Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
U bë shkak ditëlindja e Fjalës së Lirë, e cila sot është e brishtë, si një vashëz e re 15 vjeçare, me ëndrrat dhe shpresat e një adoleshenteje, por bënë punë që u përkasin të moshuarëve. Nuk më pëlqen t’i uroj 100 vjet jetë asaj reviste që u bë tribuna e mendimit dhe fjalës së lirë, që deri dje ishte burgosur brenda mendjeve të mykura. Revistës “Fjala e Lirë”i uroj jetë të suksesshme në përjetësi! Jeho Përjetësisht, o Fjalë e Dëlirë, e Ëmbël Shqipe! Ky përvjetor i mikes sonë Fjala e Lirë, më bëri që të shprehja dëshirën time si më poshtë…
Shqipëria ndër kohëra ka mbartur, ka nxjerrë dhe do të dalin prej saj figura të spikatura dhe të ndritura në fusha të ndryshme të jetës. Në fushën e hartimit të fjalorit shqip, përhapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe, si dhe fillimeve të letërsisë sonë kombëtare, vlera të mëdha ka Rilindja jonë Kombëtare, e cila përgatiti terrenin dhe ka qenë Prologu i Pavarësisë Kombëtare. Klubet dhe shoqëritë atdhetare shqiptare të themeluara në mërgim, të drejtuara nga intelektualët më në zë shqiptarë, duke shpërndarë abetaren shqipe në të gjithë vendin, hodhën themelet e tempullit të dijes, si udhërrëfyes dhe udhëheqës të së ardhmes sonë kombëtare. Kjo lëvizje kulturore, me nismë në vatrat e nxehta, ku jetonin e vepronin shqiptarët e ditur e mëmëdhetarë si në: Stamboll, Rumani, Bullgari, Kalabri, Sh.BA, Greqi, Australi e në shumë shtete të Evropës Qëndrore dhe Perëndimore, arritën ta bëjnë të njohur çështjen shqiptare. Hapja e shkollave shqipe në të gjithë vendin zgjoi e rriti ndërgjegjen dhe dashurinë për tokën e të parëve, historinë, traditën, si dhe kulturën e të gjithë bashkëkombasve brenda apo jashtë kufijëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ekzistonin dhe vazhdonin aktivitetin këto vatra kulturore, politika e dyerve të mbyllura në diktaturën komuniste heshti, madje shpesh herë u akuzuan si tradhëtarë të kombit gjithë ata që e vazhduan traditën e bukur të Rilindasve.
Duhej përmbysja e sistemit diktatorial, që shqiptarët e emigracionit të vjetër dhe të ri, ndoqën, rinisën, apo nisën nga A-ja një punë të madhe me median, si vazhdues të rilindësve tanë. Pushteti i medias së lirë ka vlera të jashtëzakonshme për një komb që përqafon rrugën e zhvillimit. Veç ripërtritjes së atyre ekzistuese, u çelën mjaftë media të reja, virtuale apo gazeta dhe revista të shkruara, sidomos jashtë vendit, të cilat nuk janë nën influencën e asnjë force politike. Ato i shërbejnë kombit pa interes vetjak, duke shpalosur kulturën, historinë, traditën dhe situatat e shkuara që përjetuam, situatën aktuale të një tranzicioni të tejzgjatur e premisat-dilema që kanë lindur si përgjegjësi morale, qytetare dhe kombëtare për të gjithë intelektualët shqiptarë në çdo kënd të globit ku jetojnë dhe punojnë. Ata shërbejnë dhe janë Ambasadorë të Shqipërisë të paemëruar nga shteti, janë vetemëruar dhe përzgjedhur nga bashkëpunëtorët apo lexuesit e panumërt, në saj të ndërgjegjes që i udhëheq për të thënë të vërtetën e mohuar apo të lënë në harreesë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Çdo komb ka elitat e veta. Asnjë elitë nuk ka brirë, as e ka të shkruar në ballë. Elita del natyrshëm, nuk emërohet e nuk drejtohet nga askush, por me intelekt, vullnet, profesionalizëm dhe punë, mendimi i saj i avancuar, ndiqet apo përkrahet nga të gjithë. Natyrisht të gjithë ata që punojnë dhe pasqyrojnë arritjet, mbajnë qëndrim kritikë ndaj mosarritjeve, apo ndaj gjithçkaje që bëhet keq, në këtë mënyrë ndihmojnë çështjen kombëtare shqiptare. Këto janë vlerat e vërteta intelektule, të cilat kanë nevojë për një falendereim, për një mirënjohje, për një ftesë nga organet përkatëse administrative dhe të publikohen për gjithçka që bëjnë në favor të vendit të tyre. Një veprim i tillë do të rriste autoritetin e Shqipërisë në botë, si komb që di të vlerësojë intelektualët. Nuk duhet të harrojmë se ata janë emigrantë që përqafuan kulturën, kushtet e zhvillimit dhe iu përshtatën qytetarisë evropiane, amerikane etje. Asnjë emigrant nuk e gjeti rrugën të shtruar me dafina, ndaj puna që bëjnë për vendin e tyre, duke u rrëmbyer kohën problemeve familjare, është sakrificë sublime. Kjo punë e pashpërblyer, të paemëruar nga asnjë institucion shtetëror, i ka bërë ata jo vetëm të jenë vetvetja, dikushi, por i kanë treguar botës se shqiptarët janë njerëz të vlerave. Natyrisht duke punuar në fusha të ndryshme, secili prej tyre jep një apo më tepër vlera të ndryshme, por gjithmonë në favor të Shqipërisë.
Mes këtyre mediave për punën e mrekullueshme që bëjnë, do të përmendja disa prej tyre që kanë shmangur urrejtjen dhe nxitjen e hakmarrjes, por reflektojnë kulturë, dije dhe vëllazërim si: “Fjala e Lirë”, “Albania News”, “Dielli”, “Illyria”, “Bota e Gruas shqiptare”, “Tribuna Shqiptare”, “Gazeta Kritika”, “Albanezul/Shqiptari”, “Rrënjët”, “Fjala Arbëreshe”, “Vatra Arbëreshe”, “Zemra Shqiptare”, “Voal”, “Dituria”, “Forumi Shqiptar” dhe disa media tjera të rëndësishme.
Propozim!
Të nderuar, miq, lexues dhe bashkëpunëtorë të mediave në emigracion, krijues dhe studiues, kritikë dhe analistë brenda dhe jashtë vendit! Bota nuk i ka heronjtë apo njerëzit e shquar dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i lëmë në harresë, ose i ngremë në piedestal pas vdekjes. Duke parë se antivlera në tërësi ka mbuluar vlerat reale, ku vlerësohen me fushata në bazë miqësie dhe partiake. Vlera nuk matet nga sasia, por nga cilësia e vlerave intelektuale që i shërbejnë kombit, shoqërisë dhe edukatës sonë. Mediat e sipërpërmendura që punojnë në emigracion nuk janë fluide, as abstrakte. Ato drejtohen nga stafe të formuara në bazë shoqërie dhe atdhetarie dhe po japin vlera maksimale. Jam e mendimit që intelektualët e shquar që veprojnë vullnetarisht në emigracion për njohjen e historisë, kulturës dhe vlerave kombëtare, të vlerësohen, në këtë vit me të cilin nis 100 vjetori i dytë i Pavarsisë. Po ju paraqes një kërkesë që intelektualët e shquar sipas listës dhe vlerave të secilit, t’i propozohet Ministrisë së Kulturës të vlerësohen gjatë këtij viti:
1. Fatmir Terziu, Botues dhe drejtor i revistës prestigjioze Akademia “Fjala e Lirë” dhe “Albania News”, si intelektual i shquar që e ka vendosur veten mes personaliteteve botërore në fushën e kritikës, kinematografisë, publicistikës, botimit dhe shkrimtar mjaftë i talentuar në disa gjini, i vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, që jeton dhe punon si Akademik në Londër, mendoj të vlerësohet me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë
2. Baki Ymeri, kryeredaktor i revistave “Shqiptari” dhe “Kosovoa”, poet, përkthyes dhe publicist, që me shumë kurajo, vullnet dhe dinjitet vazhdon punën e rilindësve të dikurshëm të Shoqërisë“Drita” në Bukuresht, i çmuar nga mbarë bota shqiptare, meriton një vlerësim të veçantë.
3. Dalip Greca, kr/redaktor i Gazetës “Dielli”, publicist, ShBA.
4. Gëzim Marku, drejtor i revistës “Zemra Shqiptare”, Angli
5. Ajet Nuro, drejtor i Tribuna Shqiptare, publicist, Kanada.
6. Ruben Avxhiu, drejtor i Gazetës “Illyria”, publicist, Sh.BA.
7. Kozeta Zylo, poete, publiciste, ka hapur shkollë shqipe dhe televizion shqip ShB.A.
8. Hasan Aliaj, publicist, drejtor i gazetës “Rrënjët”, Itali
9. Elida Buçpapaj,poete, publiciste dhe drejtuese e “Voal”, Zvicër
10.Sedulla Zendeli Daja, hartues i katër fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, si dhe i një gramatike dhe fjalori për fëmijë, Suedi
11.Ermira Babamusta, botuese e gazetës “Prishtina News” (via Prishtinë-Londër-New York)
12.Vasil Qesari, gazetar i TV Francë, publicist dhe fotograf i talentuar
13. Sokol Demaku, botues i revistës “Dituria”në Suedi
P. S. Si individë me vlera të rralla publicistike në mbrojtje të çështjes kombëtare veçoj: Prof. Dr Eshref Ymeri, Dr. Vedat Shehu dhe Prof. Dr. Rasim Bebo.