Nga Fritz RADOVANI/
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…/
1945, 5 MARS…PUSHKATOHET DON LAZER SHANTOJA: (1892 – 1945)/
■Data e zezë e pushkatimit Don Lazer Shantojës, 5 Mars 1945 asht data e 70 vjetorit të fillimit të Gjenocidit komunist në Shqipninë e pushtueme nga sllavokomunistët e Titos, ditë e pafund e një robnije mizore prej tiranit Enver Hoxha me pasuesit e tij barbar.
■Përpjekjet e pafrut të kriminelëve Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu në Shkoder, dergue nga Enver Hoxha në Janarin e 1945, me porosi nga Tito per me “shkëputë Klerin Katolik Shqiptar nga qendra shekullore Vatikani”, nuk patën sukses as në Shkoder as, në Tiranë.
Bashkimi i Trojeve të Veriut per të paren herë, mbi bazen e gjuhës dhe kenjes Shqiptarë, në vitin 1941 nga forcat fashiste italiane, të ndihmuem nga Atdhetarë që e kishin andrrue këte bashkim nder shekuj me vllaznit e vet, krijuene shpresen e formimit Shtetit tanë të vertetë me kufinjë të tij deri aty ku flitet Gjuha Shqipe. Nuk perjashtohen këtu asnjë nga Lidhjet, marrveshjet e përpjekjet shekullore nder të cilat, Kleri Katolik ishte i pranishëm dhe i pakursyem për mërritjen e këtij qellimi të naltë ç’ prej kohës së Gjergj Kastriotit!
■I kësaj plejade të lavdishme ishte edhe Atdhetari Don Lazer Shantoja, i njohun që në vitët 1920 – 24 si demokrat i pashoq, publicist i pakrahasueshëm, nder oratorët elokuent ma të spikatun në Shqipni, poet e letrar i njohun, eseist dhe muzikant i lindun, një nder perkthyesit ma të saktë të shkrimtarëve Gëte e Shiler…Por, mbi të gjitha Shqiptar !
■Në vitin 1924 Don Lazri asht nder Yjet e Kombit Shqiptar, Ai shkelqen në qiellin shumë të trazuem të Shqipnisë me mendimet Përparimtare e Demokratike përkrah At Anton Harapit, At Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Don Ndre Mjedjës, Mark Kakarriqit, Gjon Kamsit dhe asht i gjetun mu në gjiun e ajkës së kulturës shkodrane Europjane.
■Në 2 Marsin e 1925, Don Lazri tregon haptas një dhimbje të madhe me rasën e vrasjes së Luigj Gurakuqit: “Gjyqi i Tranit – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut. Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësisë. Mussolini na e vrau me gjyqë…me armen e civilizimit e të drejtësisë! …
Se mund të quhet nji Baltjon Stambolla Avni Rustem e nji Luigj Gurakuqi Esad Pashë… Unë për vedi s’e kishe pritë kurr as prej nji avokatit italian! … Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgerdhimun satanik u qet me pij satelitvet të gëzueshem tue u thanë: Tash nuk drue ma kênd!” (“Liria kombëtare, 7 tetor 1925).
■E me të gjitha këto shprehje që ka shkrue (e sa të tjera), Don Lazrit “i vune” etiketen e fashistit, pikrisht atëherë, kur “nuk dij as sot, se cili akuzues i Tij nuk kje fashist!!”
■Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni!
Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa kanë ba nazistët nder kampet e tyne?
Shka do të thonte Bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni, të bamë kundër Atdhetarëve apo dijetarëve dhe Klerit Katolik?
■Si do t’i përgjegjej historisë Jusuf Alibali kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës, kur me datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi se: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja dënohet me vdekje, me pushkatim.”…E bash ato ditë… Nana e Tij Luçia, tek dera e qelisë e mbështetun nder hekra tue u thanë katilëve me lutje e dhimbje shpirti: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi…. mos e leni kështu djalin!..”.
■Prof. Dr. Angjela Çirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.
■Prof. Isak Ahmet shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër më të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “…letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.
■Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se, ishte meshtar i devoçëm, publicist i njohun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët barbar kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
■Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të atyne krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja, Kasem Troshani, Elez Mesi, Dul Rrjolli, Hamdi Ulqinaku etj. që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në Botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon banorë? ■Testamenti i Don Lazer Shantojës, lanë me 26 Janar, kur u arrestue në Sheldijë, asht dhe do të mbetët aktual per të gjithë Shqiptarët: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë se, komunistët janë veç tradhëtarë!”(Dosja nr. 174, Arkivi Tiranë)
***
■Pena e Don Lazer Shantojës vazhdon me kenë aktuale dhe e artë edhe sot!
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në ato gazeta si dhe në revista e fletore të tjera, si dhe qëndrimi i tij në 1924, (në kontradiktë me vetveten mbas 1940 ashtusi shumë të tjerë, ndoshta, për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi né rreshtojmë faktet e vetëm historianët e rijë të çliruem nga pasioni politik dhe paragjykimet… do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah dijetarëve ma të mëdhej si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës.
■Për këta Viganë si Don Lazer Shantoja, né Gegët duhët të krenohemi, e kemi pse?!
■Po persëris veten: “Yjet e Kombit nuk shuhen me ujë…e, as, nuk mbulohen me baltë!”
Melbourne 4 Mars 2015.
shkembi says
Një episod nga më tragjiket e ndodhun ndaj martirit të Fesë, Atdheut, Dijes dhe Demokracisë Dom Shantoja bani që të quhet Gjenocidi ndaj Klerit Katolik Shqiptar nga qeveria koumniste shqiptare pro-amerikane- ruse – angleze. Nëse kërkoni për efekt njohje dhe studimit shkencor të Historisë të Gjenocidit referojuni Dramës të D. Shantojës. Asnjë ngjyrë partije nuk duhet ta mohoji Gjenocidin!