Më 1912, dëshira e çlirimit ish mjaft e përhapur në Shqipëri, po mbetej një dëshirë platonike pa shpresë të vërtetohej. Lufta balkanike, duke përmbysur fuqin’e Osmanllive n’Evropë, i ndroi punët me një herë : ëndëra e një mbretërie shqipëtare, gjer die një ëndër vetëm, tani ndofta munt të bëhej e gjallë, osè mund të bëhej erë e të humbiste bashkë me kombësinë t’onë. Që ky rezìk ish më afër se ajò shpresë, u provua sheshit edhè nga marëveshja e shkruar e mbretërive të Ballkanit, edhè nga sjellja e disà fuqive të mbëdhà si Rusia edhè Franca.
Katër burra ngulnë këmbë që të bëhet Shqipëria : Kryeduka Franc Ferdinandi, konti Berchtold, kont Tisza, generali Conrad von Hoetzendorf. Po t’a mohojmë këtë të vërtetë, do të bëjmë ndofta politikë, po jo histori. Pastàj, Franc Ferdinandi edhè Tisza gjetën një vdekje të tmeruar, Berchtold-i dhe Conrad-i janë mbë dhè, mbretëria e Habsburgut u thye në dhjetë copë : kujt munt t’i bëhet dëm në thënçim të vërtetën ? Atà TË KATËR, që përmëntmë, nukë “ngulnë këmbë” me fjalë, gjë miaft e lehtë, por me punë, duke thirrur nën’armët e duke hedhur në kufì të Sërbisë tetë-qint mij ushtarë. Jo vetëm jasht’ Austrisë nukë çau njeri kokën të tundë një ushtar të vetëm, a të pakën të thotë një fjalë të caktuar e të mbrehur për lirin’e Shqipërisë, po edhe n’Austrì – Hungarì brënda mejtimet ishin të ndara : vetë imperatori Franc-Jozef nuk e donte me domosdò themelimin e një shteti shqipëtar. Po vullneti i TË KATËRVE ishte aq i fortë dhe i prerë, sa s’kish vënt as pakë për dobësì.
Më të nisur të Vjeshtës së Tretë 1912, punët qëndrojin pra kështù : – Një pjesë e rëndë e pòpullit shqipëtar dëshëronte lirinë ; një Fuqì e madhe ishte gati t’i ndihte me gjithë barën e diplomasisë saj, e po t’ish nevojë edhè me armët. Që të merte puna një udhë të mbarë, mungonte një gjë e tretë : një orgán për të vënë në punë dëshirën e Shqipëtarëve edhè mejtimin e Austrisë. Ky orgán u-gjent me një herë.
Ditët e para të luftës, Ismail Qemal Beu i shkoj në Stambòll, i hequr më nj’anë, dyke heshtur e dyke përgjuar punët. Pas Lulè-Burgazit, u kuptua se Turqia e humbi luftën, e bashkë me luftën edhè urdhërimin e saj në Ballkàn. Ismail Qemali doli nga vrima, u hoth në Bukurêsht, e andèj në Vienë, ku, që të përdorim një fjalë të popullit, “ i kish rënë era kërmë ”. Plaku zëmër-thatë e i vdekur nga ç’do ndjenjë, s’humbi kohë me prralla idealiste, po nisi të shtrojë listën e harxheve : harxhe që s’kish në mëndje t’i bëjë, as i bëri kurrë. Berchtold-i krusur nën barën e mejtimeve, s’kish ngè të bëjë pazarllëqe me një Armèn të Bezestenit, po me sy të mbyllur, dhá ç’i kërkuan. Ismail Qemali torbën me florì nënë sqetull edhè me një turmë nga pas, i hipi në Trièsht një gjemie edhè doli në Durrës. Atjè, mblodhi edhè ca njerëz të tjerë, edhè të gjithë, ca kaluar ca më këmbë, ca në qerre të hèqura prej buajsh, u nisnë për në Vlorë.
Kjo karavanë, e përzjerë, e varfër, e qelbur, në çdo rast tjatër do t’ ish për të qeshur ; po taní, shpinte fatin e një kombi të vjetër, e nga madhësia e barës, merte një farë madhësie edhè vetë. Passi Sërbët ishin në rrethet e Elbasanit, karavana kish zgjedhur një udhë të vështirë ngjat detit. Ismail Qemali, i ngrysur e i rëndë, me maskën e Moisiut të ngjitur mirë në faqe, mbahej si një profèt i theatros edhè kalonte pa folur. Më në funt, Dheu i Premtuar u duk, Vlora e lodhur, e shtrihur në zall të detit.
Çdo njeri ka orën e tij, një orë që i kapërxèn të gjitha të tjerat nga bukuria e nga forca edhè është si maja më e lartë e një jete. Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjëmbrehur e tij ngrijti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-Beut, katërqind vjet të harruar, çasti, i math për Shqipërinë, ka qënë edhè më i bùkuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit. Sikur të kish vdekur të nesërmen, do të kish mbetur i ritur dhe i paharruar në zëmër të popullit. Po rojti. Rojtì miaft sa të çbëjë me rënjë atë që kish nisur edhè sa t’a ndyjë flamurin gjithë me atë dorë me të cilën e kish ngrijtur.
E para punë që bëri në Vlorë, ish të dërgojë njerës në Janinë t’u këshillojë ushtàrëve shqipëtarë të mos lëftojnë më kot për Turqinë, po të kthehen në shtëpit’e tyre se Evropa do t’i jipte Shqipërisë lirinë. Aqë budallà nuk ish Ismail Qemali sa të mos kuptonte se luftërat që bëheshin në Bezhan nuk ishin për të mbajtur Turqinë, rolli i së cilës ish i mbaruar, ishin për të ruajtur Shqipërinë nga invazioni. Po ca vjet më parë, Ismail Qemali kish shënuar me Grekët një rimarëveshje, pas së cilës kufiri i Greqisë edhè i Shqipërisë do t’ish nji ditë Viosa : më i besës te Greqia se te Shqipëria, ky “disfattista” para se të kriohet fjala, i çponte Shqipëtarët të dezertojnë ballën e Bezhanit që t’u hapej Grekëve udha e Shqipërisë.
Një tjatër pun’ e bukur e Ismail Qemalit ish këshilla që u dërgonte shqipëtarëve të mundojnë ushtarët e thyer të Turqisë, që xvarniseshin të urët e të lodhur nga sheshet e luftës. Kur ish kundrë Turqisë, pse nuk e goditte sa ish Turqia e gjallë dhe e fortë? Turqët pa dyshim na kishin bërë dëme, po a i ka hie një populli fisnik të shkelë e të shajë atà që janë mbë dhè ? Kur del tjatëri me dorën të zgjatur për lutje e me “amanin” në gojë, s’kè më një mik a një armik përpara, ke vetëm një njerì. Ç’mësim qytetërie për një popull, t’i këshillosh t’u përgjigjet me shkelme njèrësve të plagosur që kërkojnë një kupë ujë !
Jo, Ismail Qemali nuk u dëftua si një stërvitës i lartë i popullit, po si një negër me instikte shumë t’ùnjura.
E poshtër moralisht, sjellja e tij ish politikisht e lajthitur. Sa me atë mënyrë mbolli në zëmër të Turqve dëshirën e çpërblimit. Dhe s’ësht aspakë një paradoksë të thomi se kryengritja e Shiakut më 1914, u gatit më 1912 në Vlorë. Që të mos mbetej as një dyshim në mëndje të Turqve se Shqipëria e re u kish deklaruar sheshit e gjer në funt luftën, një njeri i sëmurë, i cili kërkoi dhe mori lejë zyrtare për të shkuar nga Vlora që t’i hipij vaporit, u vra mu në mes të qytetit kur e shpijin të shtrihur në një shtrat. Ismail Qemali kujtonte se kjo vrasje do t’pëlqehej sepse i vrari quhej Njazi ; po edhè një malok e di se është gjë e poshtër të ngitet një njeri që shkon nga kufiri yt i siguruar me fjalën, me besën, me nderin tënt.
Me të tilla, dhe me qint të tjera si këtò, Ismail Qemali e fillòi Shqipërin’e re, nxiu vetëdijat e Shqipëtarëve që prisjin dritë, edhè fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës. Pakë nga pakë i dolli turpi, hoqi maskën, u duk hajduti sheshit, gjer sa më në funt një oficer i Hollandës i vuri hekurat në dorë e në mes dy zaptiesh me sungjì përpjetë, e futi në vapòr edhè e nxori për gjithënjë nga sheshi i politikës.
Po me gjith’ këto turpe, dora e Ismail Qemalit do t’kujtohet për jetë në historì, se ngrijti e para flamurin e unjur katër shekuj më parë. Me këtë veprë, Vlora u bë me tepër se një qytét historik ; u bë një simbóll i pavdekur, dhe një copë e pandarë e shpirtit shqipëtar. Një qytet vetëm munt t’i afërohet : ajò Gjirokastrë ku, më 3 të qershorit 1917, generali Ferrero dha fjalën e Mbretit t’Italisë edhé vuri peng nderin e kombit italian që Italia do t’sigurojë “ bashkimin edhé lirìn’e gjithë Shqipërisë”.
3 Qershuar 1917
KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919 FAIK KONITZA
Foto: memorie.al
Dërgoi për botim: Eugjen Merlika