Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
Nga Nga Fritz RADOVANI/
Kujtoj sot, një këshillë që na pat tregue shumë vite perpara një avokat nder ma të dijtunit që ka pasë Shqipnia, po që nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu i mnershem i Burrelit. Dr. av. Baltasar Benussi, tregonte se një nder të drejtat e Njeriut në një shtet demokratik asht edhe mos me pranue me tregue një të vertetë, në kjoftë se mund të thirresh si dishmitar në një gjyq, po jo, me gënjye se “nuk e dij” ose me thanë një gënjeshter ose shpifje ndaj së vertetes. Mundesh me thanë: “Nuk due me tregue!”.Na dukej pak e çuditëshme, mbasi jetonim në një shtet diktatorial, ku njerzit u masakronin nga sigurimi i shtetit komunist per me shtremnue të verteten ose edhe me gënjye apo me u shpifë ndaj një njeriu të pafajshem. Cili mund të guxonte me i thanë një hetuesi të sigurimit: “Unë e dij të verteten, po, nuk due me e tregue!”…
Po, sot që Shqipnia thohet se asht “demokratike”, a lejohet me vazhdue ashtu?
Nuk besoj se ka në Europë një Shtet si Shqipnia, që vazhdon me mëshef çdo meritë historike të veten vetem, per hirë të urrejtjes që sllavokomunistët me anë të një grushti anadollakësh injoranta kanë ushqye nder jugorët kunder veriorëve, kjo e bame per interesat e tyne sunduese, mashtruese dhe shkatrruese të Identitetit kombtar.
Po të shfletojmë Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të RPSSh, së 1985, botue në Tiranë, nuk ka ngjarje historike të pa falsifikueme ose të shtremnueme.
Ketë herë, kam marrë si subjekt në këte shkrim “Festen e Mësuesit 7 Marsin”.
7 Marsi vazhdon me kenë data e “shkollës së parë”…në Korçë…e vitit 1887.
Pra, né u themi Universiteteve dhe Akademive Europjane disa shekullore se: “Shkollen e Parë Shqipe e kemi hapë me 7 Mars 1887…me lejen e turqëve apo të grekëve, mbasi perpara kësaj datë, Shqiptarët nuk kanë dijtë se shka domethanë fjala shkollë!”
A ka turp ma të madh per një “akademik” me rrejtë deri këtu?
Edhe pse dihet se Shkollat e Para Shqipe janë dukumentue që në vitin 1935 nga At Donat Kurti, në studimet e publikimet e Tij në revisten “Hylli i Dritës”, ku thotë se “per sa dijmë na, janë kenë tri: Shkolla e Pllanës (1638), e Blinishtit dhe e Shkodres…dhe tregon sesi ato shkolla u dhunuen, u mbyllen e u dogjën nga pushtuesit turqë…”.
Apo në periudhen e Rilindjes Kombtare, dihet se ishte Shkolla e Shirokës pranë Shkodres, e hapun nga Don Zef Ashta në vitin 1874, ku mësohej Gjuha Shqipe dhe pak aritmetikë…Edhe kjo e dokumentueme me rregjistrin themeltar të Kishës së Shirokës, si dhe nga studjuesit Gjush Sheldija dhe Sander Troshani, mësues të asaj shkollë ma vonë.
Sigurisht, kur bahet fjalë per studjues klerikë katolik të Veriut, në pamundsi me ua kundershtue mendimin e Tyne, gjithmonë i bazuem në dokumenta historike dhe në revista e botime të sakta (mbasi po mos t’ ishin të tilla, nuk i lejonte kush me i botue), këta janë të “pavlefshme” per “studjuesit” e sotem, të cilët jo, vetem, nuk i njohin sepse nuk kanë pasë ku me i mësue, po edhe duhen fshi nga “Historia e Shqipnisë”, mbasi ata dokumenta e fakte të pakundershtueshme nuk i pergjegjen “materializmit dialektik” apo “revolucionit ideollogjik e kultural të vitit 1967”…dhe “Kongresit të drejtshkrimit 1972”, që, diktatori Enver Hoxha ka zbatue me sherbëtorët e vet “dr. prof. akademikë” të po kësaj Akademi Shkencash, që vazhdon me krye ata veprime që i mbeten atij pa krye.
Po të njajtin fakt historik të At Donat Kurtit e verteton studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij “Historia e Popullit Shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present), po Ky, shkollat e para Shqipe i çon pak ma përpara, në vitin 1632.
Me siguri Ky studjues serioz nuk e ka dijtë se né jo vetem studimet që kanë ba ata, po edhe ndaj Klerit Katolik Shqiptar, kemi ushtrue Gjenocid per 47 vjet.
***
Jemi edhe para një fakti të shemtuem.
“Me t’u dukë okupacioni, ‘ditë feste e çlirimi!”
Dhe kur nuk na pelqen me zanë me gojë 70 vjetorin e pushtimit sllavokomunist të Shqipnisë me 29 nandor 1944, nga jugosllavët themi “pushtimi fashistëve të kuq”…
Ose kur kerkojmë me harrue viktimat e Stalinit, themi: “Viktimat e Hitlerit gjeorgjan nder kampet sovjetike” ose, per diktatorin Enver, themi “Hitleri i Shqipnisë” ose “fashistët e sigurimit të shtetit”… E ka shumë “dr. prof.” që edhe pse e dijnë se data 29 nandori 1944 asht dita e robnisë sllavokomuniste, do të vazhdojnë me e quejtë “dita e çlirimit nga okupatorët nazi fashistë…” tue dijtë mirë se Shqipnia, nuk ka pa të pakten njëditë Lirinë e Atdheut…nga ajo datë, se forcat jugosllave të Titos e sovjetike të Stalinit, ishin të pranishme dhe të kudondodhuna në Shqipninë e “çliruar”.
Jemi në vitin e 70 të permbytjes sllavokomuniste të Shqipnisë.
Edhe pse nuk kam dashtë kurrë me i pa me sy dhe as me ua ndigjue emnat e tyne sot, kisha me dashtë me ua ba një pyetje pikrisht atyne që na sollen “çlirimin” atëditë me 29 nandor 1944: “Kur ishit më të çliruar, me 7 Prill 1939 apo me 29 nandor 1944?”, tue fillue nga Qemal Stafa, Vasil Shanto, Zai Fundo, K. Xoxe, N. Spiru, Omer Nishani, Kristo Themelko, Pandi Kristo, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Gjin Marku, Teme Sejko, Liri Belishova, Liri Gega, Dali Ndreu, Beqir Balluku, P. Dume, Hito Çako, A Këllezi, Koço Thedhosi, Todi Lubojna, F. Paçrami, K. Ngjela, Mehmet e Fiqrete Shehu, Kadri Hazbiu, etj…etj…që “me grushta naltë”, vazhdojnë me u quejtë “çlirimtarë”.
E tmershme! “Me kenë okupatori i huej, ma i ‘mirë” se tradhëtarët tanë!”
Historia e diktatorit Enver Hoxha dhe e klanit të tij, asht historia e një dhune që pushkatoi, torturoi, vari pa mëshirë, madje tue vra edhe fëmijët në barkun e Nanës, per me ua marrë gjakun perbindshi, ndonse nostalgjiket e tij vazhdojnë me mashtrue “gjoja janë bërë n’ emen të ligjit”, po dora gjakatare e Enver Hoxhës, do të vazhdojë me kullue gjak derisa të dënohet emni dhe veprat e tyne kriminale.
Melbourne, 6 Mars 2014.( Foto:Ura e Shkinës, në fshatin Blinisht, Lezhë. (Nga A. Gradeci)