


Gëzim Puka/
Shfaqja “7 MINUTA” në teatrin “Migjeni”.
Ndonjëherë heshtja flet më shumë se çdo gjë! Kjo mund të të ndodhë, sidomos, në teatër. Asgjë s’pipëtinte në sallë, ndërsa po ndiqja shfaqjen e dramës “7 MINUTA” (Stefano Massini) të regjisores Driada Dervishi. Në fillim na shfaqet kurthi ku gjenden personazhet. Të rrethuara nga qepjet e tyre, ata sprucojnë në drejtim të spektatorit. Duke e shoqëruar këtë veprim me një ligjërim ankimor, simbolikisht formojnë mjegullën e kohës sonë. Po presin me padurim se çfarë lajmi do të sjellë zëdhënësja e tyre pas mbledhjes me pronarët e rinj të ndërmarrjes. Në dukje, si një revoltë feministe, trupa teatrore e përbërë nga 11 gra e vajza, na rikujtoi teatrin e mirëfilltë me temë sociale, ku mishërohet një ndër konfliktet më të hershme: puna dhe fitimi. Hapësira skenike e një “qarku” fasonerie individualizonte përjetime të dëshpëruara karakteresh, që përpiqen të mbijetojnë në një shoqëri, e cila, më shumë sesa në një krizë ekonomike, gjendet në një theqafje të dinjitetit të vet.
Nuk është thjesht një copë letër, ajo që vjen pas atij takimi të stërzgjatur. Është e përpiluar mirë e bukur dhe me një kërkesë, në dukje, minimaliste. Punëtoreve u kërkohet heqja dorë nga 7 minuta kohë prej pushimit të drekës. Ata duhet të dhurojnë pak nga koha e tyre, për të vijuar kontratën e punës. Ky vendim duhet të merret me shumicë votash.
Zëdhënësja ngre dyshimin për një kurth të ri, që u shtohet brengave të jetëve të tyre. Ndërmarrja, që u ka “vjedhur” jetën grave të mjera, po u kërkon diçka më shumë. Shumatorja e shtatë minutave në fund të muajit bëhet gjashtëqind orë pune. Gjithë shfaqja është “procedura” e ndërgjegjësimit të shtresave më të mënjanuara të shoqërisë. Janë ato që kanë vetëm krahun e punës.
Lexuesit pak më të thelluar mund t’i kujtohet “Endësit” e Hauptmanit. Është fjala kur kontekstet historiko-shoqërore përpiqen të kthehen në tekste letrare. Ligjërimet e nyjëtuara nga këto karaktere, që kanë secila veçantinë e tyre, mbajnë edhe peshën e përbashkët të ndjenjës së dyshimit për zgjedhjen që presin të bëjnë. Të gjitha gratë dhe vajzat pasqyrojnë përmes copëzave të dialogut, copëza jete të thyera keq. Dikush ka një të kaluar fshatareje; njëra fëmijë për të mbajtur; tjetra ka kredi për të shlyer; familje për të ndërtuar; ndonjëra ka thjesht frikë për të ardhmen…
Ndodhet mes tyre edhe një grua e mbuluar. Një figurë e ndërtuar me shumë kujdes nga aktorja Anila Bisha. Tipizohet shqiptarja e Shqipërisë së Mesme qoftë për nga nëndialekti, qoftë për nga mentaliteti. Imagjinoj se këtu tekstura regjisoriale ka krijuar një tension semantik me tekstin origjinal. Ky interpretim, si edhe ai i aktores Rudina Dembacaj, përbashkon disa vetje vepruese të rikrijuara përgjatë përpunimit artistik të tekstit për skenën tonë. Dyshimi merr përmasa universale kur pikërisht ky personazh monologon mëdyshjen imagjinare se qielli i kaltër mbi kokat tona, mund të jetë edhe një det i cili mund të na zërë poshtë. Ka shumë organicitet, besueshmëri dhe sinqeritet në ndërgjegjësimin e këtyre mjeraneve të cilat, papritur, zbulojnë se janë qenie njerëzore, që duhet ta pretendojnë dhe kërkojnë dinjitetin e mohuar.
Në fakt, 11 gratë e vajzat votojnë disa herë për të zgjedhur të keqen më të vogël. Ka shumë ironi therëse ky përditësim i këtij teksti nga regjisorja durrsake, e cila, veç gjetjeve artistike, na rifreskoi me teatër të njëmendtë, sidomos në finale, kur për numërimin e votimit të fundit, dritat e skenës u shuan dhe projektori na “ndriçoi” ne spektatorëve.
Ishte një “lojë” e besueshme e një trupe profesionistesh, si: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha, Rudina Dembacaj, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Paula Kodra, Xhoana Karaj, Ajlin Petrela.
Sa herë që letërsia bën si temë të saj zgjedhjen e së keqes më të vogël, prodhohen alternativa të mëdha letrare. Kështu më ngjasoi kjo shfaqje, e mbushur me gjetje të vogla artistike, por shumë kuptimplota.
(Fotografitë nga Rozafa Shpuza)