Ndue Bacaj/
Si sot me 5 shtator 1997 nga planeti Tokë u shua një yllë mbi yje që sillte dritë, paqe, harmoni e shpresë për jetën. U shua nga kjo botë e përkohëshme për t’u ngjitur lart në Qiell në amshim Nënë Tereza. U shua duke na lënë si kujtim veprat e saja në sherbim të njerzëve në nevojë thuajse në çdo cep të globit tonë, duke na lënë në këtë tokë trupin të cilin e kishte marrë përkohësisht, ndërsa shpirti i saj shkoi në Parajsën qiellore ku rrinë Engjëjt, pranë Jezu Krishtit me emrin e të cilit jetoj e veproi. E ne vetëm tani e kuptojmë se Nënë Tereza nuk kishte qenë një njeri i kësaj toke, por kishte qenë një Engjëll i vërtetë që vetë Zoti ja kishte falë përkohësisht kësaj bote halleshume. Është fat i paçmuar për Racen tonë Ilire-Shqiptare që vetë Krijuesi zgjodhi bijën tonë për ta shenjtëruar, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë shenjtore. Kur kishte lindur Nënë Tereza ishte pagëzuar me emrin Gonxhe Bojaxhi, ndërsa emrin Nënë e mori gjatë misionit të saj të bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia si dhe sëmundjet e Epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin e saj shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe. Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Në këtë pervjetor të shkuarjes në amshim të shenjëtores Nënë Tereza, sot në ditë-festen e saj, mendova të citoj fjalët shqip (se ajo si shqiptare dinte të shkruante e lexonte shqip), për ne gjininë e saj të datës 10 dhjetor të vitit 1979 në Oslo ,kur do të merrte çmimin nobel: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë i luti Zotit që Paqja e Tij te vij ne zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”. M. Teresa Bojaxhiu. Gjithashtu për t’a mbylluar këtë shënim zgjodha të citoj disa “sentenca” të Shejtes Nënë Tereza, që kanë vlera të perjetshme:
-Paqja fillon me një buzëqeshje.
-Fjalët e sjellshme mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u shqiptuar, por jehoha e tyre është e pafundme.
-Uria për dashuri është shumë më e vështirë të largohet se uria për bukë.
-Nëse nuk ushqeni dot 100 njerëz, ushqeni një.
-E shkuara iku, e tashmja nuk ka mbërritur ende. Kemi vetëm të sotmen. Le t’ia nisim.
-Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjesia e të qenurit i padëshiruar.
-Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni.
-Çfarë mund të bëni për të reklamuar paqe në botë? Shkoi në shtëpi dhe dashuroni familjen tuaj.
-Nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit.
-Nuk na duhen armë dhe bomba për të sjellë paqen, por dashuri dhe dhembshuri.