• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

ANTOLOGJIA “PENA E GRUAS” – TESTAMENT DHE FRYMËZIM

May 2, 2025 by s p

Adnan Mehmeti

President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/

New York, Prill 2025

“Gra, nëse do të shpëtohet shpirti i kombit, besoj se ju duhet të bëheni shpirti i tij.” Kjo thënie e Coretta Scott King, shkrimtares dhe bashkëshortes së Martin Luther King Jr., duket sikur ka frymëzuar edhe gratë krijuese shqiptare në Amerikë për të sjellë në jetë antologjinë “Pena e gruas”—një testament i fuqishëm i artit dhe shpirtit të tyre në letërsinë shqipe në diasporë.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka një histori të pasur dhe një mision fisnik: të ruajë, zhvillojë dhe promovojë kulturën dhe letërsinë shqipe në mërgatë. Brenda kësaj shoqate, gratë krijuese kanë luajtur një rol të veçantë, duke sjellë një zë të fuqishëm, të ndjeshëm dhe autentik në fushën e letrave. Këtë herë, ky zë vjen i përmbledhur në antologjinë “Pena e gruas”, një vepër që na fton të udhëtojmë në botën shpirtërore dhe artistike të grave shqiptaro-amerikane që krijojnë anembanë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Pena e Gruas Shqiptaro-Amerikane është shpirti i Atdheut, por edhe më shumë se kaq—është një zë frymëzues që prek kombet dhe brezat e rinj, duke i afruar më pranë dashurisë dhe paqes universale. Aty ku forca e fjalës së gruas shndrit, aty lind shpresa, lulëzon lumturia dhe e ardhmja bëhet më e kthjellët. Sepse për gruan, atdheu i saj i vërtetë është dashuria. Virginia Woolf shprehej: “Si një grua, unë nuk kam atdhe. Si një grua, unë nuk dua atdhe. Si një grua, atdheu im është gjithë bota.” Në këtë frymë poetike, kjo antologji përfaqëson vizionin e Shoqatës sonë, e cila krenohet me rritjen e vazhdueshme të numrit të grave anëtare.

Këto gra, të shpërndara në shumë shtete të Amerikës, janë të bashkuara nga dashuria për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përveç anëtareve të reja në Shtetet e Bashkuara, Shoqata ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe te krijueset shqiptaro-kanadeze, duke ndërtuar ura bashkëpunimi përmes pasionit të përbashkët për letërsinë shqipe.

Në tokën e poeteve të mëdha si Maya Angelou, Sylvia Plath, Anne Sexton, Emily Dickinson e shumë të tjera, edhe gratë krijuese shqiptare në diasporë synojnë të ecin në shtigjet e hapura nga këto figura të ndritura të letërsisë. Secila prej tyre sjell në letërsinë shqipe një dimension të ri, shpesh të paprekur më parë. Me guxim dhe përkushtim, ato shkruajnë për ndjenjat, sfidat, gëzimet dhe dhimbjet e tyre—si gra, si krijuese dhe si emigrante, duke qenë njëherësh bartëse të një trashëgimie të çmuar kulturore.

Çdo krijim në këtë antologji është një ftesë për të kuptuar më mirë botën e grave shqiptaro-amerikane—një botë e ndërtuar mbi dashurinë për familjen, gjuhën dhe vendlindjen, por edhe një botë që përballet me sfidat e jetës në emigracion. Gratë janë pjesa më e ndritshme e shoqërisë njerëzore, dhe kush tjetër veç tyre do ta ilustronte më bukur mendimin e Platonit kur thoshte: “Kushdo që takon dashurinë, bëhet poet.”

Pjesëmarrja e grave në letërsinë shqipe, veçanërisht në diasporë, ka qenë një udhëtim i gjatë dhe shpesh i vështirë. Në fillimet e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, numri i grave krijuese ishte i vogël. Por sot, ato janë një shtyllë e rëndësishme e Shoqatës, duke dëshmuar fuqinë dhe përkushtimin e tyre për të lënë gjurmë të qëndrueshme në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Stili është çelësi i mënyrës së një autori për të parë botën. Prandaj, në faqet e kësaj antologjie, lexuesi do të gjejë poezi të ndjera, prozë të ngrohtë dhe ese që sfidojnë mendimin dhe zgjerojnë horizontet. Kjo vepër na kujton se, edhe në largësi, ne mbetemi pjesë e një trashëgimie të përbashkët, që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim për t’u ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Le të jetë kjo antologji një burim frymëzimi për të gjitha gratë krijuese shqiptare, kudo që ndodhen, dhe një thirrje për t’u bashkuar rreth fjalës shqipe, nën moton e atdhedashurisë: “Askush nuk mund të arratiset nga e shkuara.” Kjo është lidhja e pazgjidhshme që kemi me Atdheun. Harold Bloom, kritiku i madh amerikan, i shihte shkrimtarët dhe poetët jo si zejtarë, madje as si mendimtarë, por si vizionarë dhe profetë që shohin thelbin e gjërave. Ashtu janë edhe krijueset e shoqatës sonë—gra të talentuara, të cilave u shprehim mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar. Përpjekjet e tyre për të mbajtur të gjallë zjarrin e letërsisë shqipe në diasporë janë një dëshmi e pashoqe e fuqisë së artit dhe shpirtit krijues. Antologjia “Pena e gruas” shënon një epokë të re në historinë e Shoqatës—një Belle Époque për krijimtarinë e grave shqiptare në Amerikë dhe më gjerë.

Filed Under: LETERSI

Fadil Berisha – Vetë edukimi me artin e fotografisë

May 2, 2025 by s p

Intervistuar në vitin 2000 – Julika Prifti/

– Si fotograf shumë i njohur i modës ju e dini se konkurrenca është shumë e egër dhe se shumë përpiqen të hyjnë por pak ia dalin. Si ishte jeta në Amerikë për ty dhe familjen Berisha? Cila ishte shtysa për të synuar majat e artit të fotografisë së modës?

– Rruga ka qenë e gjatë, me zigzage dhe e vështirë. Familja ime e ka origjinën nga Tropoja por në vitet ‘50 u shpërngulën në Kosovë ku linda unë dhe disa nga vëllezërit e motrat e mia. Për emigrantët jeta qe e vështirë edhe në Jugosllavi. Babai siguroi bileta udhetimi dhe u nisëm për në Itali. Meqë kisha mbushur moshën e shkollës aty fillova mësimet në një gjuhë krejt të panjohur në një vend të huaj pa shokë dhe i vetmuar. Për fat, një kushëri që kishte vajtur me familjen e tij para nesh, më ndihmoi të mësoja gjuhën shpejt e më hapi sytë ta shikoja botën që na rrethonte dhe ngjyrat e saj. Aty pashë për herë të parë nga afër zezakë, kinezë, dhe raca të tjera etj. Një vit më vonë ndihesha mirë, pasi kisha mësuar gjuhën e kisha plot shok, mirëpo familja u shpërngul sërish. Kësaj here për në Amerikën e largët. Kur erdhëm në Nju Jork, gjashtë muajt e parë u strehuam te një xhami. Një kushëri i babait, me djalin e të cilit u miqësova shpejt, u bë udhërrëfyesi im për Amerikën. Babai bleu një shtëpi në Nju Xhersi, në një zonë ku shumica e banorëve ishin jaudi. Fqinjët, kur panë gratë e familjes sonë me shami të bardha në kokë, e me veshje krejt tjetër, ndryshe nga ajo e Amerikës, s’na flisnin me gojë dhe s’na përshëndesnin asnjëherë. Në vendin e ri mbetëm prapë të huaj ashtu si në Jugosllavi dhe Itali.

Për ne fëmijët ishte e vështirë edhe në shkollë, se visheshim ndryshe e kishim zakone të tjera. Babai ishte shumë fetar dhe ndiqte me rreptësi të gjitha ritet e besimit mysliman. Edhe nuset që vinin në shtëpinë tonë pa shami të bardha në kokë, pas martese, detyroheshin ta respektonin rregullin. Për babain rregullat ishin norma të detyrueshme, për të gjithë, pa përjashtim. Për shkak të pengesës me gjuhën dhe teshave që vishnim, as në shkollë nuk e patëm të lehtë. Ishim tetë fëmijë dhe jetonim bashkë me prindërit e babait. Ishim familje e madhe me të ardhura modeste. Koncepti i prindërve tanë ishte të dilnim të veshur, me rroba në trup, veç kaq. Në shkollë na shihnin me mospërfillje, sepse asnjë nga ne s’kishte veshje të firmave si shumë nga moshatarët tanë. Fqinjët na rrinin larg, ndërsa fëmijët e tyre “na ndihmonin” duke na mësuar vetëm fjalë të këqija dhe qeshnin kur ne i përdornim sipas shpjegimeve të tyre. Në shkollë kishte dhe disa italianë, me të cilët u shoqëruam shpejt se edhe ata, sikurse ne ishin emigrantë. Unë fillova të mësoj anglisht me të gjitha forcat e me gjithë inatin tim rinor. Doja të flisja njëlloj si amerikanët që askush të mos më dallonte se isha i huaj dhe aq më tepër që asnjë të mos kishte mundësi të më vinte në lojë.

-Cilat ishin prirjet e tua gjatë shkollimit gjatë kësaj kohe?

-Kur mbarova shkollën e mesme, notat më të larta i kisha në art. Artisti lind artist. Këtë dhunti ose e ke, ose nuk e ke. Në atë kohë nuk mund të filozofoja, por kisha dëshirë të flaktë të barazohesha me botën, të qëndroja në një shkallë me çdokënd. Më vinte inat me ata që na shihnin nga lart, sikur ishim qytetarë të dorës së dytë siç na kishin parë serbët në Jugosllavi, italianët kur jetuam në Itali dhe tani amerikanët. Kudo të shpërfillur. Unë shihja motrat dhe kushërirat e mendoja sa mirë do të ishte të zbulohej bukuria e tyre, jo vetëm ajo fizike, por edhe ajo shpirtërore që nuk ishte e lehtë për t’u dalluar.

-Si ju tërhoqi Nju Jorku dhe çfarë ofronte qyteti kozmopolitan për një djalosh emigrant? Sa e rëndësishme ishte miqësia me Dr. Santos të cilën e ruani edhe sot?

-Një nga motrat e mia qe martuar në Nju Jork dhe unë shkoja shpesh ta vizitoja. Ky qytet më bëri shpejt për vete. E desha shumë dhe menjëherë. Ndihesha më mirë në këtë vend të madh, sesa në Nju Xhersi ku kishim shtëpinë tonë. I thashë babait se doja të studioja për art. “Arti nuk është punë,” ma priti. “Mendo për diçka tjetër!” Në atë kohë shumë pak fëmijë emigrantësh shqiptarë vazhdonin studimet e larta, e vetëm rrallë e tek mund të gjeje ndonjë student në fakultetin e juridikut ose të biznesit si degët që preferoheshin më shumë, ndërsa shkollave të artit s’u afrohej askush nga ne. I thashë babait se shumë nga shokët e mi do të studionin në F.R.T. Unë do punoj vetë e do të banoj në lagjen më luksoze, në Manhattan, për të qenë sa më i kohës. I mbaja edhe flokët e gjata, ashtu si edhe shumë moshatarë të mi. Kërkova punë dhe nisa të jem “bartender” në një lokal. Kur më pyetën nëse e dija atë zanat, nuk hezitova të thosha “Po” por mu desh të filloja punë atë mbrëmje. Bleva shpejt një libër që të më ndihmonte sadopak. Më dridheshin duart, dhe e dija që s’kisha haber nga ai zanat. Dhe koktejin nuk e bëra siç duhej. Klienti që e kishte porositur më tha se nuk ishte pija që kishte kërkuar. U justifikova se gjasme “ashtu e përgatisnim në Nju Xhersi”. Ai u çudit pak, por gjithsesi më tregoi se si përgatitej pija që donte. Atë mbrëmje u njoha me pronarin e restoranti që erdhi më uroi “Punë të mbarë!” dhe më pyeti nga ç’vend vija. I thashë se isha shqiptar. Nuk mund të habitesha më shumë kur ai ma ktheu shqip: “Edhe unë jam shqiptar, jam arbëresh.” Kështu u njoha me doktor Santos, me të cilin e ruajmë miqësinë edhe sot.

-Ku ju çoi puna si bartender?

-Meqë kisha më shumë pare xhepi, pata me shumë liri dhe pavarësi, vishesha sipas modës dhe ndihesha si vetja ime por sa herë dilja me shokë shqiptarë, dëgjoja veçse kritika për flokët, teshat, këpucët, etj. Më mërzitën aq shumë sa vendosa të ndahesha prej tyre. Dhe të gjithë shokët e mi i pata amerikanë. Për pak kohë nisa të punoj edhe si buyer (blerës), por nuk më pëlqeu, se kishte shumë tension. Në shkollë shkoja rregullisht, por ende s’më dukej se kisha gjetur vetveten. Kjo ndryshoi kur në F.R.T. erdhi një disenjator. Ai sapo më pa duke ecur në korridor, më pyeti: “A ke dëshirë të bëhesh modelist për veshjet e mia?” Unë s’dita ç’të them, ndaj heshta. “Ti ke trup perfekt dhe puna nuk është e vështirë. Do vishni rrobat që do t’u jap unë dhe do ecni në sfilatë.” Pata frikë edhe ta mendoja veten në skenë e jo më të ecja si modelet që kisha parë në TV. Bashkëbiseduesi e vure re hezitimin tim: “Paga është 25 dollarë në orë.” Kjo e anoi peshoren në favor të tij. E pranova ofertën dhe fillova “punën” e re, në fillim me druajtje, por shpejt më doli frika. Më pëlqente ta shihja veten veshur me rroba të shtrenjta, dhe të ecja në skenë. “Në qoftë se të pëlqen puna, duhet të japësh një provim dhe nëse fiton mund të vish me ne në Europë për një turne,” qe oferta tjetër. Fillova të kursej për udhëtimin në Europë. Puna pas banakut të pijeve dhe shkolla më pëlqenin, por më dukej se diçka më mungonte.

-Periudha e “Fadilit model” e plotësoi atë që kërkonit apo ju drejtoi diku tjetër?

-Po më jepej një mundësi tjetër për të njohur veten dhe aftësitë e mia. Në verën e vitit 1982 u nisa për në Itali. Por në Milano më ndodhi një e papritur që m’i theu shpresat dhe ëndrrat. Nuk më lejuan të dilja në qytet. Mbeta në aeroport. Unë e dija veten nënshtetas amerikan, por veç pasaportës jugosllave, s’kisha asnjë dokument tjetër. Me atë lloj pasaporte duhej vizë për të dalë në qytet dhe meqë unë vizë s’kisha marrë, më kthyen në ShBA. U mbylla në shtëpi se nuk doja t’i tregoja askujt për incidentin që më ndodhi. Të hënën që në mëngjes vajta në konsullatën italiane, mora vizën dhe pasdite u nisa sërish për në Itali. Përveç disa qindra dollarëve e tri ditëve sorollatje, s’kisha humbur gjë tjetër. Italia me pëlqeu shumë edhe ngaqë e mbaja mend gjuhën nga koha që kisha kaluar aty, ndihesha mirë. Më lindi dëshira të bëja një libër për stilet e modës, por kjo nuk ishte aspak e lehtë. Zgjidhja rrobat, rregulloja modelet e i lutesha fotografes t’i fotografonte. Mënyra e fotografimit të saj s’më pëlqeu sepse nuk i afrohej asfare imazhit që kisha krijuar unë në mendjen time për modelet. Kur u ktheva në hotel dhe pashë aparatin fotografik mbi tavolinë pata guximin ta pyes nëse mund ta përdorja për pak kohë. Fillova të fotografoj modelet e përgatitura me veshjet e zgjedhura prej meje dhe mbeta shumë i kënaqur. Modelet në fotografi ishin ashtu sikurse i kisha në imagjinatën time. “Tani e di çfarë dua të bëhem,” i thashë vetes. Ai udhëtim zbuloi e përcaktoi qartë rrugën të cilën e ndoqa dhe po e ndjek pa asnjë mëdyshje. Sapo u ktheva në Amerikë, i ndryshova klasat që të studioja gjithçka që kishte të bënte me artin e fotografimit.

-Si u prit kjo në familje?

-Babait nuk i pëlqeu aspak zgjedhja ime e re, se zanati i fotografit i dukej i rëndomtë, por e dinte mirë se s’kishte fuqi të më ndalonte, se atëherë isha i rritur. Fillova të studioj rregullisht e të punoja shumë që të bëhesha dikush. Ndërkohë isha martuar me vajzën që kishin zgjedhur për mua. Sipas babait, “s’kisha ku gjeja më të mirë se ajo”. Sot i jam mirënjohës babait dhe fjalët e tij për time shoqe i kujtoj gjithmonë. Porosia tjetër e rëndësishme ishte edukimi në familje për të ndihmuar çdokënd që kishte nevojë me aq sa mundeshim pa dallime midis racave. Kur një shok më pati pyetur se çfarë do të bëja për Krishlindje, iu përgjigja se unë isha mysliman. “Po ti je vëllai im, më tha. Babai yt është kumbari im.” Këta janë shqiptarët e vërtetë.

-Jeta e artistit kërkon sakrifica nga ai dhe familjarët. Si e keni përjetuar ju këtë në profesionin tuaj?

-Edhe familjarët s’e kanë patur të lehtë dhe as tani nuk e kanë. Si shembull, kur na lindi djali, unë dhe bashkëshortja u gëzuam shumë, se e kishim fëmijën e parë. Mirëpo pronari na përzuri nga apartamenti se s’kishim paguar qiranë për disa muaj. Unë i prishja paratë për të blerë filma e për të larë fotografitë. Për artin s’kurseja asgjë. Ime shoqe edhe në ditët më të rënda për familjen tonë s’u ankua dhe as u mundua të më largonte nga rruga e vështirë dhe e paqartë në të cilën po ecja, prandaj i jam shumë mirënjohës. Mendoj se dashuria e vërtetë në jetën e njeriut provohet në vështirësi.

-Cilat ishin pasojat e rrethanave të reja dhe si ndikoi kjo periudhë tek ju?

-Për mua ajo kohë është më e rënda që kam kaluar. M’u desh të kthehesha në shtëpinë e prindërve. U ndjeva i rënë poshtë, pa krenari e pa shumë shpresa, por i vendosur për të vazhduar më tej. Edhe babai, i cili nuk e kishte pranuar profesionin tim, kur më pa të mërzitur, një ditë më tha: “Fadil, mos u mërzit! Zoti e shpërblen at’ që mundohet.” Prindërit e mi, edhe pse s’e kishin pëlqyer zgjedhjen time, prapë më rrinin pranë e më jepnin kurajë. Babai vdiq shpejt pas kthimit tim në shtëpinë atërore po para se të vdiste më tha: “Fadil, bëje mirë çdo punë që merr përsipër dhe suksesi do të ndjekë, më beso. Dhe gjithmonë bëju të mira të tjerëve, edhe nëse nuk ta dinë. Po t’i bësh mirë dikujt, ka shumë mundësi që edhe ai ta mësojë këtë.” E maj mend këshillën e tij dhe jam i bindur se po nuk ndihmuam njëri-tjetrin, kurrë s’mund të përparojmë!

– Ju e keni vënë në jetë porosinë e tij sepse studio juaj ka qenë vend mikpritës për sa e sa veprimtari të komunitetit ndërsa ju keni ndihmuar karrierën e shumë e shumë artistëve. Talenteve të reja e të panjohura, iu keni krijuar mundësitë të shpalosin aftësitë e tyre në Konkurset Ndërkombëtare të Bukurisë. Njerëzit thonë “Nëse do të dukesh e bukur, shko te Fadil Berisha.”

-Edhe mua ma ka zënë veshi këtë shprehje. Mua më pëlqen e bukura, ajo më bën të gëzuar e më mbush me gjallëri e forcë. Por unë kam sy të shoh edhe atë që të tjerët nuk e shohin. Në këtë lloj profesioni kjo veti ka vlera të mëdha.

-Cila është fotografia që të kënaq ty së pari pastaj edhe subjektin? Ku është sekreti i kapjes së bukurisë me aparatin fotografik?

-Unë kënaqem kur fotografia nxjerr në pah ato cilësi që kam parë unë. Mendoj se stili im është klasik, por çdo gjë edhe ndryshon. Kjo vjen në formë organike, është dicka e brendshme. Ngaqë ishim të nënshtruar, të përçmuar, të diskriminuar, të parë nga lart poshtë, unë e kam ndjerë gjithnjë si një lloj detyrimi dhe si misionin tim, ta ndryshoj këtë përshtypje për shqiptarët. Që në fëmijëri më ka preokupuar ky aspekt. Atëherë vishesha bukur e me shije, kështu që asnjë njeri s’e kuptonte që isha shqiptar. Kjo për mua përkthehej se shija jonë ishte po aq e mirë sa edhe e të tjerëve. Më pas, desha që puna ime të ishte e barabartë me ato të artistëve më të mirë, që kështu të shiheshin cilësitë e kombit tonë. Përpiqem me të gjitha forcat e mia të përkrah artistët shqiptarë. Për mua është e mjaftueshme që janë shqiptarë e as dua të di se nga cila krahinë vijnë. Shqiptarët i përkasin një etnie për mua, pavarësisht se ku kanë banuar, ku banojnë ose çfarë dialekti flasin. Shqipja, si edhe çdo gjuhë tjetër është e bukur në të gjitha të folmet e saj, por duhet syri dhe veshi që t’i dëgjosh e t’i shijosh të gjitha llojet e bukurive.

Ju falemnderit dhe suksese!

Botohet për herë të parë me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së Fadil Berishës. Biseda është shkurtuar dhe redaktuar nga ana gjuhësore.

Foto nga festimi i 50 vjetorit të krijimtarisë së shkrimtarit Naum Priftit në studion e Fadil Berishës, Nju Jork 2002.

Filed Under: Kulture

“Një vendim që bie ndesh me frymën e mirënjohjes kombëtare”

May 1, 2025 by s p

Reagim nga Federata Vatra lidhur me vendimin për ndërprerjen e ndërtimit të Sheshit “George H. W. Bush” në Prishtinë.

Federata Panshqiptare “VATRA”, si një nga organizatat patriotike më të vjetra dhe më me ndikim të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh kundërshtimin e saj të vendosur ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e Sheshit “George H. W. Bush” në Prishtinë.

Ky vendim bie ndesh me frymën e mirënjohjes kombëtare ndaj një prej figurave më të rëndësishme të mbështetjes ndërkombëtare për popullin e Kosovës – Presidentit George H. W. Bush, i cili në vitin 1992, përmes një deklarate historike, të njohur si “Letra e Krishtlindjeve”, paralajmëroi qartazi udhëheqjen e atëhershme serbe se çdo përpjekje për ndërhyrje ushtarake në Kosovë do të përballej me reagimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt i guximshëm diplomatik u bë një pikë kthese për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Në këtë rrugëtim të vështirë drejt lirisë dhe shtetformimit, nuk mund të harrohet roli jetik i mikut të madh të shqiptarëve, Senatorit Bob Dole, dhe veprimtarit të shquar shqiptaro-amerikan Jimm Xhema, të cilët kontribuan në mbështetjen konkrete të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se kam pasur nderin të jem bashkëpunëtor i ngushtë i Senatorit Bob Dole, si dhe përfaqësues i Presidentit Ibrahim Rugova pranë Zyrës së Senatorit Dole, me autorizim të drejtpërdrejtë nga vetë Presidenti Rugova. Në atë cilësi, me përkushtim të plotë kam lobuar për ndërgjegjësimin e institucioneve dhe opinionit publik amerikan për realitetin e rëndë që përjetonte populli i Kosovës, dhe për domosdoshmërinë e përkrahjes ndërkombëtare për të drejtën e tij për liri, paqe dhe vetëvendosje. Prandaj këtyre personaliteteve eminente, si komb dhe si Kosovë ju kemi borgj për jetë e mot.

Emërtimi i një sheshi në Prishtinë me emrin e Presidentit George H. W. Bush nuk është thjesht një gjest simbolik – është një detyrim moral dhe historik i yni, si komb. Është shprehje e mirënjohjes ndaj një miku të madh të shqiptarëve, një udhëheqës shtetëror i cili, në një moment kritik për Kosovën, dërgoi një mesazh të fuqishëm që pati ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e popullit tone, dhe jo rastësisht vetëm disa vite më pas, George W. Bush, i biri i këtij burrshtetasi të madh, deklaroj një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga toka e shqipeve se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran.

Prandaj, në emër të Federatës Panshqiptare “VATRA”:

• Kërkoj rishikimin e këtij vendimi të gabuar, i cili nuk pasqyron as vullnetin qytetar dhe as ndjenjën e mirënjohjes kolektive të popullit të Kosovës;

• Shpreh përkrahjen e palëkundur për Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, në përpjekjet e tij për të realizuar këtë projekt me rëndësi kombëtare dhe për kryeqytetin e Kosovës.

• Ftoj institucionet shtetërore të tregojnë ndjeshmëri dhe respekt ndaj figurave historike që ndihmuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke i dhënë fund vendimeve burokratike që prekin sheshe dhe zona urbane me emra tepër të rëndësishëm që ndikuan në lirinë e popullit tonë.

• Historia nuk duhet të harrohet – ajo duhet të nderohet. Ndaj, apeloj në ndërgjegjen kombëtare dhe institucionale që Sheshi “George H. W. Bush” të përfundohet me dinjitet dhe të përfaqësojë përjetësisht lidhjen e veçantë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me nderime,

Dr. Elmi Berisha

Kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA”

Filed Under: Opinion

The American Dream…

May 1, 2025 by s p

Vlora Nikçi/

Dear friends, artists, ambassadors, representatives of institutions, and lovers of art,

As the curtains closed and the spotlight illuminated our shared dream, we gathered not only to celebrate the premiere of the series The American Dream, but also the unbreakable spirit of our community.

This project was born from a vision—to tell our story, to shed light on the journey of Albanians around the world, to speak about our challenges and hopes, and to bring our voice to the international stage of art and television. And in your presence tonight, that vision became a reality.

A special thank you goes to our extraordinary artists, both local and international, who gave soul to every character and brought every scene to life. I thank you for your talent, your dedication, and your spirit of collaboration.

My deepest gratitude goes to our ambassadors and public figures who work every day to advance the position of Albanians worldwide—you are an inspiration to us all.

I would also like to thank the sponsors, partners, and all those who stood behind this project with faith and love. Without you, this night would not have been possible.

The American Dream is not just a series—it is a message, a reflection of our reality, and an invitation for dialogue between cultures. It is proof that when we unite, we can create something that transcends borders and stands the test of time.

Thank you for being part of this historic night. I hope this is just the beginning of many new artistic journeys we will walk together.

Cheers to art, to unity, and to the dreams we make real!

******

Të nderuar miq, artistë, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve, dhe dashamirë të artit,

Ndërsa perdet e skenës u mbyllën dhe dritat e projektorit ndriçuan ëndrrën tonë të përbashkët, ne u mblodhëm për të festuar jo vetëm premierën e serialit Ëndrra Amerikane, por edhe shpirtin e pathyeshëm të komunitetit tonë.

Ky projekt lindi nga një vizion—për të treguar historinë tonë, për të ndriçuar rrugëtimin e shqiptarëve nëpër botë, për të folur për sfidat dhe shpresat, për të vendosur zërin tonë në skenën ndërkombëtare të artit dhe televizionit. Dhe në praninë tuaj, ky vizion u bë realitet.

Falënderim i veçantë shkon për artistët tanë të jashtëzakonshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, që i dhanë shpirt çdo personazhi dhe jetë çdo skene. Ju falënderoj për talentin, përkushtimin dhe shpirtin tuaj bashkëpunues.

Mirënjohje për ambasadorët tanë dhe figurat publike që çdo ditë punojnë për avancimin e pozitës së shqiptarëve në botë—ju jeni frymëzim për të gjithë ne.

Dua të falënderoj edhe sponsorët, partnerët dhe të gjithë ata që qëndruan pas këtij projekti me besim e dashuri. Pa ju, kjo natë nuk do të kishte qenë e mundur.

Ëndrra Amerikane nuk është vetëm një serial—është një mesazh, një pasqyrë e realitetit tonë, dhe një ftesë për dialog mes kulturave. Është dëshmia që, kur bashkohemi, mund të krijojmë diçka që tejkalon kufijtë dhe zgjat në kohë.

Ju faleminderit që ishit pjesë e kësaj nate historike. Uroj që kjo të jetë vetëm fillimi i shumë rrugëve të reja artistike që do të ecim së bashku.

Gëzuar për artin, për bashkimin dhe për ëndrrat që i bëjmë realitet! 🍀

Filed Under: Komunitet

PAPA FRANҪESKU DHE SKËNDERBEU

May 1, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Më 21 shtator 2014 Papa Françeskut  vizitoi, Shqipëri.

Posta Shqiptare më 21 shtator 2014, për të nderuar vizitën e Papa Françeskut  në Shqipëri , vuri në qarkullim një emision me  pullë postare, kushtuar vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. 

Ky emisioni u titulluar “Papa Françesku në Shqipëri” përbëhet nga një pullë me portretin e Papa Franceskut dhe në sfond ka të vendosur pamjen e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në qendër të Tiranës. 

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, më 21 shtator 2014, shënon një ngjarje historike me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse kjo datë e stampuar mbi këtë pullë shënon vizitën e parë në Europë të Papa Françeskut. Për Shqipërinë kjo vizitë ka rëndësi të madhe kombëtare, sepse Papa Françesku i kushtoi tërë forcën dhe energjitë e tij ringjalljes së shpresës dhe besimit te Zoti duke u lutur për kombin shqiptar, për atdheun e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të humanistes të madhe shqiptare, Nënë Terezën. 

Papa Françesku, duke iu drejtuar të pranishmëve në mitingum madhështor i cili u organizua në Tiranë me këtë rast, theksoi:

 “Erdha për t’ju inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e që qëndron pranë në momente të vështira”.

 Ky emision, sipas të dhënave që jep Posta Shqiptare, u shtyp në një tirazh  filatelik: 3 800 seri; në tirazh shërbimi postar: 5 000 pulla (100-lekëshe), si dhe zarfet FDC në tirazh: 200 copë.

Me  19 Nëntor 2018, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  u organizua nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë,  një pritje nga Papa Françesku ku vëri në dukje bëmat e Gjergj Kastriotit, Papa duke  ngritur  lart popullin shqiptar, theksoi:

“Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. 

Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.”

Literatura:

1-www.vaticannews.va-date 21Shtator 2014

2-www.shqiptarja.com – date 19 Mars 2019.

3-www.panorama.al- date 21 Shtatore 2014

4-Katalogu –Michel-2024

5-Katalogu –Gimjani-2017

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT