• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2026

ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE

January 26, 2026 by s p

Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja/

Në historinë tonë ka figura që nuk i mban mend vetëm historia e letërsisë, por vetë ndërgjegjja e një kombi. Atë Bernardin Palaj (1894–1946) është një prej tyre. Ai ishte prift françeskan, poet, studiues, publicist, por mbi të gjitha njeriu që e kuptoi herët se kur fjala e popullit nuk dokumentohet, ajo rrezikon të shuhet bashkë me brezin që e këndon. Prandaj, ai u bë udhëtar i maleve, shënues i këngëve, “përkthyes” i një bote gojore në kujtesë të shkruar dhe një emër themelor i folkloristikës shqiptare. Në një përshkrim që tingëllon si portret i rrallë moral, Atë Zef Pllumi e quan “Frati, këngëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari… ai zog i rrallë!”, ndërsa Ernest Koliqi e pagëzon me një titull që tingëllon si jehonë e pashuar ndër breza: “Frati i Kangeve”.

Nëse e shohim Palajn në dritën e kulturës dhe të kujtesës kombëtare, ai është një ngjarje e madhe shpirtërore. Jehona e tij vazhdon. Vepra e tij na tregon si ndërtohet identiteti përmes rrëfimit. Jeta e tij përfundon tragjikisht dhe mbetet dëshmi e dhunës që synoi të shkulte rrënjët e kujtesës. Sot, kur diaspora shqiptare kërkon të ruajë lidhjen me gjuhën, me historinë dhe me “zërin” e vendit, Palaj shfaqet si një urë e fortë mes Shqipërisë së brendshme dhe Shqipërisë së shpërndarë në botë.

Kur flitet për Palajn, shpesh kujtohet malësia—jo thjesht si vend, por si laborator i një kulture gojore që rrezikonte të mbetej pa “arkiv”. Palaj iu kushtua gjithë jetën mbledhjes dhe studimit të këngëve rapsodike, legjendave dhe traditave popullore, që pastaj të mund t’i bënte të përdorshme e të qasshme për brezat pasardhës. Palaj nuk ishte “mbledhës” në kuptimin mekanik të fjalës. Ai ishte një i përkushtuar i terrenit, një njeri që e njihte komunitetin duke jetuar brenda tij, jo duke e vëzhguar nga jashtë. Vite të tëra ai udhëtoi nëpër malësi, u ul në oda, dëgjoi lahutarë, shkroi e krahasoi variante, pa u trembur nga vetmia dhe vështirësia e misionit. Këtu qëndron thelbi i vlerës së tij. Ai e kuptoi se tradita nuk ruhet vetëm me respekt emocional, por me punë të durueshme, me shënim, me krahasim variantesh, me redaktim të kujdesshëm dhe me botim.

Koliqi e vendos Palajn në një rang europian të ruajtësve të epikës, duke e quajtur “Lönnrot-i i Shqipërisë” (një paralele me përpiluesin e “Kalevalës” finlandeze), ndërsa albanologia ruse Desnickaja e vlerëson si “Njohësin ma të shquem të maleve shqiptare”.

Në vijim të kësaj linje, studiuesja Angela Cirrincione e sheh Palajn në vazhdimësinë e shkollës françeskane të Shkodrës dhe të traditës së Fishtës, duke e vendosur krah Atë Shtjefën Gjeçovit dhe Marin Sirdanit si “ndjeksa të Fishtës” në rrugën e hapur prej mjeshtrit. E po në të njëjtën frymë, Cirrincione nënvizon se Palaj është figurë “e ndërlikueme letrari” me tri pamje kryesore: poetin, prozatorin dhe folkloristin. Koliqi, duke e rishkruar këtë renditje, do ta vendoste në krye folkloristin, sepse Palaj, “si i pari paraqitës i rapsodìve të maleve veriore”, zë vend kryesor ndër mbledhësit e këngëve të popullit, dhe puna e tij si folklorist jo vetëm e ushqeu prodhimin e vet letrar, por ndikoi edhe poetë të tjerë.

Pikërisht këtu hyn vepra që shënon një kthesë të madhe për kulturën shqiptare: “Visaret e Kombit”. Bashkëpunimi me Atë Donat Kurtin është një kapitull i madh në këtë histori. Në “Visaret e Kombit”, ata sollën një pasqyrë të gjallë të këngëve, valleve, legjendave dhe traditave, duke e bërë të prekshme për brezat një pasuri që përndryshe do të mbetej e ekspozuar ndaj humbjes.

Në “Hyrjen” e kësaj vepre, vetë autorët nënvizojnë rëndësinë e “këngëve kreshnikësh”, “këngëve të moçme” ose “këngëve lahute” që rrëfejnë botën e Gjeto Basho Mujit dhe luftën për liri, besë e nder—këngë të ruajtura gojë më gojë për shekuj dhe të njohura nga Malësia e Madhe te Dukagjini, Kosova, Puka e më tej.

Por Palaj nuk mjaftohet me grumbullim. Ai hyn në brendinë e materialit, analizon strukturën, temat, funksionin identitar, mënyrën si një popull e kodon historinë e vet në figurë epike. Në këtë pikë, shkrimi i tij nuk është thjesht etnografik; ai është edhe kulturor, edhe politik në kuptimin e gjerë. Shkrimi i tij është politik sepse mbron idenë se një komb nuk mbahet vetëm me institucione, por edhe me rrëfime të përbashkëta. Ai e shpëtoi traditën jo si muze të ngrirë, por si burim që ushqen krijimtarinë dhe mendimin.

Një element që e bën Palajn të veçantë është mënyra si ai ndërhynte në tekste pa i deformuar. Koliqi jep një përshkrim tepër të qartë të metodës së tij. Palaj zgjidhte variantin më të mirë, e plotësonte me vargje të përshtatshme nga variante të tjera, por “pa cenue… vetvetishëmënín gjenuine”, duke qëndruar në frymën dhe ligjërimin e lahutarëve. Kjo metodë është etika e redaktimit folklorik duke ndihmuar tekstin të dalë në dritë, pa ia marrë zërin.

Në revistën “Hylli i Dritës”, Palaj botoi e përpunoi rapsodi që sot janë referenca themelore për epikën e veriut: “Gjeto Basho Muji–Martesa”, “Muji te Mreti”, “Martesa e Halilit”, “Gjergj Alez Alia”, “Muji e Behuri”; ndërkohë, ai mblodhi edhe “doke, besime, kanune e simbole” në prozë, duke e zgjeruar vështrimin nga kënga te kultura si sistem. Kjo e bën të kuptueshme vlerësimin për të: “nuk ishte vetëm korifeu i folklorit shqiptar, por edhe shkencëtar i vërtetë”. Ndërkohë, Palaj ishte figurë e njohur publike. Ai ishte muzikant, organist i Kishës së Françeskanëve në Shkodër, mësues i shqipes dhe latinishtes në Liceun Illyricum, dhe një nga drejtuesit e gazetës “Ora e Maleve”, e cila pati rol në jetën politike e kulturore të kohës.

Pikërisht për shkak të kësaj pranie publike ai u godit politikisht. Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor 1924 u arrestua si kundërshtar, por u lirua pas ndërhyrjes së Lazër Mjedës. Pra, Palaj e provoi herët se të jesh intelektual i përfshirë në jetën e vendit do të thotë të paguash shpesh koston e qëndrimit.

Po kalvari i tij vazhdoi më egërsisht. Sepse erdhi viti 1946 dhe goditja nuk ishte vetëm mbi njeriun, por mbi arkivin. Në fund të atij viti u konfiskuan shkresat, korrespondenca dhe arkivat e mbetura. U plaçkitën muze dhe koleksione, përfshirë muzeun folkloristik të etërve Bernardin Palaj dhe Donat Kurti. Kjo është një nga ato momente ku historia kulturore bashkohet me dhunën politike. Shkatërrimi i materialeve nuk është rastësi, por strategji për të varfëruar kujtesën.

Pastaj vjen tragjedia personale. Në 1946 Palaj u arrestua dhe u torturua, duke refuzuar të pranonte ideologjinë e imponuar. Dëshmi rrëqethëse tregojnë për varjen e tij të lidhur, për rrahjen dhe vdekjen nga tetanozi, si edhe atë përgjigje të prerë që mbetet testament shpirtëror: “Zoti im është në qiell.”

Jeta e tij përfundoi tragjikisht më 2 dhjetor 1946. Ai vdiq në burg, duke ruajtur besimin në Zotin dhe në atdhe. Por tragjedia nuk mbaron as me vdekjen. Sipas dëshmisë së nipit Luigj Gjergji, ai nuk u vra drejtpërdrejt, por vdiq nga pasojat e torturave. Familja u përpoq ta merrte trupin për ta varrosur me nderime, por autoritetet nuk e lejuan dhe nuk dhanë asnjë shenjë se ku do të varrosej. Më pas qarkulluan thashetheme për një “gropë gëlqereje” ose për varrim pranë Dom Lazër Shantojës, por gjithçka mbeti e paprovuar dhe, deri sot, vendi i varrit të tij mbetet i panjohur.

Kjo mungesë e varrit të Atë Benradin Palajt përmban një simbolikë të forte. Humbja e eshtrave shfaqet si metaforë e një humbjeje të përkohshme të identitetit, por edhe si kujtesë e qëndrueshme e rezistencës.

Atë Bernardin Palaj vjen tek ne si një figurë me peshë të dyfishtë, sepse njëkohësisht qëndron si kontribut i mirëfilltë shkencor në ruajtjen e folklorit dhe si dëshmi e një përkushtimi njerëzor ndaj kujtesës së komunitetit. Puna e tij e shndërroi fjalën gojore në pasuri të dokumentuar, të vlefshme për historinë kulturore, për studimin e identiteteve dhe për kërkimet mbi traditën.

Pasuria që ai na la mbetet edhe një çelës interpretimi që e afron figurën e tij me shpirtin e epikës që mblodhi. Në folklor, kreshnikët mbrojnë nderin, tokën dhe identitetin, ndërsa Palaj mund të shihet si “kreshnik i kulturës”, sepse qëndroi i palëkundur përballë dhunës dhe përpjekjeve për nënshtrim. Prandaj, kur sot e përmendim Atë Bernardin Palajn, nuk duhet ta bëjmë vetëm si figurë të kaluarës, por si detyrë e së tashmes, që ajo që Palaj “i rrëmbeu harresës” të mos mbetet sërish e cenueshme nga harresa.

Në një kohë kur diaspora shqiptare është ndër ruajtëset më të rëndësishme të gjuhës dhe të kujtesës, figura e Palajt na kujton se identiteti nuk është vetëm ndjenjë, por edhe punë e përditshme, dokumentim, arkivim dhe, mbi të gjitha, një vendim i vetëdijshëm për të mos e lënë kulturën të bjerë në heshtje. Dhe nëse Palaj ishte “Frati i Kangeve”, atëherë edhe ne sot na takon një përgjegjësi e ngjashme: të jemi kujdestarë të këngës, të fjalës dhe të kujtesës, që “Dielli” i kulturës shqiptare të mos zbehet, as në atdhe e as në mërgim.

Shkodër, më 25 janar 2026

Filed Under: Opinion

Garancia Publike për Emigrantët

January 25, 2026 by s p

Av. Hasan Metuku/

Për të gjithë ju që keni procese në vazhdim apo do aplikoni për bashkim familjar për familjarët tuaj, qoftë nëpërmjet procesit konsullor (ne ambasadat amerikane) apo pershtatjen e statusit duke qenë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës eshte me rendesi te dini se:

Më 22 janar 2026, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) publikoi njoftimin në lidhje me rivendosjen e Garancis Publike, (formulari I-945).

Ky formular do të përdoret për emigrantët që do konsiderohen të papranueshëm pasi mund të bëhen barrë publike (per buxhetin e shtetit), por të cilëve mund t’u lejohet hyrja pas depozitimit të një garancie, e cila vepron si një garanci financiare për qeverinë e SHBA-së.

* Qëllimi: Të sigurohet që një jo-qytetar amerikan nuk do të varet kryesisht nga qeveria për jetesë.

* Ndryshimet e propozuara: Formulari i përditësuar I-945 përfshin një tarifë regjistrimi, përfshin Departamentin e Shtetit (DOS) në përcaktimin e kushteve dhe lejon paraqitjen e numrave të ndryshëm të çështjeve (I-485, DOS Konsullore ose Vizë Diversiteti).

* Anulimi: Garancia zakonisht anulohet pas pesë vitesh, me kusht që aplikanti të mos ketë marrë ndihmë publike në para ose institucionalizim afatgjatë.

* Kushtet e Anulimit: Një garanci mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar derisa të anulohet nga (Sherbimi i Emigracionit dhe Shtetesise)USCIS.

Anulimi mund të kërkohet nëse aplikanti:

* Ka qenë një (Reziden i Perhershem) LPR për të paktën 5 vjet pa e shkelur garancinë.

* Merr shtetësinë amerikane (natyralizim).

* Largohet përgjithmonë nga SHBA-ja dhe braktis statusin e LPR-së.

* Vdes.

Shkelja e Garancisë: Një garanci konsiderohet e shkelur nëse individi merr përfitime publike të caktuara për më shumë se 12 muaj në total brenda çdo periudhe 36-mujore. Nëse shkelet, shuma e garancisë i kalon qeverisë së SHBA-së si dëmshpërblim i likuiduar.

* Konteksti: Ky veprim synon të kthehet në një analizë më të gjerë, “të tërësisë së rrethanave”, nëse një aplikant ka të ngjarë të bëhet barrë publike, duke përmbysur rregullat më liberale të vitit 2022.

Si e vendos Sherbimi i Emigracionit dhe Shtetesise (USCIS) se kush mund të bëhet barrë për buxhetin e shtetit ?

Procesi i përcaktimit përfshin komponentët kryesorë të mëposhtëm:

1. Faktorët minimalë statutorë

Departamenti i Sigurisë Kombtare (DHS) merr në konsideratë të njëjtët pesë faktorë statutorë të përdorur për përcaktimin fillestar të papranueshmërisë për të vlerësuar shumën e duhur të garancisë:

Mosha: Nëse mosha e aplikantit ndikon në aftësinë e tij për të punuar (zakonisht duke u përqendruar tek ata nën 18 vjeç ose mbi moshën e pensionit të parakohshëm).

Shëndeti: Çdo gjendje mjekësore që mund të ndërhyjë në punë, shkollë ose kujdesin për veten.

Statusi familjar: Madhësia e familjes së aplikantit dhe numri i personave në varësi.

Pasuritë, Burimet dhe Statusi Financiar: Të ardhurat, pasuritë dhe detyrimet e familjes.

Arsimi dhe Aftësitë: Historia e punësimit, niveli i arsimit dhe aftësitë e punës.

Shuma e garancise financiare vendoset për të “mbajtur të padëmtuar” qeverinë e SHBA-së dhe agjencitë e përfitimit publik. Kjo do të thotë që shuma llogaritet bazuar në vlerën e parashikuar të përfitimeve publike që aplikanti konsiderohet se ka të ngjarë të marrë gjatë periudhës që garancia financiare është në fuqi.

Sa më e lartë të jetë mundësia që një aplikant të bëhet barrë publike, aq më e lartë do të jetë shuma e garancisë që USCIS do të kërkojë.

Shuma Minimale: Sipas ligjit, garancia duhet të jetë të paktën 1,000 dollarë, megjithëse shpesh është dukshëm më e lartë bazuar në faktorë t e rrezikut te permemdura me lart.

Nëse përcaktohet se një aplikant është i papranueshëm vlerësuar në bazën e barrës publike, por përndryshe është i pranueshëm për arësye të tjera, aplikanti mund të pranohet sipas vendimit të Sekretarit të Sigurisë Kombëtare pasi të ketë depozituar një garanci finaciare të përshtatshme dhe të duhur.

Si përfundim, përpara se një aplikant të mund të depozitojë një garanci financiare të barrës publike (në Formularin I-945), duhet qe Departamenti ti kërkojë që ta bëjë këtë.

Garancia e barrës publike depozitohet si siguri për kryerjen dhe përmbushjen e detyrimeve financiare të një të huaji të lidhur me qeverinë e SHBA-së.

Për çdo problem që mund të ndeshni gjatë procesit të bashkimit familjar, marrjes së vizës apo Green Card, jeni të mirëpritur për marrë këshillën e duhur.

Avokati Hasan Metuku

Metuku Law P.C.

39 Broadway, Fl 14, Suite 1450

New York, New York 10006

Tel/Fax: 212-480-4242

Email: Hhm@metukulaw.com

www.metukulaw.com

Filed Under: Emigracion

Nëntë njohje de-facto për Kosovën

January 25, 2026 by s p

Shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës—Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Indonezia, Kazakistani, Paraguaji, Uzbekistani, Mongolia dhe Maroku—tani ulen si TË BARABARTA me Republikën e Kosovës në Bordin prestigjioz të Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump 🇺🇸

Duke u bërë pjesë e këtij forumi elitar, ato de-facto e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës. Tani është koha që këto njohjet të bëhen zyrtare.

I bëj thirrje Presidentes Vjosa Osmani të kontaktojë drejtpërdrejt secilin prej udhëheqësve të këtyre shteteve për të siguruar njohje të plotë diplomatike.

Këto njohje, që mund të arrihen lehtësisht me ndërmjetësimin e Presidentit Trump, forcojnë misionin amerikan për paqe dhe thellojnë bashkëpunimin brenda Bordit të Paqes.

Zoti e bekoftë popullin amerikan

Zoti e bekoftë popullin shqiptar

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

– Harry Bajraktari

Filed Under: Opinion

RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR

January 25, 2026 by s p

– Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani janë tmerri i Serbisë hegjemoniste.

Nga Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i LQSHA

Fitorja mbresëlënëse e Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte një goditje e rëndë për Serbinë raciste, fashiste dhe hegjemoniste. Miliona dollarë të shpenzuara për lobim në Amerikë dhe miliona të tjera për blerjen e shtypit dhe spiunëve në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare, i shkuan huç.

Nëse kjo fitore kurorëzohet me rizgjedhjen e znj. Vjosa Osmani si Presidente, dështimi serb do të shndërrohet në një arritje të madhe për Kosovën. Kombinimi i dy liderëve të mëdhenj, Osmani dhe Kurti, është një goditje serioze për ambiciet e sëmura serbe për t’u kthyer në Kosovë dhe për iluzionin e të ashtuquajturës “bota serbe”.

Për këtë arsye, politikanët serbë, të udhëhequr nga shovinisti Vuçiq, janë kapluar nga paniku. Ata tani kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre në pengimin e rizgjedhjes së saj.

Këtë e dëshmon angazhimi i shërbëtorëve të tyre kundër Presidentes Osmani në të gjitha Trojet shqiptare. Ndër të parët doli njëfarë Shqiprim Arifi nga Lugina e Preshevës, për të shpifur kundër saj, duke u përpjekur t’a fajësojë ate për gjendjen e vështirë të popullit shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, të drejtat e të cilëve shtypen në mënyrë mizore nga Serbia.

Diplomatët serbë nuk marrin dot frymë në praninë e Presidentes Osmani në forumet ndërkombëtare. Këtë e përjetoi edhe krye-krimineli serb Aleksandar Vuçiq në seancën e Kombeve të Bashkuara. Fjalët e Vjosës e goditën atë si shigjeta. Ballafaqimi me viktimat e gjenocidit serb e la të gjykuar dhe të poshtëruar para mbarë botës.

Vetëm ky fakt i vetëm do të mjaftonte që “Zonja e Hekurt”, Vjosa Osmani, të rizgjidhet Presidente edhe për një mandat tjetër.

Kohët e fundit janë bërë shumë propozime për kandidatë të ndryshëm potencialë për President. Disa janë serioze, por shumica janë krejtësisht të gabuara, naive dhe nganjëherë edhe qesharake. Të gjitha janë plotësisht të panevojshme.

Kosovës i duhet një Presidente e aftë dhe e fortë, që nuk i nënshtrohet askujt, me mbështetje të gjerë popullore si Znj. Vjosa Osmani – jo një President i zgjedhur përmes pazareve dhe manipulimeve partiake.

Sigurisht, një kandidat për president është mirë të jetë unifikues. Kjo është një dëshirë apo një fjalë e bukur që nuk duhet keqpërdorur për të refuzuar votimin e presidentit. Unifikimi i të gjithëve është i pamundur. Është veçanërisht e vështirë të bashkosh ata që nuk duan të bashkohen. Pastaj, nuk mund të ketë bashkim me elementë shkatërrues dhe armiqësorë si “Lista Serbe” dhe mbështetësit e saj.

Gjëja më e rëndësishme janë kualifikimet e kandidatit. Në asnjë rrethanë Kosova nuk duhet të ketë President, Kryeministër apo Ministër të Punëve të Jashtme që nuk flet mirë gjuhën angleze. Koha e komunikimit përmes përkthyesve në takimet ndërkombëtare ka kaluar. Njohja e disa gjuhëve të huaja është e mirëpritur.

Përgatitja arsimore, anglishtja e rrjedhshme, shprehjet e qarta, përvoja politike, përkushtimi, vendosmëria, guximi, aftësia për të depërtuar në qarqet ndërkombëtare, krijimi i lidhjeve të reja, forcimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe vendet partnere, respekti nga figurat udhëheqëse ndërkombëtare, qasja demokratike institucionale dhe mbështetja e gjerë popullore e bëjnë znj. Vjosa Osmani një kandidate të pakontestueshme.

Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti ishin dhe mbeten liderë të shpresës, ndryshimit dhe shpëtimit të Kosovës. Liderët me aftësi të mëdha dhe karakter të fortë si ata nuk i nënshtrohen askujt. Ata janë politikanë ndryshe, të pakorruptuar, që interesat e shtetit i vendosin mbi interesat personale. Arritjet e tyre janë të përbashkëta. Ata tashmë janë bërë frymëzim edhe për vendet e rajonit dhe për demokracitë perëndimore.

Natyrisht, ata nuk janë plotësisht të pagabueshëm, por gabimet e tyre kurrë nuk i kanë dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Për të vazhduar sukseset e tyre, ata duhet të afrojnë dhe të angazhojnë shumë kuadro të aftë, të arsimuar, profesionalë dhe të pakorruptuar.

Bashkëpunimi i ngushtë i Presidentes me Kryeministrin, qeverinë dhe institucionet shtetërore për interesat e shtetit është krejtësisht normal dhe i domosdoshëm. Natyrisht, ajo duhet të bashkëpunojë edhe me partitë opozitare sipas nevojës. Preferencat dhe simpatitë pa anim të theksuar janë të kuptueshme. Por nuk mund të pritet prej saj të bashkëpunojë me ata që punojnë kundër interesave të popullit dhe të shtetit.

Vazhdimi i shumë punëve të mira dhe përfundimi i proceseve tashmë të nisura në interes të shtetit e bëjnë të pashmangshme nominimin e znj. Vjosa Osmani për Presidente nga Kryeministri Albin Kurti. Këtë e pret me padurim edhe shumica absolute e popullit të Kosovës.

Rizgjedhja e saj është në interes të shtetit dhe të kombit, por edhe të të gjitha partive politike nëse i shohin gjërat me mençuri. Përgjegjësia për të votuar Presidenten Osmani u takon të gjithëve, jo vetëm partisë fituese. Do të ishte një gabim i madh që deputetët e opozitës të bllokonin procesin normal të votimit duke braktisur vendet e tyre të punës në Parlament. Ky do të ishte një veprim antidemokratik dhe antishtetëror.

Nëse opozita vazhdon me bllokada me shpresën se do të përfitojë nga krijimi i kaosit institucional, ajo do të bëjë një gabim katastrofal. Populli është lodhur nga zgjedhjet e panevojshme. Dërgimi i vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme do të ndëshkohet rëndë nga populli. Kështu, Kosova rrezikon të mbetet me një opozitë shumë të dobët ose edhe pa opozitë fare.

Kjo do të dëmtonte edhe marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht me Amerikën, e cila padyshim ka preferenca për znj. Osmani. Si do ta arsyetonte opozita prishjen e marrëdhënieve me miqtë, kur nuk ka pushuar kurrë së akuzuari Kurtin për të një gjë të tillë?!

Katër njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dhe zgjedhja e saj në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump e bëjnë të pamundur pë cilindo politikan normal të bllokojë rizgjedhjen e saj.

Votimi për Presidenten Osmani do të ishte shenja e parë që do t’u tregonte qytetarëve se partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK i kanë kuptuar gabimet e së kaluarës dhe do të ndryshojnë për mirë. Vetëm atëherë mundësitë e tyre për të fituar votat e popullit në të ardhmen do të bëheshin reale.

Formimi i institucioneve shtetërore, miratimi urgjent i buxhetit dhe i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, si dhe rizgjedhja e Presidentes Osmani pa vonesa dhe pa probleme, janë detyra urgjente të cilat e vendosin Kosovën në një pozitë shumë të favorshme.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer në udhëheqjen e shtetit, secili nga pozita e vet. Populli me të drejtë pret shumë prej tyre në këtë mandat, si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme.

Me aftësitë, përvojën dhe punën e tyre të përkushtuar, gjasat janë shumë reale për një Kosovë të zhvilluar, të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij mandati mund të bëhen realitet.

Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë Kosovën tonë Dardane në rrugën e saj të shenjtë të lirisë dhe pavarësisë, drejt bashkimit kombëtar. Amaneti i heronjëve dhe dëshmorëve të rezistencës shekullore për liri duhet të përmbushet.

Filed Under: Politike

Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem

January 25, 2026 by s p

Përgatitur nga Rafael Floqi/

Një stuhi dimërore me përmasa historike ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar kaos në transport, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe duke vënë në provë kapacitetet e emergjencës shtetërore dhe federale. Më shumë se 190 milionë njerëz në 37 shtete janë vendosur nën alarme dimërore, ndërsa temperaturat kanë rënë 10 deri në 40 gradë nën mesataren sezonale, duke krijuar një nga episodet më të ashpra të dimrit në dekada.

Paralizë në transport ajror dhe tokësor

Stuhia ka goditur rëndë transportin ajror, me mbi 11,800 fluturime të anuluara vetëm gjatë fundjavës dhe mijëra të tjera të vonuara. Aeroporte kyçe si Dallas–Fort Worth, Charlotte, Nashville, Oklahoma City dhe Boston janë përballur me ndërprerje masive. Kompanitë ajrore, përfshirë American Airlines, kanë pezulluar një numër rekord fluturimesh, ndërsa udhëtarët janë këshilluar të kontrollojnë vazhdimisht aplikacionet dhe njoftimet zyrtare për rimbursime dhe rirezervime.

Ligji amerikan detyron kompanitë ajrore të rimbursojnë plotësisht biletat e fluturimeve të anuluara, pavarësisht arsyes, edhe nëse biletat janë blerë si “jo të rimbursueshme”. Megjithatë, linjat ajrore nuk janë të detyruara të mbulojnë shpenzime për ushqim apo akomodim në raste moti ekstrem, pasi konsiderohet “ngjarje e pakontrollueshme”.

Në New Jersey, i gjithë shërbimi i transportit publik – autobusë, trena, metro të lehta dhe shërbimi për personat me aftësi të kufizuara – është pezulluar për arsye sigurie. Në shumë shtete, autoritetet kanë ulur kufijtë e shpejtësisë në autostrada, kanë ndaluar qarkullimin e kamionëve të rëndë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

Qytete të mëdha nën borë dhe akull

Nju Jorku dhe rajoni përreth po përballen me temperaturat më të ulëta të shumë viteve. Bashkia ka aktivizuar planin e emergjencës dimërore, duke pajisur mijëra kamionë të pastrimit të mbeturinave me plugje bore. Autoritetet kanë shpërndarë paraprakisht solucion kripe dhe kripë të thatë, ndërsa qytetarët mund të ndjekin në kohë reale lëvizjen e mjeteve të pastrimit të borës përmes platformës “PlowNYC”.

Në Columbus, Ohio, autoritetet kanë paralajmëruar se kjo stuhi mund të hyjë në pesë apo dhjetë stuhitë më të mëdha të historisë së qytetit, me reshje deri në 14 inç borë në vetëm 48 orë. Edhe me mobilizimin maksimal të mjeteve dhe personelit, bashkia ka pranuar se rrugët nuk do të mund të mbahen të pastra vazhdimisht.

Në Filadelfia, meteorologët kanë paralajmëruar një sasi “të jashtëzakonshme” reshjesh akulli (sleet), ekuivalente me disa inç shi të ngrirë, një fenomen veçanërisht i rrezikshëm për rrjetin elektrik dhe sigurinë rrugore.

Ndërprerje të energjisë dhe rrezik për infrastrukturën

Më shumë se 145 mijë familje dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike, kryesisht në Teksas, Luiziana, Nju Meksiko dhe shtetet jugore. Akulli i trashë mbi linjat elektrike dhe pemët ka shkaktuar rrëzime masive shtyllash, duke rritur frikën për ndërprerje shumëditore të energjisë, veçanërisht në Karolinën e Jugut dhe Virxhinia.

Guvernatorët në disa shtete kanë paralajmëruar hapur qytetarët se mund të mbeten pa energji, pa ujë dhe pa ngrohje për disa ditë, duke e cilësuar situatën si katastrofë potenciale. Qendrat e ngrohjes janë hapur në dhjetëra qytete për personat vulnerabël, të pastrehët dhe familjet pa ngrohje.

Gjendje emergjence dhe përgjigjja federale

Deri tani, 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur gjendje emergjence. Presidenti Donald Trump ka miratuar deklarata emergjence federale për një sërë shtetesh, duke hapur rrugën për ndërhyrjen e FEMA-s dhe fondet federale për mbrojtje emergjente, pastrim, riparime dhe mbështetje logjistike.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka theksuar se shtetet mbeten në vijën e parë të reagimit, ndërsa qeveria federale vepron si mbështetje. FEMA ka parapozicionuar furnizime, ekipe menaxhimi incidentesh dhe njësi kërkim-shpëtimi urbane, të gatshme për t’u dislokuar në zonat më të goditura.

Të ftohtë ekstrem: rrezik për jetën

Përveç borës dhe akullit, i ftohti ekstrem përbën kërcënimin më serioz. Rreth 151 milionë njerëz janë nën alarme për temperatura të ulëta, me ndjesi termike që zbresin deri në –30 dhe –50 gradë Fahrenheit në zonat veriore. Edhe qytete si Çikago, Uashington, Filadelfia, Dallasi dhe Bostoni po përjetojnë ndjesi termike nën zero, një rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin publik.

Meteorologët paralajmërojnë se ky do të jetë një episod i zgjatur të ftohti, me temperatura nën ngrirje që mund të zgjasin deri në 10 ditë në disa zona të verilindjes.

Jeta e përditshme nën presion

Dyqanet ushqimore në qytete si Nju Jorku janë përballur me rafte bosh, ndërsa qytetarët janë furnizuar me ushqime bazë, ujë, bateri dhe mjete ngrohjeje. Shërbimet e dërgesave ushqimore dhe pakove kanë paralajmëruar vonesa ose pezullime të përkohshme, ndërsa disa aplikacione kanë vendosur tarifa shtesë për mot të keq, që u kalojnë drejtpërdrejt shoferëve.

Në disa zona urbane, zjarre në ndërtesa banimi – të ndodhura pak para ose gjatë stuhisë – kanë lënë qindra persona pa strehë, duke shtuar presionin mbi shërbimet sociale dhe Kryqin e Kuq Amerikan.

Apel i përbashkët: Qëndroni në shtëpi

Mesazhi i përbashkët nga presidenti, guvernatorët, kryetarët e bashkive dhe shërbimet e emergjencës është i qartë: qëndroni në shtëpi, shmangni udhëtimet e panevojshme dhe ndiqni udhëzimet lokale. Autoritetet theksojnë se vetëm kështu ekipet e pastrimit, emergjencës dhe shpëtimit mund të punojnë në mënyrë efektive dhe të shpëtojnë jetë.

Kjo stuhi dimërore nuk është thjesht një episod i rëndë moti, por një test serioz për infrastrukturën, menaxhimin e emergjencave dhe solidaritetin shoqëror në Shtetet e Bashkuara. Ndikimet e saj pritet të ndihen edhe ditë, ndoshta javë, pas kalimit të reshjeve.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT