
Saimir Kadiu/
Sot, më 1 dhjetor 2025, është 67-vjetori i vënies në skenë të operës Mrika, kompozuar nga i madhi Prenk Jakova, me libret të Llazar Siliqit dhe regji skenike të Andrea Skanjetit.
Premiera e operës ishte programuar më 29 nëntor 1958, por u shty për shkaqe njerëzore. Atë ditë kishte ndërruar jetë aktori i madh shkodran Zef Jubani (1910–1958), mik i ngushtë i Prenkë Jakovës, dhe Shkodra e kulturës e përjetoi si ditë zie popullore.
“Mrika” e parë shqiptare ishte Klotilda Shantoja – një zë brilant, i njohur për rrethet muzikore të atyre viteve, por që më vonë u harrua pothuajse krejtësisht…
Kush ishte Klotilda Shantoja, kjo meteorë e operistikës shqiptare?
Lindi në Tiranë më 2 tetor 1930, në një familje të njohur shkodrane që ishte zhvendosur nga Shkodra në Kryeqytet.
Nga fundi i vjeshtës së vitit 1946, familja Shantoja dëbohet nga Tirana për në Shkodër, pasi xhaxhai i Klotildës, Dom Lazër Shantoja – kleriku i famshëm, intelektuali, patrioti i madh dhe muzikanti i shquar, i quajtur “Famullitari i Pianofortit” – do të masakrohej pa gjyq nga regjimi komunist. Ai vuajti torturat më çnjerëzore, duke dhënë shpirt në burg më 5 mars 1945.
Kur nëna e tij (gjyshja e Klotildës) e vizitoi në burg, u trondit tmerrësisht nga gjendja e tij dhe u kërkoi gardianëve një revole që ta vriste, për ta çliruar të birin nga vuajtjet…
Klotilda ishte aktivizuar që e vogël në Katedralen e Tiranës dhe në Radio Tirana. Kënga e parë që këndoi në një koncert ishte kënga e “Borëbardhës”.
“Isha vetëm 13 vjeç kur më zgjodhën për të kënduar në koncert. Suksesi ishte i madh dhe për mua ai mbeti një emocion i rrallë. Në fillim karriera ime rrodhi natyrshëm. Rridhja nga një familje me prirje muzikore; babai im i binte pianos dhe flautit. Kur mblidheshim në shtëpi, organizonim koncerte familjare, shpeshherë edhe me pjesëmarrjen e axhës, Dom Lazër Shantoja, i cili i binte disa veglave muzikore”.
Vetëm një herë u “çedua” regjimi ndaj kësaj këngëtareje të talentuar – dhe kjo jo pa qëllim – kur përdori talentin e saj për operën e parë shqiptare.
Më pas emri i saj nuk u përmend më.
Me rastin e 20-vjetorit të operës Mrika, Klotilda Shantojës i hiqet fotografia nga origjinali i vitit 1958 dhe në vend të saj montohet një këngëtare tjetër, e cila asnjëherë nuk kishte interpretuar rolin e Mrikës – komenton muzikologu shkodran Ferit Bala.
Pak para se të vdiste, në vitin 1994, Klotilda theksonte:
“E them sinqerisht, se ndër fatkeqësitë e rënda që kam vuajtur – pushkatimi pa gjyq i axhës, burgosja e babait dhe e vëllait, persekutimi i gjatë, largimi nga skena – ka qenë fatkeqësia më e madhe e jetës sime”.
Por brenga e Klotildës vazhdoi edhe pas viteve ’90. Ajo deklaroi:
“Tani, me ardhjen e demokracisë, vuaj më shumë. Them me vete: si nuk u kujtua kush për mua, për këngëtaren e parë të operës Mrika! Nuk u kujtuan as redaktorët e radios, as shoqëritë intelektuale të qytetit. Siç duket, ende sot nuk dinë të respektojnë vlerat intelektuale të qytetit”.
Nuk është kurrë vonë të rehabilitohen vlerat intelektuale dhe artistike, që brezat të mësojnë se kush ishte “Mrika” e parë shqiptare.
Në pamundësi të gjetjes së regjistrimit zanor të premierës së operës Mrika, po postoj interpretimin magjik të Klotilda Shantojës të këngës “Margjelo”, kompozuar nga Prenk Jakova.