Protesta e studentëve të Gjimnazit të Shkodrës,me drejtor Prof.Mirash Ivanaj, ditën e Festës së Flamurit,28 Nëntor 1927/
Nga Pertefe Leka/
Gjimnazi i Shkodrës që u hap në vitin 1922,u zgjerua shumë shpejt me nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë,të Kosovës,Çamërisë,dhe nga trevat shqipfolëse që kishin mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shkolla nuk qe vetem një qendër mësimore – edukative, por edhe një çerdhe patriotike,ku mësonin nxënës të tre religjioneve.
Në këte vatër mësimi, një rol të rëndësishëm për edukimin patriotik ka luajtur mësuesi i përkushtuar dhe drejtori i Gjimnazit Prof.Mirash Ivanaj. Nëpërmjet mësimit mëkonte dashurinë ndaj atdheut, duke ngulur vështrimin ndaj të vërtetës historike.
Ishte Ivanaj i Madh siç e etiketonin shkodranët, i bindur se shqiptari mund t’i kryej vetë punët e tij, të drejtojë e të krijojë.
Kulti i besimit të tij, ishin vlerat kombëtare në ripërtëritjen e vendit me zhvillimin e kulturës e të arsimit dhe këte e tregoi se kjo vjen vetëm me patriotizëm nëpërmjet shkollimit.
”Për ne, çdo vend në Shqipni asht Shqipni dhe e besojmë të përshtatshëm, e në kjoftë se nuk asht do ta krijojmë të tillë ……për me krijue qytetarë besnikë, por në vendin e parë shqiptarë të mirë.” M.I.
Ai vetë punoi me patriotizëm të lartë dhe me kompetencë profesionale.
Në veprën e tij shumëdimensionale, i dha zemër rinisë dhe elementeve përparimtarë, intelektualëve duke u bërë modeli më i shkëlqyer për t’u marrë shembull.
Prof.Mirashi nuk punoi i vetëm,Ai e gjeti të ngritur këte institucion një vit më parë dhe e vazhdoi punën e paraardhësve po me aqë përkushtim si ata. Pas gjashtë viteve, kur po përgatiteshin provimet e maturës së parë në gjuhën shqipe, Drejtori u shpreh me entuziazëm: ”Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë ky hap me cilin fillon Indipendenca në fushën arsimore të kombit shqiptar”
Ngjarja e festës së 28 Nëntorit 1927 ndodhi kur drejtor ishte Prof.Mirashi, prandaj e pashë me vend të bëja një lidhje të tillë,me nxënësit e tij
Ja si e paraqet Dr.Jakov Milaj,zhvillimin e protestës.
(Jakov Milaj 1911-1997.U lind në Fier .Mjek veteriner i lauruar në Torino.Figurë shumplanëshe e botës intelektuale shqiptare.Punëtor dhe studimtar i zellshëm,hulumtues i shumë studimeve shkencore, që kulmojnë me veprën e rendësishme, “Raca shqiptare” 1944. Nacionalist, pjesëmarrës në kryengritjen e Fierit, ministër në qeverinë e Maliq Bushatit 1944.Dënuar me 15 vjet burg nga Gjyqi Special 1945.Më pas punoi si mjek veteriner i thjeshtë i përfshirë në rrethin e luftës klasave.
Ndërmjet të tjerave Dr.Milaj shkruan:
“E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në Shkodër, ka qenë punë patriotike. Unë po përmend një fakt:
Me 28 Nëntor 1927, nga nxënësit e gjimnazit tonë u bë demonstrata kundër Bankës Kombëtare, pse në ballkonin e saj, flamuri ynë ishte vendosur në anën e majtë, kurse flamuri italian në të djathtë.
Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh, ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve .
Policia,sa pa studentët që filluan demonstratën, njoftuan menjëherë Drejtorin që të merrte masa.Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë.Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes, Ai u ngjit në këmbën e parë të shkallës dhe na foli me butësi.Ndër të tjera na tha se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demostratë kundër bankës.Në vazhdim e sipër, na tha se detyra e parë e nxënësve është që të shikojnë mësimet dhe përfundoi me këto fjalë të buta”Ju tani jeni të rritur,e kuptoni të mirën e të keqën e vetes e të Atdheut, unë ju këshilloj që të shihni mësimet .Ju e dini vetë si të veproni.” Këta këshilla na u dukën më tepër se aprovim. Shtytje për veprimin tonë. Nga shkolla dolëm më të vendosur.Pas dreke demonstrata vazhdoi më e ashpër.
Në mbarim të saj,policia arrestoi nja njëzet nga shokët tanë më të rritur.Të nesërmen shumica u liruan dhe mbetën në burg vetem 6 vetë,të gjithë pa përkrahje.Për ushqimin dhe fjetjen e tyre Drejtori (M.Ivanaj që kishte edhe drejtimin e konviktit )interesohej shumë.Nga konvikti u dërgonte ushqime dhe shtresa të arrestuarve prej të cilëve, dy ishin konviktor.Çdo natë që i vizitonte, i këshillonte që të hanin mirë, të mos ftoheshin dhe të mbanin gjakftohtësinë.
Një jave më vonë, në mbrëmje, kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës Drejtori i zymtë në fytyrë,na mblodhi përsëri në korridorin e shkollës dhe na liroi pa bërë asnjë koment për telegramin e Ministrisë së Arsimit, me anën e të cilit njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë.Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhërin epror.Sipas fjalëve që na treguan 6 shokët, Drejtori u kishte thënë:”Demonstrata vertetoi se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë,por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica.”
Me këmbënguljen e Drejtorit,të dënuarit u falen, me përjashtim të njerit, të tjerët rifilluan mësimet….
(Marrë nga fjala që mbajti Dr.Milaj,83 vjeçar,në vitin 1933,në Tiranë me rastin e 40 –Vjetorit të vdekjes së Prof.Dr.M.Ivanajt.)
Të njëjtën gjë pohon edhe studenti i atij Gjimnazi,Jahja Domnori.në fletoren “Jeta ime“i ka lënë një vend të veçantë shkrimit “Ulja e flamurit Italian në Bankën Kombëtare”
Në atë kohë, Jahja Domnori,ishte nxënës në vitin e fundit dhe bënte pjesë në maturantët e parë të Gjimnazit të shtetit në Shkodër, në degën pedagogjike.Ata ishin edhe mësuesit e parë që dilnin nga ajo shkollë.
Duke qenë se bënte pjesë në grupin e më të rriturve të shkollës, ishin marrë me organizimin e aksionit, për heqjen e flamurit Italian.Si i pranishëm në momentin kulmor të aksionit shkruan:
“Unë me shokët Agustin Shestani (nga Kraja) Jup Kazazi Jahja Baçe…gjetëm një shkallë.Na ma të medhejt e mbajtëm shkallën, ndërsa Jahja Baçen, që ishte më i vogël në trup e ngjitëm lart, që të tërhiqte flamurin Italian të vendosur në të djathtë të Bankës Kombëtare.
Në momentin e tërheqjes na erdhi policia dhe na arrestoi.
Atëhere komandant ishte Hajdar Qyrku.Ata krijuen dyshim se na ka shti Konsullata Jugosllave,sepse me ne ishte edhe Agustin Shestani,që jetonte në Krajë të Malit të Zi. Na nuk mund ta shihnim flamurin e huaj ma të nderuar, aqë ma tepër në ditën e Festës së Indipendencës.
Ma vonë morëm vesh se Prefekti,Javer Hurshiti,kishte njoftue Ministrinë e Brendshme e kjo Bankën Qendrore e cila ka urdhnue me ba rregullimin.Pra, vetë banka e ka ulë mbas protestës tonë.
Mbas përjashtimit tonë nga shkolla ishin përpjekjet e Zotni Mirashit që na u kthyem përsëri në shkollë,vetem Agustini nuk u kthye.Ate e larguan nga shkolla vetëm pse jetonte jashtë kufijve shtetnor, kur të gjitha përgatitjet i kishim ba na të tjerët,sepse ai ishte konviktor,ishte shumë patriot dhe erdhi mbas nesh për ta krye sa më shpejt aksionin.
Marre nga Jahja Domnori,“Jeta ime”,Mësues i Merituar, drejtori i shkollës së parë shqipe në Ulqin 1941.. Vlorë, Dibër Peshkopi,Durrës, Shkoder…
Të gjithë studentët e adhuronin,Prof.Mirashin, jo vetem si edukator, mësues i shumë shkencave dhe atdhetar, por për anën e përkryer morale, që rrezatonte edhe tek studentët. Askush ma bukur se Mitrush Kuteli bashkëvuajtës me Mirash Ivanajn e ka dhënë portretin moral:“Dr.Mirash Ivanaj emër i bardhë si Dëbora, të cilit rinia shqiptare i mban një emër, një vend mirënjohje, një predestinacion, them për të vajtur në emrin dhe për emrin e Kombit”