
Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja/
Tetëdhjetë vjet më parë, në shkurt të vitit 1946, Atë Anton Harapi u dënua me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe u pushkatua pak ditë më pas. Sot, pas tetë dekadash, figura e tij rikthehet jo vetëm si pjesë e historisë së klerit katolik shqiptar, por edhe si simbol i një prej proceseve më domethënëse të drejtësisë së pasluftës në Shqipëri. Gjyqi ndaj tij nuk ishte thjesht një çështje individuale penale. por ai u kthye në një moment kyç të konsolidimit të regjimit të ri komunist dhe në një akt me peshë të fortë politike e simbolike.
Atë Anton Harapiu lind në Shkodër më 5 janar 1888 dhe u formua në Austri për teologji e filozofi. Pas kthimit në atdhe, ai u bë një nga figurat më të njohura të françeskanëve shqiptarë, duke shërbyer si meshtar, mësues, drejtues shkolle dhe publicist. Për vite me radhë dha mësim në Kolegjin Françeskan dhe në gjimnazin “Illyricum”, ndërsa në vitet 1930 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më të rëndësishme të mendimit kulturor e fetar në Shqipëri. Ai ishte pjesë e atij brezi klerikësh që e lidhën misionin fetar me angazhimin kulturor dhe kombëtar.
Por zhvillimet dramatike të Luftës së Dytë Botërore e vendosën përballë një zgjedhjeje të vështirë. Në vitin 1943, në kushtet e okupacionit gjerman, ai pranoi të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, organi që zëvendësonte formalisht kreun e shtetit. Për pushtetin komunist që mori kontrollin e vendit në fund të vitit 1944, pjesëmarrja në këtë strukturë u konsiderua bashkëpunim me pushtuesin dhe, si e tillë, provë e mjaftueshme për ta shpallur fajtor politikisht.
Pas çlirimit, Harapi nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse kishte mundësi ta bënte një gjë të tillë. Ai u arrestua në qershor 1945 dhe u përfshi në procesin gjyqësor të zhvilluar në janar–shkurt 1946, së bashku me LefNosin dhe Maliq Bushatin, po ashtu ish-anëtarë të strukturave drejtuese gjatë okupacionit. Gjyqi u zhvillua në sallën e Kino-Teatrit “Kosova” në Tiranë, në një atmosferë të ngarkuar politikisht dhe në prani të një publiku të organizuar.
Akuza e ngritur ndaj tij ishte e rëndë: “kriminel lufte”, “armik i popullit” dhe “sabotator i pushtetit”. Procesi u mbështet në ligjet e miratuara menjëherë pas çlirimit, të cilat i jepnin gjykatave ushtarake kompetenca të gjera për të ndëshkuar bashkëpunëtorët e pushtuesit. Në seanca u paraqitën dokumente, dëshmi dhe argumente që synonin të provonin se, përmes rolit të tij në Regjencë, Harapi kishte legjitimuar strukturat e ngritura gjatë okupacionit dhe, rrjedhimisht, mbante përgjegjësi për pasojat e asaj periudhe.
Megjithatë, përtej sallës së gjyqit, procesi zhvillohej paralelisht edhe në faqet e shtypit zyrtar. Gazeta “Bashkimi” dhe organe të tjera të kohës përdorën një gjuhë të ashpër, duke e portretizuar Harapin si simbol të “reaksionit” dhe si përfaqësues të një pjese të klerit të lidhur me fashizmin. Që në artikujt paralajmërues, opinioni publik orientohej drejt një përfundimi të paracaktuar. Gjyqi nuk paraqitej si debat juridik mbi përgjegjësinë individuale, por si akt i domosdoshëm ndëshkimi ndaj “tradhtarëve”. Në këtë mënyrë, procesi merrte një dimension të dyfishtë: juridik në formë, politik në përmbajtje.
Në fjalën e tij të fundit, Atë Anton Harapi mbajti një qëndrim që shumëkush e ka cilësuar si testament moral. Ai deklaroi se Shqipëria nuk rrënohej as nga dënimi i tij, as nga falja e tij, duke sugjeruar se forca e një shteti qëndron edhe te maturia dhe drejtësia. Ai e paraqiti hyrjen në Regjencë si përpjekje për të zbutur dhunën dhe për të shpëtuar jetë në një kohë të egër, jo si akt tradhtie ndaj atdheut. Fjalimi i tij u mbyll me thirrjen “RrnoftëShqipnija”, një shprehje që përforconte identifikimin e tij me fatin e vendit, pavarësisht vendimit që do të jepej.
Më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake shpalli vendimin: dënim me vdekje, humbje të të drejtave qytetare dhe politike, si dhe konfiskim të pasurisë. Vendimi u konfirmua dhe u ekzekutua. Me këtë akt, regjimi i ri jo vetëm dënoi tre figura të larta të periudhës së okupacionit, por dha edhe një mesazh të qartë për mënyrën se si do të trajtoheshin elitat e vjetra dhe institucionet që konsideroheshin pengesë për rendin e ri.
Sot, në 80-vjetorin e vdekjes së tij, rasti i Atë Anton Harapit shihet nga studiuesit si shembull i ndërthurjes së drejtësisë me propagandën në vitet e para të pushtetit komunist. Gjyqi ndaj tij shërbeu për të ndërtuar një narrativë zyrtare mbi të kaluarën, për të përcaktuar figurën e “armikut” dhe për të legjitimuar politikisht sistemin e ri. Ai ishte një proces që shënoi jo vetëm fundin tragjik të një kleriku dhe intelektuali, por edhe fillimin e një periudhe të gjatë përplasjesh mes shtetit komunist dhe institucioneve fetare.
Tetë dekada më pas, figura e Atë Anton Harapit mbetet pjesë e debatit historik shqiptar. Për disa ai është bashkëpunëtor i një regjimi okupator; për të tjerë, një klerik që veproi në rrethana të jashtëzakonshme dhe u përball me një drejtësi të politizuar. Por përtej këtyre interpretimeve, mbetet e padiskutueshme se gjyqi dhe dënimi i tij janë pjesë e historisë sonë kolektive dhe një moment që kërkon reflektim të qetë, të dokumentuar dhe të ndershëm mbi raportin mes drejtësisë, politikës dhe kujtesës.
Shkodër, më 28 shkurt 2026