*Dega e Vatres ne Queens, NY, organizoi takimin para Kuvendt te Vatres, zgjodhi delegatët dhe perseriti kërkesat për riatdhesimin e dy kolosëve të kombit Mithat Frashërit dhe At Fan Nolit/*Në takim ishte e pranishme Sekretarja e Vatrës, zonja Nazo Veliu/
Ditën e shtune, me datë 03 qershor 2017, në orën 7:00, në Immaculate Conception Center u zhvillua takimi i radhës i “Vatrës”, dega e Queens-it.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i kësaj dege, zoti Skender Murtezani. Mbasi bëri një përshkrim të veprimtarisë së kësaj dege gjatë një viti, z. Murtezani parashtroi edhe synimet dhe pritshmëritë që kjo degë ka për vitin e ardhshëm. Kreu i “Vatrës” së Queens-it u shpreh entuziast për interesimin e komunitetit shqiptar për të ndjekur ecurinë e veprimtarisë së “Vatrës” dhe pikërisht ky interes, theksoi ai, i shton kësaj dege përgjegjshmëri edhe më të mëdha. Murtezani u shpreh: “Vatra Queens do t’i përdorë të gjitha metodat që të tërheqë të rinjtë shqiptaro-amerikanë që të vazhdojnë traditën Vatrane. Ne do të përqëndrohemi edhe në rritjen e mirëqënies ekonomike të familjeve Vatrane duke planifikuar investime të arsyeshme. Vatra Queens do të vazhdojë me projektin e saj të shenjtë në riatdhesimin e dy kolosëve kombëtarë Mithat Frashërin dhe At Fan Nolin.
Më pas fjalën e mori sekretarja e Federatës “Vatra”, zonja Nazo Veliu, e cila u prezantua me kumtesën e saj me titull “Noli dhe përpjekjet e tij për të ruajtur kombin dhe identitetin e kombit shqiptar”. Zonja Veliu, duke folur për një figurë kaq poliedrike dhe tepër të rëndësishme për kombin shqiptar e për “Vatrën” siç është Fan Noli, ndër të tjera theksoi: “Ky shekull, të dashur motra e vëllezër vatranë, është shekulli ynë, pra i shqiptarëve, e kjo do një punë kolosale për t’u kurorëzuar me sukses. Puna e gjithësecilit nga ne do të arrijë qëllimin vetëm atëherë kur tokat shqiptare tashmë të ndara për më shumë se një shekull të jenë në një shtet të vetëm. Vetëm kjo do të bëjë që amaneti i Nolit dhe i bashkëpunëtorëve të tij të shkojë në vend.”
Programi i këtij takimi vijoi me fjalimin e mbajtur nga zonja Ermira Babamusta, eksperte e punëve të jashtme, humanitare, autore.
Dr. Babamusta u prezantua në këtë takim me një temë shumë të rëndësishme: “Shqiptarët e suksesshem, si të veprojmë që të rritet numri i tyre?” Zonja Babamusta, mbasi shprehu emocionet dhe privilegjin e ndjerë teksa po fliste nga e njëjta sallë ku 43 vjet më parë, foli Nënë Tereza, ajo përmendi disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar që na kanë nderuar nëpër botë, si: Skendërbeu, Ismail Qemali, Gonxhe Bojaxhi (Nënë Tereza), etj.
Më pas, znj.Babamusta vijoi fjalën e saj duke treguar disa rrugë se si shqiptarët mund të arrijnë suksesin e dëshiruar: “Duke pasur një ëndërr, duke besuar në vetvete, duke qenë mirënjohës, duke qenë këmbëngulës dhe duke besuar në pasionet që ke”.
Arjeta Ferlushkaj u prezantua në këtë takim me kumtesën me temë “Porositë e Konicës”. Përmes shembullit të punës dhe të përkushtimit që Konica tregoi ndaj kombit shqiptar, znjsh. Ferlushkaj kishte filtruar disa porosi për komunitetin shqiptar këtu në New York kryesisht: “Duhet sa më parë të fillojë procesi i digjitalizimit të arkivave të “Vatrës” dhe i çdo organizate shqiptare, sidomos dokumentet e hershme që rrezikohen të bëhen të palexueshëm me kalimin e kohës. Gjithashtu, i duhet kushtuar një kujdes i mirëmenduar dhe i posaçëm brezit të ri në komunitetin shqiptar dhe të studiohen strategji të duhura për t’i afruar dhe mbajtur pranë “Vatrës”.
Kryeredaktorja e revistes “Votra”, zonja Aferdita Delaj mbajti fjalën e rastit duke bërë një prezantim të punës së saj me revisten që ka themeluar vetë dhe i ftoi shqiptarët që të bëhen pjesë e saj pa hezitim. Zonja Delaj u shpreh se kjo reviste: “Është një votër shqiptare ku ngrohtësia është pasioni dhe përkushtimi i një skuadre të tërë, misioni i së cilës është përcjellja e vlerave tona kombëtare, duke e gërshetuar me më të mirën e vendeve ku jetojmë, punojmë e rrisim familjet tona. Për të arritur këtë janë të mirëpritur të gjithë brezat.”
Ky takim vijoi me proceduren e zgjedhjes së kryetarit të ri të degës dhe më pas zgjedhjen e delegatëve. E mori fjalën zoti Lekë Mirakaj, i cili u shpreh se zgjedhja e kryetarit tashmë ishte një proces i kryer dhe përmendi emrin e doktor Skender Murtezanit. Duke marrë miratimin e të gjithë të pranishmëve në sallë, u konfirmua vazhdimi i detyrës në krye të “Vatrës”, dega Queens për dr. Skender Murtezanin.
Procedura e radhës ishte zgjedhja e delegatëve për mbledhjen që do të zhvillohet në selinë qëndrore të “Vatrës” me 10 qershor 2017. Delegatët e zgjedhur janë:
- Zize Kabashi
- Ermira Babamusta
- Petref Gega
- Viktor Gjeta
- Ylli Dosku
- Afërdita Delaj
- Arjeta Ferlushkaj
- Viktor Xamo
- Rezart Naska
- Erion Bardhi
Ky takim zgjati rreth dy orë dhe u mbyll në shoqërinë e bashkëbisedimit të lirë me një “Tea time” me ëmbëlsira mes të pranishmëve, të cilët nuk ishin të paktë në numër.
Përgatiti:Arjeta Ferlushkaj
Queens, 3 qershor 2017