Nga Rasim BEBO/ Çikago/Ulërimat e nënave kur shikojnë fëmijët e tyre në rrezik, janë aq të llahtarshme, sa ndikojnë, siç thotë Viktor Hugo: “Edhe te me më të egrit dhe më gjakësorët, të cilët kanë edhe ata çaste të tyre të melankolisë”. Dhe ja pikërisht. kundërrevolucionari më i rrezikshëm i Francës, Konti De Ladenak, në kohën kur vihej në pikëpyetje kush do të fitonte; O Vandeja kundërrevolucionare ose revolucioni Francez, ky urdhëroi që fëmijët e rrethuar nga revolucionarët, të dilnin jashtë kështjellës, nëpërmjet deriçkës sekrete që dilte nëpërmjet një tuneli sekret, diku lartë, prapa kodrës, në një vend të fshehtë në pllajë. Viktor Hugo përshkruan në romanin historik “Viti 93”, se Konti në dalje e sipër nga kështjella, dëgjoi ulërimat e tmerrshme të një gruaje, që kërkonte fëmijët, e cila sapo doli para kodrës, pa kështjellën në flakë dhe diktoi aty fëmijët e saj, teksa po u afrohej flaka për ti përlarë në katin e tretë. Ajo ia dha ulërimës për shpëtimin e fëmijëve. Konti De Ladenak, në vend që të dilte nga kështjella, u kthye mbrapa, rrëmbeu dy fëmijët nëpër flakë dhe i zbriti poshtë, duke ua dorëzuar revolucionarëve. Por fill në këtë moment, një dorë e fortë e kapi nga jaka e xhaketës dhe e tërhoqi poshtë. E burgosë dhe po prisnin gijotinën për t’i prerë kokën…
Por në Shqipëri, një djalë 22 vjeçar, duke shëtitur anës detit, ku takohen lëpirjet e ujit me rërën, duke ecur zbathur në muajin gusht të vitit 1962, kujton, se në moshën 16 vjeçare e kishin arrestuar si “armik i popullit” dhe kur ishte duke vuajtur dënimin e tmerreve të Burgut të Burrelit, në veri të vendit, vuri re një tabelë të shkruar, me një diçiturë te llahtarshme: “Burrel, këtu hyn dhe nuk del”. Në ato shtatë vjet burg, i vinin në kokë mendime të llahtarshme, se aty jeta me vdekjen takohej dhe ndahej shpesh. Dhe kjo shkonte deri në eleminimin e ajkës së kombit, që po rrallohej nga koha në kohë, duke i çuar njerëzit në breg të ndonjë lumi, ku u jepnin vdekjen, pa u lënë as varr pas mbi tokë. Por Ky djalë i ri, përfitoi shume nga thesaret e atyre kolosëve nacionalistë që ndodheshin aty, duke thithur një kulturë universitare, për aq kohë sa qëndronin bashkë në këtë jetë të vdekjes, që ndeshej çdo dite gjatë jetës së burgut.
Z. Memishaj, i burgosur politik, dekoruar me medaljen e ARTË “Naim Frashëri”, Këtu në diasporë, kryesisht në Çikago, ka qënë dhe është në kryesi të Komunitetit Shqiptaro- Amerikan, si aktivist dhe organizator në festat kombëtare dhe në veçanti në festat e flamurit, duke kontribuar kurdoherë në çdo fushatë në dobi të kombit. Familja e Memisha Gjonzenelit, si nacionalistë të vendosur të Kombit Shqiptare, përbëhet nga ta njerëz, që mbi kurrizin e tyre kaloi kalvari më i rëndë dhe më i ashpër komunist.
Nga z. Memisha Gjonzeneli, citojmë tregimin e jetuar “Armiku”, që është i ngjajshëm me atë që tregon Viktor Hugoj para 320 vjetёve.
Memisha Gjonzenelaj tregon: “Kishin kaluar shumë vite, që kisha dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik I popullit” , isha vetëm 16 vjeç kur më arrestuan… Një pasdite po shëtisja buzë detit. Ishte verë, këmbët i fusja në ujë për t’u freskuar dhe këpucët i kisha lënë në anë të detit. Kisha humbur në kujtimet e mia, por më solli në vete një Klithme gruaje:
-Po mbytet, ndihmë, ndihmë, më shpëtoni djalin, amani ndihmë!… – dhe donte të futej në det ashtu siç ishte veshur.
Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë një grua të lebetitur që bërtiste me të madhe. Në sipërfaqen e detit, para saj 50 – 60 metra larg, dallova një kokë njeriu që herë zhdukej herë dilte mbi sipërfaqen e ujit. Nuk mendova gjatë, u lëshova me shpejtësi drejt djalit që po mbytej. Ndofta ishin lëvizjet e fundit të tij. Kur u afrova djali u fundos dhe më humbi nga sytë. U zhyta thellë me kokë poshtë në thellësi të detit pa menduar se ç’po bëja. E kërkova me sy hapur dhe mezi e diktova, që po e tërhiqte tutje rryma detare, ca flluska ajri të fundit po i dilnin nga goja. E mbërtheva, pa u menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua por fatmirësisht e nxora në sipërfaqe. E tërhoqa me mundim deri në anë të detit. Ishte një fëmijë rreth 15 vjeç. Në anë të detit ishin grumbulluar njerëz të tjerë.
Unë e ktheva përmbys kokë poshtë. Uji filloi të dalë nga goja. Nëna e tij lebetitej dhe s’më linte të punoja. E hipëm në një makinë, dhe e çuam drejt e në spital. Sa u futëm brenda, unë doja të ikja, isha zbathur dhe i lagur, këpucët i pata lënë në anë të detit, dhe më vinte zor të hyja brenda. Por infermierja më tha:
–Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu. Ky fëmijë do të ta ketë borxh jetën. Ejani ta shihni!… Ishte dyllë i verdhë, por po e merrte veten.
Doktori kërkoi të afërmit e fëmijës, dy qytetarë që më shoqëruan mua, thanë se nuk i njohim fare, e pamë që kishte nevojë për ndihmë, e ndihmuam, detyra e jonë mbaron këtu. Ashtu bëra dhe unë…
-Jo tha mjeku, ti do të rish këtu, deri sa të vije ndonjë nga të afërmit!…
Pas pak u dëgjuan të bërtitura te dera, ishte e ëma e djalit, të cilën nga nxitimi nuk e kishim marrë në makinë.
-Amani, amani, më shpëtoni djalin, se e kam të vetëm, – tha ajo dhe hyri brenda, ishte katandisur në pikë të hallit. Doktor, të lutem më shpëto djalin!… dhe nuk priti përgjigje shkoi me shpejtësi në dhomën e të birit. Ai i hapi sytë. Ajo filloi ta puthe dhe ta përqafonte duke falënderuar për mrekullinë që bëri zoti, pastaj u kthye nga unë më përqafoj fortë dhe me puthi në të dy faqet.
-Të faleminderit, të faleminderit !…- më thoshte mua pa pushim. Ndërkaq po vinte edhe i ati I fëmijës, që ishte oficer I sigurimit. Unë e nuhata dhe nuk doja t’i dalja përpara. I kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, që babai I djalit të mos më gjente aty. Dola jashtë, ashtu i lagur dhe zbathur. Më vinte turp dhe ndërsa ecja ashtu i menduar, më kaloi pranë me shpejtësi një makinë policie. Ktheva kokën dhe pashë. Në makinë thashë me vete do te ishte babai I fëmijës që unë I shpëtova jetën. Pas ca ditësh rastësisht takova doktorin . Sa më pa, filloi të qeshë. -Ç’farë ke?- i them?
–Atë dite, që ti solle fëmijën e mbytur, -më tha doktori, – erdhi i ati i djalit. Kur mori vesh që të birin e kishe shpëtuar ti, iu kthye djalit i nervozuar: “E shikon ç’farë na ke bërë more palaço?!” Djali mbuloi kokën me çarçaf. – Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë jetën një armik I popullit, një i burgosur politik. Atë e njeh gjithë Vlora…Ua,- tha e shoqja e habitur dhe e trembur- po unë e putha dhe në faqe! …Si? -bërtiti ai, – të pa njeri?.. – Jo tha gruaja – vetëm doktori… Epo doktori është yni… Po ku e dija unë, more burrë se cili ishte ai, po ta shikoje si notonte në det ai, sikur ecte me këmbë në ujë. Sa bërtita unë, ai u gjend tek djali… -Ah moj grua, – tha ai i mërzitur, ti nuk i njeh ata se ç’farë armiqsh janë. Dosjeve të tyre u vëmë gjurin kur i shtrëngojmë, kaq shume krime kanë, po harroje atë njeri !”.
Oficeri i sigurimit nuk tregoj mirënjohje ndaj personit që i shpëtoi jetën të birit… Pse? Se ai bashkë me urrejtjen kishte dhe frikën që e dominonte më shumë. Ai kishte frikë nga ndonjë shok i tij, se mund ta denonconte. Dhe pastaj vijmë te fjala e Çërçillit që thotë: “ Komunistët hanë pjellën e vet”.
Organi që i dha Memos dekoratën e Artë, nuk e bëri për demagogji, por për meritë të padiskutueshme. Pavarësisht, pse shteti mbrohet nga këta oficerë të sigurimit, që nuk e njohin mirënjohjen në raste të tilla.