• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

“REBELI”, NJË LIBERAL AMERIKAN NË TIRANËN ORIENTALE…

January 18, 2025 by s p

Sokol Paja/

“Rebeli” i Ilir Ikonomit na njeh imtësisht me Shqipërinë, politikën shqiptare, institucionet dhe shqiptarët në vitet 1920-1924. Këto katër vite janë me luhatje të vrullshme të cilat shkaktojnë stuhi politike të panjohura më parë në Shqipëri që nga shpallja e Pavarësisë. Monografia e z.Ikonomi skanon dhe na jep detaje historike me veprimtarinë e gjërë politike, diplomatike si dhe fetare e kulturore të Imzot Fan Nolit. Udhëtimi i tij që nga Amerika e largët dhe ardhja në Shqipëri më 8 prill 1921 në një terren me një larmishmëri politike, konjuktura dhe përplasje brenda dhe jashtë partie pëshkruhet me detaje në libër, deri në momentin e largimit përfundimtar nga Shqipëria më 26 dhjetor 1924. “Rebeli” si dëshmi historike, mjeshtrisht hedh dritë, trajton me detaje dhe skicon figura politike e atdhetare që dominuan dhe tronditën skenën politike shqiptare 1920-1924.

Libri përshkruan udhëtimet e Nolit nëpër Evropë dhe ecejaket për të zbritur në territorin shqiptar dhe pengesat e shtetit shqiptar me preteksin se cënonte marrëdhëniet me Greqinë. Studiuesi Ilir Ikonomi përmes “Rebelit” na sjell një rrëfim të jetës së Peshkop Nolit ku çështja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse dhe zhvillimi i saj ishte një paralele që shoqëroi Nolin klerik e politikan gjatë gjithë rrugëtimit të tij diplomatiko – politik. Autori Ikonomi referohet në burimet arkivore kryesisht të huaja si: raportet e ministrit amerikan Grant-Smith, atij britanik Harry Eyres; francezit Jean Béguin Billecocq si dhe të shumë diplomatëve perëndimorë.

Është interesante sesi gazeta Dielli e shihte Nolin si shpëtimtarin e Shqipërisë, teksa libri citon nga një artikull ku thuhet se tek ai “Shqipëria do të gjejë udhëheqësin që i duhet sot, këshilltarin e vërtetë, njeriun që do ta nxjerrë nga baltovinat e sotme në rrugën e drejtë, në udhën e përparimit”.

Noli u fut në Parlamentin shqiptar që quhej Këshilli Kombëtar si deputet i Vatrës dhe Sotir Peci për shkak të marrëdhënies së komplikuar me Nolin më herët te gazeta Kombi në Boston, tentonte ta mbante larg Nolin nga Shqipëria duke i ofruar pozita të larta shtetërore jashtë Shqipërisë. Në libër përshkruhen anëtarët e Parlamentit Shqiptar ku “Shumë prej deputetëve mbanin fezin e bardhë ose të zi, trashëgim nga Turqia; të tjerë e kishin kokën zbuluar. Hoxha Kadri mbante një fez të kuq me turban të bardhë sipër. Noli kishte ardhur me veshje civile, mjekrën e kishte të gjatë, ndërsa kapela me strehë e bënte të dukej si klerik hebre”.

Maturia dhe diplomacia e shkëlqyer e Nolit në Lidhjen e Kombeve, diskursi kundër Jugosllavisë e Greqisë, me një oratori dhe elokuencë të shkëlqyer, jo vetëm tërhoqi vemëndjen e opinionit publik ndërkombëtar si dhe të mediave por dhe lartësoi imazhin e Shqipërisë në Perëndim. Noli paraqitet te “Rebeli” si një atdhetar i madh, poliglot me njohuri të disa gjuhëve të huaja, i ditur, i zgjuar, i aftë të përdorte një retorikë brilante në takimet e tij publike qoftë brënda apo jashtë vendit. Po ashtu ky libër përshkruan fushatën e mbledhjes së fondeve nga shqiptarët e Amerikës veçanërisht nga Vatra e njohur në opinionin publik si “Huaja kombëtare” e Vatrës për shpëtimin e shtetit shqiptar.

Libri na njeh dhe me ankesën e Kostë Çekrezit dhe padinë e avokati Arthur Baldwin në Departamentit amerikan të Shtetit se zgjedhja e Fan Nolit deputet nga Vatra cënonte interesat amerikane. “Rebeli” pasqyron në detaje intrigat e politikës së Tiranës gjatë viteve 1920-24 që rrëzojnë qeveritë e njëpasnjëshme në Tiranën e brishtitë politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore. Interesante në studimin “Rebeli” paraqitet elita intelektuale e diasporës në Amerikë në angazhim dhe veprimtari plitike pjesëmarrëse aktive ku Federata Vatra luante rol të veçantë. Fan Noli shfaqet në libër si një njeri i rrethuar nga xhelozë dhe intrigantë, shpifës, mashtrues, ambicjozë, të etur për pushtet dhe ego personale për të përmbushur qëllimet dhe përfitimet personale.

Me veprimtarinë dhe suksesin e tij në Lidhjen e Kombeve pa frikë mund të thuhet se Fan Noli ka qenë Ministri i Jashtëm më i suksesshëm që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ai ishte një kalibër i veçantë intelektual, diplomatik e kulturor. Studimi “Rebeli” paraqet figurën trimërore dhe burrërore të Elez Isufit, rebelimet e Gjon Markagjonit, Bajram Currit kundër qeverisë dhe nxjerrë në pah njeriun energjik, të fortë e të mprehtë, Ahmet Zogun, i gatshëm për të shtypur kryengritjet e rebelimet kundër tij.

Studimi “Rebeli” na njeh me veprimtarinë e grupimeve politike në skenën shtetërore e parlamentare të Tiranës si: Bashkimi i Shenjtë, Partia Popullore, Partia Përparimtare, Partia Indipendente, Partia Liberale, Ahmedistja, Klika etj. Tirana paraqitet në libër si një fushëbetejë përplasjesh, përleshjesh, vrasjesh e lufte të tmerrshme politike. Rrëfimet të rrënqethin me panorama kryengritjesh, “revolucionesh”, rebelimesh të armatosura, përleshje e vëllavrasje, ekzekutime me varje në publik etj.

Përmes “Rebelit” mësojmë se Federata Vatra ndihmoi opozitën e Fan Nolit dhe themeloi në Shqipëri gazetën “Shqiptari i Amerikës” në Korçë më 21 tetor 1922, e drejtuar nga Hasan Bitincka. Faik Konica i dha një dorë të fortë Nolit nëpërmjet kritikave të ashpra në gazetën Dielli në Boston duke e quajtur qeverinë “Sodoma e Re”, deputetët e shumicës i quante “Klika e Dudumëve”, ndërsa ministrat “palaço” dhe “hajdutë”. Në libër paraqiten me shumë interes debatet e ashpra në Parlamentin e Shqipërisë, sulmet ndaj Vatrës, Diellit e Faik Konicës dhe mbrojtja e shkëlqyer që bën Fan Noli duke renditur vlerat e Faik Konicës dhe kontributin historik dhe ekonomik të Vatrës për shtetin Shqiptar.

Një tjetër fakt interesant në libër përmëndet se më 27 prill 1923, drejtori i Zyrës së Shtypit, Terenc Toçi, i rekomandoi qeverisë të ndalohej gazeta Dielli me masa ligjore, pasi ajo “ftonte popullin për kryengritje” dhe “helmonte shpirtin e popullit”. Në libër mësojmë përceptimin e Imzot Nolit mbi kabinetin qeveritar të kundërshtarëve teksa i quante Kabineti i Pykave. “Ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlerat civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Noli këto i shoqëronte me “pesë anarkitë” shtetërore, shoqërore dhe institucionale: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve.

Në libër përshkruhen udhëtimet e shpeshta të Nolit në Itali e Austri, intervistat për gazetat perëndimore dhe kontaket e rregullta e miqësitë me diplomatët perëndimorë. Noli në shenjë respekti dhe nderimi mbajti një fjalim brilant në Parlament për ndarjen nga jeta të presidentit të SHBA Woodrow Wilson, të cilin Noli e quante amerikani i madh, idealisti bujar dhe mbrojtësin e Shqipërisë. Libri na njeh imtësisht me Nolin madhështor që shkëlqen së jashtmi në diplomacinë ndërkombëtare dhe i dobët për të qeverisur vendin së brëndshmi. Studimi “Rebeli” shpalos fjalimin e Nolit në Lidhjen e Kombeve, më 10 shtator 1924 ku ai kërkoi ndihmë ekonomike për Shqipërinë përmes një retorikë të fortë, argumenteve të fuqishme, logjikës dhe finesës diplomatike.

Studiuesi Ilir Ikonomi te “Rebeli” përshkruan përplasjet politike të Zogut dhe Nolit, rivalitetet politike në Shqipëri, luftën e etur për pushtet, luajalitetin e skenës politike përgjatë viteve 1920-24 si dhe analizon atentatet politike gjatë kësaj periudhe. Figura e atentatorëve Beqir Valteri e Avni Rustemi, dialogjet, planet dhe skena politike, përplasjet dhe intrigat politike, kaosi gjithëpërfshirës dhe pa dyshim opozita e fortë e Faik Konicës kundër qeverisë nëpërmjet gazetës Dielli zënë një vënd të rëndësishëm në libër. Përgjatë viteve 1920-1924 Fan Noli tentoi të sillte qytetërim në një botë shqiptare orientale që nuk ishte gati për atë kapërcim aq të shpejtë kulturor e institucional. Libri na njeh me detaje mbi veprimtarinë e Fan Nolit në raport me kryeministrat që qeverisën Shqipërinë përgjatë periudhës 1920-1924: Sulejman Pashë Delvina, Iljaz bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet bej Vërlaci dhe Iljaz bej Vrioni.
Nga “Rebeli” mësojmë se krisja e parë e Nolit me Konicën erdhi kur Noli nuk dënoi atentatin që iu bë Zogut në Parlament. Faik Konica e këshillonte Nolin që të organizonte zgjedhje politike në Shqipëri në mënyrë që Shqipëria të kishte një qeveri legjitime të ardhur nga zgjedhjet e lira.

Si pasojë e këtyre përplasjeve politike gjatë kësaj periudhe ndodhën vrasje politike, armiqësi politike për interesa pushteti dhe shumë konflikte të armatosura. Pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisë së Nolit, mosrealizimi i premtimeve për reforma, mungesa e njohjes ndërkombëtare, lufta e ashpër e kundërshtarëve, mospajtimi i Zogut dhe rikthimi i tij në dhjetor 1924 solli dështimin dhe rrëzimin e qeverisë së Nolit. Në libër detajohen të përmbledhura qeveri afatshkurtra që ngrihen e bien, atentate, kryengritje, rebelime, vrasje, hakmarrje, diplomaci, pushtet e intriga të pa imagjinueshme. Me një gjuhë të ëmbël e stil të pasur autori Ilir Ikonomi pasuron kolanën historike mbi Imzot Nolin nëpërmjet studimit të thelluar hulumtues, përshkrues, rrëfyes e orientues. Përmes “Rebelit” gazetari i shquar Ilir Ikonomi i bën një tjetër shërbim të shkëlqyer historiografisë, shtetit, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Filed Under: Politike

THE KYOGLE EXAMINER (1929) / “NJERËZIT MË TË ÇUDITSHËM QË TAKOVA NË BALLKAN ISHIN VIRGJËRESHAT SHQIPTARE…” — RRËFIMI I EKSPLORUESES BRITANIKE ROSITA FORBES

January 18, 2025 by s p


Rosita Forbes, eksploruese dhe shkrimtare britanike (1890 – 1967)
Rosita Forbes, eksploruese dhe shkrimtare britanike (1890 – 1967)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Janar 2025

“The Kyogle Examiner” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1929, në faqen n°3, rrëfimin ekskluziv të eksplorueses së famshme britanike Rosita Forbes për virgjëreshat shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zakonet shqiptare

Gratë që jetojnë si burra.

Burimi : The Kyogle Examiner, e martë, 19 nëntor 1929, faqe n°3
Burimi : The Kyogle Examiner, e martë, 19 nëntor 1929, faqe n°3

E sapoardhur nga malet e egra të kodrave primitive fisnore të Shqipërisë, zonjusha Rosita Forbes, eksploruesja e famshme, kohët e fundit e gjeti veten në kontrastin mbresëlënës të Londrës, e prirur për të bërë pushime mes çdo luksi të qytetërimit modern.

“Më duket e çuditshme të shoqërohem me njerëzit e veshur mirë dhe konvencionalë të Londrës pas shoqërisë së çuditshme që sapo u largova”, tha Zonjusha Forbes në një intervistë. “Njerëzit më të çuditshëm që takova në Ballkan ishin virgjëreshat shqiptare. Këto janë gra që, sipas zakonit të fiseve malsore, janë fejuar para lindjes. Kur arrijnë moshën e martesës – 13 ose 14 vjeç – ato refuzojnë të fejuarin e tyre të zgjedhur dhe ndëshkohen duke u dënuar me beqari të përjetshme.”

“E para nga këto gra që takova më dha një nga surprizat më të mëdha të jetës sime”, tha zonjusha Forbes. “Ndërsa iu afrova një banese malsore, pashë duke qëndruar në mënyrë të pasigurt mbi një shkëmb atë që e konsideroja si burrë. Ai ishte i veshur me veshjen e zakonshme mashkullore të kodrave. Në kokë kishte një plis të bardhë. Ai kishte veshur një këmishë të bardhë pambuku dhe pantallona të bardha pambuku të lirshme me një brez të kuq në bel. Në këmbë mbante sandale të thjeshta, gjithashtu mbante një gjerdan fishekësh dhe një pushkë.”

“Papritur ai hodhi kokën pas, hapi gojën dhe lëshoi një bërtitje kaq të frikshme sa që venat dhe muskujt e qafës i dilnin si shufra hekuri. Ishte sinjali që po vinin të ftuarit dhe një sinjal gjithashtu shumë i nevojshëm. Sepse, në këtë vend të gjakmarrjes së përhershme, të shtënat janë të zakonshme, por është kodi i kodrave që një e shtënë nuk duhet të ndodhë kurrë në prani të një gruaje ose të një mysafiri. Kur vura re për vrazhdësinë e britmave që duhet të ketë zgjatur një milje ose më shumë, u habita kur mikpritësi im më tha se ai që ulërinte nuk ishte fare burrë, por një grua – një nga virgjëreshat shqiptare. Mësova,” tha zonjusha Forbes, “se kur këto vajza të fejuara refuzojnë të fejuarin e tyre, ato urdhërohen menjëherë të vishen dhe të jetojnë si burra. Ato hanë si burra, pinë si burra, flenë si burra. Ato gjithashtu duhet të mësojnë të qëllojnë dhe të luftojnë si burra, dhe pritet të marrin pjesë në gjakmarrje dhe kur është e nevojshme të vrasin si burra. E vetmja gjë që u ndalohet është të bëjnë dashuri.”

“Ndjenja e nderit personal midis fiseve malsore,” shpjegoi zonjusha Forbes, “është jashtëzakonisht e lartë dhe megjithëse nuk do të martohet, një virgjëreshë shqiptare konsiderohet ende si e fejuara e ligjshme e burrit me të cilin është fejuar. Në njëfarë kuptimi, virgjëreshat kanë shumë gjëra për të cilat duhet të jenë mirënjohëse. Duke jetuar si burra, gëzojnë shumë avantazhe dhe privilegje. Janë gratë ato që bëjnë pjesën më të madhe të punës, madje edhe duke u munduar nëpër fusha. Shqiptarët janë mikpritës idealë. Sipas një prej përshëndetjeve të tyre piktoreske, “një mysafir zotëron bukën, kripën dhe zemrën e tij.” Mikpritësi im në kodra flinte i armatosur me thikë dhe armë në prag të dhomës sime. Në rast se një mysafir vritet, shtoi zonjusha Forbes, mikpritësi duhet të hakmerret për nderin e tij duke marrë pesë jetë – atë të vrasësit dhe katër pjesëtarëve të fisit të tij. Shqiptarët janë njerëzit më të dashur dhe më të sjellshëm. Ata kanë respekt të jashtëzakonshëm për anglezët. Askush nuk mund të bëjë më shumë për mua. Takova mbretin Zog të Shqipërisë. Ai është një burrë simpatik rreth të tridhjetave që po bën një punë të mrekullueshme duke qytetëruar dhe modernizuar vendin e tij.”

Filed Under: Kulture

Çfarë liderësh i duhen kombit shqiptar për avancim dhe bashkim kombëtar?

January 17, 2025 by s p

Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME, themelues, dhe CEO i Academy of Leadership Sciences Switzerland, Zürich; Supervisor në ETH, Zürich, kryetar i Institutit për Avancim Kombëtar, Prishtinë

Prof. Ing. Hetem Ramadani, themelues dhe COE i Health Revolution, Tiranë; Anëtar i bordit drejtues në Institutin për Avancim Kombëtar, Prishtinë

Kontakti: fadil.citaku@alss-edu.ch dhe www.alss-edu.ch

Hyrje

Në të gjitha trojet shqiptare, lidershipi politik është shpesh i udhëhequr nga figura që nuk kanë kompetenca të mjaftueshme të lidershipit. Ky është një faktor kyç që kontribuon në ngecjen e avancimit dhe bashkimit kombëtar. Pa liderë kompetentë dhe me integritet, aspiratat kombëtare dhe politike mbeten të paplotësuara, duke penguar zhvillimin e mëtshëm të kombit shqiptar. Prandaj, është thelbësore të identifikohen dhe zhvillohen liderë që kanë aftësi dhe karakteristika të përshtatshme për të udhëhequr kombin drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe bashkëpunuese.

Problemi

Një nga problemet kryesore që pengon avancimin dhe bashkimin kombëtar në trojet shqiptare është mungesa e liderëve të aftë dhe të përgjegjshëm. Disa individë që mbajnë pozita udhëheqëse shpesh nuk kanë aftësitë e nevojshme për të udhëhequr në mënyrë efektive. Ky problem ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e politikës, ekonomisë, dhe unitetit të kombit. Pa liderë që mund të krijojnë besim, të menaxhojnë ndryshimet dhe të marrin vendime të qëndrueshme, aspiratat e kombit shqiptar mbeten të paplotësuara.

Metoda e Hulumtimit

Për të identifikuar kompetencat kyçe që duhet të kenë liderët shqiptarë, është përdorur modeli i lidershipit të validuar neuroshkencërisht, Leadership Competency Model Drenica, i zhvilluar nga Çitaku dhe Ramadani. Ky model i validuar është publikuar në vitin 2020 (https://ijol.cikd.ca/article_60503.html) në Kanadë dhe më pas për t’ja shtuar validitetein neurobiologjik, ç’do kompetencë e tij është validuar nga aspekti neuroshkencor dhe është publikuar në vitin 2024, në USA. (https://www.sciencepublishinggroup.com/…/j.jhrm…). Ky model, i cili tani është edhe pjesë e literaturës së preferuar në universitetet më prestigjioze si Harvard, Yale dhe Stanford, ka si qëllim të ofrojë një kornizë për zhvillimin e liderëve të suksesshëm. Modeli bazohet në aspekte të neuroshkencës dhe përfshin 25 kompetenca të rëndësishme që një lider duhet të zotërojë për të qenë i suksesshëm në fushën politike dhe për të udhëhequr një komb drejt bashkimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Pyetja

Çfarë kompetencash duhet të kenë liderët politikë shqiptarë për të udhëhequr kombin drejt avancimit dhe bashkimit kombëtar? Kjo pyetje synon të ndihmojë në identifikimin e karakteristikave që janë të nevojshme për një lidership të fortë dhe të qëndrueshëm në kontekstin e zhvillimit të kombit shqiptar.

Rezultatet

Sipas modelit Leadership Competency Model Drenica, 25 kompetenca kryesore janë identifikuar si thelbësore për suksesin e liderëve. Këto kompetenca përfshijnë:

Modeli i Kompetencave të Lidershipit Drenica, me validimin e tij neuroshkencor, ofron një pasqyrë të thellë mbi bazën biologjike të sjelljeve të lidershipit. Këtu është një përkthim i 25 kompetencave dhe validimit të tyre neuroshkencor, siç është përshkruar në artikull, së bashku me rëndësinë e tyre për lidershipin në politikë për avancimin e kombit shqiptar:

Dinjiteti dhe Respekti

Validimi Neuroshkencor: Korrelatet neuronale të empatisë dhe njohjes sociale. Oksitocina lehtëson sjelljet pro-sociale.

Kuptimi Politik: Liderët që mishërojnë dinjitetin dhe respektin nxisin besimin dhe kohezionin, të domosdoshme për bashkimin e kombit.

Shpërndarja e Dhuratave në Mënyrë Të Drejtë

Validimi Neuroshkencor: Aktivizimi në rajone të trurit që lidhen me shpërblimin; dopamina ka një rol të rëndësishëm.

Kuptimi Politik: Shpërndarja e drejtë e burimeve rrit barazinë shoqërore dhe besimin, duke motivuar qytetarët të kontribuojnë pozitivisht.

Marrja e Vendimeve

Validimi Neuroshkencor: Aktiviteti i korteksit prefrontal dhe balanca e neurotransmiterëve ndikojnë në marrjen e vendimeve.

Kuptimi Politik: Liderët politikë duhet të marrin vendime të informuara dhe të balancuara për të udhëhequr progresin kombëtar, duke siguruar drejtësi dhe efektivitet.

Reflektimi

Validimi Neuroshkencor: Aktiviteti i Rrjetit të Modalitetit të Parë (DMN) lehtëson introspeksionin dhe mësimin.

Kuptimi Politik: Liderët që reflektojnë mbi gabimet ose sukseset e kaluara mund të përshtatin politikat për qeverisje më të mirë.

Ndërtimi i Marrëdhënieve

Validimi Neuroshkencor: Oksitocina dhe vasopresina përmirësojnë besimin dhe lidhjen.

Kuptimi Politik: Liderët politikë që ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të forta mund të bashkojnë grupe të ndryshme, të domosdoshme për harmoni kombëtare.

Përgjegjësia për Të Tjerët

Validimi Neuroshkencor: Rajonet e trurit të lidhura me empatinë dhe teorinë e mendjes reflektojnë një ndjenjë përgjegjësie.

Kuptimi Politik: Liderët duhet të veprojnë në interes të popullit, duke treguar empati dhe siguruar mirëqenien sociale.

Përforcimi i Ndryshimit

Validimi Neuroshkencor: Neuroplastiçiteti mbështet përforcimin e zakoneve dhe sjelljeve të reja.

Kuptimi Politik: Ndryshimet politike të suksesshme kërkojnë fleksibilitet dhe aftësinë për të kapërcyer rezistencën ndaj politikave të reja.

Etika

Validimi Neuroshkencor: Rajonet të lidhura me arsyetimin moral ndikojnë në marrjen e vendimeve etike.

Kuptimi Politik: Liderët etikë sigurojnë drejtësi dhe transparencë, duke fosteruar besimin e publikut në qeveri.

Përmirësimi i Dijenisë për Detyrat

Validimi Neuroshkencor: Aktiviteti i hipokampit ndihmon në marrjen e njohurive.

Kuptimi Politik: Politikanët duhet të përmirësojnë vazhdimisht njohuritë e tyre për të marrë vendime të informuara që adresojnë nevojat e kombit.

Eliminimi i Pengesave për Performancën

Validimi Neuroshkencor: Modifikimi i amigdales ndihmon në reduktimin e stresit, duke mundësuar një performancë më të mirë.

Kuptimi Politik: Liderët duhet të përqendrohen në heqjen e pengesave për zhvillim, duke siguruar progres në të gjitha nivelet.

Vlerësimi i Pasojave

Validimi Neuroshkencor: Aktiviteti i korteksit të vijës së përparme ndihmon në vlerësimin e pasojave të mundshme.

Kuptimi Politik: Liderët politikë të mençur vlerësojnë pasojat afatgjata të politikave, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

Shpjegimi i Vendimeve me Respekt

Validimi Neuroshkencor: Qarku nervor i përfshirë në procesimin e gjuhës dhe empatinë.

Kuptimi Politik: Komunikimi i qartë dhe me respekt përmirëson kuptimin dhe mbështetjen e publikut për vendimet.

Përshëndetje

Validimi Neuroshkencor: Aktivizimi në rajone të trurit të lidhura me autonominë mbështet fuqizimin.

Kuptimi Politik: Fuqizimi i qytetarëve dhe liderëve promovon pjesëmarrjen, duke ndihmuar në avancimin e përbashkët.

Përkujdesja për Marrëdhëniet

Validimi Neuroshkencor: Lëshimi i oksitocinës ndihmon lidhjen dhe besimin.

Kuptimi Politik: Forcimi i marrëdhënieve ndërpersonale dhe ndërgrupore siguron stabilitetin politik dhe bashkëpunimin.

Integriteti dhe Sinqeriteti

Validimi Neuroshkencor: Rajonet e trurit të lidhura me njohjen morale mbështesin integritetin.

Kuptimi Politik: Integriteti në udhëheqje kultivon besimin e publikut dhe forcon proceset demokratike.

Identifikimi i Problemeve

Validimi Neuroshkencor: Korteksi prefrontal ndihmon në identifikimin e problemeve.

Kuptimi Politik: Liderët politikë duhet të njohin sfidat kombëtare për të gjetur zgjidhje efektive për mirëqenien e kombit.

Marrja e Rrezikut të Mençur

Validimi Neuroshkencor: Aktiviteti i balancuar në rajonet e shpërblimit dhe kontrollit mbështet marrjen e rrezikut.

Kuptimi Politik: Liderët duhet të kenë guximin për të marrë rreziqe të kalkuluara për përparimin kombëtar, duke përqafuar inovacionin dhe reformën.

Komunikimi me Komunitetin

Validimi Neuroshkencor: Qarku nervor i përfshirë në komunikimin shoqëror dhe empatinë përmirëson ndërveprimet me komunitetin.

Kuptimi Politik: Komunikimi efektiv me publikun ndihmon në ndërtimin e besimit, inkurajon pjesëmarrjen dhe promovon unitetin.

Mësimi i Përsëritur

Validimi Neuroshkencor: Neuroplastiçiteti mbështet mësimin dhe përshtatjen gjatë gjithë jetës.

Kuptimi Politik: Liderët duhet të mbeten të përshtatshëm për të naviguar ngjarje të papritura dhe dinamika në ndryshim.

Mendimi Kritikal

Validimi Neuroshkencor: Aktivizimi në korteksin dorsolateral prefrontal mbështet arsyetimin logjik.

Kuptimi Politik: Liderët duhet të përdorin mendimin kritik për të vlerësuar efektivitetin e politikave dhe nevojat kombëtare në mënyrë objektive.

Zgjidhja Kreative e Problemeve

Validimi Neuroshkencor: Rajonet e trurit të lidhura me krijimtarinë mbështesin zgjidhjen e problemeve.

Kuptimi Politik: Qasje krijuese në krijimin e politikave çon në zgjidhje inovative që adresojnë çështje komplekse kombëtare.

Bashkëpunimi

Validimi Neuroshkencor: Sinkronizimi nervor dhe empatia promovojnë punën e efektshme në grup.

Kuptimi Politik: Liderët politikë duhet të bashkëpunojnë mes partish dhe me shoqërinë civile për të zbatuar reforma të suksesshme.

Dëgjimi Aktiv

Validimi Neuroshkencor: Aktivizimi në rajonet e procesimit të audios mbështet dëgjimin aktiv.

Kuptimi Politik: Dëgjimi i shqetësimeve të qytetarëve dhe palëve të interesuara siguron një qeverisje më të mirë dhe krijimin e politikave.

Fleksibiliteti

Validimi Neuroshkencor: Korteksi prefrontal dhe neuroplastiçiteti mbështesin fleksibilitetin.

Kuptimi Politik: Liderët politikë duhet të mbeten fleksibël për të naviguar ngjarje të papritura dhe dinamika të ndryshueshme.

Arritja e Objektivave

Validimi Neuroshkencor: Rrugët dopaminergjike mbështesin sjelljen e orientuar nga qëllimet.

Kuptimi Politik: Caktimi dhe arritja e objektivave kombëtarë siguron progres dhe nxit krenarinë kombëtare.

Diskutim

Për të udhëhequr një komb drejt avancimit dhe bashkimit kombëtar, liderët shqiptarë duhet të posedojnë një gamë të gjerë aftësish dhe karakteristikash. Disa nga kompetencat më të rëndësishme lidhen me dinjitetin, respektin, etikën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Liderët që nuk i zotërojnë këto kompetenca janë të paaftë për të menaxhuar sfidat në një shoqëri komplekse dhe për të udhëhequr në mënyrë që të ndihmojnë në bashkimin kombëtar. Për më tepër, aftësia për të marrë vendime të mençura, të bazuara në analiza të thella dhe mendim kritik, është thelbësore për arritjen e qëllimeve të kombit shqiptar.

Pyetje Reflektimi për Liderët Politikë që Synojnë të Udhëheqin Kombin Shqiptar

A i posedoj të paktën 60% të kompetencave të përmendura më lart, të bazuara në shkencën e lidershipit?

A zotëroj aftësitë e nevojshme për të krijuar besim dhe për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme në shoqëri?

Si mund të demonstroj dinjitet, respekt dhe integritet në veprimet e mia politike?

A marr vendime të bazuara në analiza të thelluara dhe të menduara mirë për të siguruar drejtësi dhe qëndrueshmëri afatgjatë?

Si e vlerësoj ndikimin afatgjatë të politikave që propozoj?

A jam i aftë të identifikoj dhe të menaxhoj ndryshimet që kërkon shoqëria, duke adresuar sfidat dhe pengesat ekzistuese?

A kam fleksibilitetin dhe guximin për të marrë rreziqe të kalkuluara në interes të kombit?

Si mund të kontribuoj në unitetin dhe bashkëpunimin kombëtar duke adresuar divergjencat mes grupeve të ndryshme?

A përdor empati dhe ndërtimin e marrëdhënieve si bazë për lidershipin tim?

A jam një lider që mësoj vazhdimisht nga përvojat e mia dhe përmirësoj kompetencat për t’iu përshtatur dinamikave të reja?

Çfarë hapa po ndërmarr për të reflektuar mbi performancën time dhe për t’u përmirësuar?

Rekomandim për Liderët

Pas reflektimit mbi 25 kompetencat kyçe të lidershipit, nëse një politikan nuk zotëron të paktën 60% të këtyre aftësive, është etike të mos konkurrojë në zgjedhje politike. Ata duhet të punojnë për të zhvilluar dhe përmirësuar këto kompetenca dhe të rikthehen në garë pas një cikli zgjedhor, kur të jenë më të përgatitur.

Pyetje Reflektimi për Votuesit

A i posedon kandidati që dua ta votoj të paktën 60% të kompetencave të përmendura më sipër, të bazuara në shkencën e lidershipit?

A ka kandidati aftësinë për të marrë vendime të bazuara në integritet dhe etikë, duke vënë interesin kombëtar mbi interesat personale?

Si e ka demonstruar këtë aftësi në të kaluarën?

A zotëron kandidati cilësi si dinjiteti, respekti dhe empatia për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe harmonike?

A shfaq këto cilësi në komunikimin dhe veprimet e tij?

A ka kandidati aftësinë për të reflektuar mbi gabimet e tij të mëparshme dhe për të përshtatur politikat për të arritur rezultate më të mira?

A ka treguar ndonjëherë përulësi dhe aftësi për të mësuar?

A përmbush kandidati kompetencat kryesore për të udhëhequr kombin drejt bashkimit dhe avancimit kombëtar, sipas një modeli të validuar shkencërisht?

Çfarë dëshmi konkrete ka për këto kompetenca?

A ka kandidati vizion të qartë dhe aftësi për të frymëzuar qytetarët që të punojnë së bashku për të arritur qëllimet kombëtare?

Si e përcjell ky vizion përmes politikave dhe veprimeve?

Rekomandim për Votuesit:

Nëse kandidati që synoni të votoni nuk zotëron të paktën 60% të kompetencave të modelit shkencor të lidershipit, ai nuk duhet të votohet.

Konkludim

Për të siguruar një të ardhme më të suksesshme dhe të bashkuar për kombin shqiptar, është e domosdoshme që liderët të zhvillojnë dhe zotërojnë kompetenca kyçe që ndihmojnë në përballimin e sfidave të ndryshme. Paradigma e politikëbërjes dhe e zgjedhjes së përfaqësuesve politikë duhet të ndryshojë rrënjësisht. Premtimet boshe dhe veprat e pakta duhet të zëvendësohen me lidership kompetent, i bazuar në të dhëna shkencore moderne, si ato të neurolidershipit, të inkorporuara në modelin e Kompetencave të Lidershipit Drenica, i cili tani është pjesë e literaturës së preferuar edhe në universitetet më prestigjioze si Harvard, Yale dhe Stanford.

Liderët që kanë zhvilluar afinitetin për të kuptuar lidershipin, por ende nuk janë mjaftueshëm kompetentë, duhet të shmangin hyrjen në garë, deri sa të avancojnë kompetencat e tyre në lidership. Ky afinitet vetëvlerësues është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në përparimin e aftësive të lidershipit, i cili mund të arrihet përmes punës intensive në të ardhmen.

Zgjedhja e liderëve me aftësi të larta në këto fusha është një hap thelbësor për avancimin dhe bashkimin e kombit shqiptar. Votuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për këto kritere dhe të zgjedhin liderë që i përmbushin ato, për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar të kombit tonë.

Referencat

Çitaku, F., & Ramadani, H. (2024). The Neuroscientific Validation of the Leadership Competency Model Drenica. Journal of Human Resource Management, 12(2), 42-47. DOI: 10.11648/j.jhrm.20241202.13.

Çitaku, F. and Ramadani, H. (2020). Leadership Competency Model-Drenica: Generalizability of Leadership Competencies. International Journal of Organizational Leadership, 9(3), 156-162. doi: 10.33844/ijol.2020.60502.

Filed Under: Analiza

Portretizimi dhe veshja e Skënderbeut: Një përzierje e historisë dhe simbolikës

January 17, 2025 by s p

Nga Dr.Dorian Koçi/

Kur autorët e kohëve moderne përpiqen të portretizojnë Skënderbeun si një luftëtar të palodhur, shpesh largohen nga realiteti historik.

Portretet e tij zakonisht e paraqesin me përkrenaren e famshme, një mbrojtëse prej rrjete hekuri në supe dhe një këmishë hekuri mesjetare për t’u mbrojtur nga goditjet me shpatë. Sipër krahëve i vendosin një pelerinë të kuqe, duke krijuar një figurë të fuqishme, por në shumë raste jo të saktë historikisht.

Sipas burimeve historike, përkrenarja e Skënderbeut përdorej kryesisht gjatë ceremonive dhe jo në beteja. Nëse autori synon ta paraqesë Heroin tonë Kombëtar në një skenë ceremoniale, ai duhet të përdorë një veshje fisnike arbërore, e cila shpesh ishte e ngjashme me veshjet fisnike veneciane. Princat shqiptarë, në marrëveshjet me Republikën e Venedikut, përfitonin jo vetëm pensione të konsiderueshme, por edhe cohë cilësore për veshjet e tyre. Cohat vinin nga Venediku dhe shpesh herë në marrëveshjet që nënshkruanin princat shqiptarë përveç marrjes së një pensioni të përvitshëm që shkonte nga 1200-1500 dukate në vit, ata përftonin dhe coha për rrobat e tyre. Në një letër që i dërgon Gjergj Pelinit, sekretarit të vet, Skënderbeu ngarkon këtë të fundit me një mision diplomatik dhe, ndër të tjera, i kërkon tërheqjen e cohës së premtuar, është ky: «Fol edhe për cohën që më kanë premtuar […].

Mbasi thonë se mua më duhen 16 kut cohë për dy palë petka, ata zotërinj le ta shqyrtojnë vetë sa cohë duhet për ato dy palë petka dhe të më japin aq sa ta shohin të arsyeshme së unë mund të kem nevojë». . Si përgjigje, Senati venedikas i dërgon më shumë nga sa kërkoi, duke dëshmuar rëndësinë e marrëdhënieve të tij me Venedikun.Në përgjigje, Senati venedikas i dërgon 18 e jo 16 kut stof skarlat.Një model i mirë për piktorët , shkrimtarët që dëshirojnë të pasqyrojnë figurën e Skënderbeut tabloja që gjendet në Vjenë. Në një inventar të vitit 1601 nga sekretari privat Schrenchk, Skënderbeu paraqitet me përkrenare në një tablo të titulluar “Armamentarium Heroicum”. Ai qëndron në profil, duke mbajtur një shpate në dorën e djathtë dhe përkrenaren pranë këmbëve. Veshja përbëhet nga një pallto e gjatë me astar lëkure, një imazh që korrespondon me objektet autentike të ruajtura në Muzeun e Artit Historik të Vjenës.

Deri më tani këndvështrimi më i përhapur, veçanërisht gjatë periudhës së Realizmit Socialist, është portretizimi i Skënderbeut me tirqe ose veshje tradicionale shqiptare të periudhave të mëvoshme. Kjo qasje synonte ta paraqiste si një hero popullor dhe t’i afrohej sa më shumë traditës kombëtare.

Megjithatë, ky interpretim shpesh anashkalon vështrimet e historianëve. Një shembull është paraqitja e qytetit të Krujës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku shtëpitë janë në stilin e arkitekturës së Beratit dhe Gjirokastrës, një ndikim otoman i disa shekujve më vonë.

Përkrenarja e Skënderbeut, e ekspozuar në Muzeun e Arteve të Vjenës, mbetet ndër objektet më të veçanta dhe interesante të trashëgimisë së tij. Me kokën e dhisë në krye, simbolika e saj është subjekt i shumë interpretimeve. Një shpjegim lidhet me kultin e dhisë së egër, një simbol i zanave shqiptare që, sipas legjendave, ende jetojnë në bjeshkët e larta. Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike duke datuar që në kultin e Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për ti shpëtuar frikës paranonjake të atit të vet Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në Kretë dhe ushqehet nga nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja qe tregojne se kulti i dhise se eger eshte shume i lashtë. Shkrimtari romak i shekullit te I-II te eres sone S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjate luftes kunder Batos se ilireve, kur arriti ne Apoloni, preuper nder te fitores se tij, nje monedhe argjendi me koken e dhise se eger.

Po kështu është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet çka mund të mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të territoreve të veta , fakt që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbëre. Një dëshmi tjetër është vepra e Barletit, që në titul të saj Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis , ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e truajve dhe popullsisë arbëre . “Njerëzit kur veshtronin atë rini luftarake dhe kur shikonin ate lule burrash rreth Skenderbeut, nuk u dukej aq çudi qe fuqite e Muratit ishin thyer prej shqiptarevet. Me te vertete ishin kthyer ateherë përsëri shkelqimi i lashte i Maqedonise dhe dukej se kishin ardhur prape tamam, sic ishin dikur, kohet tanime te harruara te Aleksandrit dhe te Pirros.

Ky vit shënon një përvjetor të rëndësishëm të lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke e bërë 2025-ën një vit përkujtimor për heroin tonë kombëtar. Për të nderuar figurën e tij, do të ketë një seri ekspozitash artistike ku piktorë vendas dhe ndërkombëtarë do të përpiqen ta portretizojnë Skënderbeun në mënyra të reja dhe të pasura me detaje historike.

Këto përfaqësime jo vetëm që do të hedhin dritë mbi jetën dhe trashëgiminë e tij, por gjithashtu do të krijojnë mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si Skënderbeu është parë ndër shekuj. Artistët do të përpiqen të kombinojnë realitetin historik me simbolikën që përfaqëson figura e tij, duke përfshirë elemente nga veshjet ceremoniale, armët dhe përkrenarja e tij e veçantë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk ishte vetëm një udhëheqës luftarak, por edhe një simbol i trashëgimisë kulturore dhe historike të arbërve. Përvjetori i këtij viti është një mundësi e veçantë për ta rikujtuar atë si figurë që frymëzon breza të tërë, duke ruajtur identitetin kombëtar dhe vlerat e popullit shqiptar.

Burimet

1. Kristo Frashëri. Historia e Skënderbeut, TOENA, Tiranë, 2006.

2. Marin Barleti Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, Rome , 1508

3. S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II

4. Plutarku. Jetë Paralele, Pirro i Epirit.

Filed Under: Analiza

URAT PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN – BALADA E MURIMIT NË FSHATIN FUNARËS

January 17, 2025 by s p

Avni Alcani/

Përgjatë luginës së lumit të Shkumbinit është ndërtuar një nga rrugët më të vjetra dhe më të famshme në botë, me emrin “Via Egnatia”, e cila bashkonte pjesën perëndimore të Ballkanit me atë lindore. Egnatia u shërbente romakëve për lëviznjen legjioneve ushtarake të Romës për pushtimin e Ballkanit dhe viset e tjera lindore. Rruga zinte fill nga qyteti antik i Dyrrahut dhe përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga deti Adriatik e deri në Kostandinopojë.

Në Tabelën e Poitingerit, hartës së vjetër romake, ishin shënuar të gjitha trevat e pushtuara nga romakët, e cila fillonte nga Britania e Madhe në perëndim e deri në kufi me Indinë e sotme. Në hartë ishin shënuar të gjitha rrugët e ndërtuara prej tyre, duke përfshirë dhe rrugën Egnatia. Gjithashtu ishin shënuar të gjitha stacionet, si dhe largësitë (distancat) ndërmjet tyre, të cilat ishin të shënuar në terren me gurët e quajtur “Miliar”. Stacionet shërbenin për sigurimin (mbrojtjen) e rrugës, për pushimin e udhëtarëve, për ndërrimin e kuajve dhe për shërbime të ndryshme.

Në Iliri pjesa më e madhe e kësaj rruge kalonte nëpër luginën e lumit Genesis (Shkumbin) dhe mbi të ishin ndërtuar disa ura prej guri, të cilat, për fat të keq, sot nuk ekzistojnë. Ruhen vetëm disa fragmente muresh dhe urash prej guri të kësaj periudhe, si në fshatin Dardhë të Librazhdit (fig. 1 dhe 2) dhe në fshatin Çopanaj të Peqinit (fig. 3, 4 dhe 5). Edhe gjatë periudhës së pushtimit Osman, në luginën e Shkumbinit ishin ndërtuat ura shumë të bukura, të cilat patën tëhequr vemendjen e udhëtarëve të huaj. Një nga këto ura është pikturuar në vitin 1848 nga piktori anglez Eduart Lir (fig. 6). Ushtarë austriakë kanë fotografuar urën prej guri në Qukës, e cila sot nuk ekziston (fig. 7). Gazetari dhe shkrimtari britanik Bernard Newmen, në librin e tij me kujtime “Albanian Back-door” (Derë e pasme e Shqipërisë, Londër 1936), i përshkroi urat prej guri mbi lumin Shkumbin me bukuri magjepëse, si në ëndërr. Gjithashtu nga autorë anonimë është fotografuar ura me harqe e Haxhi Beqarit në Mirakë (😎, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve angleze në Luftën e Dytë Botërore.

Sot, në të gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin, për fat të keq, ruhen vetëm dy ura me harqe prej guri, ura e Golikut në Mokër të Pogradecit (fig. 9) dhe ura e Kamares në fshatin Mirakë të Librazhdit (fig 10). Ura e Kamares është ura më e madhe prej guri mbi lumin Shkumbin dhe një nga urat më të bukura në Shqipëri.

Urave prej guri mbi lumin Shkumbin u janë krujuar legjenda dhe u këndohen balada për ndërtimin e tyre. Një nga baladat më të bukura është “Balada e murimit në fshatin Funarës”, e cila është mbledhur në fshatin Funarës të krahinës së Çermenikës.

BALADA E MURIMIT NË FSHATIN FUNARËS

Motivi i baladës së murimit është mjaft i njohur, jo vetëm në folklorin shqiptar, por edhe në atë ballkanik. Balada çermenikase ka të njëjtin motiv të murimit, të njohur edhe në baladat e tjera simotra shqiptare e ballkanase. Për mendimin tonë, balada e murimit “Tre vllaznia u besatu”, e kënduar në fshatin Funarës të Çermenikës, është varianti më i bukur ndër baladat shqiptare.

Subjekti është i njëjtë si në baladat e thera: tre vëllezër punojnë për ndërtimin e një ure, që në baladën e Funarsit quhet “ura e shehut”, dmth, ura e shenjtë. Të tre vëllezërit punojnë ditën, por ura shembet natën (“Puno ditë e shemu natë!”). Pranë tyre kalon një plak, një “sheh”, që në baladë emri “sheh” ka kuptimin e një shenjti, i cili uron vëllezërit: punë të mbarë! Vëllezërit përgjigjen të dëshpëruar se ura, që ata ndërtojnë ditën, u shembet natën. Plaku u urtë i këshillon që ura, për të mos u shembur, i duhet bërë një kurban.

Këtu fillon drama e vëllezërve, pasi kurbani nuk është dosido, por është një njeri i gjallë. Në këngë nuk tregohet se çfarë vendosën vëllezërit për të bërë kurban, por, nga besa që lidhën me njëri-tjetrin, kuptohet se ata kishin marrë një vendim të rëndësishëm mes tyre, një vendim që përmbante mister dhe fshehtësi. “Por, “Tre vllaznia jan besatu/ Grave t’veta mos m’u kallzu!”, thotë kënga.

Çfarë ishte kjo besë, ky vendim kaq i fshehtë dhe ç’ishte ky mister kaq i madh sa i kishte dytyruar vëllezërit të ishin aq gojëkyçur me gratë e veta, me njeriun më të afërm të jetës së tyre?! Autori i balladës nuk e rrëfen enigmën, se ç’besë kishin dhënë vëllezëit dhe çfarë pakti kishin bërë dhe vendosur për të bërë kurban?! Por, në vargjet e mëposhtme, kur vëllezërit ballafaqohen me bashkëshortet e tyre, lihet të kuptohet se diçka ata u thanë grave të veta. Po se çfarë u thanë…Heshtje… Ata kishin lidhur besë… Diçka, shumë e rëndësishme dhe shumë dramatike, që s’kishte lidhje vetëm me besën, i kishte tronditur vëllezërit.

Por a e mbajtën besën vëllezërit?

Dy vëllezërit e mëdhenj i kishin porositur gratë e tyre, se po t’i dërgonte nëna e tyre për t’u sjellë drekën, ato të mos vinin (“Po të dërgoi nona, buk’ mos m’e pru…”). Kurse vëllai i tretë, i cili kishte qenë “i besatu”, i kishte thënë nuses së tij: “Po të dërgoi nona, bukën me e pru…”.

Dy nuset e mëdha, me gjithë lutjet e nënës, për t’u çuar bukën djemve të saj, ato u shmangën, gënjyen, kundërshtuan dhe nuk pranuan t’u dërgonin ushqimin burrave të tyre. Atëherë nëna i drejtohet nuses së djalit të vogël, duke iu lutur edhe asaj që t’i dërgonte bukën djemve. Nusja e vogël hezitoi për një çast, pasi po i qante fëmija e saj foshnjë. Vjehrra i premton se do t’ia mbajë ajo fëmijën dhe nuk do e lejë të qajë. Nusja e vogël pranon. Ajo ia lë foshnjën vjehrrës dhe niset t’u çojë bukën (ushqimin) tre vëllezërve.

Kur nusja afrohet pranë urës, i gjen ustallarët duke qarë. Ata të tre e dinë se ç’do t’i ndodhë nuses së re, kurse ajo nuk di asgjë. Nusja i pyeti burrat se përse po qanin(?!). Ata s’kanë guxim t’i thonë të vërtetën dhe e gënjejnë, duke i thënë se u kishin rënë (humbur) veglat e punës në gropë. Ajo i ngushëllon dhe u premton se do të zbresë që t’i ndihmojë, por ata… e groposën dhe e murosën për së gjalli. Nusja e re, në çastin e saj më fatal, mallkoi bashkëshortin, duke i thënë: “Në qafë më paç, or burri im,/ Që ma le djalin jetim…” Burri i saj i përgjigjet: “Jetim qesh, jetim lashë,/ Majta besën, që un’ dhashë”. Nusja u drejtohet kunetërve, duke i porositur: “Kur t’më zejë djali me qa,/ Të ma bini në kala”, që ajo të ushqejë djalin e saj.

Balada mbyllet me vargjet lapidar: “Në kala ke kom e urës,/ Aty rrjedh gjak e qumësh…”. Për mendimin tim këto janë vargjet më të bukura, më dramatike dhe më tragjike të folklorit dhe të gjithë letërsisë shqiptare.

Në baladë janë përmendur dy herë fjalët “kala”, në një kohë që balada i kushtohet ndërtimit të një ure. Mendoj se, në një variant të parë të këngës, ndoshta edhe më të hershëm të saj, ajo duhet t’i jetë kushtuar një kështjelle (kalaje).

Në vijim po japim të plotë variantin çermenikas së balladës së murimit:

TRE VLLAZNIA U BESATU

Tre vllaznia u besatu1)

Urën e shehut2) m’e maru.

Aty pranë kalon nji sheh:3)

– Puna e mbarë, o ustallarë!

– Puna e jona mos u patë;

puno ditë e shemu natë.

– Ura don nji kurban,

nji kurban, nji njeri t’gjallë…

Tre vllaznia u besatu,

Grave t’veta mos m’u kallzu…

Vëllai i parë, i besatu,

Grunë e vet e kish kallzu:

– Po të dërgoi nona,

Bukë mos m’e pru!

Vëllai i dytë i besatu

Grunë e vet e kish kallzu:

– Po të dërgoi nona,

Bukë mos m’e pru!

Vëlla i tretë i besatu,

Grunë e vet s’e kish kallzu:

– Po të dërgoi nona,

Bukën m’e e pru!

– Reje4) parë, o ime bi’5),

Ngreu ço’ bukën djemve të mi!

– Besa nonë, po m’dhem koka!

– Reje dyt’, o ime bi’,

Ngreu ço’ bukën djemve t’mi!

– Besa nonë, do shkoj për miqsi.

– Reje tretë, o ime bi’,

Ngreu ço’ bukën djemve t’mi!

– Besa non’, po m’qan djali!

– Ti, moj bijë, shko dhe ja,

S’ta len nona djalin me qa!

… Mora fushën t’u vrapu,

Vinte dreka6) t’u afru…

– Mor, kunat, kunat i parë,

Pse po qan’ me lot ashtu?!

– M’ka ra çekiçi n’ujt’!

– Mor kunat, kunat i dytë,

Pse po qan’ me lot ashtu?!

– M’ka ra çekiç n’ujt!

– Mos ki’ gajle7), ta qis unë…

– N’qafë më paç, or burri im,

Që ma le djalin jetim!

– Jetim qeshë, jetim lashë,

Majta besën, që un’ dhashë.

– N’koma t’urës ju po m’shtini,

Cic’n e djathtë jasht’ t’ma lini.

Kur t’më zejë djali me qa,

Të ma bini në kala8),

Në kala, ke kom’ e urës,

Aty del gjak e qumësh!

(Mbledhur nga Emin Çota)

Funarës 1977.

Shënime:

1) Zunë besë me njëri-tjetrin;

2) Dmth, ura e shenjtë;

3) Një i shenjtë;

4) Nusja e djalit;

5) Bijë;

6) Afrohej dreka;

7) Mos u bëj merak;

8)Ndofta varianti i parë i këngës i ka qenë kushtuar një kalaje (kështjelle).

Paisi me shënime A. Alcani.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT