Dr. Bledar Kurti/
Më 31 tetor, 1517, Martin Luther-i gozhdoi në portën e Kishës së Wittenberg-ut, Gjermani, 95 tezat e tij, të cilat do shënonin fillimin e Reformacionit, do ndryshonin historinë e Evropës e të botës, duke reformuar rrënjësisht Krishterimin dhe themelet e shteteve si Gjermania, Zvicra, Anglia, Skocia, Vendet e Ulëta dhe Skandinavinë, duke shërbyer më pas edhe në themelimin e SHBA. Ndaj nuk është rastësore që këto vende protestante vazhdojnë të renditen të parat në botë për nivelin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe mirëqenien për qytetarët.
Reformacioni ndikoi në standardizimin e gjuhëve amtare të kombeve evropiane: anglishten, gjermanishten, etj, përfshirë edhe gjuhën shqipe me Mesharin e Gjon Buzukut (1555) i cili i shtyrë nga përkthimi i Martin Luther-it i Biblës në gjermanisht, përdori gjuhën shqipe e jo atë latine në formulën e pagëzimit, liturgjinë dhe shërbesën meshare.
Reformacioni tronditi monarkitë dhe supremacitë; themeloi konceptin e “rëndësisë dhe lirisë së ndërgjegjes”, e cila prevalon mbi çdo autoritet e duhet të udhëheqë çdo individ; ndikoi në hartimin e ligjeve dhe forcimin e sundimit të ligjit, në kushtetutat e shteteve; në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve; zhbëri gënjeshtrën e indulgjencave dhe nocionin e purgatorit; zhvlerësoi idhujtarinë ndaj ikonave dhe ofiqeve e traditave të mitizuara; ndryshoi artin dhe muzikën; transformoi rrjedhën e historisë së popujve; promovoi arsimimin e individit, si edhe ishte shtysë për ngritjen e universiteteve më të njohura sot në Evropë dhe SHBA.
Pesë pikat e Reformacionit:
• Sola Scriptura
• Sola Gratia
• Sola Fide
• Solus Christus
• Soli Deo Gloria
janë udhërrëfyes në njohjen tërësisht personale e jo “të tërthortë” të Trinisë.
Një njeri i vetëm, si Martin Luther, i hapi rrugën një plejade mendimtarësh të mëdhenj të cilët do ndryshonin botën.
Fjala, e varur mbi një portë solli Reformacion.
Fjala ndryshon historinë.
Dhe në aspektin jetësor e në të përditshmen tonë ne mbahemi pas këtij parimi, të manifestuar si: Mbaje Fjalën, Mos e shkel Fjalën, Peshoje Fjalën, Respektoje Fjalën, Mos e tjetërso Fjalën, Mbaj përgjegjësi për Fjalën, Dëgjoje Fjalën, etj.
Ndaj edhe: NË FILLIM ISHTE FJALA, mbetet një e vërtetë e patjetërsueshme.