtuar Alfabetit Kombëtar ku Vatra në kurorën e lavdisë kombëtare ka merita të përjetshme në shërbim të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra është nderi i kombit shqiptar, frymëzim për brezat e ardhshëm dhe urëlidhëse e pandarë me shtetin e kombin mik amerikan. Vatra në rrugëtimin e saj 112 -vjeçar ka dëshmuar vlera të larta të identitetit kombëtar, krenari dhe trashëgimi e çmuar historike e popullit shqiptar, ndjenja të thella atdhetarie, kontribute në procese shtetformimi në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Vatra është trashëgimi shpirtërore, kulturore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rroftë Vatra, rroftë Dielli, rroftë Kombi shqiptar.

Filed Under: Featured

PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE NË VEPRËN E MID’HAT FRASHËRIT

November 22, 2024 by s p

Akad. prof. dr. Valter MEMISHA/

Pjesa e parë…

Para 116 vjetësh, më 14 – 22 nëntor 1908, zhvilloi punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe dhe si Kongresi i Abesë apo Kongresi i Alfabetit të Shqipes, një ngjarje që vlerësohet si një nga gurët shënues më të spikatur në udhëtimin historik kombëtar të popullit shqiptar dhe pazgjidhshëm me të, në udhëtimin historik kombëtar të shqipes. Me këtë kongres, me ecurinë e suksesshme të punimeve dhe me vendimet e rëndësishme që ai mori, lidhet drejtpërdrejt emri i Mid’hat Frashërit, i cili u zgjodh njëzëri kryetar i tij nga 32 delegatë me të drejtë vote, që kishin dalë nga një përfaqësi me 50 personalitete nga të gjithë trojet ku flitej shqip e ku luftohej për shqipen e mëvetësimin kombëtar. Ishte vetëm 28 vjeç atëherë, por kishte mbi shpinë një përvojë 12-vjeçare në luftën për realizimin e programit të Rilindjes Kombëtare, në ballë të së cilës ishin identifikuar si figurat më të shquara të saj dy ungjërit e tij, Samiu, Naimi si dhe vetë i ati, Abdyli (Kujtojmë këtu se i ungji i tij, Sami Frashëri, ishte vetëm 29 vjeç, kur u zgjodh kryetar i Shoqërisë së Stambollit, ndryshe i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” dhe që hartoi alfabetin e kësaj shoqërie dhe që i gdhendi vetë shkronjat e këtij alfabeti në plumb.). Veprimtaria e mëvonshme e M. Frashërit, sidomos ajo e periudhës së Paskongresit dhe e viteve të Pavarësisë, ndjek këtë hulli, duke u zbuluar përmes ndihmesave të çmuara në të gjithë jetën kulturore, shoqërore e politike të vendit. Studiuesi Uran Butka shkruan se “Vepra e Mid’hat Frashërit është në përputhje me formimin intelektual, jetën e tij të jashtëzakonshme dhe çështjet madhore të botës shqiptare, ballkanike e më gjerë, ndaj edhe personaliteti e vepra mid’hatiane për nga vlerat, problematikat, shtrirja dhe vizioni janë të përmasave evropiane. Mid’hati jetoi dhe veproi në katër periudha të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në atë të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës, duke qenë edhe protagonist, edhe kronikan i tyre.”

MID’HAT FASHËRI U RRIT MES LIBRAVE E NJERËZVE TË DITUR

Mid’hat Fashëri u formua qysh herët. Ai u rrit mes librave e njerëzve të ditur dhe pohon vetë se në moshën 12-13 vjeç kishte mësuar histori e gjeografi me të ndjerin babanë e tij, Abdylin, kishte studiuar stilistikë e poetikë nga Naim Frashëri, se ishte thelluar në gramatikë nën kujdesin e Sami Frashërit dhe se ishte njëkohësisht një autodidakt i jashtëzakonshëm: lexonte, studionte dhe përkthente qysh në fëmijëri, në gjuhët persisht, turqisht, arabisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Kurse në moshën 17-vjeçare, ai themelon bibliotekën vetjake me emrin Lumo Skëndo (pseudonim që do të përdorej prej tij gati në të gjithë kontributin shkencor e kulturor), “të cilën e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Librat ishin miqtë e tij, dashuria e tij, gëzimi i tij, pasuria e tij, jeta e tij”. Librat e kësaj, biblioteke, që shkonin në rreth 40.000 vëllime, sot janë pjesë e pasurisë librore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Gjithnjë, sipas Uran Butkës, Mid’hat Frashëri “hynte në portat e Shqipërisë në prag të shekullit të 20-të: si rilindës, misionar dhe shkencëtar. Mandej, për një gjysmë shekulli, ky shërbestar i Shqipërisë shfaqet dukshëm si veprimtar i pavarësisë, burrë shteti, mendimtar elitar, diplomat, politikan, ekonomist, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, publicist, shkrimtar, historian, gjeograf, sociolog, eseist, përkthyes, kritik, psikolog, edukator, biograf, bibliograf, librar, kronikan, antikuar i botimeve të vjetra shqipe, lider i nacionalizmit shqiptar, apostull i shqiptarizmës, kampion i kulturës shqiptare. Një figurë poliedrike me një prodhimtari të jashtëzakonshme në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, në kulturën shqiptare dhe në atë evropiane.”  

MID’HAT FRASHËRI PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE

Në kuadrin e një parashtrimi të shkurtër, po ndalemi te një nga komponentet më të rëndësishme të veprës së tij 50-vjeçare, te paradigma e gjuhës shqipe. Theksojmë këtu se, vitet e fundit, studimi i veprës së Mid’hat Frashërit është lehtësuar ndjeshëm. Nga 13 vëllimet e planifikuara për botim më lëndë të përzgjedhur nga vepra dhe ndihmesa e tij e shumëfishtë, janë botuar deri tani (24 tetor 2014, V. M.) 3 vëllimet e para. Janë botuar, gjithashtu, 2 vëllime të revistës “Dituria” (me lëndë nga vitit 1909 -1929), drejtues i së cilës ka qenë ai vetë, si dhe janë botuar katër vëllime të “Kalendarit kombiar”, revistë të cilën e themeloi dhe e drejtoi K. Luarasi e K. Trebicka dhe në të cilën Mid’hat Frashëri botoi shumë shkrime. Lëndë të bollshme nga ndihmesa e këtij personaliteti sjellin edhe 11 vëllime të revistës “Albania” të F. Konicës (botuar kohët e fundit), bashkëpunëtor i së cilës ai qe (në këtë revistë, në moshën 17-vjecare ai boton artikullin e parë “Fe ç’është, komb ç’është?”). Po kështu, mundësitë e kontakteve të tjera me produktin e shkruar mid’hadian (fjala vjen, me materialet në Arkivin Qendror të Shtetit apo me ato në fondin ruajtës të Bibliotekës Kombëtare) sot janë shumë të mëdha. Studiuesi Xh. Lloshi, në ditën e promovimit të dy vëllimeve të revistës “Dituria” shkruan, me të drejtë se “Na është lehtësuar ndjeshëm puna jonë, mund të japim më shumë duke kursyer kohë të çmueshme, na është krijuar mundësia për ta rrokur menjëherë në pamje të plotë një degë të rrjedhës së kulturës sonë dhe jo vetëm t’i kemi edhe më të dokumentuara kërkimet tona, por po ta thosha me fjalë të tjera, na është pakësuar padituria jonë për trashëgiminë e së kaluarës. Për dobinë e veçantë të këtyre ribotimeve të përmbledhura, dëshiroj të vë në dukje, se ato na mundësojnë edhe të bëjmë gjetje të reja.” Kjo shumësi burimesh referimi e kontaktimi bën që Mid’had Frashëri, tashmë, të shihet në plotërinë e vlerave dhe të kapërcehet ajo gjendje, për të cilën studiuesi Emil Lafe thekson se “Për shkak të biografisë së tij politike në vitet e Luftës II Botërore dhe të vështirësisë së gjetjes së shkrimeve të tij, Lumo Skëndoja është përmendur e vlerësuar pak (kryesisht si kryetar i Kongresit të Manastirit, 1908).” Paradigma e gjuhës shqipe është përbërës organik i veprës së Mid’hat Frashërit. Duke iu referuar botimit të Palok Daka, Bibliografi retrospektive e gjuhësisë dhe onomastikës shqiptare 1879–1944. I, II, III (1879–1921). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1984, 926 f., vërejmë se aty përmenden 35 artikuj të M. Frashërit të shkruar në një periudhë prej 41 vjetësh (1897–1938) që lidhen drejtpërdrejt me gjuhën shqipe, si dhe 8 artikuj ku përmendet vepra e veprimtaria gjuhësore e tij.” 

MID’HAD FRASHËRI E SHEH GJUHËN SHQIPE PARËSORE PËR EKZSITENCËN E KOMBIT SHQIPTAR

Në këta artikuj trajtohen çështje të ndryshme teorike e praktike të gjuhës amtare apo për gjuhën amtare: 1. Mid’had Frashëri e sheh gjuhën shqipe parësore për ekzsitencën e kombit shqiptar, si tipar themelor të tij. Në moshën 19-vjeçare, në artikullin “Po humbasim”, botuar në Kalendarin kombiar, shkruan se “Të rrojturit e njeriut s’është vetëm me të ngrënë e me të pirë, si e kafshëve; një komb nuk rron si një kope dhensh! Duhet që njerëzia të ketë bashkim, vetëdijë që është një komb, të ketë gjuhën, me një fjalë, që çdo njeri i një kombi, të thotë: jam një copëz nga kombi im! Të gjithë duam dhe dëshirojmë një gjë: të shkojmë vëllazërisht në mes tonë, të jemi gati të vdesim për mëmëdhenë, të përpiqemi për mbrothësitë e mëmëdhetarëve dhe të gjuhës sonë.”  

2. Atë e shqetëson qëndrimi i shumë shqiptarëve në Turqi, të cilët kanë harruar gjuhën e nënës, gjuhën e të parëve, shqipen. Dhe pasi analizon gjendjen e vendit (të Shqipërisë) në fund të shekullit XIX po në këtë artikull (Po humbasim), shkruan se “Tani të shohim qysh jemi buzë rripës dhe po humbasim. Një komb duhet të ketë gjuhën e të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsisë dhe pa qytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë. Gjuhën po e humbasim: më çdo vend të Turqisë e të fqinjëve tanë gjejmë me mijëra njerëz, që janë shqiptarë, po s’dinë gjuhën e mëmëdheut. Në tufë shqiptarët dalin jashtë mëmëdheut, martohen në vende të huaja dhe djemtë e tyre, sado që të rrojnë, zihen të vdekur për Shqipërinë! Të mendohemi, pra, a është pun’e mirë kjo që bëjmë? Është punë e pëlqyer të kemi djem, që të mos dinë gjuhën dhe kështu të humbasin vetijat e kombit tonë? Duke vajtur kështu, do të vijë një dit’ e zezë që të harrojmë fare këtë gjuhë të bukur dhe të mos quhemi më shqiptarë; do të humbasim si komb, sado që të jemi të gjallë si njerëz.”

3. M. Frashëri e vlerëson lart “Shoqërinë e Stambollit”, e quajtur ndryshe “Shoqëria e të Shtypurë Shkronja Shqip”, e cila u kthye në institucion kombëtar për të ardhmen e shqipes, për shkrimin e saj me një alfabet të vetëm e në përputhje me veçoritë e saj fonetike e fonologjike. Ai shkruan për misionin e rolin e kësaj shoqërie, krijuar një vit pas Lidhjes Shqipatre të Prizrenit: “Tek bëheshin mbledhjet në Shqipëri dhe Lidhj’ e Prizrendit, më 1879 u bë dhe një shoqëri në Stamboll. Kjo shoqëri e vogëlë, kryesuar prej Sami Frashërit, vëllaj m’i vogël i Naimit, dhe këshillonjët e së cilës’ ishin: Vasa Pasha, Jan Vretua etj., u krijua për të hedhur themelet e mësimit të gjuhës’ sënë, dhe për të gjetur një palë shkronja me të cilat të shkruhet lehtë gjuha shqip.”

MID’HAD FRASHËRI DHE SHKRIMI I SHQIPES

M. Frashëri thekson se shkrimi i shqipes në mesin e dytë të shekullit XIX, nuk ishte nevojë, ishte domosdoshmëri. Nga artikulli “Shoqëria e Stambollit” po shkëputim pjesën hyrëse të Kanonizmës (Kanonizmë e Shoqërisë së të shtypurë shkronja shqip) ku, ndër të tjera thuhet se “xhdo komp, që nukë ka shkruarë gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet, është ndë të errët dhe barbar. Edhe Shqipëtarët, tue me mos shkruarë gjuhën e tyre, dhe tue mos pasurë shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjendenë; edhe pandohma e shpresa këtu e tri mijë vjet më parë (sa që mund të ngjitet istoria) që të ndritoheshinë dhe qytetëroneshinë me gjuhët të fqinjet e të huajve, u dëftye e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë derdhurë gjer mbë sot, fëqinjet e të huajet u kanë vëjejturë, edhe për ata vetë ka vaturë dëm. Andaj ata që mendohenë dhe shohënë këtë të madhe të keqe dhe të madhe nevojë të shkruanjënë gjuhënë edhe të kenë shkronja e të këndonjënë ndë gjuhët të tyre. E kështu bënetë shoqëri Shqypëtarësh për të shtypurë shkronja ndë gjuhët shqip, edhe quhetë: Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip.”

Produkti dhe veprimtaria e kësaj shoqërie ka qenë me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse jo vetëm bëri zgjidhje me vlerë të pamatë për shkrimin e shqipes, por ka një peshë e rol shumë të madh në vetë organizmin e vetë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqipatre. Sipas M. Frashërit në artikullin Naim be Frashëri, Jetëshkrim, “Shoqëri e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe n’atë mot shtypi kanonizmën e saj dhe nj’abetare (Allfabetare e gjuhës shqip, Kostandinopojë 1879, ndë shkronjështypjet të A. Zelicit). Kjo allfabetare, që ka 136 faqe, nga të cilatë vetëm 10 për stërvitje t’abecesë dhe të tjeratë këndonjëtore, është bashkëpunuar prej: I. Vreto, Sh. Sami Frashëri, Pashko Vasa Shkodrani, dhe Koto Hoxhi Qestorati. Këtë abetare nuk mënojmë ta quajmë “e para abetare shqip”, se vërtet është çap i parë q’është hedhur për të shkruar’ e të kënduar gjuhën shqip, dhe për të bërë këtë gjuhë një veglë të gjallë si gjithë të tjerat; veç kësaj, shkronjësit janë përpjekur të shkrojnë në gjuhë fjeshtë shqip, pa përzjerë fjalë të huaja.”

M. Frashëri tregon vështirësitë që haste përhapja e abetares së Shoqërisë së Stambollit. Mjafton të citojmë një pjesë nga artikull Naim be Frashëri, Jetëshkrim, për të parë qëndrimin kontradiktor të vetë sulltanit ndaj kësaj abatereje (Kujtojmë se në të gjithë Perandorinë Otomane, vetëm shqipja ishte ndaluar me ferman sulltanr që të shkruhej.): “N’ata vite qeverija tyrke akoma s’kish thonj të mëdhenj dhe mledhj’ e shoqërisë bëhesh pa nonjë rrezik si dhe të shtypurit e abetaresë. Le mos harrojmë dhe këtë se, një cop abetare lidhur e arosur bukur, j’u dha Sulltanit me anë të një pushkëtari (silahshori) shqiptar. Sulltani pyeti pushkëtarin në dinte t’i këndonte ato shkronja, dhe mbi përgjigjen vërtetonjëse të këti, Për një javë, tha mbreti, të shohim kush e ka për të kënduar më mirë, ti a unë! Shqiptarët u gëzuan tepër kur mësuanë këto fjalë, me të cilat Sulltani rrëfente dashuri për mësimin e gjuhësë shqip. Por pa shkuar shumë ditë mësuan se, ay vetë Sulltan që kish thën’ ato fjalë mjaltore, paskish dhën’ urdhër në postat e në gjymrykët që të mos lenë të shkojë as një libër shqip, po t’i zënë! Gjithënjë kështu është politik’ e Tyrkut.”

Madje jo rrallë M. Frashëri përmend gjendjen e shqipes në kohën e Turqisë. Ai shkruan se “Na ish ndaluar dhe ushqimi i mendjes. Gjuha shqip ish jasak! Pse? Se kështu u donte qejfi! S’na linin të këndonim shqip, s’na linin të shkruanim shqip, s’na linin shkolla shqip! Ai që kish një libër shqip, e fshihte në vrima dhe dridhej se mos ia zinin e ta hidhnin në burg. E shoqja s’guxonte t’i shkruante kartë shqip burrit, se trembej nga valiu a nga mytesarifi. Nja dy shkolla të gjora që mezi i kishim, na i kishin mbyllur dhe mësonjësit na i kishin hedhur në burg! Ky ndalim i gjuhës ish një robëri, një robëri e zezë, që s’është parë kurrë gjetkë. Gjithë këto të këqija dhe shumë të tjera, ngjanin se njerëzit s’ishin të zotë që të mbronin të drejtat e tyre; edhe kështu njerëzia rronte në robëri, në një robëri, q’e pushton njeriun dhe e turpëron.”

Filed Under: Opinion

Kongresi i Manastirit: Europianizimi i kulturës shqiptare në fillim të shekullit të XX

November 22, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore pas vitit 1908, kërkoi si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes. Nismën për thirrjen e tij e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit. Në një thirrje të klubit “Bashkimi” thuhej: ” Ora e Lumtur erdhi, kur ne fillojmë punojmë të lirë dhe të papenguar pë lumturinë e kombit tonë, jo me armë dhe barut, por me penë dhe me letër. Ne duhet të fillojmë me çështjen e alfabetit- sepse ndryshe nuk do të arrijmë qëllimin e lartë-përparimin e gjuhës sonë.” (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201.)

Më 14 nëntor 1908 hapi punimet Kongresi i Alfabetit ose ndryshe Kongresi i Manastirit, në të cilin morrën pjesë 50 delegatë, ku 32 ishin me të drejtë vote dhe 18 të tjerë si pjesmarrës, të cilët nuk e gëzonin të drejtën e saj. Kongresi i Manastirit u shndrua në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morrën pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga qytetet e të katër vilajeteve, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, etj.Ndërmjet delegatëve ishin edhe patriotët e intelektualët e shquar si: Luigj Gurakuqi, Mid’had Frashëri, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Gjergj Qiriazi etj.Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit Fehim Zavalani.Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, i cili u caktua edhe në Komisionin e alfabetit.Kongresi kishte si qëllim kryesor forcimin e unitetit kombëtar, njësimin e alfabetit, njohjen e të drejtave për shqiptarët dhe organizimin e veprimtarisë arsimore e politike në shkallë kombëtare.( Nuri Dragoi, Arsimi në Përmet, West Print, Tiranë: 2015, fq. 29).

Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u caktuan mbledhje të gjera e të hapura për popullin, ku përveç intelektualve morrën pjesë edhe nxënës shkollash, si edhe banorë të qytetit të Manastirit. Këto mbledhje u shndruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike, për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve , gegë e toskë, myslimanë e të krishterë.( Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, vëll II, Toena, Tiranë: 2002, fq. 392.)

Vendin kryesor në punimet e Kongresit e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët.Gjatë diskutimeve të zhvilluara pjesa më e madhe shfaqi mendimin se alfabeti që duhej të vendosej duhej të kishte si bazë shkronjat latine.Alfabeti latin shihej nga shumë përfaqësues liberalë si mënyrë për ti bashkuar shqiptarët dhe që do t’i bënte më të ndërgjegjshëm ata për trashëgiminë e tyre.( Miranda Vickers, Midis Serbëve dhe Shqiptarëve, Toena, Tiranë: 2004, fq. 92.).

Edhe Mid’had Frashëri ishte për një alfabet latin. Pas diskutimeve të shumta, lidhur me alfabetin, u krijua edhe një komision prej 11 vetësh, me patër Gjergj Fishtën si kryetar (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201), i cili nuk arriti të konklundonte në një përfundim për njësimin e alfabetit.Vendimi kryesor i Kongresit ishte miratimi i dy alfabeteve: ai i Stambollit dhe i alfabetit të përbërë vetëm me shkronja latine.

Vendimi për të përdorur bashkarisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në rradhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kongresi ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të popullit shqiptar. Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti latin duke qënë homogjen e më i lehtë e praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për të gjithë shqiptarët. Ai miratoi edhe një program kombëtar prej 18 pikash, që përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Kërkesa të tilla ishin njohja zyrtarisht e kombësisë shqiptare dhe e gjuhës shqipe, përhapja e arsimit në Shqipëri, krijimi i një universiteti etj.Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX dhe Kongresi kombëtar që i hapi udhën evropianizimit të Shqipërisë.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT