Sokol Paja/
New York, 27 Maj 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, në Selinë Qëndrore zhvilloi homazh, përkujtim dhe nderim në vlerësim të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e qëndresës antikomuniste shqiptare si “Revolta e Spaçit” dhe një figure të shquar të nacionalizmit e patriotizmit shqiptar si Abdulla Rami.
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA foli Presidenti i Nderit z.Agim Rexhaj i cili u ndal te rëndësia e promovimeve të librave historik në Vatër, u fokusua te një analizë letrare rreth veprës së Hygoit dhe Shekspirit dhe vëndi i tyre në letërsinë dhe historinë e qytetërimit europian. Gjithashtu z.Rexhaj paraqiti detaje dhe kontribute të shquara të Abdulla Ramit në Shqipëri.
Ph.D. Ines Angeli Murzaku – Professor of Religion at Seton Hall University in New Jersey, Director of Catholic Studies Program and the Founding Chair of the Department of Catholic Studies at Seton Hall University në kumtesën e saj lexuar nga Editori i Diellit Sokol Paja, shkroi se libri “Përtej Harrimit”, është një dedikim i një mbese të devotshme për gjyshin, që jeton për të treguar diçka që gjyshi nuk mundi ose nuk arriti ta tregonte – një jetë të rëndë në kalvarin e tre burgjeve – Burgun e Tiranës, Burgun e Shtatë Penxhereve dhe Burgun e Burrelit, dhe internimi që ishte një zgjatim i burgosjes. Por, Abdullah Rami, diti të vazhdojë jetën intelektuale – mbase e vetmja rrugë për të mbijetuar dhe jetuar nëpërmjet njerëzve dhe historive të tyre që ai me mjeshtëri i përktheu.
Studiuesi Jozef Radi i ardhur ekskluzivisht nga Italia për këtë promovim e cilësoi librin “Monumenti i njeriut të lartë që bota deshi ta harronte”. Studiuesi Jozef Radi u shpreh se figura e Abdulla Ramit është figura e një njeriu që e do fort vendin e vet. Njeriu që luftoi për më të mirën për kombin e tij. Jeta e Ramit është jetë tragjike dhe përpjekje intelektuale për të mos u dorëzuar përballë së keqes. Studiuesi Radi u ndal dhe te vlerat e përkthimit ekselent të kryeveprës Shekspiri të Viktor Hygo, përkthyer në persekutim nga Abdulla Rami.
Studiuesja Valdete Cenalia Dida u shpreh se gjyqtari i ri Abdulla Rami kërkonte të zëvendësonte legjislacionin e trashëguar nga e kaluara me legjislacion të standarteve Perëndimore, por hasi në sharrën e kohës së komunizmit. Rami po mundohej t’i kushtonte vëmendje ndërtimit të një Shqipërie të lirë demokratike, etnike dhe bashkim kombëtar. Ambasador Bujar Skendo deklaroi se ishte mahnitur nga veprat që u prezantuan. Ai vlerësoi Ramin si vazhdues i traditës së shkëlqyer të përkthimit të Fan Nolit në letërsinë shqipe.
Gazetarja Rafaela Prifti u shpreh se libri “Përtej Harrimit” qëmton fakte historike dhe paraqet momente jetësore të Ramit, herë pas here në paralele me jetët e bashkëliceistëve dhe diplomantëve të tjerë shqiptarë, dhe të ndërthurura me vargje për figurat e Revolucionit Francez dhe figura si Invictus në poezitë e përkthyera prej tij, duke dhënë atë që është thelbësore. Ai thotë ndër të tjera se njerëzit vijnë e shkojnë nga kjo jetë, se qytetërimet lulëzojnë e shuhen, se mbretëritë madje edhe perandoritë janë të përkohshme por librat janë të përjetshëm. Dhe Abdulla Rami lindi për të jetuar në libra. Ai erdhi në jetë në Tatzat të Labërisë, u shkollua në shumë qytete dhe shkolla prestigjioze, u martua e krijoi familje, arriti në moshën 54 vjeçare kur doli nga burgu kishte qenë aty një të tretën e jetës së tij dhe pjesën tjetër ishte i detyruar të bënte punë të rëndë fizike që nga hekurthyes, ndërtimtari dhe bujqësi.
Autorja dhe përkthyesja Ermira Xhomaqi Godo në fjalën e saj ndër të tjera deklaroi se Shqipëria ka sot nevojë të domosdoshme punën me kujtesën, Shqipërisë i duhet një regjistër Kombëtar për Regjistrimin, Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Kujtesës sonë Kombëtare, Shqipërisë i duhen muzetë e viktimave dhe qëndrestarëve të totalitarizmit, memorialet e të vrarëve e të pushkatuarve pa gjyq e pa varr, Shqipërisë i duhen ditët e Kujtesës, jo vetëm në emër të viktimave të komunizmit, por mbi të gjitha Ditët e Kujtesës së Qëndresës ndaj diktaturës, muzetë “Akt Qëndrese e Lirie”, në nderim të Kujtimit të Kundërshtarëve politikë, të Disidentëve dhe të Martirëve.
Promovimi i sotëm te Vatra si përkujtim dhe homazh ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme si nga tematika dhe pjesëmarrja në kalendarin e aktiviteteve patriotike dhe kulturore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.