
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/
Kongresi Antifashist Çam i mbajtur në Vlorë në 23-25 Shtator të vitit 1945 ishte një moment historik për fatin e shqiptarëve të Çamërisë. Pas spastrimit etnik dhe dëbimit me dhunë nga forcat e Zervës, mijëra çamë u mblodhën nën organizimin e Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë, për të ngritur zërin e tyre dhe për t’i bërë të njohura botës tragjeditë e popullsisë çame.
Në kujtim të kësaj ngjarje historike Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi ditën e djeshme në qytetin e Vlorës aktivitetin përkujtimor, për të nderuar këtë iniciativë historike të shqiptarëve të Çamërisë.
Aktiviteti u drejtua nga historiani Çam, Hajredin Isufi i cili bëri thirrje për bashkim e ndërgjegjësim të shqiptarëve të Çamërisë. ‘Nëqoftëse duam identitetin e Çamërisë, duhet të jemi shumë të lidhur. Duhet të jemi të bashkuar. Duhet njëri tjetrin ta shohim si vëlla, si bashkëvendas. Nëse nuk I kemi këto, nuk bëhemi kurrë ne, zëri I Çamërisë’ -u shpreh ai.
Akademik Prof.Dr Pëllumb Xhufi solli në vëmendje të të pranishmëve rolin e Komitetit Antifashist çam, pjesëmarrësit në këtë nismë dhe rolin që Komiteti pati në jetën e shqiptarëve të Çamërisë.
Studiuesi, Z. Leonard Demi, prezantoi për pjesëmarrësit perspektivën e tij si anëtar i një prej familjeve më të rëndësishme që spikatën në luftën antifashiste në Çamëri dhe Shqipëri.
Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama në fjalën e tij u ndal tek misioni I Komitetit Antifashist Çam dhe vendimet e veprimet që u morën nga ky Komitet.
Studiuesi Enver Kushi u ndal në mbështetjen dhe bashkëpunimin që kanë patur në momente të ndryshme historike krahina e Labërisë me atë të Çamërisë duke bërë thirrje që bashkëpunimi duhet të jetë i vazhdueshëm.
Aktiviteti u mbyll me fjalën e drejtuesit të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” z. Alket Veliu, i cili theksoi se Kongresi Antifashist Çam ishte një akt politik dhe kombëtar dhe se sot kemi më shumë se kurrë nevojë për idealet e atij Kongresi. Kemi nevojë për frymën e bashkimit që mblodhi çamët në vitin 1945 dhe që u ringjall në vitin 1991.