Nga Astrit Lulushi/
Gënjeshtra është e shëmtuar, pavarësisht faktit se të thuash gënjeshtër në një shoqëri të kontrolluar mund të jetë rrugëdalja më e mirë. Ndërsa gënjeshtra mund të shihet si kërcënim për shoqërinë, duket se ka raste në të cilat shtirja apo hipokrizia është zgjidhja më e vetëdijshme morale, si për shembull, kur njerëzit flasin ndryshe në shtëpi dhe krejt ndryshe në rrugë a në punë – përplasja mes të dyjave nuk ndodhi kurrë, ndërsa tani çdo gjë është ngatërruar a mpleksur, dhe njerëzit janë hutuar. Kaq i rëndë ishte sundimi, sa njeriu jepte gjithë sa kishte, për të vërtetuar drejtësinë e gënjeshtrës, duke e bërë krejtësisht të pamundur t’i shpëtonte asaj.
Arti i të jetuarit në Shqipërinë puniste (PPSH) ishte arti i të kuptuarit se si t’u besoje gënjeshtrave – Por si mund të vërtetohet se pema e rritur shtrembër është e drejtë? Thuaj gënjeshtër më të madhe! ishte përgjigjia. Mos gënjeni, por mos tregoni gjithë të vërtetën ishte morali….Duke mos ditur se cila mund të jetë e vërteta, kjo e bën gënjeshtrën më të frikshme. Vetëm për shkak se diçka nuk është gënjeshtër nuk do të thotë se nuk është mashtruese. Gënjeshtari e di se është gënjeshtar, por ai që flet pjesë të thjeshta të së vërtetës për të mashtruar është mjeshtër i shkatërrimit. Nëse vetëm muret mund të flasin … bota do ta dinte se sa e vështirë ose e kotë është të tregosh të vërtetën në një shoqëri ku të gjithë janë gënjeshtarë.