Lek Mirakaj/
Nuk ka dyshim se edhe për një kohë të gjatë kjo pyetje do shtrohet para opinionit publik.Them “për një kohë të gjatë” se do vijë një ditë që shoqëria jonë do arrijë në atë fazë zhvillimi që ta konsiderojë ashtu si në të vërtetë se është turp në rrugëtimin tonë drejtë një shoqërie e cila do konsiderojë edhe padrejtësinë apo krimin, qoftë edhe ndaj një individi, jo më ndaj pjesës më të madhe të popullit, një akt të dënueshëm dhe të turpshëm. Të nderosh ata që ranë për një qëllim është e drejtë dhe detyrë qytetare. Po ti ngatërrosh vlerat e momenteve që historia na ka servirë është e padrejtë dhe e pa saktë. 29 Nëntori do duhej të ishte një datë përkujtimore, jo festë kombëtare. Festa jonë kombëtare ka qenë dhe do mmbetet gjithmonë 28 Nëntori. Kjo datë kur fuqitë pushtuese janë larguar prej territorit tonë janë disa. Largimi i Austro-Hungarezëve, Francezëve dhe më e lavdishmja, lufta e Vlorës. Në e pothuaj tërë botën fitorja mbi fashizmin përkujtohet dhe me te drejtë. Ajo fitore solli avancimin e demokracive që ne i emertojmë demokracitë perëndimore. Po te ne çfarë solli 29 Nëntori që për hir të vërtetës nuk përfaqëson të vërtetën historike, solli diktaturën. E përsëris solli diktaturën që është shprehje e mohimit të të gjitha vlerave që shoqëria njerëzore ka përvetësuar ndër shekuj. 29 Nëntori është dita kur së pari u tradhtuan idealet e atyre që besuen se po luftonin për të sjellur drejtësinë shoqërore që e luftuen për të sjellur demokracinë është dita e parë e tradhtisë ndaj aspiratave të një populli të tërë. Ne duhet ta përkujtojmë 29 Nëntorin që mos të harrojmë se nga ajo ditë do fillonte njëra nga periudhat më fatkeqe të historisë tonë. Do fillonte ndërtimi i një burgu të stërmadh që do rrethonte tërë territorin me klone dhe tela me gjemba. Do na linte në ndërgjegjen tonë tmerret e Maliqit, të Bedenit, të te Burrelit, të Spaqit, Qafë-Barit, Tepelenës, Porto Palermos, Gradishtes e sa e sa emërtimesh që gjithmonë do na turbullojnë në vetëdijen tonë e do na kujtojnë se te ne, në emër të një gënjeshtre të stërmadhe, komunistët kryen krime monstruoze kundër njerëzimit. Thashë në fillim të shkrimit se do vijë një ditë ndërgjegjësimi që të kemi kurajon për të njohur gabimet tona. Më 29 Nëntor ndërsa në mënyrë hipokrite qeveritarët tanë të dy krahëve të politikës tundnin flamuj e banderola, një grup të rinjsh të Nismës Thurja, dolën me një propozim të avancuar për heqjen e emrave të vrasësve nga emërimi i rrugëve apo objekteve shtetërore. Me 29 Nëntor ndërsa tundeshin flamuj e ushtonin fanfara, një gazetar me kurajo qytetare Adi Krasta i jepte hapësirë dy individve të brezit të dytë, mua dhe të brezit të tretë z.Ervin Dine, dy “armiqve te popullit” për të treguar se 29 Nëntori është ditë zie dhe qeveritarët tanë në vend të flamujve duhet të shkonin kokë ulur te varrezat e ti kërkonin ndjesë të rënëve se idealet e të rënëve u tradhtuan atë ditë. Them se kurajoja për ta parë të vërtetën ashtu si është ka filluar të demonstrohet, kur sheh një iniciativë nga Washingtoni ku përfaqësues nga katër shtresa të shoqërisë shqiptare me shembuj, me analiza e prespektiva, demaskonin diktaturën dhe lëshonin thirrjen e famshme: Shqiptarë mos harroni. Duhet guxim qytetar për të rrëzuar përmendore të rreme. A do e bëjmë? po do e bëjmë se mendjet e hapura që vijnë me avancimin dhe progresin e intelektit dhe demokratizimin e shoqërisë, do na rradhisin ndër ato popuj që do kenë kurajon qytetare ti thonë krimit, krim, që mos të përsëritet më kurrë.