• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Vatra promovoi veprën “Neoshqiptarizmi” të politologut Arian Galdini

May 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 3 Maj 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi librin “Neoshqiptarizmi” të politologut Arian Galdini. Me pjesëmarrjen a aktivistëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, libri “Neoshqiptarizmi” u prit mjaft mirë si një kontribut shkencor e atdhetar që fton për një nxitje e vetëdijësim kombëtar.

Në emër të Vatrës përshëndeti sekretari Dr. Pashko Camaj i cili vlerësoi librin e Galdinit si një botim që ngre vlerat kombëtare shqiptare e kontributorët e shquar të kombit shqiptar.

Prof. Dr. Besim Muhadri në kumtesën e tij theksoi se libri “Neoshqiptarizmi” i Arian Galdinit është një reflektim i thelluar filozofik, historik dhe politik mbi gjendjen e sotme të identitetit shqiptar dhe nevojën për një doktrinë të re që synon të ringjallë shpirtin kombëtar. Galdini i qaset problemit të identitetit shqiptar me një ton alarmues, duke theksuar se mungesa e vetëdijes historike, emigracioni masiv, konsumizmi global dhe fragmentimi social rrezikojnë ekzistencën e shqiptarisë si subjekt historik. Ai argumenton se vetëm një rilindje e re, një “Zgjim i Madh Kombëtar”, mund të shpëtojë shqiptarët nga humbja e tyre në përballje me sfidat moderne, tha ndër të tjera Prof. Muhadri.

Doktorantja Kristina Nano në fjalën e saj u shpreh se “Neoshqiptarizmi” nuk është thjesht një reflektim mbi shqiptarinë, por një manifest filozofik, ideologjik dhe politik, që shkon përtej një analize historike dhe propozon një rrugë të re për kombin shqiptar. Në të, Galdini ndërton një sistem të ri mendimi kombëtar, i cili jo vetëm që merr në konsideratë pasurinë intelektuale të Rilindjes Kombëtare, por gjithashtu e transformon atë në një doktrinë moderne dhe vizionare. “Neoshqiptarizmi” sipas Kristina Nanos nuk është një rikthim nostalgjik në të kaluarën, por një qasje intelektuale e guximshme, e cila kërkon të pozicionojë Shqipërinë dhe shqiptarët si një faktor historik e kulturor në Europën moderne.

Marjola Bejkollari, aktiviste e komunitetit shqiptar në New York dhe anëtare e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë në diskutimin e saj u fokusua te rëndësia e votës së diasporës në proceset demokratike në Shqipëri, rrëfeu kalvarin e “Lëvizjes” në proceset gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese deri në fitimin e të drejtës kushtetuese për votën e diasporës, aspekte të procesit të votimit dhe potencialet e kombit shqiptar në diasporë për të kontribuar dhe ndryshuar Shqipërinë.

Autori Arian Galdini zhvilloi në fund të promovimit zhvilloi një bashkëbisedim të përzemërt, informues, analitik e debatues që u prit me kureshtje e interes të lartë te të gjithë pjesëmarrësit. Galdini shtroi për debat e diskutim çështje kulturore, atdhetare dhe identitare kombëtare që ngjallën diskutime e qasje të ndryshme analitike rreth ekzistencës si komb, proceseve integruese, dilemave të ndryshme kombëtare e çështjeve që shqetësojnë mbarë kombin. “Neoshqiptarizmi” sipas Galdinit është një ftesë për kombëtarizëm të vetëdijshëm, për dalëzotësi të ndërgjegjshme, për një Shqiptari që nuk dorëzohet dhe nuk tretet, por ringrihet e ndriçon përmes vetëdijes dhe dashurisë për rrënjët. “Neoshqiptarizmi” është besimi se Shqipëria nuk është thjesht një vend, por një mision.

Për të gjithë të pranishmit, politologu Arian Galdini dhuroi librin e tij e cili u prit me dashamirësi dhe respekt nga mërgata e Amerikës.

Filed Under: Opinion

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”

May 4, 2025 by s p

Instituti Albanologjik i Prishtinës/

Më 30 prill 2025, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u zhvillua një tjetër takim pune i rëndësishëm i grupit hartues të projektit “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: akademik Valter Memishaj (sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), prof. asoc. dr. Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), msc. Eglantina Shtylla dhe msc. Engjëllushe Karaj (hartuese).

Instituti Albanologjik i Prishtinës u përfaqësua nga: prof. dr. Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), prof. asoc. dr. Naim Berisha (hartues dhe ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit), prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni (hartues dhe shef i Degës së Gjuhësisë në IAP), si dhe prof. ass. dr. Sejdi M. Gashi (hartues).

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është projekt madhor dhe gjithëpërfshirës, që po realizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me disa institucione tjera akademike në hapësirat mbarëkombëtare.

Aktualisht, puna për përmbylljen sa më shpejt të Fjalorit ka arritur në një fazë të rëndësishme për nga volumi dhe cilësia e përmbajtjes. Deri tani janë përpunuar rreth 103.000 fjalë, mbi 12.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të paasimiluara, 1.200 akronime, rreth 4.000 emërtime të pathjeshta dhe afro 3.000 – 4.000 fjalë të përfshira brenda lemave të tjera. U konstatua me kënaqësi se procesi hartues dhe redaktues në nivelin e parë është përmbyllur.

Megjithatë, puna vazhdon në redaktimin shkencor, në njësimin e elementeve gramatikore dhe të formulave të shpjegimit të kuptimeve, si dhe në shtimin e fjalëve e kuptimeve të reja të nxitura nga analiza e korpusit apo nga vjeljet në proces. U diskutuan dhe u zgjidhën çështje të rëndësishme të harmonizimit dhe të unifikimit teknik e përmbajtësor. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e zgjerimit dhe përpunimit të mëtejshëm të korpusit leksikografik, duke ruajtur frymën e mirë të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në kuadër të kësaj vizite pune në Prishtinë, grupi i hartuesve të Fjalorit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, prof. asoc. dr. Naim Berisha. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për projekte të reja me karakter kombëtar në fushën e albanologjisë, të cilat parashikohet të nisin në një të ardhme të afërt. Këto projekte do të mbështeten mbi bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të studimeve albanologjike në hapësirën mbarëkombëtare.

Në përmbyllje, akademik Valter Memishaj falënderoi të gjithë hartuesit për angazhimin, mirëkuptimin dhe arritjen e objektivave të planifikuara, duke vënë theksin te rëndësia që ky projekt ka për pasurimin dhe njësimin e gjuhës shqipe në nivel mbarëkombëtar.

Filed Under: Sofra Poetike

Kriza politike, morale dhe e besimit qytetar…

May 4, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Prej më shumë se dhjetë seancash, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk po arrin të konstituohet. Kjo është më shumë se dështim institucional – është një krizë e rëndë politike, morale dhe tashmë edhe e besimit qytetar. E paimagjinueshme në një demokraci që synon konsolidimin.

Deputetët, të zgjedhurit e popullit, që kanë për obligim kushtetues, detyrim politik dhe mbi të gjitha barrë morale për të ofruar zgjidhje, janë bërë pengesë e procesit demokratik. Dy taborre politike janë ngulitur në qëndrime që më shumë burojnë nga inatet e egos dhe interesat e ngushta partiake sesa nga përkushtimi ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Njëra palë ngulë këmbë në të drejtën kushtetuese për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Pala tjetër, në të drejtën për të votuar kundër apo për të abstenuar. Por askush nuk merr përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje. Asnjëra palë nuk ka numrat për të ecur vetë – të dyja kanë, megjithatë, fuqinë për të bllokuar.

Ky nuk është më një ngërç politik – ky është abuzim. Abuzim me votën e qytetarit. Abuzim me mandatin. Keqpërdorim i funksionit publik. Qoftë me vetëdije apo jo, kjo sjellje përbën dëm të drejtëpërdrejtë ndaj interesit të shtetit të Kosovës dhe ndaj themeleve të saj institucionale.

Nuk jam jurist, por besoj se ekziston bazë ligjore që, kur dikush e keqpërdor pozitën që ka, t’i ndalohet ushtrimi i asaj pozite. Në çdo vend demokratik, abuzimi me pozitën publike bartë pasoja, përfshirë përjashtimin apo ndalimin nga funksionet e tilla, dhe kjo do duhej të vlente edhe për të gjithë deputetët!

Është koha që ky precedent të trajtohet seriozisht. Nëse për dhjetë herë me radhë dështon përmbushja e detyrës më bazike – konstituimi i Kuvendit – atëherë problemi nuk është tek procedurat, por tek vullneti. Tek përgjegjësia që mungon. Dhe për këtë, përgjegjësia duhet të jetë reale: politike, morale dhe ligjore.

Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, jo për bllokadë të qëllimshme. Ka nevojë për dialog e zgjidhje, jo për grindje sterile. Ka nevojë për përfaqësues që punojnë për shtetin, jo për partinë apo vetveten.

Zgjedhjet nuk janë një çlirim nga përgjegjësia – janë vetëm fillimi i saj. Dhe kur kjo përgjegjësi nuk përmbushet, atëherë populli dhe drejtësia duhet të veprojnë.

Filed Under: Politike

Takimi me Presidentin e Staten Island, z. Vito Fossella

May 4, 2025 by s p

Imer Laçaj

Staten Island, 2 Maj 2025/

Më datë 2 maj 2025, një grup aktivistësh të komunitetit shqiptar në New York organizuan një takim me Presidentin e Borough-t të Staten Island, z. Vito Fossella, në zyrën e tij. Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Staten Island, z. Naser Nika; ish-kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe”, z. Shaqir Gjokaj; Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, z. Imer Laçaj; si dhe aktivisti dhe biznesmeni i njohur në komunitet, z. Shpëtim Qorraj.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit midis shtetit të Malit të Zi dhe një biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo marrëveshje ka ngjallur shqetësim në komunitetin shqiptar të zonës së Ulqinit, veçanërisht në Plazhin e Madh, i cili është i banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë.

Pas një falënderimi drejtuar z. Fossella për mbështetjen e tij dhe të stafit të tij ndaj komunitetit shqiptar në Staten Island, bashkebisedimi u përqendrua në këtë investim, i cili është perceptuar si jo transparent dhe potencialisht në kundërshtim me interesat e popullsisë vendase. Të pranishmit shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e informacionit publik dhe dyshimet se projekti investues mund të shërbejë vetëm për interesat e shtetit të Malit të Zi, bizneseve të huaja dhe private, duke anashkaluar interesat e komunitetit local etnik shqiptar dhe duke krijuar përçarje të panevojshme në komunitet.

U theksua se komuniteti shqiptar mbështet investimet e huaja, por jo në kurriz të strukturës demografike, pronës publike dhe të drejtave të banorëve vendas.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për rolin që mund të luajë z. Fossella në këtë çështje, përfshirë gatishmërinë e tij për të ndërmjetësuar në emër të komunitetit shqiptar dhe për të thelluar bashkëpunimin me Bashkinë e Ulqinit. U trajtua edhe mundësia e emërtimit të një rruge në Staten Island me emrin e heroit kombëtar Isa Boletini, festimi i shpalljes se pavaresise se Republikes se Shqiperise ne Bashkine e Staten Island(Borough Hall) si dhe krijimi i një partneriteti me qytetin e Malishevës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve tona.

Presidenti Fossella dëgjoi me vëmendje shqetësimet e të pranishmëve dhe shprehu vlerësimin e tij për qellimin e takimit, duke rikonfirmuar mbështetjen e tij të vazhdueshme për komunitetin shqiptar. Ai kërkoi informacion më të detajuar mbi projektin investues dhe zhvillimet e fundit në Plazhin e Madh të Ulqinit dhe theksoi rëndësinë e një procesi transparent investimesh, i cili të garantojë hapësira publike dhe të reflektojë interesat e banorëve shqiptarë të zones.

Takimi kaloi në një atmosfere miqesore, në të cilën u shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera të komunitetit shqiptar në Staten Island.

Pjesëmarrësit falenderuan Presidentin e Staten Island z. Fossella për pritjen e ngrohtë dhe i uruan atij dhe stafit të tij punë të mbarë në detyrat e përditeshme në shërbim të komunitetit të Staten Island, nje nga 5 lagjet e New York City.

Filed Under: Komunitet

“Rebeli” Fan Noli i Ilir Ikonomit promovohet në Boston më 8 qershor 2025

May 4, 2025 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në Boston së bashku me Bibliotekën e Qendrën Kulturore “Fan S. Noli” dhe Katedralen Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, JU fton me nderim dhe krenari në një ngjarje të veçantë kulturore:

Promovimi i librit “Fan Noli: Rebel”

nga Ilir Ikonomi

E diel, 8 qershor 2025

Ora: 12:00 PM

Adresa: Katedralja “Shën Gjergji”, Boston

Moderatore: Rafaela Prifti

Parking falas në rrugë

Në këtë vëllim të dytë të biografisë bazuar në fakte, autori Ilir Ikonomi sjell me mjeshtëri vitet e mëvonshme të jetës së Fan Nolit, burrit të shtetit, klerikut, dijetarit dhe atdhetarit që i dha zë dhe shpirt kombit shqiptar në Amerikë.

Ejani të përjetojmë së bashku historinë e një figure që nuk u përkul kurrë, dhe që mbeti deri në fund një Rebel i idealeve kombëtare.

Diskutimi do të përfshijë edhe vëllimin e parë të biografisë, “Apostull”, duke sjellë një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprës së Nolit.

Do të ketë libra për të gjithë me autograf nga Ikonomi me një çmim simbolik!

Pije dhe ushqime të lehta për pjesëmarrësit nga bizneset shqiptare 👏🏻

Bashkohuni me ne për të nderuar trashëgiminë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, ashtu siç do ta dëshironte vetë Fan S. Noli!

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT