Nga Sadik Bejko/ Sivjet, në këtë 29 Nëntor, dua të kujtoj edhe ballistët. Nuk kam pasur ballistë në familje. Dua t’i kujtoj se ballistët ishin antifashistë, ishin republikanë, jomonarkistë, ishin antikomunistë për më tepër. Komunistët e përvetësuan luftën. E bëri partia, thoshin. Por pati dhe forca jokomuniste që luftuan. Luftën e bëri Shqipëria. Shqiptarët i deshën a nuk i deshën partizanët, dhanë bijtë për luftën, dhanë bukë, strehë, veshje. Shqipëria për 4-5 vjet ka qenë realisht/zyrtarisht shtet fashist. (Ne nuk e themi që kemi qenë shtet fashist, veç kur del me dokumente që edhe N. Xhunglini aplikonte për punë si fashiste. Nga halli, kështu thotë). Fashizmin shqiptari nuk e deshi. Po kush e pyeti? Nga shtet fashist më 1945 u bëmë shtet komunist. Si në asnjë rast tjetër në botë. Morëm një kthesë 380 gradë. Shqiptari nuk e deshi komunizmin. Të dyja (fashizëm e komunizëm) na i imponuan kohërat. Popujt e vegjël janë zare në lojën e historisë. Që nuk e deshi Shqipëria komunizmin e dëshmon një fakt. Asnjë nga elita intelektuale e viteve ’30 (shkrimtarë, profesorë, nëpunës karriere, ish-luftëtarë) nuk shkoi me komunistët e malit. Elita shqiptare nëpërmjet Branko Merxhanit “Pse nuk jam marksist” e kish thënë që ishte antikomuniste. Më 1939 disa përfituan nga të mirat e Shqipërisë fashiste. Me këmishën e zezë Nexhmija u bë mesuese. Enveri bënte kontrabandë duhani te “Flora” me ndihmën e biçakçinjve të Elbasanit. Qemal Stafa shkoi të studionte në Firence. Bukën e fashizmit hëngrën Kahreman Ylli, Bedri Spahiu e shumë krerë komunistë. Ndryshe ndodhte me nacionalistët, më pas Ballistët. U gjakosën që më 7 prill. Pas 7 prillit M. Frashëri, Ermenji, Butka etj u internuan në Ventotene. Çetat e Ballit dhe partizanët e luftuan bashkë fashizmin më 1942- 43. Si u përmbysën fatet në fund të vitit 19443? Pse u masakruan nacionalistët në Dunicë të Mokrës (35 ballistë), në Myzeqe (67 ballistë)? Pse ballistët, këta antifashistë të orëve të para, u shtynë të bashkëpunojnë me nazistët? Kjo është një pyetje për historinë. Lufta mbaroi pa fitimtarë. Më 1939 vendosi pushka e zezë e të huajit. Më 1944 vendosi pushka e kuqe e partisë. Popullin nuk e pyeti njeri. As referendum, as zgjedhje të lira. Ky nuk ishte çlirim. Të vij te fillimi. Sot dua të kujtoj Ballistët. Këto ditë një mik më pyeti: Ka ballistë antifashistë? Po. Ata ishin patriotë. Ata dinin të luftonin. Kanë qenë ballistë antifashistë (dhe antikomunistë njëherësh). Po. Kanë qenë shumë, shumë të tillë. Njeri prej tyre ishte vlonjati Hysni Lepenica, dëshmor i atdheut, që ra theror si antifashist në Gjirokastër më 1943.