Historia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA/
TIRANE, 16 Mars/ – Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë zgjeruar 24 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke u shtrirë në të gjitha fushat, në interes të të dy vendeve e popujve, në interes të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit e më gjerë.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922.
Në një vështrim të përgjithshëm, marrëdhëniet midis vendeve fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.
Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të, janë aleati i pazëvëndësuëshëm i demokracisë dhe i shtetit shqiptar.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve është i orientuar në drejtim të forcimit të stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal; konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë; thellimit të reformave dhe të zbatimit të ligjit në Shqipëri; të ekonomisë, tregtisë dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut; të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.
Këto marrëdhënie të bashkëpunimit të gjerë dhe partneritetit të ngushtë, janë një bazë e sigurt që ato të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, në interes të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë e më gjerë.
– Bashkëpunimi ekonomik –
Duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që edhe marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në të njëjtin nivel. Aktualisht, në Shqipëri, janë të pranishme rreth 180 biznese amerikane të të gjitha përmasave dhe nga një spektër i gjerë i ekonomisë.
Janë krijuar të gjitha kushtet tashmë për një prani shumë më të dukshme të kapitaleve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë sonë. Mbështetja substanciale që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, nëpërmjet agjensive të saj, për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, krijon kushtet për rritjen e investimeve të drejtpërdrejta amerikane.
Në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Ndërsa si biznese private të pranishme në Shqipëri, apo pjesëmarrje në projekte mund të përmendim: Lockheed Martin, Bechtel, EximBank, etj, si dhe prania në projekte me partnerë të tjerë si ASG Power, Airport Partners, etj.
– Marrëveshjet Shqipëri-SHBA –
Ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, traktate në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.(Anila Struga-ATSH)
Pal Delia says
Amerika me zemer ka qene gjithmon me popullin shqipetare pavarsisht regjimit te izoluar zoti Biberaj ka bere nje pune te madhe https://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww