• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2026

U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”

January 30, 2026 by s p

#AShSh

#TishDaija

#100vjetoriilindjes

Veprimtaria për mjeshtrin e muzikës shqiptare, kompozitorin Tish Daija, u zhvillua më 30 janar 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga Komisioni i Përkohshëm i Arteve në bashkëpunim me Qendrën e Studimit të Arteve, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Universitetin e Arteve.

Konferencën e hapi akad. Stefan Çapaliku, drejtor i QSA-së. Ai tha se Tish Daija konsiderohet kompozitori i parë i baletit shqiptar me veprën “Halili dhe Hajria”, që u ngjit në skenë në vitin 1963. Është një moment historik, jo vetëm për muzikën, por për gjithë kulturën shqiptare. Akad. Çapaliku e vlerësoi Tish Dainë jo vetëm si kompozitor, por edhe si arkitekt institucional të muzikës shqiptare moderne. Rëndësia e Tish Daisë qëndron në mënyrën sesi i përpunoi motivet popullore shqiptare (sidomos ato të veriut), i shndërroi ato në material simfonik e skenik pa folklorizëm të sipërfaqshëm, duke e ruajtur identitetin pa izolim estetik.

Në këtë veprimtari jubilare përshëndetën: prefektja e Shkodrës z. Holta Duda; Rektori i Universitetit të Arteve prof. dr. Erald Bakalli; dirigjenti Sokol Marsi (Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit) dhe Gusti Daija, i biri i kompozitorit Tish Daija.

Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave dhe kryetar i Komisionit të përhershëm të arteve (ASHSH) falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e konferencës dhe foli për rëndësinë që ka veprimtaria për 100-vjetorin e kompozitorit Tish Daija. Ai u shpreh se muzika qytetare dhe ajo skenike u detyrohet tre mjeshtërve të mëdhenj Çesk Zadesë, Kol Jakovës e Tish Daisë dhe Tish Daija renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive. Ai kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore dhe dha kontribut edhe në muzikën e filmit shqiptar. Më tej akad. Tole e vlerësoi kompozitorin Daija si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, ku së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit dhe dhanë mësim për breza me radhë në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Pas fjalëve përshëndetëse vijuan punimet e konferencës, të cilat u drejtuan nga dr. Kreshnik Duqi dhe dr. Denis Bizhga.

Seancën plenare e hapi prof. dr. Zana Shuteriqi me kumtesën “Tish Daija dhe tradita muzikore shkodrane”. Ajo përshkroi të gjithë karrierën muzikore të mjeshtrit Daija, duke e nisur nga mësimet e tij të para në qytetin e tij të lindjes. Kori i Kishës Françeskane dhe fryma qytetare shkodrane shënjuan krijimtarinë e tij. Ajo foli më tej për edukimin në Konservatorin e Shkodrës në linjën e kompozitorëve të parë Prenk Jakova e Palok Kurti, ku Shkodra ishte një laborator i gjinisë muzikore skenike. Prof. dr. Shuteriqi vlerësoi veprat muzikore dhe gjurmët e thella që Tish Daija la më muzikën shqiptare.

Prof. asoc. dr. Rreze Kryeziu Breznica (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës) mbajti kumtesën “Opusi krijues i kompozitorit Tish Daija në skenën koncertale dhe performuese në Kosovë (1972–2025)”. Ajo e vlerësoi Tish Dainë për krijimin e një gjuhe muzikore moderne dhe autentike që i kapërcen kufijtë. Ai mbeti pikë referimi jo vetëm i traditës muzikore, por edhe i mjeshtërisë së krijimit muzikor.

Prof. asoc. dr. Mikaela Minga mbajti kumtesën “Portret i një artisti në rini”, ku spikati portretin qytetar të mjeshtrit të muzikës dhe më tej foli për tiparet origjinale të krijimtarisë së tij muzikore.

Dr. Kreshnik Duqi përshkroi krijimtarinë muzikore të Tish Daisë pas viteve ’90, si një prodhimtari artistike që erdhi duke u stilizuar e pasuruar me aftësi komunikuese.

Prof. Pjetër Guralumi zgjeroi tematikën e kontributeve të Tish Daisë duke paraqitur kompozimet që ka bërë për repertorin e violonçelit në periudhën 1990-2000.

Me interes ishte edhe kumtesa e dr. Suzana Turkut, e cila foli për individualitetin krijues të kompozitorit Tish Daija në muzikën vokale, korale”. Ajo tha se figura e kompozitori zë një vend të rëndësishëm në procesin e formësimit dhe konsolidimit të gjuhës muzikore kombëtare. Duke analizuar individualitetin krijues të Tish Daisë, u ndal në ndërthurjen e elementëve muzikorë për të ndërtuar një stil të veçantë, të dallueshëm dhe me vlera të qëndrueshme në historinë e muzikës.

Qamil Gjyrezi foli për semiotikën e baletit dhe veprave instrumentale të kompozitorit Tish Daija, duke u ndalur te “Poema për violinë”.

Seancën e parë e mbylli akad. Vasil S. Tole me kumtesën “Tish Daija dhe kontributi i tij si kompozitor në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare” (rasti i himnit të divizionit garibaldin “Antonio Gramshi”, 1943, i kompozuar prej tij). Ai tha se Tish Daija që në moshë të re ka kontribuar për luftën Nacionalçlirimtare. Më tej akad. Tole vlerësoi disa nga kontributet themelore që ka dhënë Tish Daija në të gjitha gjinitë muzikore, që nga muzika simfonike, e dhomës, baleti, opera, operetta, si dhe muzika e filmit. Tish Daija kontribuoi në modernizimin e këngës shqiptare dhe në lëvrimin e muzikës moderne shqiptare.

Seanca e dytë vijoi me një koncert të pasur me krijimtari të kompozitorit Tish Daija. U interpretua suitë nga baleti “Bijtë e peshkatarit” nga ansambli i harqeve “Harmonica Albania” nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço. Më tej koncerti vijoi me një fragment nga muzika e filmit “Tingujt e luftës” për piano solo që u interpretua nga Ardita Bufaj. U interpretuan, gjithashtu, pjesë të krijimtarisë së Çesk Zadesë si “Rapsodi për flaut e piano nga Elvis Rudi e Ardita Bufaj.

Sopranoja e njohur Mariana Leka gjatë koncertit këndoi “Aria e Dritës” nga opera “Pranvera”; “Aria e Vjosës” nga opera “Vjosa”; Kënga e krushqve”; “Këngë nga fletorja e 1945”, “Çikë moj çikë”, “Me lule t’bukra”, që u shoqëruan nga Ansambli i Harqeve. Lorenc Radovani dhe Ansambli i Harqeve interpretuan “Valle për violinë” të Daisë, ndërsa vepra “Kërcimi i kecave për 4 flaute (3. The Shepherd’s Pipe & 4. Dance of the kids) u interpretuan nga Elvis Rudi dhe kuarteti i flauteve.

Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Tish Daisë në mjediset e Akademisë së Shkencave u hap edhe një ekspozitë me dorëshkrime origjinale muzikore, foto dhe postera të premierave të veprave të tij ndër vite.

www.akad.gov.al

Filed Under: Reportazh

NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ

January 30, 2026 by s p

“Vetëtimë që paralajmëroi stuhinë” (Ismail Kadare)

Nga Frank Shkreli

                                                                   Pjetër Leka Ivezaj

Lajmin e hidhur për kalimin në amshim të Pjetër Lekë Ivezajt e lexova në portalin e Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Rochester Hills. Të shtetit Miçigan: “Me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer, familja Ivezaj njofton komunitetin shqiptar se më datën 27 janar 2026, paqësisht në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit e tij, në moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj”. 

Në vitin 1986, Pjetër Ivezaj u arrestua në Mal të Zi—një akt ilegal që pasqyronte realitetin e zymtë të kohës për shqiptarët që guxonin të mendonin ndryshe dhe që kërkonin të drejtat e tyre legjitime, anë e mbanë trojeve shqiptare. Tani e dijmë se arrestimi i tij nuk ishte thjesht një çështje penale por ishte një përpjekje për ta heshtur zërin e një njeriu që refuzoi nënshtrimin, por edhe të shqiptarëve në përgjithsi.  Përvoja e tij e hidhur në duar të autoriteteve komuniste jugollave, siç ishte për shumë bashkvendas të tij, la plagë të thella, por edhe dëshmi të forta të  karakterit të një malësori që nuk u dorëzua, ndërsa shpalosi, njëkohsisht, para botës së qytetëruar fytyrën e kalbur të negjimit terrorist sllavo-komunist të ish-Jugiosllavisë.

Por qëllimi i këtij shkrimi të shkurtër me këtë rast morti nuk është historia e arrestimit, burgosjes as edhe e lirimit të Pjetër Ivezajt nga burgjet e ish-Jugosllavisë komuniste me ndihmën e autoriteteve më të larta amerikane të viteve 1980-ave se do kërkonte më shumë kohë e hapësirë. Por dihet se ai u arrestua nga autoritet jugosllave si përfundim i aktiviteteve patriotike të Pjetrit, përfshir pjesëmarrjen e tij në demonstratat anti-jugosllave të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët e Kosovës. Për ata që janë të interesuar për rastin Ivezaj dhe për atë periudhë, kjo histori është e dokumentuar sumë mirë në librin “Klithma e një shqiponje”, shkruar nga vëllai i Pjetrit, Dr. Fran L. Ivezaj.  Një libër jo vetëm letrar e autobiografik, por njëkohsisht, edhe një dëshmi e dokumentuar, historike dhe morale e asja periudhe.  Një tregim i gjallë i vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarit nën shtypjet shekullore të sllavëve të jugut.  Në thelb të këtij libri qëndron drama e një familjeje shqiptare — familja e madhe patriotike Ivezaj nga Malësia e Madhe, simbol i qendresës. Veçanërisht, pasqyrohet me dokumenta, përndjekja politike e malësorit shqiptaro-amerikan, Pjetër Ivezajt nga autoritetet sllavo-komuniste jugosllave, përndjekje që më në fund u shndërrua në një simbol të fatit të keq kolektiv shtypës për mijëra shqiptarëve nga të gjitha trojet iliro-arbërore, nën ish-Jugollavinë komuniste, përfshir Kosovën. 

Por, dua të kujtoj — me këtë rast të zi për familjen dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan — këtë simbol vuajtjesh e qëndrese në burgjet jugosllave të njërit prej atyre shqiptarëve të heshtur por edhe të palëkundur, siç ishte Pjetër Ivezaj, simbol i përndjekjeve politike dhe sakrificës personale. Duke e kujtuar atë si shembull të një qëndrese morale dhe kombëtare, i cili e pagoi shtrenjtë besnikërinë e tij ndaj Malësisë dhe shqiptarisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo ishin.

Dua t’a kujtoj atë rast, që në atë kohë i referoheshim si, “Çeshtja Ivezaj” — si një sfidë e madhe që paraqitej atëherë për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe për të gjithë shqiptarët, përball barbarive serbe kundër shqiptarëve, në adthe pore dhe këtu në Amerikë. Si sfidë po, por e kujtojmë edhe si shpresë: si një “vetëtimë që paralajmëroi stuhinë”, siç e ka cilësuar rastin e Pjetër Ivezajt, shkrimtari Ismail Kadare. Duke shtuar se, “Thyerja e tyre (autoriteteve jugosllave) përball Pjetër Ivezajt ishte shenja e parë e sigurtë se një epokë e re po afrohej në Ballkan. Për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe për të gjithë të tjerët”, ka shkruar Kadare.  Ndërsa shkrimtari Dritëro Agolli ka komentuar rastin Ivezaj duke u shprehur se “Shteti komunist, që s’kishte prapsur as tanket para studentëve të Prishtinës me ’81-ën, detyrohet të tërheq dënimin e Pjetës Ivezajt”.  Dhe nëse, “Çeshtja Ivezaj” ose, “Fati i Pjetër Ivezajt po e paralajmëronte fatin e ndryshuar të shqiptarëve dhe të Kosovës”, siç ka thënë Rexhep Qosja, përfundimisht, kjo gjë u takon historianëve të ardhëshëm të thonë fjalën e vet, nëse fati i këtij malësori në duartë e barbarëve sllavë në vitin 1986, ishte vërtetë fillimi i triumfit përfundimtar të shqiptarëve mbi dehumanizimin serb në Ballkanin Perëndimor që eventualisht përfundoi me çlirimin dhe lirinë dhe pavarsinë që gëzon sot Kosova. 

Dua të kujtoj gjithashtu në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, duke shtuar se kjo “thyerje” e regjimit terrorist serb, vështirë se do kishte ndodhur pa interesimin dhe pjesëmarrjen e shumë faktorëve vendimtarë të politikës amerikane që, më në fund, çuan në lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav. Nuk kam asnjë dyshim se kryesori në këtë mes ishte angazhimi aktiv institucional i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Çeshtjen Ivezaj”. Fillimisht, ishin përfaqsuesit e shtetit Miçigan në Kongres, të nxitur dhe të mbështetur fuqishëm nga diaspora shqiptaro-amerikane, fillimisht nga shqiptarët e Detroitit me rrethe, kryesuar nga biznismeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit tonë këtu në Amerikë, Z. Ekrem Bardha. “Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nëpërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqësuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në tetor, 1986. Mos qofsha gabim e para e këtij lloji, ekskluzivisht, për t’u informuar për fatin e një personi – një malësori të arrestuar e keqtrajtuar në burgjet jugosllave – por edhe për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e asaj kohe.

Ky presion nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, u shoqërua në atë kohë edhe me raporte periodike të Departamentit të Shtetit dhe të enteve të tjera qeveritare dhe jo-qeveritare amerikane, ku flitej për shkeljet sistematike të drejtave të njeriut në Jugosllavi, duke e rritur për Beogradin, koston politike dhe diplomatike të mbajtjes në burg të figurave si Pjetër Ivezaj.  Prandaj, lirimi i tij nuk ishte thjesht rezultat i rrethanave të brendshme jugosllave, por produkt i ndërhyrjes ndërkombëtare, ku Kongresi Amerikan luajti rol kyç. Duhet të kujtojmë se ky episod mbetet një dëshmi konkrete se si demokracitë perëndimore, kur vihen në lëvizje nga komunitetet e tyre dhe nga parimet e lirisë dhe të demokracisë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e individëve të persekutuar dhe të kombeve të shtypur.

Dua të kujtoj. në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, për të gjithë shqiptarët, por sidomos për diasporën shqiptaro-amerikane se figura e Pjetër Ivezajt ka një domethënie të veçantë për të gjithë ne edhe pas largimit të tij nga kjo jetë.  Historia e Pjetër Ivezajt dhe shumë shqiptarëve si ai, të fund shekullit të kaluar, është bërë tanimë pjesë e mozaikut të vuajtjeve dhe qëndresës kombëtare shqiptare — një histori që meriton të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, këtu në mërgim dhe në atdhe.  Përvoja e hidhur e Pjetër Ivezajt na kujton sot të gjithë neve se pse u detyruam të largoheshim — me mijëra shqiptarë — nga trojet tona stërgjyshore, sidomos gjatë 1960-1970-ave.  Qe besa, duhet të na kujtojë të gjithëve këtu në Amerikë por edhe në Malësi, Shqipëri e Kosovë por dhe anë e mbanë trojeve shqiptare sot, se liria dhe demokracia sado e brishtë që është në trojet tona që gëzojnë sot shqiptarët, nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, por për të cilat vlera duhet të luftohet çdo ditë, për t’I ruajtur e për t’i mbrojtur. 

Me ndarjen e Pjetër Ivezajt nga jeta, humbëm një dëshmitar të gjallë të një epoke padrejtësishë, por fituam një obligim moral: që të mos harrojmë!  Kujtimi i Pjetër Ivezajt na fton të flasim hapur për të kaluarën, por edhe të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat e asaj historie të hidhur dhe të mbrojmë të vërtetën historike nga heshtja dhe relativizimi.  Ndarja e tij nga kjo jetë, le të shërbejë gjithashtu si një kujtesë se liria dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve janë ruajtur edhe falë njerëzve të thjeshtë si Pjetër Ivezaj i Malësisë së Madhe, të cilët nuk u përkulën kurrë, përballë padrejtësive të historisë.

Kur ndahet nga kjo jetë një burrë si Pjetër Ivezaj, jo vetëm familja e ngushtë e familja më e gjërë, farefisi në mërgim dhe në Atdhe, por e gjithë mërgata jonë pëson një humbje të rëndë.  Kujtimi, vepra dhe dinjiteti i tij prej burrë-malësori mbeten trashëgimi të gjalla, jo vetëm në familjen e tij, por edhe tek të gjithë ata që e njohën, sidomos pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit. Pjetër Ivezaj pushoftë në paqë e Zoti i dhashtë forcë familjes dhe të afërmëve për të përballuar këtë dhimbje dhe humbje të rëndë.  Familjarëve dhe far-e-fisit kudo që janë nepër botë, disa prej të cilëve i kam njohur gjatë viteve, u paraqes ndjenjat e mia më të ndieshme dhe ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Pjetër Ivezajt. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Frank Shkreli

                                Klithma e një shqiponjeBotimi i Librit, “Klithma e një shqiponje”, një ndërmarrje bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar vet Pjetër Ivezaj dhe familja e tij. Me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtij vendi të bekuar për të gjithë ne shqiptaro-amerikanët e vjetër e të rinj, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshirë historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan me përfaqsues të enteve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, siç ishte, “Çeshtja Ivezaj”.       

Pjetër Ivezaj me Kongresistin e Miçigenit, William Broomfield, një prej mbështetësve kryesorë të përpjekjeve për lirimin e tij nga burgjet jugosllave, n[ një pritje në sallën e Kishës Katolike Shqiptare, Shën paëi në Miçigan

                                        Pjetër Ivezaj në krye të demonstratës anti-jugosllave për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Washington DC.  

Xhim Xhema, me origjinë nga Kosova — biznismeni dhe aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan i çeshtjes së Kosovës ndër dekada dhe biznismeni dhe aktivisti tjetër i çeshtjeve kombëtare, Ekrem Bardha nga Leskoviku, kanë dëshmuar se nga ditët e para të demonstratave anti-jugosllave në Washington dhe qytetet tjera amerikane, që në fillim të 1980ave, ishin malësorët të parët ata që morën pjesë në tubime për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës!

Pjetër Ivezaj në demonstratë në Washington, 2006 – “Të drejtat në Mal të Zi, ose bashkë me Shqypni”.

Pjetër Ivezaj majtas, me Ambasadoren e Presidentit Ronald Reagan pranë Kombeve të Bashkuara, Jean Kirkpatrick

Fotot: Nga libri “Klithma e një shqiponje” e autorit Dr Fran L. Ivezaj –Kërkoj ndjesë për kualitetin e forografive.

Filed Under: Komunitet

LIRIA KA EMËR: UÇK

January 30, 2026 by s p

Përparim Rama mbështetë Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

30 janar – Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha e vlerësoi mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë.

“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi “Drejtësi, jo politikë” është thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, tha Hoxha.

Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës.

“Ky Marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi joselektive”, tha Tasholli.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se lufta e e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës t’i bashkohen masovisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, shtoi Rama.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

Filed Under: Interviste

VENDI IM

January 30, 2026 by s p

You are warmly invited to VENDI IM – 7th Annual Concert, a powerful celebration of Kosovo’s Independence and the legacy of Ancient Albanian musical heritage, brought to life by renowned Albanian-American artists in New York.

This is more than a concert, it is a tribute to our history, identity, and resilience through music.

The best seats are already gone, only a few remain. RESERVE YOUR SEATS NOW…

🎟️ Infos / Tickets:
https://www.kaufmanmusiccenter.org/mch/event/vendi-im-7th-annual-concert/

We would be honored to have you with us.

Warm regards,
VENDI IM
Team

Filed Under: Kulture

NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

January 30, 2026 by s p

Sami Milloshi/

Do ta them që në fillim: libri “Eleganca e lotëve” i Iris Halilit më pëlqeu jashtëzakonisht. Pse? Sepse përshtypja e parë, pasi e lexova, është se ajo shkruan me një sinqeritet të jashtëzakonshëm, natyrisht me sinqeritetin e një fëmije, që e ruan fëmijën në vetëdijen e vet edhe në moshën e pjekurisë. Siç thoshte Picasso i madh: “M’u desh gjithë jeta ime të pikturoja si fëmijë.”

Dhe, prandaj Picasso u bë ai që njeh sot gjithë bota. Ndoshta ky libër do t’i sjellë një fat pak a shumë të ngjashëm edhe zonjës Halili si shkrimtare.

Po për çfarë e ka shpalosur sinqeritetin e saj fëminor Iris Halili? Ajo ka shkruar një libër për gjyshen e saj Ganimete Gjilani Fratari dhe për dajën e saj Hajredin Fratarin, të cilët provuan dhe përballuan me dinjitet të pashoq ferrin e diktaturës komuniste që i torturoi me të gjitha mënyrat e saj shtazarake. Në sytë e saj prej fëmije kanë mbetur të stampuara të gjitha ato tortura, sepse ajo, ndonëse imcake, ka qenë dëshmitare e tyre.

Ka edhe libra të tjerë, në shqip dhe në gjuhë të huaj, të shkruar në vetë të parë me kujtime të fëmijërisë. Ka, tashmë, gjithashtu një numër librash me kujtime të atyre që provuan burgjet e Enver Hoxhës. Në morinë e këtyre librave, “Eleganca e lotëve” shkëlqen si një margaritar.

Pse? Sepse është i mbushur plot me fakte, plot me detaje, plot me jetë. Dhe duket fare qartësisht se autorja e ka kompozuar librin në mënyrë të atillë që jo vetëm të prezantojë tmerret e diktaturës, por edhe të na dëshmojë se si dhe pse, në thelb, ata që u përballën me të keqen, ia dolën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të triumfojnë moralisht.

Halili i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të madhe asaj që quhet trashëgimi familjare. Një trashëgimi e begatë vlerash morale dhe historike si ajo e familjes së Hajredin Fratarit në Mallakastër, nuk mund të mos jetë një bazë e fuqishme për karaktere të forta, si gjyshja Gano, apo si daja Hajredin. E stolisur shpirtërisht me kulturë të thellë, gjyshja Gano rrezatoi stoicizëm dhe mirësi deri në frymën e fundit. Kjo mirësi rrezaton në gjithë faqet e librit dhe lexuesi nuk mund të mos e admirojë autoren për atë këmbëngulje të rrallë për të shfaqur vlerat e plota të kohezionit familjar. Lexuesi e merr me mend se dëshpërimi i thellë përballë torturave kishte po ashtu një sistem vertebror të çeliktë, që ishin vlerat e familjes dhe, prandaj, rronte shpresa se, një ditë, nëna do ta shihte djalin e saj jashtë burgut, se një ditë ajo do ta shihte të martuar dhe se një ditë do të përkëdhelte edhe fëmijët e tij.

Në këtë mjedis jashtëzakonisht të shëndetshëm moral dhe kulturor ka pasur fatin të rritet edhe autorja. Prandaj, nuk është e rastit që ajo e thotë me një çiltërsi të habitshme poetike se: “Ëndrra herë na bëhet e shkuara, herë na vjen si e ardhmja, herë është ajo që dëshirojmë dhe herë ajo që jetojmë.” (faqe 76)

Deri më sot, unë nuk kam parë libër më të arrirë se ky i Iris Halilit që, me një elegancë kompozicionale kaq fine, të bëjë me një kirurgji fjale autopsinë e luftës së klasave, e cila ishte për pesëdhjetë vjet kanceri më i tmerrshëm në trupin e shoqërisë shqiptare. Sot është e vështirë t’ua shpjegosh brezave të rinj se çfarë do të thoshte “njeriu me biografi të keqe” apo “njeriu me biografi të mirë”. Por, kur lexon librin e Irisit, e kupton fare mirë se pse, si fëmijë në shkollë, kur u dha lajmi se diktatori vdiq, asaj i shpërtheu e qeshura… Dhe se si ajo, dashje pa dashje, e kishte shfaqur gëzimin për vdekjen e tij, pavarësisht se gjyshja, me atë inteligjencën e saj emotive, gjithnjë e kishte porositur që të ishte e kujdesshme dhe e përmbajtur për të mos u dhënë shkas atyre që e kishin në dorë ta ashpërsonin edhe më tepër luftën e klasave.

Në këtë vështrim, nuk e di se pse, duke e lexuar librin, m’u kujtua nobelistja ukrainase Svjetllana Aleksijeviç, e cila mori Nobel në vitin 2015 pikërisht për kurajon e saj kundër regjimit totalitar. Libri i saj “Zërat e utopisë” është një miksturë e gazetarisë dhe e letërsisë fiction. Megjithëse Halili e ndërton rrëfimin e saj si një miksturë midis kujtimeve të fëmijërisë dhe gjendjeve emocionale të personave realë, pra pak ndryshe nga nobelistja ukrainase, ajo arrin që po ashtu, si ajo, ta rrëmbejë vëmendjen e lexuesit në këtë shkrirje fakt–emocione.

Prandaj, do të thosha se nuk ka asnjë pikë rëndësie se çfarë mund të quhej libri i saj, bazuar në manualet estetike të derisotme. As librin e Aleksijeviç dhe as librin e Halilit nuk mund t’i quash romane, në kuptimin klasik që ka kjo fjalë. Por, si njëra edhe tjetra, për shkak të fuqisë së shprehjes dhe densitetit të mendimit, arrijnë të sjellin drama e tragjedi njerëzore me po atë fuqi që i kanë sjellë romancierë të letërsisë fiction.

Duke e sjellë asociacion me ukrainasen Aleksijeviç, nuk kam kurrsesi për qëllim të bëj ndonjë krahasim të imtë. Por desha, megjithatë, të vë në dukje se ndonjëherë vepra që meritojnë vëmendje të thellë, tek ne, ose neglizhohen, ose priten me komplimente të ekzagjeruara që përfundojnë në harresë, për fat të keq.

Prandaj unë u entuziazmova aq shumë kur profesor Ukë Buçpapaj shkroi këto fjalë më 9 janar 2026 për librin e Iris Halilit: “Libri ‘Eleganca e lotëve’ i Iris Halilit është të paktën 15 kate vlera më lart se të gjithë librat e Lea Ypit: …”

Sot, nëse ke altoparlantët e pushtetit, mund të të shesin edhe për “gjeni” (siç na e servirën atë Ypin). Rasti i Iris Halilit nuk mendoj se është i tillë. Por, aq sa kam intuitë unë, ajo dhe libri i saj “Eleganca e lotëve” meritojnë vëmendjen maksimale të elitës letrare shqiptare. Ne nuk e kemi luksin t’i shpërfillim raste të tilla.

Iris Halili meriton përkrahjen maksimale për të mbërritur një ditë aty ku sot për sot mund të quhej utopi. Sepse ajo, me librin e saj, ka nderuar veten, por mund fare mirë të nderojë edhe Shqipërinë…

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT