-Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati takohet me kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi. Gjykata, divizion të veçantë për çështjet e ngritura nga investitorët e huaj/
PRISHTINË, 28 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati, sot takoi kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, me të cilin diskutoi edhe për punën e divizionit të posaçëm të kësaj gjykate për trajtimin e lëndëve të investitorëve të huaj.
Gjatë takimit, ministri Murati e informoi kryetarin Ibrahimi për punën dhe projektet e Ministrisë së Diasporës, të cilat i bën për tërheqjen e investimeve nga diaspora jonë, si dhe për kërkesat dhe ankesat që këta investitorë i përcjellin përmes rrjeteve të biznesit.
“Kam insistuar që nga fillimi për themelimin dhe funksionalizimin e divizionit të gjykatës për investimet e huaja, që funksionon në kuadër të Departamentit të Çështjeve Ekonomike në Gjykatën Themelore, ashtu që investitorët nga diaspora dhe ata të huaj të kenë një adresë ku t’i ngrenë çështjet që janë në kompetencë të Gjykatës”, tha ministri Valon Murati.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës, Hamdi Ibrahimi, e informoi ministrin se Divizioni i veçantë është funksional dhe ka filluar t’i trajtojë çështjet që janë ngritur nga investitorët e huaj, e që janë në kompetencë të kësaj gjykate.
“Është caktuar edhe gjykatësi që merret ekskluzivisht me këto raste. Deri tani, kemi rreth 5-6 lëndë, të cilat jemi duke i trajtuar”, tha kryetari Ibrahimi.
Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të jenë në kontakt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet që lidhen me investimet e diasporës dhe investimet e huaja në Kosovë e që janë në kompetencë të Gjykatës Themelore.