-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 6 mars 1998, kërkonte që Kosova të merrej urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake/
-LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ – Reportazh nga Prekazi i vitit 2010 dhe raportime që kam bërë para 21 viteve në ditët e marsit 1998/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 5 Mars 2019/ Në Prishtinë u mbajt sot ceremoni ushtarake për nder të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresës heroike e flijimit legjendar për liri e pavarësi të Familjes Jashari në Prekaz.
Në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe popullit tonë, ceremonia e manifestimit u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, nën organizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në ceremoni morën pjesë drejtues institucionalë e politikë të Kosovës shtet prej 11 vitesh nga 17 shkurti historik 2008 dhe 20 vjet e lirë nga qershori 1999.
Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.Para 21 vitesh, në 5 mars 1998, raportoja nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë se forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.
Forcat serbe kishin zënë pozicione fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare. Prekazi po qëllohej edhe me topa të rëndë, dëshmonin burime të raportimeve që bëja nga vendi i ngjarjeve, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 6 mars 1998, në një konfrencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas, përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohej urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merrej, poashtu, urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.
PRESIDENTI THAÇI NË 21 VJETORIN E EPOPESË SË UÇK-së: TË BASHKUAR BËJMË HAPA GJIGANTË
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se me nderimet më të larta shtetërore kujtojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Kjo sakrificë sublime, sipas tij, bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.“Bota filloi ta kuptojë drejtë Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptar”, ka shtuar ai.
Kreu i shtetit ka thënë se sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që sakrifikuan për çlirimin e Kosovës.
“Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri. Kujtojmë 13,500 civilë shqiptarë të vrarë, rreth 400 masakra kundër shqiptarëve, rreth 20,000 gra të dhunuara shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi para qindra ushtarëve të rreshtuar për ndër të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Presidenti ka thënë se në këtë përvjetor për herë të parë Epopenë e UÇK-së po e shënojmë me ushtrinë e Kosovës, të njohur edhe ndërkombëtarisht si forcë moderne, profesionale dhe shumetnike.
“Ecja e Kosovës përpara është e pandalshme. Po konsolidohemi në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigantë. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do t’i forcojë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: VETËM NJË POPULL QË ËSHTË I GATSHËM TA MBROJË LIRINË ME ÇMIMIN E JETËS, E KA TË ARDHMEN E SIGURT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 21 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve, tha se heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, na kanë dhënë këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:
Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia europiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet. Dhe duke i respektuar të tjerët që jetojnë pranë tij.
Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, na kanë dhënë këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Vota për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë dhe Kosovës dhe për Shërbimin për këtë forcë, e lartësoi emrin e atdheut.
Të zgjedhurit e popullit të Kosovës, me 107 vota i thanë po një projekti nacional që vjen në formë euroatlantike, që ka qëllim paqen dhe që i dedikohet paqes.
Shërbimi në Forcën e Kosovës do të jetë nder e privilegj, por edhe patriotizëm i gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë edhe atyre të komuniteteve etnike.
Sot, këtu, ri-takohen në rresht të gjithë brezat e çlirimtarëve të Kosovës, të mishëruar në flamurin e ushtrisë sonë të paqes dhe flamurtari i parë, eprori i të gjithë eprorëve, gjenerali ynë, gjenerali i gjithë gjeneralëve, Komandanti ynë Adem Jashari.
Ushtria e Kosovës vjen në paqe dhe ajo nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug dhe as në veri. Por ajo do të jetë aty për paqe për të gjithë që jetojnë në Kosovë.
Në miqësi të përhershme me Amerikën dhe në partneritet me aleatët tanë strategjik, ne do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën çfarë e ëndërruan çlirimtarët! Këtë ua kemi borxh brezave që vijnë.
Të dashur ushtarë dhe oficerë,
Nderi dha lavdia e çdo ushtrie është në doktrinën e tyre, doktrina jonë është e lirisë dhe është e paqes.
Lavdi heronjve dhe dëshmorëve që kujtojmë sot,
Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari!