• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

Gazeta historike e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 80 viteve në Prizren me shkronja plumbi nga Tirana

February 11, 2025 by s p

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, Shkurt 2025/ Para 80 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, historike e tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.

Pas shpalljes nga Kuvendi të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të cilën Rilindja e mbështeti fuqimisht edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Fillim i së nesërmes”, në 5 Korrik Serbia shpalli suprimimin e institucionave kosovare – Kuvendit e Qeverisë dhe masat e dhunëshme për gazetën e vetme të përditshme  shqiptare të Kosovës.

Masat e dhunëshme të Serbisë u refuzuan fuqishëm dhe gazeta Rilindja nuk u ndal, doli të nesërmen me komentin në faqen e parë me titull “Okupim klasik”.

Regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur, në 7 Gusht 1990 ndaloi dhe mbylli me dhunë gazetën Rilindja.

Por, gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua, sfidoi ndalimin, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.

Si kryeredaktor i parë-themeluesi i gazetës “Bujku” , duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare-ATSH, themeluam edhe bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Zyra e telexit të gazetës, që ishte lidhja e vetme e mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, u bë edhe zyrë e korrespondenturës së ATSH  që kur nisa raportimet nga dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunëshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë,  gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë nga UNMIK –  Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit 1999.

Dhe edhe në atë kohë kur isha kryeredaktori i fundit i Rilindjes, gazeta historike përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me mëse 40 numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Në  ballinë të numrit të fundit të printuar të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  tradicionale të Kosovës, por që ende nuk u bë.

Zgjidhja për Rilindjen, që kishte statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 që i kam drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

—–

SHËNIME MONOGRAFIKE:  GAZETA  TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA NËPËR VITE

Gazeta historike e tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 80 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja në 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i Nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 Janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 Fruer (Shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 Janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohet për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 – 1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

 Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

 Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Kosova shkonte drejt pavarësisë, me Rilindjen që nuk u ndal edhe kur u ndalua.

Kosovës para 35 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë. 

“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.

Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.

Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në mëngjesin e 8 Gushtit 1990, të pas natës së ndalimit të gazetës nga forcat serbe në shtypshkronjë,  me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…

“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

E nisur me numrin e parë me datën 18 Janar 1991 “Bujku” si gazetë e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe edhe sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë Rilindja.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

 “Kosova filloi Referendumin për Sovranitet”, shkruante në kryetitullin në ballinë gazeta  historike  e rezistencës shqiptare “Bujku” në  numrin e 27 Shtatorit 1991. Legjenda e fotografisë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991 njoftonte rezultatet e referendumit në  faqen e parë  me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote…”

Ndërkohë, derisa në Kosovë gazeta dilte me emrin “Bujku”, në Zvicër e pastaj edhe në Shqipëri po me ato shkrime nisi të dalë gazeta jonë Rilindja, me angazhimin e gazetarëv e punonjësve tjerë të saj…

Disa nga titujt e shkrimeve të mia të asaj kohe në gazetën Rilindja në Tiranë që ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë i shënoj nga  “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” ne faqen zyrtare në internet:

Pesë vjet të gazetës “Bujku” -18 Janar, 1996; Do të bashkëpunojmë në konkurrencë – 4 Janar, 1997; Etiketa e terrorizmit për terror kundër shqiptarëve – 29 Janar, 1997; Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet – 5 Janar, 1997; Institucion e qendresë e Kosovës – 21 Janar, 1997; Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë – 12 Shkurt, 1998; Muri ndërshqiptar si “fundi i botës” – 19 Mars, 1996; Ditë zie në Kosovë –  4 Mars, 1998; Gjendje e rëndë lufte vazhdon dhe në Drenicë –  3 Mars, 1998; Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë – 5-11 Maj, 1996; Beogradi me mesazh të vjetër për Kosovën : Shqiptarët as e pritën e as e patën takim, ndërsa nga serbët u bë pritje e organizuar dhe e sforcuar – 27 Qershor, 1997; Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar – 6 Korrik, 1996; Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve: Në 7-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës –  2 Korrik, 1997; Sa afër e sa larg Shqipëria – 11-17 Gusht, 1996; SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës – 10 Gusht, 1996; “Rilindja” nuk ndal – 8 gusht, 1997; Provim i parë i zgjidhjeve për Kosovën –  6 shtator, 1996; 

Si një referendum –  21 Nëntor, 1996; Udhëtimi për në Prizren : Reportazh – 31 Dhjetor, 1996; Radioja që sfidon kufirin: Programi dhjetëorësh në ditë i Radio Kukësit dëgjohet shumë në Shqipëri dhe në Kosovë –  1-7 Dhjetor, 1996; Kronikë pa gazetë – Rilindja 29 Prill, 1995; Të vërtetën për Kosovën nuk e mbulon as terrori propagandues – 14 Prill, 1995; Skenar i sulmeve mbi Kosovën : [Sulmet serbe mbi kosovën] – 24 Maj, 1995; Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon –  8 Korrik, 1995;  Marsh i rrezikshëm në Jug –  23 Gusht, 1995…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti me kryetitull në ballinë kërkues për ndërhyrjen e NATO-s “Marrëveshja për Kosovën duhet të ketë mbështetje ushtarake” dhe vazhdoi të dalë derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi i Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e sollen prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani, dhe gazetari  tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Numri i fundit i përditshëm i gazetës Rilindja, me datë 21 Shkurt 2002 shkruante në ballinë: Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta Rilindja detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë” ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.       

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Një nga protestat e vazhdueshme ishte në 3 Maj 2005. “Sot, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit”, ishte në ballinë mbititulli i kryetitullit “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur” dhe nëntitulli “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”.

Në ballinënen e gazetës Rilindja në këndin lart theksohej: “Numër protestues i jashtëzakonshëm – Sot në orën 12:00  vizita e të ftuarëve Rilindjes – Pallatit”. Protestë ishte edhe vizita në bodrumin-bunkerin e errët e me lagështi-vërshime uji, ku ishte hedhur-ngujuar arkivi-pasuri kombëtare, teknika e inventari i gazetës Rilindja, që nga fillimi i vitit 2003. “A e shihni ku e keni ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes, pasuri kombëtare që po shkatërrohet”, shkruan në Rilindjen e 11 Prillit 2005, ku botohen edhe fotografi të kulturocidit.

Që të protestonte, po edhe të vazhdonte të jetë histori e Kosovës Gazeta Rilindja dy javë pas mbylljes-dëbimit nga UNMIK doli me botim të jashtëzakonshëm në 5 Mars 2002 për seancën e Kuvendit të një dite më parë të votimit të Presidentit e të Qeverisë së zgjedhjeve të para parlamentare në liri. Kryetitulli në ballinë ishte: “Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’ – Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi”. Presidenti Ibrahim Rugova dhe Kryeministri Bajram Rexhepi menjëherë pas zgjedhjes janë përgjigjur në pyetjet që ua kam bërë për këtë numër të Rilindjes, që përgatitej nga ekipi i saj special në një zyrë të Kuvendit të Kosovës. “Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës. “Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen“   ishte titulli në këndin lart në ballinë.

Në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.

“Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”, ishte kryetitulli i gazetës Rilindja në ballinë ku botohej i plotë mesazhi i Presidentit historik Rugova me titullin “Shqiptarët forcohen në të gjitha viset”  e nëntitullin “Një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj”.

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

 Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të

Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

 Rilindja në 27 Janar 2006 shkruante se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 njerëz – Më se 500.000 njerëz nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës, në Sallën “1 tetori”, te Varrezat e Dëshmorëve e Heronjëve të Kombit në Lagjen Velania në Bregun e Diellit i shprehën nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare Presidentit historik të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetitulli dhe nënkryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishin: Bota nderoi – Nderimet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: Presidenti Rugova parashikoi dhe krijoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Tri intervista ekskluzive, e para para 12 vjetëve.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. Ibrahim Rugova President i Kosovës (1944 – 2006).

Dr. Ibrahim Rugova President historik i Pavarësisë së Kosovës përgjithmonë, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

RILINDJA PËR PAVARËSINË E KOSOVËS, BOTIME SPECIALE DHE KALENDARË

 “Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në mesazhin e Vitit të Ri 2005 Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte vit i progresit më  të madh të Kosovës.

Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe 600 vjetorit të Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinajn, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

Në këtë numër special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Golldberg, që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citohej diplomati amerikan në ballinë e në titull të intervistës,  ku Golldberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati amerikan Golldberg.

Gazeta Rilindja në 25 Prill 2005 në kryeartikullin që paralajmërohej në kryetitull në ballinë shkruante:

Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë: Bashkësia ndërkombëtare ka marrë vendim që Kosova të jetë e pavarur.

Gazeta Rilindja e 31 Dhjetor 2005 sillte Kalendarin e Pavarësisë dhe këtë editorial:

KOSOVË, GËZUAR VITIN E PAVARËSISË

Behlul Jashari

Kosova po kalon e pret vite historike.

Hyrja në finalen e procesit të Pavarësisë së Kosovës  është ngjarja më e rëndësishme e vitit 2005.

Kosova në vitin që po skon kishte edhe një ngjarje të rëndësishme: Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për rikontirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka ritheksuar Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova pas takimit të parë me Grupin Neogociator, formimi i të cilit ishte një moment me rëndësi edhe për unitetin.

Pavarësia është qëllimi madhor që i bashkon shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, liderët dhe partitë e tyre, dhe këtu nuk ka ndarje në pozitë e opozitë.

Viti i Ri 2006 në Kosovë pritet si një vit tjetër i madh dhe historik i arritjes dhe njohjes ndërkombatare të Pavarësisë së Kosovës.

“Objektiv kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, pavarësi që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Presidenti Rugova pas takimit të fundvitit me Kryeministrin Bajram Kosumi.

Edhe bashkësia ndërkombëtare vlerëson se Viti i Ri 2006 është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns ka deklaruar se një nga synimet më të rëndësishme të SHBA-ve në vitin 2OO6 do të jetë “kryerja e punëve të filluara në Evropë”, duke theksuar posaçërisht nevojën e zgjidhjes së çështjeve kryesore në Ballkan.
“Ky do të jetë vit i vendimit për Kosovën, e ne do të jemi atje për t’i mbështetur me diplomaci dhe me forca të NATO-s në kuadër të KFOR-it për të ruajtur sigurinë në rajon”, ka deklaruar Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns në prag të ndërrimit të moteve.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt mes palës serbe dhe shqiptare do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi i lartë i BE, Havier Solana, gjatë një qëndrimi në Prishtinë ka shprehur bindjen se vendet e rajonit do të kenë ardhmëri evropiane dhe ka theksuar se një faqe e re e historisë së Kosovës po fillon.

I dërguari i posaçëm i OKB për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ky takim besohet se do të mbahet në Vjenë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci,  pret që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të finalizohet çështja e statusit të Kosovës. “Viti i ardhshëm do të jetë edhe vit i manifestimit të kapaciteteve reale të Kosovës”, ka theksuar ai.

Të gjithë presin zhvillime shumë të rëndësishme për Kosovën në vitin që po vjen.

Kosova pret Vitin e Pavarësisë. Gëzuar!

RILINDJA NË KRYETITUJ: KOSOVA SHTET, KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI, KOSOVA SHTET NË OKB

KOSOVA SHTET, është kryetitulli në ballinë i gazetës Rilindja në 30 Dhjetor 2007,  e cila përsëri sillte Kalendarin e Pavarësisë  me hartë – Flamur Kosove me një yll që do i bashkohet Flamurit të Bashkimit Evropian dhe me urimin: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008. Në ballinë edhe paralajnmërohej: Numri i ardhshëm i Rilindjes del në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 Shkurt 2008.

Paralajmërimet në ballinë: Hashim Thaçi, Kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës: Është koha të merret vendim për Kosovën; Presidenti Sejdiu Shpallja e pavarësisë në një kornizë kohore që dihet me afërsi; Bamir Topi: Sot, Kosova, më e pavarur se asnjëherë në historinë e saj ndodhet në procesin e pakthyeshëm të mëvetësisë së saj ndërkombëtare; Sali Berisha: Vizita e ardhshme – e kurorës, në Kosovën e pavarur (Përgjigje e Kryministrit të Shqipërisë në Prizren në pyetjen e Rilindjes).

E editoriali në faqen e parë të Rilindjes ishte ky:

GËZUAR

Viti 2007, që po shkon, mbetet në histori si vit i Planit të Ahtisaarit për pavrësinë e Kosovës, dokumentit të OKB-së me përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe me ndonjë kundërshtim.

Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të këtij Plani, vit i realizimit të ëndërrës shekullore të pavarësisë, pritjeve tona të madha.

Në Vitin e Ri Kosova po hyn me institucione të konstituuara pas zgjedhjeve të lira e demokratike të nëntorit, me Qeveri të re shumë premtuese, poashtu edhe me opozitë parlamentare, që ka paralajmëruar se do të jetë konstruktive.

Të gjithë do të jemi dhe do të punojmë bashkë për të mirën e Kosovës shtet.

Gëzuar!

Ndërsa, editoriali në faqen e dytë, i paralajmëruar në këndin lart të ballinës ishte ky:

RILINDJA PËR GINIS

-Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes/

Gazeta radicionale e Kosovës Rilindja me Kalendarin e Pavarësisë del numër i jashtëzakonsëm të dielen, më 30 dhjetor 2007. Po në këtë numër Rilindja paralajmëron daljen tjetër në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 shkurt 2008, kur e ka përvjetorin e 63-të.

 Është viti i tretë që Rilindja del vetëm një herë brenda vitit, dhe si e vetmja gazetë e përditshme në botë që i ndodhë të dalë vetëm një ditë, vetëm një herë në vit, mund të jetë edhe rast për Librin e Ginisit.

Vetëm një herë Rilindja doli në vitin 2003, pasi e ngujuan në bunkerin e errët e vërshime uji, dhe në vitin 2006, që edhe në këto kushte gazeta historike e Kosovës të shënoi zhvillimet historike nëpër të cilat kalon vendi.

Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin. Ishte kjo një shkelje e rëndë e të drejtës së institucionit shumë të rëndësishëm të Kosovës dhe të njerëzve të Rilindjes, e pashembullt në botën e lirë dhe demokratike.

Edhe kjo mbyllje e pashembullt në botë e Rilindjes, me dëbim nga shtëpia e saj, mund të jetë një rast për Ginis.

Rilindja, edhe pas dëbimit të dhunshëm ka dalë në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të ruajtur emrin e traditën dhe për të kundërshtuar mbylljen.

Rilindja ende nuk mund të dalë përditë meqë Pallatin e saj, ku i kishte lokalet e punës, ia kanë shndërruar thuaja në gërmadhë. I kanë shkatërruar gjithë teknikën e inventarin, dhe, çka është më e dhembshmja, Arkivin me dhjëtëra mijëra dokumente historike, pasuri kombëtare e pakompensueshme.

Rilindja është në pritje të realizimit të së drejtës së ligjshme të kompensimit e sanimit të dëmeve, që të mund të ridalë përsëri dhe të hyjë në procesin e privatizimit me spinof special, që të rikthehet e të ruhet gazeta tradicionale e Kosovës, siç i kanë gazetat e veta tradicionale të gjitha vendet normale e demokratike në botë.

Për këtë, Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes.

RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: KOSOVA SHTET NË OKB dhe me paralajmërimin: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

RILINDJA NË 30 DHJETOR 2008:

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

  Behlul Jashari

 Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të ergër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

RILINDJA, RIDALJE SIMBOLIKE PROTESTUESE PAS 10 VITESH – 31 DHJETOR 2018

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…“E punëtorëve të NSH Gazetare Rilindja deri në privatizimin e gazetës”, është shënimi në këndin lart në ballinë.

“GËZUAR  2019 KOSOVA 20 VJET LIRI 11 VJET SHTET”, “NGJARJA E  VITIT 2018  E KOSOVËS:  FSK USHTRI” “RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, janë disa nga titujt e gazetës.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

 Edhe në këtë 80-vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi. 

(Behlul Jashari

Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”. Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk kishte drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhonte dhe përfaqësonte)

Filed Under: Politike

LIRIA DO NJERËZ TË LIRË…

February 11, 2025 by s p

C:\Users\User\Downloads\Screenshot 2025-01-19 at 6.59.46 PM (1).JPEG

Intervistë e shkrimtarit Visar Zhiti,

dhënë gazetarit Liridon Mulaj

në “Gazeta Si”

C:\Users\User\Downloads\IMG_4121.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_4119.jpg

1. Shteti i Illinois-it në ShBA ka shpallur datën 28 Janar si Ditën e Lirisë në nderim të figurës tuaj si një zë kundër shtypjes dhe regjimit. Cilat janë ndjesitë tuaja?

Më vjen mirë për ndjesitë e të tjerëve, do të thosha, që e çmojnë lirinë e tjetrit si pjesë të lirisë së tyre. Siç duket liria e vërtetë është kur është e të gjithëve bashkë. Edhe pse Dita e Lirisë nuk u shpall në atdheun tonë, – po më thoshin, – ku mua dikur m’i morën liritë të gjitha, kur dhe atdheu vetë nuk ishte i lire, – po u thosha unë, – dhe aty më hodhën në burg, ku gjeta qindra e mijëra të tjerë, kundërshtarë dhe heronj që iu kundërvunë diktaturës, dhe nga aty u liruam, – dhe po vazhdonim të thoshim, se larg, shumë larg shpallet Dita e Lirisë, në një shtet tjetër të një vendi të madh, ku liria është princip dhe realitet. 

E përsëris, më erdhi mirë. E çmoj se ashtu si juve, u bëri përshtypjeve dhe shumë e shumë të tjerëve. 

 Po ju them, nuk nisi me mua, as e kisha menduar ndonjëherë, por nga të rinj si ju, ia arritën të ishte dhe një ditë e tillë në nderim të vuajtjes njerëzore të dheut amë, të qendresës ndaj së keqes në dheun amë. 

Më kanë shkruar të rinj si ju që në Proklamatën e Governorit të shtetit të Illinois-it, zotit JB Pritzker, kanë gjetur se aty bëhet fjalë dhe për lirinë e poezisë, po aq e rëndësishme sa liria e njeriut. Kështu bashkë të dyja, a nuk është një mrekulli?    

C:\Users\User\Downloads\IMG_3643 (2).jpg

2. Pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë? A mendoni se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?

Që pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë, më trishton që bëhet kjo pyetje, e çmoj guximin tuaj, por nuk duhet t’i përgjigjem unë, por Shqipëria, ata që janë në krye. 

Ditë të lirisë duan njerëz të lirë dhe kulturë lirie të përbashkët, po edhe poezi jete. Po i përmend të dyja se e mësuam nga Proklamata. Shqipëria jonë vjen nga traumat e mëdha të diktaturës dhe nga një Realizëm Socialist, që më shumë se një metodë letrare, ishte antiletërsi.

Më lejoni të tregoj diçka që më duket domethënëse, se kur një shkrimtar dhe përkthyes që e njohim, shkruajti me dashuri dhe vlerësime një ese për poezinë e dikujt që kishte dalë nga burgu, një tjetër, që s’e di a e njihni, bëri një kundër-ese po atë ditë, flakë për flakë si revolucionar, gabim, shkruante i zemëruar, ç’është kjo, thyhej rutina, atij i dukej se e ndjejnë për detyrë të mbronte shokët (?!), pra ishin të tjerë shokët e tij dhe si në shumëçka që shkruan ai, ndjehej fryma e përçarjes si dhe e përçartjes, instiktivisht i dilte për zot socrealizmit të tij. 

Një inat të tillë shfryrës më duket se kanë ditët tona, ditë robërie ende. 

Liria është dhe dashuri dhe kulturë. Thënë troç, Shqipëria jonë ecën drejt lirisë duke patur në krye më shumë nga ata që ishin kundër lirisë. Na ka mbetur shumë nga ai terri i shpellës së Platonit, edhe pse tashmë kaluan 3 dekada nga rënia e perandorisë komuniste dhe ndryshimi i sistemit në vendin tonë, nga diktaturë në pluripartitizëm dhe demokraci. 

Ju më pyesni: “A mendon se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?” 

Prapë, mendoj se shoqëria sot duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje. Unë jam njëri nga ata që e humbëm jetën burgjeve. Ende nuk kanë varre të pushkatuarit… Demokracisë shqiptare sot i mungon fryma e atyre që e ëndërraun atë dhe u sakrifikuan për ditën e lirisë. 

   .

3. Edhe ju si çdo i dënuar , i njihni persekutorët tuaj. Disa prej tyre janë gjallë. Sipas jush si mund të mbijetojnë letrarisht në një shtet edhe persekutori edhe viktima?

Unë do të thosha: “edhe persekutori edhe i persekutuari”, se shpesh nuk janë thjesht viktima, por dhe disidentë, kundërshtarë, të dënuar burgjeve deri në martirizim.Madje janë liderë morale dhe shenjtër. 

Dhe, nëse e kam kuptuar saktë pyetjen, të mbijetuarit letrarisht, pra në letërsi, e mendoj të arrirë, me kohë dhe përherë. Le të kujtojmë “Iliadën” ashtu janë bashkë, mbijetojnë njëlloj dhe ata që mbrojtën Trojën dhe ata që e dogjën dhe Troja u bë më e forte, kur s’ishte.  Edhe te Shekspiri bashkë janë vrasësit, të vrarët, fantazmat, të dashuruarit të vdekur e të gjallë, ashtu si aktoret mbasi mbaron shfaqja, jashtë teatrit, edhe te Kafka, që e kemi më pranë a jemi më brenda librave të tij. etj, etj.

Edhe në librat tanë bashkë janë, ish të burgosur, oficerë burgu, komunistë, të traumatizuar, ish të internuar, spiunë, ish poetë, kritizerë të realizmit demokratik, të pa shtëpi, me shumë pallate, të ikur, të ikur nga mendë, studentë në metropolet e botës, trafikantë, vrasës modern, fantazma moderne, punëtori që kthehet në mbrëmje në familje, etj, etj. 

Po, po, i njohim persekutorët tanë, Liridon, shumë gjallë janë të gjithë. Edhe ashtu si realisht, edhe letrarisht mund të mbijetojnë dhe brenda një shteti . 

Jeta i jep letërsisë dhe merr prej saj, edhe letërsia merr nga jeta dhe i jep asaj, janë dy domosdoshmëri, dy jetë që bashkëjetojnë. Edhe duke u bërë një shpesh… 

4. Letërsia e kujtesës sipas jush a i ka tashmë emrat simbol të saj të cilët kanë bërë bashkë nivelin estetik me pervojën. Kujtoj këtu se pas rënies së sistemit diktatorial, të gjithë nisën të shkruanin përvojat e tyre. Për ta riformuluar, a duhet të ketë dhe kjo lloj letërsie përfaqësuesit e saj më të denjë? 

E shoh me interes shqetësimin tuaj. Shpesh  është folur për atë që edhe ju po e quani “letërsi e kujtesës”. Sipas meje e gjithë letërsia, e përsëris, është e kujtesës.  Me këtë emërtesë  siç duket, donin të dallonin jo vetëm memoaristikën, por veçanërisht veprat e autorëve që erdhën nga harresa e qëllimtë, nga pamundësitë, nga burgjet dhe internimet. 

Unë e shoh si pjesë të së tërës, letërsi shqipe. Që për fat solli vepra madhore, poezi dhe prozë dhe eseistikë.

Pas rënies së sistemit diktatorial filluan të shkruanin dhe ata që s’mundeshin ose nuk lejoheshin gjatë diktaturës, është e drejtë e gjithkujt, por nuk besoj se kanë shkruar “të gjithë”, por nga “ata që dinin” për të gjithë… 

 Në qoftë se do ta quanim për arsye studimi ‘letëri tjetër” siç thuhet dhe “Shqipëria tjetër”, atë letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet, unë jam nga ata që besoj se ajo i solli letërsisë shqipe të vërtetat e mungura, madje dhe moralin dhe kujtoj shpesh një porosi të Franz Kafka-s që nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin.    

 . Kjo është e gjitha. Nuk duhet ndarë letërsia e as përçarë. Dhe patjetër që i meriton përfaqësuesit e saj më të denjë letërsia shqipe dhe, për fat, i ka ata.. 

5. Jeni etiketuar shpesh si Primo Levi shqiptar pavarësisht se ju vuajtët në vendin tuaj dhe nga njerëzit tuaj. Sa e vështirë ka qënë të mbani këtë staturë, Visar? 

Kjo që më thoni, më huton disi. E di Primo Levin, vuajti kampet e përqendrimit nazist në kohë lufte, 4-5 vjet,  ndërsa ne holokaustin tonë e vuajtëm gjysmë shekulli në kohë paqeje, të një paqeje të keqe  që siç e thatë dhe ju, në vendin tonë dhe nga njerëzit tanë.

Unë them shpesh që ne u munduam të mbeteshim njerëz, edhe kur nuk lejohej, atje ku ishte e pamundur. A ia dolëm? Përgjegjësia është dhe për të tjerët…

6. Edhe një pyetje që e kam bërë dhe herë tjetër, çfarë do të thotë të emigrosh në këtë moshë dhe me këtë status? 

Do të thosha se ka ngjarje, rrethana dhe kushte, dëshira dhe pengesa, pengje, ëndrra dhe ikje, etj, dhe jo moshë të paracaktuar për ato..Vërtet unë shkova të jetoj në SHBA në atë moshë, kur zakonisht kthehen… dhe e kam treguar pse, kur as unë nuk e di saktë.

Mosha ndryshon si në atdhe dhe në emigrim, po aq njëlloj dhe jo njëlloj, mund të thinjesh brenda një nate ose të rinohesh befas apo ndjehesh pa moshë, pa status gjithashtu. 

Liridon, Mosha është kohë, ndoshta nuk është koha që ikën por ne. Statusin e kuptoj si gjendje. Nuk është e pandryshueshme, qoftë dhe si poezitë, si karrierë a si marrëdhënie, … por më i sigurti dhe më i vërteti, madje i përjetshëm  është statusi: njeri.

Shpesh ngjarjet, copat e jetës, nuk pyesin për moshë e status, i ke kërkuar dhe vijnë, edhe kur nuk e pret. 

Që të jem më pranë pyetjes tuaj, sinqerisht unë nuk ndjehem i ikur nga vendi im, aq më tepër nga gjuha ime, nuk mund, thjesht jam shpërngulur në një shtëpi tjetër, në një breg tjetër, do të thosha, të vetes. Dhe nuk po përsëris atë që thonë shpesh që mund të jesh më emigrant në vendin tënd, etj, etj. 

Ç’do të thotë të emigrosh? – më pyesni ju. Jetë, ju them. Që aq sa ç’e bëjmë, edhe na bën. Ndoshta shtojmë ca drita a ndryshojmë një trishtim apo fashot e një plage në shpirt…

7. Pse shqiptarët presin kaq shumë nga Amerika? Ju jetoni atje dhe mund të na jepni nje definim të kësaj pyetje.

Do të duhej përgjigje institucionale. Nuk besoj se kam një definicion  a për të thënë më shumë se bashkatdhetarët e mi në përgjithësi, por duke qenë dhe gazetar po flas si ata  se ne si popull e duam Amerikën si aleatin jetik, mbështetës të kauzës kombëtare. Kur jemi kërcënuar nga historia për ndarje të metejshme, pikërisht SHBA i ka ndaluar duke patur si princip mbrojtjen e kombeve të vegjël, ndërsa diaspora shqiptare në Amerikë ka patur mundësitë dhe bashkëpunimin qe të bëhet si një qeveri e Shqipërisë në mërgim. SHBA mori pjesë në dy Luftrat botërore, mbajti anën e drejtë të historisë, i fitoi ato duke bërë historinë e re të botës. Perandoria Komuniste dhe diktaturat e saj ranë, sepse SHBA iu kundërvu dhe u përball me totalitarizmin dhe regjimet shtypëse dhe u bë arritja më e madhe dhe kampion i lirive dhe i të drejtave të njeriut dhe popujve, i mirëqenies, i superfuqisë, edhe kozmike, ndërkaq e mbështeti Shqipërinë tone fuqimisht të ndërtonte demokracinë, e bëri dhe antare të NATO-s dhe së fundmi u bë dhe shpëtimi i Kosovës, gjysmës së Kombit tonë.  Shqiptarët presin nga Amerika mbështetjen për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kur ia dalin të emigrojnë në SHBA, prekin një ëndërr, të ardhmen e fëmijëve të tyre, shkollim, kulturë, siguri. Ndërkaq nga Amerika mësohet se zhvillimi i vërtetë vjen vetëm nga vetvetja, kur bëhesh një shoqëri të përgjegjshme. Më lërë të shtoj se poezinë tonë do ta bëjmë ne. Tanke për mbrojtje do marrim nga jashtë, por romanin shqiptar prapë do ta bëjmë ne. Shqipërinë e kanë bërë shqiptarët dhe duhet ta ruajmë me dashuri.…  

8. Si nis dhe mbyllet një ditë e juaja? Amerika apo Shqipëria e nxisin më tepër nevojën për të shkruar?

Nuk besoj se ka ndonjë gjë me interes për t’ua treguar të tjerëve. Dita ime është imja. Jetojmë në Çikago tani, përballë kemi liqenin e madh, më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, është më i madhi në botë, nga aty lind dielli, sikur del nga ujërat mahnitshëm, por ka dhe ditë me mjegull dhe gri, ka dhe akull, vendet e varkave dhe motorskafeve janë bosh tani, mërzia këtu është më solemne dhe dielli përëndon pas grataçieleve, që teksa ndezin morinë e dritave, ato duken sikur kanë copëtuar dieje…

Ç’t’ju them, ende shkruaj poezi, edhe rruges më ndodh. Shkoj librarive, por lexoj më pak, me time shoqe, Edën, shohim ekspozita, ndjekim dhe koncerte, opera, kthehemi dhe tek vendet ku kemi shkuar dhe me djalin tonë, Atjonin e vogël, marrim pjesë në meshat e së dielës në kishë, kemi vajtur në shtëpitë që ka themeluar shenjtja Nënë Tereza në Çikago, kemi ndjekur dhe gjurmët e shkrimtari çam këtu, Bilal Xhaferri. Shkruaj artikuj për gazetat, etj. 

Takohem me bashkatdhetarë, e kam treguar, këtu ka nga të persekutuarit, por po aq dhe nga ata që kanë qenë me persekutorët, Amerika na bashkon, por çuditërisht një pjesë e ruajnë nostaligjinë për atë kohë e sistem, kur ndjeheshin të begenisur, protagonistë dhe ofensivë, edhe këtu pëlqejnë marrëdhëniet, si të thuash, në celulë dhe duan të përvetësojnë atë traditë patriotike dhe kulturore të shqiptarëve më të hershëm, të Konicës dhe Nolit dhe Arshi Pipës, etj, ka të rinj të mrekullueshëm, që duan atdheun e prindërve të tyre, gjuhën, nërkohë kanë arritur maja si amerikanë, etj, etj. 

Dëshirën për të shkruar nuk besoj se ma ka dhënë Shqipëria dhe nuk besoj se mund të ma heqë apo shtojë Amerika.… 

9. Shkrimtarët janë dhe qënie politike ndaj dua me patjetër t’jua shtroj këtë pyetje. Zgjedhjet po afrojnë në Shqipëri. A mendoni se ka ende alternativa apo historia mbetet e njëjtë për ne? Dy forca politike që sfidojnë njëra tjetrën? 

Çdo njeri është qenia politike, Aristolteli thoshte se “është kafshë politike” (zoon politikon), i angazhuar në çëshjtet e polis-it, qytet-shtetet e atëhershme. Mua më vjen rëndë të them se shpesh ne bëjmë “politikë kafshësh”, të angazhuar në përvetësimin e shtetit.

Gjithmonë ka alternative, historia nuk mendoj se mbetet e njëjtë për ne, por shpesh mbetemi ne në vend, madje ecim dhe mbrapsht. Dy forcat politike, më shumë se sa sfidojnë njëra tjetrën, më duket se pengojnë dhe shtyjnë njëra-tjetrën për më keq..

Është e domosdoshme një rilindje tjetër, jo si kjo e tanishmja, por e fuqishme, e zanafillës naimjane, që thoshte “lind nga perëndon”, me fuqinë e kulturës së demokracive perëndimore, koniciane dhe at-fishtjane për ne, me atë frymë dhe dashuri të martirëve, të atyre që u përndoqën dhe të studentëve sot në metropolet e botës, etj, etj. 

Unë ju thashë se të rinj si ju janë ata që arritën të kenë një Ditë Lirie emblematike në Shtetin e Illinoisit, kanë emra të bukur si yti, Liri-don, ja, është Edon Shaqiri, president i Komunitetit Shqiptar aty, bashkë me skuadrën e tij dhe me Sonila Sejdaras, presidente e organizatës Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë, që me shoqet dhe shokët e tyre të shumtë në SHBA dinë dhe si të votojnë, shembull se ne së bashku mund dhe duhet të bëjmë që ditët tona të gjitha të jenë të lirisë.

Filed Under: Interviste

17 vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet në New York

February 11, 2025 by s p

17 vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet në New York.

Filed Under: Komunitet

Skënder Sallaku, balerini dhe kampioni i mundjes, që i kthye në emblemë e Varietesë së Tiranës

February 11, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Kujtesa është një ndriçim shpirti, me të cilin dritëhedhim mbi ngjarje dhe momente, personazhe dhe episode, të cilat feksin hera-herash ashtu beftas, si për të tentuar të na mbajnë të lidhur me të shkuarën, me çfarë nuk meriton të shuhet prej harrimit. Sot në përvjetorin e vdekjes së Skënder Sallakut, më shumë se sa ndërmendja, është mirënjohja ajo që na thërret, si në një solemnitet të shenjtë për ta kujtuar atë, si një ëndje për të rihapur skenat, prejnga Sallaku hyri tek ne, u bë pjesë e dashurave tona, për të jetuar me humorin dhe për ta bërë këtë magji të krijimit, mylmesën e një jete, tejet të trysnuar nga paniku dhe përsekutimi asgjësuese. Të risjellësh në kujtesë Skënder Sallakun aktor të humorit, do të ishte i paplotë kjo përtëritje në memorie, nëse e shkëpusin njeriun e guximshëm, të riun dhe ëndrrat e tij, ambiciet dhe përmbushjet e ngulmëta, që ishin dhe mbeten thelbësore për atë çfarë ishte dhe mbeti tek ne ai, aktori i dashur, i sa e sa roleve, ai që jetësoi në skenë tipe dhe karaktere, identitete dhe personazhe, të cilat më shumë se si të tillë, mbeten shpirtërorja e Skënder Sallakut.Shkrues dhe interpretues brilant i skeçeve dhe parodive, askujt nuk do ti shkonte në mënd se ai burri shtatshkurtër pati ëndërr të bëhej balerin ku dhe aspiroi në fillimet e tij.

Dhe që do të thoni ju, ai që u vlerësua me tituj dhe nderime, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”, ai ishte edhe kampion kombëtar i mundjes klasike.

Skënder Sallakun, emblema e e Varietesë së Tiranës, një nga përfaqësuesit më të spikatur të humorit tiranas, ai skaliti emrin e ti në artin skenik të humorit si një rast unik, duke jetuar me të qeshurën dhe duke patur gjithçka të jetës së tij humorin. Është krijuar një stereotip, se të gjithë aktorët janë me humor dhe e qeshura është çdogjëshmëria e jetës së tyre, rasti i Skënder Sallakut bën përjashtim, ai nuk ishte vetëm një aktor humori, por edhe një njeri me shpirt plot dritë dhe të qeshurën të veshur si petk. Por, siç tregojnë edhe kolegët, kishte raste kur ai ishte serioz dhe asgjë nuk e çante këtë koracë që mbante atë të kyçur në momente të ndryshme të jetës. Artisti Skënder Sallaku u lindi në Tiranë më 25 janar 1935.

Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Rrugëtimi për të përmbushur ëndrrën e skenës së humorit, si për të gjithë edhe ai, Skënder Sallaku, veç mundit dhe sakrificave, punës, punës së palodhur dhe një vullneti të paepur, për të arritur gjithçka me meritë, u desh të sfidonte edhe makinacionet e regjimit komunist, ndaj së cilit, si ka thënë vetë Sallaku në një intervistë, ai fitoi me të qeshura. Rrugëtimi në skenën e Varietesë së Tiranës më 1956, mbylli portën e mundësit ambicioz dhe kampionit, për t’i çelur të ardhmen përmes siparit të skenës së humorit, skenë të cilën ai e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën.Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës, ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.

Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë. Një karrierë 52-vjeçare ishte jo vetëm një jetë në skenë, por çdoditshmëria e përjetuar me pasion dhe përgjegjësi të lartë, obliguese, jo vetëm ndaj spektatorit që e priti dhe e përcolli në qindra shfaqje me duartrokitje dhe ovacione, por edhe ruajtja e atij ekuilibrit të brishtë të ideologjisë dhe censurës që përgjonte me sy skifteri skenën e humorit. Të bëje art në diktaturë ishte një heroizëm.

Çdo sprovë dhe kulmim krijues, çdo shaka apo batutë ishte majëprehtë në humor dhe viktimat mbeten të shumta, por Skënderi, dhe jo vetëm ai, arritën të shpëtonin, arritën të mbanin të gjallë të qeshurën, këtë ballsam për shpirtrat e plagosur e vullnetet e drobitura. Disa nga interpretimet më të spikatura të Skënder Sallakut janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” , “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, e pafund komunikim skenik me të qeshurën, ku ai la gjurmë në traditën e artit tonë komik, një nga gjinitë e marrëdhënies estetike me publikun më delikatet. Por ai qëndroi në skenë nga fillimi deri në fund, duke na dhuruar të qeshura, duke ndarë me ne shpirtin e tij plot dritë dhe dëshirimin e madh, se, e qeshura është të jetuarit shëndetshëm . “Kam nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç.

Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension”, rrëfeu ai në 70-vjetorin e lindjes për “Standard”.“E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje. Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.” kujtonte ai.Ai ishte një aktor brilant i humrit dhe një njëri me shpirt të madh. Ai na mësoi jo vetëm se si të qeshim, se si të mbushim shpirtin plot dritë dhe zemrën me të rrahura gazmimi, por edhe si mundë të jesh i njerëzishëm dhe mirënjohës për miqtë dhe kolegët. Ai kujtonte se “një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe. Kur merrja materialin, ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e sakta për mua dhe çfarë nuk bënte. Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,. Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa.

Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran”.Kështu jetoi ai shpirt i begatuar nga e qeshura dhe mirësi. Kështu krijoi dhe interpretoi në skenat e mëdha dhe ato të argëtimeve në fshatra e ndërmarrje, katunde e ferma, ku ai, ai, Skëndër Sallaku, i vlerësoi të gjithë dhe e çmuan të gjithë, dhuroi të qeshura, si gjënë më të shtrenjtë që pati dhe u shpërblyer me zemrat dhe dashurinë e të gjithëve, atyre që e ndoqën nga skena në skenë, por edhe atyre që ishin dhe mbeten pjesë e jetës së tij, derikur ai vendosi të ndalonte. Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme, prej së cilës ai vuajti për disa vite, por pa u nënshtruar, duke u përpjekur të bëjë më të mirë në ditët që i kishin mbetur, duke shkruar materiale komike. Iku për të mbetur përgjithnjë ai Skënder Sallaku i roleve të pavdekshme, i humorit taranas, i atij sharmit ëmbëlak të plakut babaxhan, burrit sarhosh, katundarit naiv, e shumë e shumë përjetësime të tjera, që janë pjesë e fondit të Varietesë së Tiranës, janë thesar i artit tonë komik. Figura emblematike si Skënder Sallaku do të jenë shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve komikë, atyre që më shumë se të na bëjnë të qeshim, ata duan të na dhurojnë çaste relaksi dhe ballsam shërimi. Shpirtrat tanë të plagosur kanë nevojë të ushqehen me dritën e perëndishme të të qeshurës, siç ka nevojë dita për dritën e diellit që të shndritë.

Filed Under: Kulture

Gjergj Kastrioti Gala – Një mbrëmje historike për arsimimin e rinisë shqiptaro – amerikane

February 11, 2025 by s p

Më 25 janar 2025, në ambientet madhështore të The Palazzo Grande, u mbajt gala e 9-të e Gjergj Kastrioti – një mbremje që ka shënuar një tjetër kapitull të suksesshëm në historinë e këtij eventi të rëndësishëm për komunitetin shqiptar-amerikan. Mbrëmja e organizuar nga Gjergj Scholarship Fund mblodhi më shumë se 600 shqiptarë nga Michigani dhe jo vetem, të bashkuar me një qëllim fisnik: për të investuar në arsimimin e brezave të rinj.

Ky event, që është bërë një traditë e përvitshme, tejkaloi pritshmëritë duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Falë zemërgjerësisë dhe solidaritetit të komunitetit, u siguruan mbi 250,000 dollarë në donacione, një shumë që do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen akademike të dhjetëra studentëve shqiptarë në SHBA.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte shpallja e 20 përfituesve të bursave, të cilët u nderuan me bursa studimi. Përmes këtyre bursave, Gjergj Scholarship Fund vazhdon misionin e tij për të mbështetur të rinjtë shqiptarë në rrugën e tyre drejt suksesit akademik dhe profesional.

Në fjalën e tyre, organizatorët theksuan rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja dhe rolin që komuniteti shqiptar-amerikan ka në fuqizimin e brezave të ardhshëm. Përfaqësues të njohur të biznesit, akademisë dhe organizatave të ndryshme shqiptare morën pjesë në këtë gala, duke shprehur mbështetjen e tyre për këtë kauzë të rëndësishme.

Mbrëmja u shoqërua me një atmosferë festive, muzikë të zgjedhur dhe momente frymëzuese, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e unitetit të komunitetit tonë.

Gjergj Kastrioti Gala 2025 ishte më shumë se një event – ishte një dëshmi e qartë e përkushtimit të diasporës shqiptare ndaj edukimit dhe zhvillimit të brezave të ardhshëm. Me këtë sukses të jashtëzakonshëm, gjysma e parë e vitit përfundon me një mesazh frymëzues, duke shënuar një tjetër kapitull të shkëlqyer në historinë e 9 gala-ve të organizuara nga Gjergj Scholarship Fund.

Endrit Topalli

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT