“Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, promovohet dokumenti strategjik/
Nga B.Jashari/.- Dokumenti strategjik i Planit të Veprimit për Zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, u prezantua sot në një tryezë diskutimi organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Zyra e Kryeministrit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.
Në tryezë u theksua se zbatimi i Rezolutës 1325 nënkupton ngritje të nivelit të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, procese paqësore, fuqizim të mekanizmave mbrojtës dhe inkoorporim të dispozitave të barazisë gjinore në të gjitha sistemet demokratike. Agjencia për Barazi Gjinore ka hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës, në 29 janar 2014.
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu, theksoi se “plani i veprimit është tejet i rëndësishëm pasi do të adresojë problemet e sigurisë në Kosovë, do të mundësojë harmonizimin e strategjive që kanë në qendër barazinë gjinore, fuqizimin e gruas dhe sigurinë e saj, do mundësojë dhe lehtësojë bashkëveprimin e aktorëve që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut”.
“Në bazë të rezultateve dhe pritjeve të destinuara të Planit të Veprimit, gratë duhet të jenë të pranishme në numra më të mëdha në procesin e vendimmarrjes, ato duhet të jenë pjesë e hierarkisë së lartë të shërbimit diplomatik të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu dëmshpërblim duhet t’ju sigurohet viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit, duke përfshirë këtu edhe njohjen e tyre ligjore”, tha Hajrullahu.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tha se “rreth 8.1% nga numri total i personelit të FSK-së janë gra, ndërsa përqindja e grave civile në Ministrinë e FSK është 33%”.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se “Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1325, përveç se thekson domosdoshmërinë e masave, të cilat duhen të ndërmerren për të mbrojtur të drejtat e grave në situata të konfliktit dhe pas tyre, vë në pah edhe një element shumë të rëndësishëm, të kontributit të grave në parandalimin e konfliktit”
Ne Foto:Prezantimi i dokumentit strategjik të Planit të Veprimit për Zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325