Nga Shefqet Kërcelli/Ne Foto:Godina e Sherbimit hidrologjik ne Portin e Durresit/
Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare dhe shtetit shqiptar, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Në fakt ne si popull detar dhe për nevojat e transportit detar na është dashur të përdorim mjete sinjalizimi të thjeshta që në kohët e vjetra, por vetëm në shekullin e XIX-të u ndërtuan disa fenerë me shërbim të kufizuar për shkak të teknologjisë dhe personelit. Feneri më i vjetër në vendin tonë është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj më 1884, në Shengjin. Mbas clirimit pati një fazë të re të ngritjes së fenerëve. Gjithashtu gjurmë të këtij shërbimi gjejmë dhe në vitet 1878-1890, kur specialistë të Perandorisë Austro-Hungareze përpunuan hartat e para të vendit, të cilat u përmirësuan nga specialistë italianë në vitet 1933-1941. Gjithashtu ato vendosën disa faro-fenerë në pozicionet kryesore të bregdetit shqiptar si feneri i Durrësit, Kalasë së Vlorës,i Cukës, etj. Mbas clirimit të vendit u bë riparimi i disa fenerëve kryesorë përgjatë bregdetit dhe në bashkëpunim me palën sovjetike u botuan harta të reja për gjithë bregdetin dhe zonën detare të vendit.
Në Foto:Feneri në Kalanë e Lëkursit/
Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor. Zoti Arqile Papadhimitri u caktua shefi i këtij shërbimi, Koco Lati, zv.kom. për punë politike, Mersin Shqypi, Shef i seksionit të hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve, Dhimitër Postoli, për hartografinë dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës. Kështu Shërbimi ynë Hidrografik mori formë të plotë si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor në Flotën Luftarake Detare. Pra, ky shërbim mori një dimesion të ri, cilësor dhe sasior, duke realizuar disa detyra të rëndësishme si në aspektin ekonomik dhe atë ushtarak, psh: vendosjen përgjatë bregdetit shqiptar të fenerëve të rinj dhe përmirësimin e atyre ekzistues, sigurimin e informacionit hidrometerollogjik për flotën tregëtare, luftarake, të peshkimit e sinoptikën detare; ndërtimin e poligoneve në interes të Forcës Detare{IshFLD} dhe botimi i “Udhëzuesit të lundrimit për detin Adriatik dhe Jon” dhe ribotimi i tij në vitin 1989. Përgjatë këtyre viteve, personeli i Shërbimi tonë Hidrografik, ka kryer studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fundit të detit, ka vendosur fenerë, shënja detare, ka përpunuar e botuar harta detare, udhëzues të lundrimit, etj. duke mbajtur në gatishmëri të plotë sistemin e farofenerëve përgjatë bregdetit shqiptar. Gjithashtu u intensifikua puna për përmirësimin e teknologjisë së fenerëve. Feneri ne Vlore/
Krahas vënies në punë të fenerevë me gaz acetilen, u rikonstruktuan mjaft prej tyre dhe u pajisën me aparatura të reja. Në vitet 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8-14 m, në kepin e Palermos, në jug të ishullit të Sazanit, në Shënvasil, Pashaliman, Treport, në Kepin e Selitës, në malin e Durrësit, kepin e Palit, etj. Në v.’84-‘86, u ndërtuan me arkitekturën e kohës dy kulla të reja fenerësh, një në derdhjen e lumit Vjosa, 20 m të lartë dhe në këpin e Palit, 14 m. Mbas ’85 u bë pajisja e disa fenerëve me aparaturë elektronike automatike, që rriti rrezen e tyre të shikimit dhe uli në masën 40% harxhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1985, në bregdetin shqiptar numuroheshin mbi 40 fenerë detarë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri në 13 milje detare, dhe në disa kepe deri 25 milje detare. Në vijimësi shteti shqiptar dhe Komanda e Forcës Detare ka treguar kujdes për zhvillimin dhe modernizimin e këtij Shërbimi të rëndësishëm me interes kombëtar. Për zbatimin e detyrave të institucioneve përkatëse ndaj sektorit të fenerëve, ka një VKM, nr.1, datë 9.02.1985 dhe një tjetër më 13.06.1999, për taksën e farofenerëve, ku specifikohet se 20% e të ardhurave që përfitohet duhet ti kalojë Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht sektorit të SHHSH.
Nga fenerët me te vjetër është ai Durrësit/
Mbas vitit 1990, u shtuan përpjekjet për modernizimin e Shërbimit tonë, për t’ju përshtatur kushteve e kërkesave të reja pasi hidrografimi i hapësirës detare dhe bregdetare konsiderohet si element esencial për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi dhe përfshin jo vetëm portet dhe transportin detar, por dhe shfrytëzimin e mbrojtjen e pasurisë detare, ekologjisë dhe turizmit, si prioritete të vendit tonë.
Feneri i Sazanit/
Vecanerisht mbas vitit 1997, me gjithë vështirësitë dhe mungesat e bazës materiale, në sajë të ndihmës e bashkëpunimit me partnerët tanë u sigurua profilkatika, riparimi dhe mirëmbajtja e fenerëve ekzistues bashkë me vendosjen e disa fenerëve të rinj, me teknologji të avancuar në disa pika të nevojshme për lundrimin e mjeteve detare. Kështu specialistët tanë në bashkëpunim me vendet aleate kanë vënë në punë teknologjinë me llampa të tipit LED, vetushqyese, nëpërmjet paneleve diellore, që kanë disa avantazhe si kërkesa më të vogël në mirmbajtje, riparime të shpejta, ekonomike, të mbrojtura nga dëmtimet dhe pashmëri më të madhe. Kjo teknologji shihet si e ardhmja e sinjalistikës portuale. Aktualisht nga Buna deri në Sarandë numurohen 84 fenerë, të cilët janë në gatishmëri të plotë në sajë të përkushtimit e profesionalizmit të personelit të SHHSH, specialistëve tanë të vjetër dhe të rinj.
Ndërkohë Shërbimi ynë hidrografik vitet e fundit ka bashkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA dhe Flotës së 6-të, me Shërbimin e Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik Italian, Grek,Turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të vecanta, madje ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Vlen të përmendim këtu projektin “304” me palën italiane “Për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit të farofenerëve në Shqipëri’, i cili bëri të mundur riparimin e disa fenerëve në rajonin Vlorë-Sazan-Sarandë, por dhe vendosjen e fareve të rinj në zona delikate, ku ka dhe anije të mbytura si Sarandë, Vlorë, gjiri i Drinit, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe Specialistët Hidrografë të SHHSH, bazuar nga të dhënat e matjeve batimerike të bëra me partnerët tanë ndërkombëtare, në bashkëpunim me specialistë të IGJUI, u prodhuan hartat e para “Paper charts”, për qëllime lundrimore. Për herë të parë në procesin e prodhimit të këtyre hartave u aplikuan standartet ndërkombetare të IHO. Kjo dëshmon rritjen e vetëdijes për rendësine që ka vetë Hidrografia dhe hartografimi detar, kontributin e saj në menaxhimin e duhur të “ekonomisë blu” si dhe varësise njerëzore ndaj këtij ambjenti që është vazhdimisht cdo ditë e në rritje.
Hidrografia dhe hartografimi detar tashmë konsiderohen si elementë thelbësorë në zhvillimin e infrastrukturës kombëtare për detin. Kjo infrastrukturë përfshin jo vetëm portet e transportin detar por edhe shfrytëzimin e resurseve (pasurive mbi dhe nënujore) si dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, mjedisit e ekologjisë detare. Në mënyrë të vazhdueshme janë përgatitur publikime dhe njoftime për lundërtarët. Kështu në bashkëpunim me IGJUI, janë publikuar harta detare, rrugëkalimet detare si dhe listat e faro-fenerëve, me qëllim përmbushjen e nevojave për një lundrim të sigurt.
Natyrisht projekti më i rëndësishëm, është ai me Shërbimin Hidrografik Norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike. Nga ky projekt do përfitojë jo vetëm Forca Detare por të gjithë subjektet detare private e shtetërore. Zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2015 dhe do zgjasë tre vjet. Projekti i perbashkët me Shërbimin Hidrografik Norvegjez është duke u zbatuar sipas një plani të mirë detajuar dhe ka në themel të tij zhvillimin e një politike kombëtare detare për Hidrografinë dhe Hartografimin. Ai kërkon që krahas njohurive esenciale të karakteristikave gjeografike, gjeologjike dhe gjeofizike të shtratit të detit dhe të bregdetit, të bëhet dhe grumbullimi i të dhënave të mjaftueshme për rrymat detare, baticë-zbaticat dhe fenomenet e tjera detare deri në përpunimin përfundimtar të këtyre të dhënave. Sigurisht që ky projekt do shtojë kapacitetet operacionale të Shërbimit tonë Hidrografik, standartizmin dhe ndërveprimin e tij meqëllimqë vendi ynë të përmbushë kërkesat e organizmave dhe legjislacionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë hidrolundrimore.
Synimi final i SHHSH është arritja e standarteve dhe kapaciteteve të kërkuara nga IHO, {Organizata Ndërkombëtare Hidrografike} dhe plotësimi i kushteve për anëtarësim me të drejta të plota në këtë organizatë. Realizimi i tyre vec angazhimit maksimal kërkon edhe përshtatjen e teknologjisë ekzistuese me teknologjinë moderne bashkëkohore apo përzgjedhjen e personelit të kualifiluar për specialitetin e hidrografisë. Nga ky synim burojnë dhe prioritetet specifike për të ardhmen, të cilat janë: Përpilimi dhe publikimi i hartave të reja detare, (paper charts & elektronike) të bregdetit Shqiptar; Pajisja e bregdetit Shqiptar me mjete dhe pajisje bashkekohore të sigurisë hidro- lundrimore si dhe instalimi i fenerëve të rinj detarë duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e atyre ekzistuese dhe së fundmi përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka nënshkruar në kuadrin e IMO, SOLAS, UNCLOSS, rezolutës të Kombeve të Bashkuara, UN A53/32. Aktualisht Shërbimi Hidrografik Shqiptar ka status vëzhguesi në “Mediterranean and Black Seas Hydrographic Commission (MBSHC)”, por sfida e këtij shërbimi është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë-IHO, në një afat kohor sa më të afërt. Ndërkohë të dyja këto organizata të rëndësishme hidrografike këshillojnë që vendi ynë të marrë një rol aktiv në këto organizata, për të qënë dhe përfitues i projekteve dhe financimeve të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve tona hidrografike. Sigurisht që për misionin dhe dobinë ekonomike që i sjell vendit, ky shërbim kërkon më tepër vëmendje dhe ndihmë nga shteti shqiptar në të ardhmen.
Në këtë 60-vjetor, kujtojmë me respekt ish Komandantët e Shërbimit Hidrografik Shqiptar, ndër kuadrot më të arsimuar e kualifikuar të Forcës Detare, {ishFlotës-Luftarake}, që nga pionieri i këtij shërbimi zoti Arqile Papadhimitri, e më pas Mersin Shqypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha, Gëzim Koci, Arjan Copani, Lulzim Kryeziu, Artan Malo, etj. Kujtojmë dhe nderojmë oficerin hidrograf Kadri Ylviu, i cili vdiq aksidentalisht më 11.03.1961, kur anija hidrografe u përplas me shkëmbinj të nënujshëm në Porto-Romano. Gjithashtu kujtojmë dhe nderojmë kuadrot dhe specialistët e këtij shërbimi, hidrografë, gjeodetë, kartografë, feneristë, specialistë të sigurisë hidro-lundrimore, ekuipazhe të mjeteve lundruese, që me punën dhe arritjet e tyre e kanë lartësuar imazhin e këtij shërbimi: zotërinjtë Dhimitër Postoli, Liman Limani, Hajdar Lala, Vasil Gjoni, Petrit Ajazi, Përparim Zani, Mina Gjermeni, Agim Musta, Miltiadh Driza, Fadil Nurka, Sadulla Elezi, Bilal Koci, Merdan Kalemi, Nesti…Raqi Kondakciu, Petrit Pasho, Qazim Baza, Viktor Marku, Fatmir Bega, Andi Gerveni, Artan Kambo; zonjat Eleni Ibro, {Gjoni}, Dhimitra Tome, Shpresa Dhima, Yllka Cela, etj. Kjo trashëgëmi e vyer, shembulli dhe profesionalizmi i tyre, frymëzon dhe edukon kuadrot dhe specialistët që shërbejnë aktualisht në Shërbimin tonë Hidrografik për të ecur në gjurmët e tyre.
Literatura:
-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i I-rë, faqe 327-328.
-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i II-të dhe I II-të, faqe 575-582.