Nga Dr. Krist Maloki/
Shka e shtyn autorin e këtyne radhëve me u marrë sot me Lasgush Poradecin nuk asht aq fort dëshira për t’i ba ndonjë kritikë rranjësore vjershëtorit apor veprave të tija se sa ma fort për t’i ndalë hovin një dezorientimi dhe shkandullimi eventual mbrenda literaturës sonë, në mos mbrenda jetës sonë kulturore. E kemi fjalën këtu rreth njatij studjimi kritik e letrar të Mitrush Kutelit, i cili u botue njëherë veças, mandej mbrenda vëllimit të dytë të vjershave të Lasgushit (“Ylli i Zemrës 1937) dhe pjesërisht në “Përpjekjen Shqiptare”Nr.17. Studjimi në fjalë – një apotheozë e flakët për vjershëtorin poradecar – nuk do të na kishte trazue fort po të kishte dalë nga penda e ndonjë gjimnazisti “idealist” (shif pasunimin (?) e literaturës sonë nga gjimnazistat!) apor nga kalemi i ndonjë qatipi pehlivan, apor nga stilografi i ndonjë shkrivan-zhurnalisti të patenuem. Por jo, aj studjim u trajtue nga M.Kuteli, shka do me thanë: nga një njeri me me karakter, me dije profunde, me zotësi literare dhe me një famë sadokudo, shkurt: nga një personalitet, madje nga një personalitet me format internacjonal. Nga ky shkak, d.m.th., sepse u shkrue aj studjim nga një njeri si M.Kuteli, dhe sepse u shkrue aj studjim me qëllime dhe mjete fare të papranueshme: plot shtrembnime faktesh, plot gabime diturake dhe plot përdhunime methodash shkencëtare…, mandej tuj qenë që aj studjim i një M.Kuteli mund të bahet shkak për një mjegullim dhe desorjentim mbrenda jetës sonë literare… dhe së fundit me qenë që aj studjim mund të bahet fare leht edhe shembull i keq dhe i rrezikshëm ndër njerz gjysmakë, si na i ka falun Allahu në bollëk… pra nga gjithë këta shkaqe dhe motive e shterngoj zemrën autori i këtyne radhëve dhe po e thotë sot fjalën e vet, një fjalë – Insh-Allah! – katërqind-dërhemshe! Jo kundra Lasgush Poradecit, as kundra M.Kutelit, por ma fort kundra Orëve të liga të Kombit tonë…
Se ka marrë “më thue”, d.m.th. se ka ra nër gabime të randa M. Kuteli me at studjimin e vet mbi Lasgushin, nuk ka dyshim. Asht mjaft gja e guximshme kur thotë një M.Kuteli se vjershëtori i Poradecit qëndron në kulmin e poezis shqiptare dhe se aj jo që s’ka shoq në literaturën tonë por edhe shok fort të rrallë në literaturën botnore! Këto përhyjnime dhe të çueme në qiell – në një studjim letrar-kritikues! – kërkon me na i ba”plausibel” dhe me na i sugjerue mandej M.Kuteli me fraza dhe argumentacjone, të cilat as që i përgjigjen methodave të një kritike literare të vërtetë (ku duhet të paraqiten baras shkëlqimet, dritat, hieje-dritat, hiejet e ndoshta edhe errësinat e një vepre artistike!), por ato as që i përgjigjen vet fakteve artistike, literare dhe historike. M.Kuteli mund të na kundërarsyetoj me frazën e vjetër: “de gustibus non est disputadum!”, dhe mund të na e pret fjalën shkurt tuj na thanë se atij i pëlqen ashtu Lasgush Poradeci dhe se për te Lasgushi asht më i zoti, më i pasuri, më i larti, më filozofi dhe më shqiptari vjershëtor i Shqipërisë etj., etj.; mirëpo atëherë le t’e botonte ma mirë veprën e Lasgushit me nji parathanie në formë kushtimi dhe përhirimi por jo tuj e përcjellë me studjime kritike-letrare tepër problematike, apor edhe tuj e botue at studjim kritik-letrar veças dhe si punë letrare më vehte! – Gabimi i dytë i M.Kutelit përmbahet aty që aj nuk mjaftohet me kritikën në fjalë mbi Lasgush Poradecin por njëherit i bankritikë – dhe një kritikë en bloc dhe negative – me do mjete fort të dyshimta gjithë vjershëtorëve tjerë shqiptarë. Edhe këtu nuk e çanë kryet fort M.Kuteli për kerkesat imperative të një kritike dijtunore, sidomos nuk i shtrohet aspak njasajë rregulle që thotë: “audiatur et altera pars!”; e kështu, pa me u interesue aspak për literaturën e derisotshme poetike dhe kritikuese, dha pa me u orjentue aspak nër veprat e ndryshme të njenit a tjetrit vjershtar, i mohon (dijetari i Bukureshtit) sumarisht gjithë vjershëtarëve tjerë shqiptarë cilësina artistike dhe vlera (Verté!) poetike, të cilat ata shumë herë i kan dhe i kan aty e këtu edhe ma të forta e ma të plota se vjershëtori i përhyjnuem. Frazat, me ngjyrë kritike negative, si: “Përmjet fjalorit Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e shqipes”, apor: “Edhe nga pikëpamja e rimës vepra vjershëtore e Lasgushit çquhet haptazi nga e çdo tjatri poet shqiptar”, apor: “Lasgushi është poeti shqiptar, i vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip” etj., etj., këto fraza pra, bashk me sa e sa tjera, jo vetëm që jan fort problematike dhe – mbas mendimit tonë modest! – as nuk i përgjigjen fakteve, por ma fort: ato kritika, gjykime dhe vlerësime (gjerm. Bewertungen!) negative dhe sumarishte janë kryekëput në kundërshtim flagrant me principet e pedagogjisë – (çdo kritikë literare me vleftë ka tendenca edukative!) – dhe aq ma fort me ato të dijtunisë methodike (=pjesa e dytë e Logjikës diturake!). Këto duhej t’i dinte sidomos një M.Kuteli, i cili e shkoj pjesën ma të madhe të jetës së vet me punime serjoze dijtunore. – Por, edhe me kaq nuk mjaftohet, jo, M.Kuteli. Dhe si me dashtë me çdo mënyrë me ja mohue vehtes çdo veti dhe çdo hije dijetari serjoz, aj futet e zhytet edhe nër gabime të randa fare teknike – shkencëtare. Për me ja sigurue – si duket – namin dhe vleftën poetike-filozofike vjershëtarit të protezhuem, M.Kuteli përdor vend-e-pavend fjalë dhe kaptime (notions, Begriffe!) nga shkenca të ndryshme dhe heterogjene – nga filozofija, nga esthetika, nga metrika, nga filologija, nga theozofija, nga methafyzika, nga psyhologija, nga meta-psyhika, nga fyzika, nga teknika, nga gjeografija, nga ekonomija politike etj., etj., – dhe jo vetëm që i përdor ata (kaptime) tepër shpesh – vend-e-pavend – por i përdor edhe mbrapsht, d.m.th., e merr njenin për tjetrin dhe u jep një kuptim që s’e kan. Ky faj i M.Kutelit na duket aq ma tragjik për te kur mendojmë që aj vet i pat ba para do kohe një kritikë të randë dhe të meritueme – në një çashtje pothue të njëllojtë – dy dijetarëve rumunë Vlad Banatianu dhe Dr.Baleta. Dhe me shumë të drejtë, sepse superficjalitete dhe lodra fjalësh pa asnjë kuptim mund të durohen nek një pehlivan-qatip-shkrivan i ndoj fletoreje shqiptare apor nek një artikullist i rij, i cili mfryhet dhe ngopet me fraza bombastike dhe klisheha fjalësh xhixhilluese, por jo nek një dijetar me dukje randësije internacjonale. Prova dritsuese dhe analiza spjeguese mbi fajin në fjalë të M.Kutelit kemi me dhanë ma posht në pjesën kryesore të kritikës sonë. Sa për këtu po mjaftohemi vetëm tuj përmendë, se vet redaksija e “Përpjekjes Shqiptare” i ka pa dhe i ka kuptue fare mirë gjithë ato të meta në studjimin kritik-letrar të shkrimtar-dijetarit të përmendun, dhe se ajo (redaksi) asht mundue – tuj lanë jasht sa e sa pjesë nër ma problematiket, dhe tuj ba do shënime glosatore që jan ma fort korrigjime fajsuese – me i vue disi kapakt tenxherésë dhe me shpëtue ç’ishte për t’u shpëtue. Në kët punë ka veprue redaksia në fjalë me një delikatesë dhe butësi vertetë amëtare – si njajo klluka që i ruen zogat e veta – se përndryshe d.m.th., për një kritikan të mprehtë dhe objektiv do t’ishte dashtë pothue për çdo frazë të M.Kutelit nga një shënim korrektiv, nga një shenjë pikë-pyetëse apor pikë-çuditëse, për mos me thanë: nga një fajsim dhe dënim moral…
Por, që të kuptohemi fare mirë! – Theksojm këtu edhe një herë se me këto kritika duem t’i bajm ballë vetëm një rreziku të parapamë, a ma mirë një desorjentimi dhe shkandullimi eventual mbrenda literaturës shqiptare, por jo njenës personë a tjetrës. Sidomos nuk na shkon nër mend (dhe as që jemi të zotët!) me ja ulë ndoshta vleftën morale M.Kutelit. Dijetari i Bukureshtit qendron për ne lart, bile shumë lart, si letrarisht, si dijetarisht si edhe moralisht; dhe autori i këtyne radhëve asht i lumtun të gjendet në rrethin e atyne që e gëzojn miqësinë e M.Kutelit. M.Kuteli asht një nga ata të pakët të djalëris shqiptare që nuk u përdhosën dhe nuk u demoralizuen neper ngjarjet e ndryshme politike shqiptare. Ma fort, M.Kuteli u diftue i pamvarun, objektiv dhe kryedrejt edhe aty ku do të kishte pasë raste dhe interesa me u diftue pak ma i përvujtun dhe ma “tregtar”… Dhe M.Kuteli asht një shkrimtar i dorës së parë si në gjuhën shqipe si edhe në rumanishten. Në gjuhën rumanishte ka shkrue M.Kuteli do vepra me thema ekonomija politike dhe financjare mbi probleme shqiptare dhe ballkanike dhe ka fitue levdata nga njerz të shquem vendesh së ndryshme. Në gjuhën shqipe ka shkrue M.Kuteli një mori artikujsh dhe disa libra me vleftë të madhe; dhe jemi sigur që prej pendës së tij kan për të dalë vepra edhe ma të mëdhaja e ma të pasuna, për nder të Shqipnisë dhe për lartësimin e literaturës shqiptare. Shqipja e shkrueme e M.Kutelit asht jashtëzakonisht e qartë dhe e pastër, stili i tij mandej i hjedhët dhe i rrjedhshëm, dhe sa për në “prozë” ja kalon aj qind-për-qind Lasgush Poradecit. Bile-bile, po s’u gënjyem, në M.Kutelin fshihet një poet, ndoshta edhe një poet me kvalitete të nalta, por i cili – nga rrethanat e ndryshme të jetës dhe të vendbanimit atje larg Shqipnisë etj., – ja ka ba fli hovin poetik dhe irracjonal racjonalizmave të thata të një jete dijetari dhe funkcjonari. Sidoqoftë në M.Kutelin vlojnë padyshim sa e sa komplekse artistike, të cilat mund të spjegohen dhe t’analizohen ndoshta me mjetet e psyhoanalyzës ala Freud dhe Jung. Dashunija e pamasë që rrëfen M.Kuteli kundrejt Lasgushit e ka vendin sigurisht nër ata komplekse dhe mund të kuptohet si “siperkompenzacjon” dhe shfrymje ndjenjash kompleksive që janë të ndrydhuna e të shtypuna në fundin e zemrës së tij. E dijtun: sa e sa rrethana dhe ngjarje të ndryshme dhe sidomos sa e sa lidhje personale me vjershëtorin – (M.Kuteli asht vetë nga Poradeci dhe ka studjue bashk me Lasgushin në Bukuresht etj.!) – jan ba mandej shkaktare për formimin dhe shpërthimin e njasajë dashunije të pafrenshme dhe verbuese, e cila i ngjan tepër fort dashunisë s’atyne nanave që i shofin gjithë të mirat por asgja të keq nër fëmijtë e vet. M.Kuteli vet asht mundue me na e mbushë menden – nepër njato studjime kritike-letrare se dashunija e tij dhe adhurimi i pamasët kundrejt Lasgush Poradecit jan koherent me vleftën e “lartë dhe të pashoqe” poetike të vjershëtorit. Por neve s’na mbushet mendja, dhe sidomos jo nepër njato studjime që jan plot gabime landore dhe methodike-shkencëtare. Kritika e jonë i sjellet pra vetëm njatij studjimi të papranueshëm – i cili u trajtue dhe u lëshue doret padyshim në një moment mos-vetkontrollimi (quandoque bonus dormitat Homerus!) – dhe kjo kritikë kërkon njëheri t’i jap shkas dhe t’i hapi rrugë njatij “ETHOS” të nalt, i cili zotnon dhe mbretnon nër qarqe kulturale dhe sidomos nër kritika të verteta literare, dhe i cili kërkon nga çdo shkrimtar okcidental:pastrië nër qellime, drejtsië nër gjykime dhe vertetsië nër paraqitje. Porse shi në gjithë at kaos shpirtnor dhe mendtar, në gjithë at anarki dëshirash, ndjenjash dhe ambicjesh, dhe sidomos kundrejt gjithë njatij desorjentimi dhe degutizmi artistik që e kan rrëmbye Kombin tonë sot… kundrejt gjithë kësaj kësaj mjerie kulturore e kan për detyrë të shenjtë si M.Kuteli si edhe shokt e tij me e mbajtë lart bajrakun epastriës, drejtsiës dhe vertetsiës dhe me u prijë me yll në ball njatyne pak fallangjeve, njatyne pak shpresave të djalërisë shqiptare! Kritikat e anshme dhe negative, ashtu edhe frazeologjitë bombastike-hysterike t’u lihen shkrivanave të”journaille”-s shqiptare; ata rrojn me ato dhe do të vdesin neper to! M.Kuteli qendron moralisht dhe landsisht aq nalt mbi ata shpirtën të vogjël sa nuk ka vend per te në mezin e tyne. Bile M.Kuteli s’guxon me ra aq posht; misjoni i tij i shenjët si idealist shqiptar e si dijetar e ndalon! Dhe së fundit – si tha një proverb i inversuem latin: Quod licet bovi non licet Jovi!!!…
***
E do nevoja që t’i hjedhim një vrojtim sado të pak dhe të përzgripët veprës së Lasgushit përpara se të merremi me studjimin e M.Kutelit. Asht mirë që t’orjentohemi qysh tash rreth njatij objekti apor subjekti, i cili u ba shkak dhe bosht i këtyne bisedimeve kritike. Kështu sajojm njëheri edhe një bazë të fortë apor një platformë, mbi të cilën i ndërtojmë mandej shumë ma leht pyrgjet e pikëpamjeve tona dhe prej kah mund të hjedhim shikimet e kritikës letrare nër gjithë ata sheshe e nër gjithë ata shtigje që ka hapë Mitrush Kuteli. Po flasim këtu ma fort mbi veprën e Lasgushit dhe pak mbi personën e tij. Jemi sigur se një studjim i hollë psyhologjik mbi vjershëtorin do të lëshonte dritë mbi sa e sa probleme e errësina dhe do t’i davaritte pak a shumë njato tymnaje dhe mjegullina që janë thurë rreth ftyrës së tij. Ma fort se çdo studjim tjetër psyhologjik do të na i hapte syt dhe do të na qetësonte padyshim Lasgushi vetë me një autobiografi apor me një “vetpërshkrim” (gjerm. Selbstdarstellung!) në formë të një “memoire” apor “confession”-i, si e kanë praktikue artistat e ndryshëm. Mirë po Lasgushi ka një dashje të veçantë për atmosfera hije-dritash, për avullina sibylike dhe për tymnaje mysticiste; i pëlqen sidomos dhe i kënaqet shpirti kur e shef vehten të përfundosun nër “errësina” Rembrandt-jane….
Nejse! – Fakt asht që Lasgushi ka hy një herë e përgjithmonë në literaturën shqiptare e se vepra e tij kërkon prej nesh -kështu o ashtu- një studjim serjoz. Dhe na e kemi sot detyrën me e shikjue veprën (dhe jo personën) “sub specie aeternitatis” dhe me e dhanë gjykimin tonë sa ma fort mbas pikëpamjeve artistike – esthetike dhe jo aq mbas atyne historike, personale, psyhologjike etj.. Asht edhe një punë fort delikate dhe guximtare po deshtëm qysh sot me e ngushtue dhe me e ndrydhë fytyrën e gjallë të një “personaliteti” (psyhologjik!) nër kallëpe dhe skemata formale (=të vdekuna), në një kohë kur aj “personalitet” asht i rij, edhe aktiv, i vullnet-hovshëm dhe i pallogaritshëm (unberechenbar – si çdo artist!) dhe i cili mund të na gandoj ndonjë ditë me vepra të paprituna artistike etj.. -Kush e di? – Mirë po, m’anën tjetër nuk mund të qendrojmë edhe pa do vrojtime dhe skematizime psyhologjike, të cilat – sado të guximshme qofshin – na lypsen me doemos per t’i dhanë një bosht dhe skelet qendrimtar paraqitjeve tona kritike-artistike. Kemi punë këtu me një shpirt artisti e me sa e sa finesa dhe “imponderabilje” të tija, e kemi punën këtu me një botë të tanë, me një det ndjenjash, dëshirash, shpresash, andrrimesh, instinktesh, pasjonesh, vullnetesh, karakteresh etj., të cilat duhet të lidhen e të për-mbë-lidhen – si rezet e fotografisë – nëpër prizmën apor biluerin e shikimit kritikues. “Da bleibt nun für den erst Betrachtenden nicht übrig, als dass er sich entschliesst, irgendwo den Mittelpunkt hinzusetzen und alsdann zu sehen und zu suchen, wie er das übrige peripherisch behandle” (Goethe)….
***
Po fillojmë pra me pyetjen ma qendrore – me njatë pyetje problematike, të zorshme e delikate, por edhe aktuale sa të thuejsh: A asht poet Lagush Poradeci?
Shokët, miqtë, dashamirët dhe adhurimtarët e Lasgushit e kan pohue qysh me kohë dhe e pohojnë edhe sot me gojë-plotë atë pyetje të zorshme; shif epithetet “Këngëtor i pavdekshmë”, “Perëndië e Poeziës Shqiptare” etj.. – M.Kuteli, i përvëluem nga “arti-mjeshtër i veprës lasgushjane”, shtyhet edhe ma tutje dhe e quen vjershëtorin poradecar “Poet” (me “P” të madhe!) në kuptimin e naltë të fjalës gjermane “Dichter”(!), i cili nuk mjaftoheka vetëm me titullin “poet shqiptar” mbasi na paska falë “vepra” “me shoqe të ralla në letraturën e përbotëshme”! (“Ylli i Zemrës”, f.175 etj.) – Në kundershtim diametral me këta pohuesa të pyetjes sonë qendrojnë ata kritikuesa – shumë herë njerz me mend, me kulturë të gjanë, me dieje e me shieje të hollë artistike etj., (dhe jo vetëm në Gegni!) – të cilët ja mohojnë Lasgushit kryekëput vetijen poetike, së paku vetijen e një poeti (Dichter) të vërtetë. Në radhën e njatyne kritikuesave gjinden – si duket – edhe ata të “Hyllit të Dritës”, të cilët kan ngurrue deri më sot – nga shkaqe të mirëkuptueshme – me e shfaqë botnisht gjykimin e vet, por edhe të cilët e kan zakon me e nisë secilën bisedë të nevojitunë mbi Lasgushin me një “clausula reservationis”, shqip: me një “me shka po thonë…” (sh. Hylli i Dritës; Nr.7-8, 1938, f.420). – Ndërmjet këtyne dy grupeve kundërshtare gjinden në Shqipni padyshim sa e sa njerz – prap me dieje, me kulturë e me shieje artistike – që ushqejn një gjykim dhe një vlerësim (Bewertung) si mesatar kundrejt Lasgushit vjershtar-poet. Pothue një qendrim të këtillë, por edhe një qendrim fort problematik (ndoshta nga mungesa e ekspresjoneve të nevojshme shqiptare!) ka marrë në kritikën e vet (përndryshe të pashoqe) Kudret Kokoshi. Mbas Kokoshit paska Lasgushi një të math talent poetik si trashigim nga Natyra, mirë po ky Djalosh na qenka pa origjinalitet për tashti, pa gjerësië pamje dhe thellësië ndjenje; por me qenë që gjendet aj Djalosh, a ma mirë: aj Poeta natus, në formim e sipër (!), pas-kemi shpresë që Lasgushi do t’ja marr që sot e tutje si bilbil paraverak! – Këto fraza të Kudret Kokoshit – në mos qofshin thanë edhe ato me një qëllim dipllomatik dhe më “clausula reservationis”, – përmbajnë në vet-vehte padyshim disa gabime të papranueshme. E marrrim para sysh njëherë se kur u shkruen ato fjalë (më 1934!) i ishte afrue Lasgushi të dyzetëtave, d.m.th., s’ishte edhe aqë djalosh i ri, së paku jo simbas psyhologiës evolutive Entwicklungs – psyhologie). Kësodore bje Kokoshi në kundershtim flagrant me historinë e arteve, e me kulturhistoriën, po ashtu si me “Psyhologiën e Artistit”, të cilat na mësojn dhe na e dëshmojnë se një poet i vërtetë (një “poeta natus”) e ka zakon me qendrue në formim e sipër vetëm deri njaty pak kohë mbas pubertetit, d.m.th., njaty nër të njëzetëtat. Poeti i vërtetë nuk mund të mësoj dhe të përvetoj mëndyra e mjete eskpresjoni të reja gjatë gjithë jetës së vetë, ndoshta edhe kur bahet nanddhet-vjeçar (si Michelangelo-ja), porse shpirtsija poetike, njajo daimoniapjellore-elementare (si mbas Platonit) duhet të shpërthej me kohë dhe duhet të çfaqet “shkrepëtimtare në stoli” (L.Poradeci) me gjithë karakteristikat e origjinalitetit qysh nër prodhimet e para mbas pubertetit. Kështu kuptohet edhe njajo theorië e dijtuniëve të ndryshme t’artit, e cila thotë se (pothue) çdo poet e arrinë kulminacjonin e artit të vet (akmé) aty nër të tridhetëtat. -Po neper këto paraqitje tona kuptohet njëheri edhe gabimi i Kokoshit, i cili na e rekomandon Poet-in pa origjinalitet! Kudret Kokoshi mund të jetë ndoshta i një mendimi të ndryshëm por për ne nuk ka dyshim që mun origjinaliteti e dallon poetin e lindun nga vjershëtori i “pas-lindun” aporepigon. Sepse shka krijon i pari neper ngjatë shpirtsië shkrepëtimtare, pa shikue as ligj, as gjyq, as shkollë, as akademië etj., nderton aj tjetri (con-struire!) tuj përdorë kallëpe e forma të patrajtueme, tuj matë e tuj peshue, e tuj shikjue andej e këndej pale se çë përshtypje po ban krijesa e tijë artificjale (artem-facere! jo artem-genere!). Origjinaliteti asht vula, asht marka dhe asht garancija e një poezije të vërtetë, dhe një Poet pa njat yll poetik në ball mund të jetë ndoshta artist (=pehlivan) poezinash, mund të jetë edhe zanatçi artesh apor artizanatar, e mund të jetë riprodhimtar dhe ristaurator i zoti vjershash etj… por jo poet! Sepse si thotë vet Kudret Kokoshi:
Non la fulgente immagine,
Non la risposta idea,
Non l’armonia dei numeri,
Non é l’amor che crea…
-por duhet një gja, një shpirtsië e veçantë, e cila i përmbëledh ato të gjitha së bashku – (përfytyrim + ide + melodi + dashuni) – dhe i koordinon dhe i harmonizon, a ma mirë: i në-shpirtnon me një frymë gjallësije të pahuazueshme… origjinale. Lasgush Poradeci pra ose asht Poet dhe ka pas deri më sot origjinalitet… ose (si mbas Kokoshit!) nuk paska pasë kurr origjinalitet, dhe atëherë nuk asht Poet. Por sido qoftë – o kështu, o ashtu – nuk ka kuptim (as psyhologjikisht as logjikisht!) që të kemi shpresë që Lasgushi do t’ja marrë që sot e tutje si bilbil paraverak….
Si po shifet deri këtu, gjykimet dhe vlerësimet e botës kulturore-intelektuale shqiptare nuk përmbajn një mendim të caktuem dhe të përgjithshëm mbi vjershtarin e Poradecit. Shkaku i gjithë atyne divergencave mendimtare qendron padyshim sidomos në mjegullinë dhe relativitetin, a ma mirë n’elasticitetin e kaptimeve “poezi” dhe “poet”. Sepse këta ky kaptime janë të mbarsun me elemente të ndryshme kaptimore (begriffliche Merkmale) si formale, si kvalitative, si edhekvantitative. Po kuptohemi! – Ka do njerz që e marrin shumë herë formën e jashtme për poezi. Një shkrimtar bilmez shqiptar e çfaqi dukshëm kët qendrim esthetik(?) (në një nekrolog për një toger) me këto fjalë: “I ndyeri ishte poet, tërë letrat i shkruante në vjershë!”!! – Ka do njerz prap që e marrin për poet vetëm njat njeri, i cili asht i zoti i ndonjë dege së veçantë poetike, bj.fj. për vjersha, apor per novela, apor për drama etj., apor edhe për disa nga ato degë. – Ka mandej njerz që kërkojn nga poeti i vërtetë një sasi të dukshme veprash; nuk u mjafton atyne një faqe e shkrueme, apor një vjershë e vogël, apor “një frazë e vetme për ta pavdekësuar poetin” (V.Koça, 1924), jo, ata kerkojnë poezi me shekë, dhe duen vëllime dhe stërvëllime, në mos një bibliothekë të tanë. – Ka do njerz masandej që e duen poezinë ma fort me përmbajtje muzikore (=auditive), disa tjerë ma fort me përmbajtje ngjyrore (=visible), të tjerët prap ma fort me përmbajtje rythmike-dynamike (=motorike), Ka njerz mandej që kërkojnë nga poezija ma fort finesa dhe delikatesa shiejetare, disa të tjerë ngopen vetëm me bukë elbi dhe thekne poetike. Disa duen vetëm zbavitje dhe argtime, të tjerë kërkojn ma fort tronditje dhe përvëlime. Disa kërkojn vetëm çfaqje apor paraqitje “bukurije” (panesthetike), të tjerët duen pasqyrimin e një cope natyrë (veriste – naturaliste – realiste) të pamë “par un temperament” (Zola!). Do njerz prap kerkojn nga poezija vetëm lëvizje fantazije dhe ndjenjash, të tjerët kërkojn edhe dynamizim mendje dhe force gjykimtare (Urteilskraft). Kundërshtimet dhe luftimet ndërmjet shiejetarëve dhe kritikanëve literarë përmbëlidhen sidomos rreth pyetjes: A duhet të jetë poezija qellimtare (Zweckdichtung) apor jo? Disa thonë se një poezi pa ndonjë tendencë në vetvehte s’ka si ban efekt etj., disa prap e kërkojn poezinë fare jasht-ideore dhe jo-qellimtare, e kërkojn si një “ishull lumturije”, ku nuk ka vend për vogëlsina dhe interesa të “prunjta” të kësaj jete! “Was aber schön ist, selig ist es in ihm selbst!” thotë vjershëtari Mörike në një vend. Por prap ata të parët nuk i dahen mendimit që edhe poezija asht sherbëtore e kulturës dhe e njerëzimit dhe kërkojnë prej saj këtej ma fort përmbajtje folozofike, andej ma fort religjioze-mystike etj.; nër kohna të vjetra asht shikue poezija si mjet edukimi të personalitetit (në kuptimin e Goethe-s!), sot priten prej saj ma fort efekte socjale dhe kolektive. Nder disa vende të vogla – si në Shqipni – ku janë shtrengue dhe ngushtue gjithë ndjenjat dhe forcat shpirtnore të kombit nër disa kulturë-bartës (Kulturträger!) të pakë, kërkohen nga poezija pak a shumë edhe tendence edukative-kombëtare, në mos edhe dynamizime ideore-patriotike. Nër ata vende -së fundit- ku e tund dhe e përtund politika jetën kombëtare, d.m.th., ku s’ka vend aspak për lëvizje artistike – individualiste – aty s’ka si pritet poezi tjetër pos asaj “politike” (e cila, si çdo poezi me qëllime materialiste, e ka vulën e meritueshme në ball!). – Gjithë këtyne pikëpamjeve gjykimtare-esthetike apor edhe shiejetare-artistike mbrenda sheshit të gjanë poetik mund t’u shtohen edhe sa e sa të tjera – të panumurta – baras me elementet kaptimore (Begriffsmerkmale) mbrenda fjalëve të shumëngjyrëshme “Poet” dhe “Poezi”. Por po ja lamë leçitësit të zellshëm që t’i kerkoj aj vetë ata elemente, bashk me kriteret e ndryshme artistike, nër diftimet e “Poetikës”, t’«Esthetikës» dhe të “Dijtunive t’Arteve”. Theksojmë këtu vetëm se kaptimi “Poezi” nuk ka një përmbajtje të caktueme e se mbrendsija e tij xhixhillon dhe ylberon gjithëkund e gjithëmonë si mbas kohës, si mbas vendit, si mbas shpirtit të një populli, dhe simbas kulturës (=shkollë, dieje, e edukatë etj.) të çdo persone shiejetare-kritikuese. Kështu asht edhe e kuptimëshme që – paralel me shkollimin dhe influksin kulturor heterogen nër viset dhe personat e ndryshme në Shqipni – ndryshojnë edhe shiejet, ndryshojnë pikëpamjet gjykimtare – esthetike, dhe ndryshojn edhe vlerësimet (Bewertungen!) kritike – letrare kundrejt veprës lasgushjane! Kët ja thomi kundërshtarëve, por njëheri edhe adhurimtarëve të vjershëtorit poradecar…
Por, le të kuptohemi edhe pak ma mirë! Thohet shumë herë se ARTI (i vërtetë) asht internacjonal! Dhe ket mendim e yshqyenë jo vetëm esthetikat e vjetra, formaliste, klasike dhe klasiciste (Winckelmann!) para shekullit të XIX, por e yshqejn edhe sot adhurimtarët e pashueshëm t’arteve klasike-antike. Deri diku u forcue ideja e “Artit Internacjonal” edhe nga Kant-i, nga Schiller-i, nga Herbart-i dhe përgjithësisht nga gjithë Klasicizmi neper theorienat e tyne rreth “shijimit esthetik të pa-interesë”. Tendenca kryesore e gjithë atyne mendimeve dhe përcaktimeve mund të përmbëledhet ne formullën si pason: «Arti i vërtetë asht vetëm dhe përvetëm bartës dhe përhapës “bukurije”, (Winckelmann-i thotë: Schönheit ist der höchste Endzweck und der Mittelpunkt der Kunst!) dhe ajo bukuri asht aq e thjeshtë, aq sempël, sa mund të kuptohet dhe të shiejohet nga çdo njeri me shise të shëndosha dhe të natyrëshme!» Dishepujt e theorinave në fjalë na i paraqesin si shembuj të gjallë sidomos prodhimet artistike antike, ku – si thonë ata – qenkan trupsue (gestaltet) “idenat e përgjithshme dhe të përjetshme njerzore në një semplicitet të perendijshëm)! -Mirë po Esthetika moderne dhe Dijtunitë e ndryshme t’Arteve (qysh nga Lessing-u e tektej!) u kundërshtojnë rreptësisht theorinave pro-antike dhe “kalli-kratike” (=bukuri-sunduese!). Njëherë duhet dallue ndermjet artit fjalor (poetik) dhe arteve hartimtare (bilden – de Künste). Sepse, deri diku, artet hartimtare (si pikturimi, plastika, skulptura, dekoratura dhe arhitektura) i flasin ma tepër shiseve se zemrës, dhe ma tepër nervave se shpirtit; kurse arti fjalor i drejtohet kryekëput mendjes, diejes, kuptimit logjik, shiejes, kulturës, kujtimeve dhe botëkuptmit të shiejetarit. Prandej mund të besohet – deri diku edhe këtu! – se artet e Helenëve (Romakët s’kan qitë gja të veten në dritë!), pra se artet e Grekëve të Vjetër, a ma mirë artet hartimtare antike kan njëfarë bukurije dhe sempliciteti esthetik në vehte, të cilët i flasin çdo shpirti naiv dhe të padjallëzuem (të natyrshëm). Porse mu në njat semplicitet dhe në njatë “kalikratië” qëndron dobësija e artit antik-hartimtar. Sepse – si mendojm na sot – arti i vërtetë duhet të jetë pasqyra e jetës së vërtetë, pasqyra e jetës bi-polare, të tundun dhe të shkundun ndermjet dritës dhe errsinës, ndermjet qiellit dhe tokës, ndermjet Hyjnive dhe Djemve, ndermjet lumtunisë dhe dëshpërimit dhe ndërmjet bukurisë dhe shëmtimit. Grekët e vjetër kan qenë o aq naiv o aq frikacakë (si çilimijt) sa i jan trembë çdo paraqitje artistike të gjanave të shëmtueme dhe shëmtuese; por kësodore i kan mbetë edhe fare larg problemeve ma tronditëse të jetës njerzore dhe s’kan kuptue asgja nga përdëllimet dhe përvojtjet, nga tundimet dhe luftimet, nga ngadhnjimet dhe deshprimet, nga hapsinat e pamate hyjnore – qiellore dhe as nga humneret e pafundshme djallore të shpirtit njerzor. Arti hartimtar i Helenëve asht si njajo muzika “absolute”, si njato muzikat e lehta të Palestrinës, të Bach-ut e të Mozartit me shokë, të cilat hiedhen – në formë kantantesh, madrigalesh, arjesh etj., – përpjet kah qielli, plot lehtësi e pafajni, plot andsië e bukuri, por edhe pa fellsi e shkreptësi të vertetë. Kështu kuptohet ndryshimi flagrant ndermjet skulpturave të Helenëve dhe të një Michelangelo-je apor të një Rodin-i, kështu kuptohet ndryshimi, ndërmjet bukurisë së tempujve antikë dhe asaj të kishave gotike, dhe kështu kuptohet ndryshimi i madh ndermjet njatij arti apollonik të vjetër dhe artit tonë faustik dhe dionysik (si mbas Spengler-it!). – Asht e vërtetë se Grekët e Vjetër kan ushtrue edhe art fjalor (poezi)… por këtu ndryshojn edhe mendimet, sidomos mendimet e filo-helenëve. Porse ne s’kemi menden t’i shtrohemi këtu një traktati mbi artet antike dhe po mjaftohemi tuj thanë me gjithë botën sot që poezija e vërtetë – edhe ajo e Grekëve të vjetër – ka vetëm një qëllim: me e paraqitë jetën ashtu si asht: plot dritë e errësinë, plot lumtuni e dëshpërim e plot bukuri e shëmtim. Poezija e vërtetë gjen edhe tepër pengime dhe ndalesa po desht me veprue vetëm mbas ligjeve të “kalikratisë”, sepse mjeti i sajë ma kryesor landor, “gjuha”, asht kryekëput produkt i njasajë jete të vërtetë. Psyhologjija moderne e gjuhës (R.Hidebrand, W.Wundt, K.Bühler etj.) na ka dhanë njoftime të fella e të randësijshme mbi këto çashtje. E kemi fjalën sidomos te “symbolet” gjuhësore por edhe poetike. Si mbas Wund-it përbahet dhe brumoset gjuha e çdo kombi nga kujtimet, njoftimet, gëzimet dhe pësimet e tija qysh nga të hershmet mote; d.m.th., gjuha e një kombi rritet organikisht dhe paralel me përparimin mendor, shpirtnor dhe kulturor po t’atij kombi. Dhe kjo rritje nuk shifet aq në shumëzimin e fjalëve dhe ekspresjoneve se sa ma tepër në përmbushjen dhe plotësimin e fjalëve të vjetra me kuptime të reja, ma të kjarta ma të ndritshme. Si mbas një metafore të filologut R.Hildebrandt (thanë ashtu fare shqip:) çdo fjalë e gjuhës sonë asht si një fyshek i zbrazët, në të cilin fut çdo folës barutin e kujtimeve dhe të ndjenjave të veta, a ma mirë: barutin e gjithë jetës së vet. Kështu bahet çdo fjalë “symbol” i një jete krejt individuale, krejt të veçantë dhe krejt “monade”; neve kuptohemi ndermjet shoqishojt neper do fjalë të zbehta shumë herë e ma fort fjal pazari; porse shikue ashtu fare afër, fjalët e vërteta, fjalët e zemrës dhe të shpirtit (sidomos poetike!) nuk mund të shpjegohen e nuk mund të përkthehen ashtu me gjithë kuptimin e tyne original, ashtu fare me “synonyme”. Kështu bahet i zorshëm edhe kuptimi i çdo poezije nga një njeri apor komb heterogen, dhe kështu ngrehen gardhet e pakalueshme për Artin Internacjonal. Jemi sigur se edhe në Shqipni qëndrojnë kësifarë gardhesh gjuhësore-poetike; e jemi sigur se për kuptimin e plot të veprës së Lasgushit lypsen – (quod erat demonstrandum!) shiejetarë e kritikanë kongenjal me vjershëtorin, që i njofin ma së miri brëngat e vojtjet e tija, që i njofin mandej rrethanat e jetës dhe të vendlindjes së tij dhe që i kuptojnë mirëfilli përftimet e artit, por sidomos ato të botëkuptimit (Weltanschauung) të tij. Për këto të gjitha asht i zoti dhe asht në vend padyshim ma fort se kushdo tjetër M.Kuteli; dhe jemi gati dhe mjaft zemërgjanë për të ja pohue, se vetëm aj mund ta kuptoj dhe ta shiejoj ashtu fare dhe deri në fund poezijen lasgushjane. Po njashtu si s’duhet edhe mohue, se M.Kuteli nuk asht fort në vend si kritikan objektiv, mbasi e ka zakon me u zhytë e u mbytë nër kujtime e përmallime të Lasgushit e me i marrë shumë herë gjithë njato fjalë dhe symbole individuale lasgushjane – njato elemente ma fort materjale-artistike, a ma mirë njatë fulgente immagine, njatërisposta idea, njatë armonia dei numeri e njat amor che non crea – për Poezi….
***
Autori i këtij shkrimi i ka parasysh – si po shifet – të gjithë zorimet që i dalin një kritikani objektiv të veprës lasgushjane, dhe sidomos atij që i përvishet pyetjes: “A asht poet Lasgush Poradeci?”. Mirë po autori ka edhe një zog të çmueshëm në dorë, një chance dhe një avantage: asht marrë me kohë sidomos me literaturën toskënishte, ka shkrue aty e këtu edhe në djalektin e Jugut, i ka mandej do njoftime dhe eksperjenca literare-kritike neper njat studjimin e vet mbi Naim Frashërin (i cili mbet pa asnjë kundërshtim!), e njef masandej Lasgushin si personalisht, si letrarisht, dhe i ka mbas së fundit do baza të sigurta dijtunore nepër mësimet e veta universitare e private në filozofi dhe nër shkenca t’Arteve. Një farë lehtësimi dhe njëavantage tjeter i del autorit sidomos nga fakti që si Lasgushi si edhe autori janë të përmbëledhun kulturisht dhe dijetarisht ma fort në qarkun kulturor gjerman (në të cilin vepron ma fort se tjetërkund shpirti i filozofis dhe i poezis – “Das Volk der Dichter und der Denker”!); dhe aq ma mirë kur kujtojm, se vet Mitrush Kuteli na i ka hapë shtigjet kah njaj qark kulturor-gjerman me karakterizimin e Lasgushit si “Dichter”. Por, mbi këto të gjitha, dhe fundi i fundit: vepra lasgushjane i drejtohet për shijim (dhe kritizim!) gjithë botës shqiptare, dhe jo vetëm M.Kutelit apor qarkut të ngusht poradecar…
Intanto: e shikojm një herë Lasgushin neper kriteret e fjalës “Dichter”! – Para se me marrë hov fryma heterogene e çifutëve mbrenda literaturës gjermane, në gjysëm-shekullin e fundit, ka pasë kombi gjerman një kuptim fort të naltë për Dichter-t e vetë. Kjo gja kuptohet ma së miri nga përemnat: Dichter-Fürst(prijs), Dichter-Seher (profet) dhe Dichter – Sänger – Gottes(kangëtar i Zotit) që u jepeshin nër kohënat e vjetra poetëve të vertetë. Filozofija idealiste e re dhe sidomos filozofija neohegeljane e shtetit (Staats-philosophie) e përmbëledh tani edhe Poet-in nën kaptimin filozofik-mythologjik “Volks-Heros” dhe e ven kësodore në një shkallë me prijsat ma të shndritshëm e ma të perendijshëm të Kombit (shif sidomos: Kurt Hidebrandt, Platon, Der Kampf des Geistes um die Macht, 1933!). Porse s’kan qenë vetëm gjermanët që i kanë dhanë gjithë atë randësi sipërnjerëzore Dichter-ve të vetë, jo, edhe nër kohna të vjetra, qysh nër Grekët (sidomos nek Sokrati dhe Platoni!) dhe nër Romakët, ashtu edhe në Galje, n’Angli dhe në Skandinavi asht nderue Poet-i si “profet” dhe “prift (=prijs) i kombit” (Vates!); dhe historija na difton se deri më shekullin e XIX i jan besue sa e sa Poet-ve detyra të nalta shtetnore, si këshilltarë të mbretënve, si përfaqsuesa dipllomatikë, si arbitër nër çashtje të randësijshme dhe delikate etj.. Shka i ka shty kombet e ndryshëm për gjithë at nderim dhe përhyjnim ka qenë ideja se: Poeti i vërtetë asht (si me thanë):Kombi vetë, a ma mirë: Poeti asht shpirti i kristalizuem i Kombit! – Filozofi gjerman K.Hildebrandt e quen njat Heros: “die zusammengefasste schöpferische Kraft des Alles, das Instrument der Gottheit!” Poeti i vërtetë asht pasqyra e shpirtit të kombit dhe asht lajmtari dhe kasneci i gjithë dishireve, andrimeve, shpresave dhe brëngave ma të fshehta të tija; ma fort: poeti i vërtetë asht njaj instrument i perëndijshëm, nepër të cilin tingllon dhe zhungllon, si një sinfoni e gjallë, e gjithë qenmëja e kombit qysh nga kohnat ma të hershme të kalueme, plot malle e kujtime, plot lot e përvajtime. Shka e cilëson poetin “Instrument të Perëndisë” asht njajo zotësi e tij: me mendue e me dishrue me Kombin e me hjekë keq e me vuejtë për te deri në fundin e shpirtit të vet. Dhe sidomos njajo vuejtje e tij per Kombin asht karakteristika ma e flakëta e Poet-it; sepse neper njatë vuejtje shtyhet aj me u futë sa ma fellë nër xehet (minat) (=minierat shën.i bot.) e shpirtit të Kombit, me nxjerrë andej vizare mendimtare e kulturore, për me ja paraqitë mandej ato botës nër forma tërheqëse poetike. Kështu e arëson Poeti Kombin, i jep njoftim dhe besim mbi vetvehten, ja forcon vetdijen dhe karakterin, dhe e drejton nër fate ma të lumtuna e ma kreshnike. Pat thanë një herë një shkrimtar i vjetër: Poeti i vërtetë asht një gisht i perëndijshëm, njaj gisht i Moisiut profet (shif veprën e Michelangelo-s në Romë), i cili difton aq mënerrshëm kah qielli, por i cili i diftoj kombit të vet edhe rrugët e mbara kah trojet lavdiplote!
Shikue tash afër, mbas këtyne paraqitjeve tona, sado të gjymëta, besojm se asht fort zori me e kujtue Lasgush Poradecin “Dichter”. Na as që duem të ja hamë hakën, as që duem të ja ulim vleftën e meritueshme poetike, kur thomi se: në veprën lasgushjane nuk kan vend kurrsesi perfytyrimet e kaptimeve Prijs, Profet, Kangëtar i Zotit, Heros i Kombit, Instrument i Perëndisë, Vates etj.. Lasgushi asht ndoshta njëfarë poeti, por jo në kuptimin e naltë të fjalës “Dichter”. Sepse shka i mungon Lasgushit në një mëndyrë fort të çuditëshme, por edhe të dukëshme, asht njajo lidhnië e ngushtë dhe njajo vuejtje e përbashkët me kombin e vet. Lasgushi shkruen shqip, dhe shkruen ndoshta bukur e pastër, porse vepra e tijë nuk përmban, asnjë paraqitje, asnjë fytyrë dhe asnjë ngjarje, ku mund t’u shifte shpirti i kristalizuem i Kombit Shqiptar. Nër nja 90 vjersha që ka botue deri më sot Lasgush Poradeci gjinden vetëm nand a dhjetë me një përmbajtje të përgjithshme kombëtare – shqiptare shif: Vallja e Yjve, Nr.6, 7, 8, 9; Ylli i Zemrës, Nr. 9, 10, 11, 12!), porse mu ato jan nga ma të dobëtat e vjershnimeve të tija (d.m.th., s’jan kurrsesikristalizime!), dhe edhe në qoftë se flasin aty e këtu për ndonjë ngjarje a personë shqiptare, nuk përmbajnë në vetvehte asnjë frymë poetike t’atillë që mund t’u thonte se: kështu e vetëm kështu mund të flasi shpirti shqiptar! Në këtë pikëpamje asht ma karakteristike nga të gjithat njajo vjershë e vogël – një vjershë mjaft e çuditshme dhe problematike – që i-u kushtue me rasën e 60-vjetorit:
ASDRENIT
Portret
Burr’ i urtë-e i veçuar,
Shqipëtar me shpirt të qruar,
Vjershëtor vjershë-kënduar:
Pate shkruar e punuar
Kombin për t’a kombëzuar,
Shqipen për t’a shqipëzuar.
Kjo vjershë (së cilës s’po ja shikojm këtu të metat kolosale artistike!) kërkon me gjithë mend (shif nëntitullin e sajë!) me na falë një portret poetik, shka d.m.th., një paraqitje karakteristike të fytyrës poetike-historike të vjershëtarit Asdreni, dhe njëheri fytyrën e një vjershëtari shqiptar! Neve që e njofim pak a shumë Asdrenin mund të kuptojmë, po se shkado të ketë dashtë me thanë Lasgushi me atë vjershë apor me ato vargje, fjalë e rime të çala; porse: a përfituem gja nderit (të vlefshme) nga ajo vjershë?… a na u shtue njoftja?… a na u ngoh zemra?… a na u përmallue shpirti?… a na u forcue fantazija?… a kuptuem gja ma tepër se përpara për Murgun e Psallmeve??? Pyesim ma gjanë: Çë përfytyrim optik mund të ketë një leçitës i njasajë vjershe, i cili – sado me kulturë të gjanë dhe me një fantazi të flakët – nuk e njef Asdrenin as personalisht as letrarisht? Kjo “varfëri kreative” në njat “Portret” na bje aq ma fort në sy, kur mendojm se Lasgushi ka thithë qumështin e parë poetik nga veprat e Asdrenit, se njifen mandej njeni me tjetrin si motër-e-vlla… e se fund-i-fundit Asdreni, sado modest qoft e sado i “veçuar”, i ka ngreh vehtes një pomendar të dukshëm mbrenda historisë sonë literare e kombëtare, dhe fytyra e tijë ka sadokudo një profil të kontur-uem mbrenda literaturës sonë. Kët pomendar historik dhe kët profil literar duhej të na e vizatonte dhe të na e paraqitëte Lasgushi me ngjyra e me vija karakteristike. Sepse çdo poezi e vërtetë asht një “Normë”, një “Ide esencjale”, një “Ndjenjë e kristalizueme” apor edhe një “Formë idealizuese” e një objekti (=personë apor ngjarje!) të konceptuem: dhe ajo paraqitje duhet të jetë e përplotë, duhet të jetë klasike (si pat thanë Dilthey-i dhe Spranger-i!) dhe ajo paraqitje duhet të jetë e pandryshueshme dhe e pazevendësueshme. Sidomos një portret poetik asht si një petk i premë postafat dhe fare individualisht, i cili s’mund t’i mvishet me asnjë mëndyrë një persone tjetër. Shifeni tani “portretin” e Asdrenit: i heqim mbishkrimin që ka dhe ja zavendësojm me emnin e një vjershtari tjetër shqiptar, fj.vj., të: Naim Frashërit!… Gjergj Fishtës!… De Radës!… Ndre Mjedës!… Çajupit!… Pashko Vasës!… Hil Mosit!… Sali Butkës!… etj., etj.. Po t’ishim malizjoz, mund të thoshim me gjithë haré: Sa gjenjal ky Lasgushi, na ka falë një kallëp aporshablonë portreti, në të cilin mund të futet çdo vjershëtor shqiptar ad libitum dhe ad infinitum!! Jo, ma tepër, portreti i Asdrenit mund t’i përshtatet edhe vjershëtorëve të literaturave të hueja; qé një shembull:
ESAT BEUT
Portret
Burr’ i urtë-e i veçuar
Tyrkoman me shpirt të qruar,
Vjershëtor vjershë-kënduar:
Pate shkruar e punuar
Kombin për t’a kombëzuar,
Tyrqen për t’a tyrqizuar.
Helbeté tash çohet ndonjë bilmez i çashtjeve artistike dhe na thotë se: kështu mund të ndryshohen të gjithë vjershat dhe veprat poetike etj…! Por na i përgjigjemi se jo, dhe i thomi edhe një herë se çdo vepër e vërtetë poetike e artistike asht e pazavendësueshme dhe e pandryshueshme, dhe si provë kundërarsyetuese i jellim faktin – (këtu po flasim vetëm për poezinë shqiptare – prandej disi me rezervë!) – që Marash Uci e Oso Kuka që Papa Kristo Negovani (i L.Logorit), që Hanko Halla (e Ali Asllanit), që Xhiu i Fajës dhe sa e sa persona të portretueme pak a shumë mjeshtërisht ndër veprat e Koliqit, të Haxhiademit, të Muzës Popullore etj., e humbin fare kuptimin e vet po u zavendësuen nga persona heterogene dhe po u shkëputën nga sfera dhe atmosfera karakteristike e vet. Kurse… në të tetë a nandë vjeshat e Lagushit që flasin ndopak mbi persona o ngjarje të përgjithshme mund të zavendësohen – pa asnjë humbje kuptimi dhe efekti – si personat, si emnat gjeografikë, si ngjyrat e flamurit, si edhe çdo fjalë që përmend Shqipni e shqiptarë…
Sepse shka e karakterizon vjershën lasgushjane në një mëndyrë të çuditshme asht mungesa e çdo problemi shpirtnor shqiptar dhe me te bashk mungesa e një koloriti karakteristik shqiptar. Po spjegohemi! – Lasgushi nuk ka shkrue deri më sot asnjë vjershë, në të cilën mund t’u shifte ndoj ide e kristalizueme nga jeta, nga dëshirat, andrimet, shpresat, brëngat dhe sidomos nga botëshikimet (Weltbetrachtungen) e Kombit Shqiptar – (Këtu po flasim për Kombin Shqiptar si ent ethnik dhe jo si ent politik apor patriotik!). – Asht e vërtetë se disa nga vjershat ma të bukura të Lasgushit sjellen dhe përdridhen me një afshië të përvëlueme dhe me një ngjyrim të rrallë rreth një këndi të Shqipnisë dhe të Kombit tonë (shif: Kënga Pleqërishte, Poradeci, Kroj i Fshatit tonë); mirë po, me gjithë frymën rrëmbyesëse poetike që kan njato vjersha, nuk permbajnë asnjë ide karakteristike shqiptare dhe nuk ndritsojn asnjë problem shpirtnor shqiptar. Të tria njato vjersha mund t’ishin kompozue – pa e humbë aspak efektin poetik – edhe rreth një vendi tjetër ballkanik, evropjan, aziatik etj.; do të mjaftonte vetëm zavendësimi i fjalëve Poradeci, Mal-i-Thatë, Shqipëri, Drini dhe Shëmdaumi me fjalë korrespondente. M.Kuteli na e rekomandon sidomos vjershën “Kroj i fshatit tonë” si karakteristike për “Ethikën” (?) shqiptare, e quen përmbajtjen e kësaj vjershe “idile e dashurisë rustike – esencjalisht shqiptare” (Ylli i Zemrës” f.167!) dhe si argument karakterizues na e paraqet rrjeshtin e fundit të këtyne vargjeve:
Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë
Vjen t’i thotë trimi vashës nja dy fjalë:
Vashëzën bujare që po vij më krua
Seç e përshëndeta, seç m’u turpërua,
Papo ula kryet e shkova si grua.
Ky varg – shton mandej M.Kuteli – na pasqyron gjithë freskëtinë e paqësinë e jetës erotike shqiptare! -Por neve s’i bindemi dot atij argumenti! E marrim se dashurija rustike shqiptare e lejon – jo vetëm në qarkun e Poradecit por edhe në të gjithë Shqipninë – që t’i flasi trimi vashës te kroji i fshatit, e marrim edhe se vashëza bujare turpërohet m’at moment kur i fliten ato dy fjalë e se “atëherë vetë trimi ul kryet tatëpjetë i zotëruar gjithë prej asaj ndjenje” (“Ylli i Zemrës” f.168). Mirë po ku qëndron këtu idila e dashurisë rustike – esencjalishtshqiptare? – A thue nuk turpërohet vasha e trimi në çdo kënd të botës nër rrethana e rasa t’atilla? – Dhe… a thue nuk rrëmbehen edhe vashat bujare dhe të thjeshta (jo-kokona!) të çdo vëndi tjetër nga njaj “mall-i-djegur-durim-plot” dhe nga njaj “mall që djeg me të fshetë” … dhe a thue nuk buçet përpjetmalli i çdo trimi dashuronjës të vërtetë??? – Jo kurresesi,dashurija idilike-rustike te “Kroi i fshatit tonë” nuk asht një gjaesencjalisht shqiptare! Esencjalisht shqiptare do t’ishte vetëm mëndyra se si ja thotë trimi vashës njato dy fjalë, se si i flet shpirti i shqiptarit shpirtit të shqiptarkës, dhe se si ja rrëfejn njeni-tjetrit mallin e djegur dhe mallin e fshetë me fjalë a me shenja karakteristike shqiptare, d.m.th., konform me zakonet dhe me moralitetin (Kuteli thotë “Ethikën”!?) e Kombit Shqiptar. Shka e ban aq plastike dhe aq shqiptare novelën e Ernest Koliqit asht njajo zotësi e tijë me i këputë intimitetet ma të fshehta e ma t’imëta nga zemra e Shqiptarit dhe me i paraqitë – në të folme e sjellje të personave protagoniste – fare gjallë, fare dukshëm dhe fare dëgjueshëm. Pos kësaj: sa probleme të shpirtit shqiptar dhe sa idena karakteristike nga jeta dhe botëshikimet e Kombit tonë vlojnë nër ato novela; po njashtu si vlojnë edhe nër veprat e Fishtës, Logorit, Asdrenit, Prendushit, Çajupit, Asllanit, Mjedës etj.! – Kombi ynë asht ndoshta nër ma filozofët, nër ma të pastërt, nër ma fisnikët, nër ma burrat, nër ma heroikët dhe nër ma tragjikët dhe dramatikët e botës (po flasim për shqiptarët e vërtetë të maleve e fshateve dhe jo orjentalët e qyteteve!); kemi nga jeta dhe nga goja e njatij kombi kallxime, kujtime, amanete, përcaktime botëkuptimi dhe fjalë kristaline mendimtare… ku secila prej tyne do të mjaftonte si motiv dhe si shkëndijë nëshpirtnuese për krjimin e një vepre artistike. Pos kësajë: Besa! Nderi! Burrnija! Miku! Gjaku! Grabitja! Preja! Prita! Fisi! Bajraku! Kanunet! Kuvendet! Pleqsija! Soduemja! Vrasa! Ndorja! Kushtrimi!… çë pamje vigane-dramatike!… çë përfytyrime Shakespeare – janë!!… Nga të gjitha këto s’ka asnjë iskër nër vjershat e Lasgushit! – Mirë, e marrim se Lasgushi nuk ka dell për koncepcjone dramatike-heroike e se Muza e tijë vepron ma fort nër sfera idilike-epike-lyrike! Por: a thue se nuk punon Muza Shqiptare edhe nër këto sfera? -Shifni do novela të Koliqit, shifni Hanko Hallën e Asllanit, shifni do përshkrime psyhologjike sublime nër vjershat e Prendushit etj., etj., ku asht zanë, si me thanë, në rrjetë jeta e përditshme e Shqiptarit: plot intimitete të kandshme shtëpijake, plot ngrohtësi atmosfere familjare, plot imtime e cikrime shpirtnore, plot mundime dhe heroizma të ditës, por edhe plot gëzime dhe humore shelbuese të një shpirti ngadhnimtar. T’ashtuquejtunit intelektuala dhe enciklopedista të kafehaneve e kan zakon me e përbuzë dhe me e shikue me një sy njerk poezinë popullore shqiptare, në të cilën nuk shofin tjetër veç se disa vjersha epike stereotype me pak e aspak ndryshime. Por të merrshin pakëz mundim ata orjentala,pardon: okcidentala të kafehaneve tona dhe t’i vërejshin sado përzgriptas faqet e Hyllit të Dritës, të Lekës, të do kalendarëve të vjetër, të Hahn-it, të Dozon-it, të Thimi Mitkos, të Kangëve Popullore, të Visarit Kombëtar, makare edhe të Valëve të Detit etj., por sidomos po të kishin haber mbi do kangë dashunore të popullit të mbledhuna nga njeni a tjetri (bj.fj. E.Koliqi!)… do të çuditeshin (engjikllopedistat e Larousse-it) mbi gjithë atë pasuni vjershash e kallximesh erotike, idilike dhe baladeske, të pashoqe në literaturën e shkrueme të Kombit tonë. Sepse shka bje në sy nër njato vjershnime të popullit jan sidomos hollsija e shprehjeve, pastrija e ndjenjave, fellsija e mendimeve, dhe trupsimi (plasticiteti) i paraqitjeve, dhe të gjitha këto së bashku të kallxueme ashtu pa të keq, pa tërtevërte, por me fjalë të thjeshta, të gjalla e qind-për-qind shqiptare. Dhe shka asht edhe ma tepër: njato poezi popullore vlon plot rreze djelli dhe xhixhillime hyjsh të një humori qiellor. Shqiptari i vërtetë, si filozof që asht nga natyra, nuk u pëmbyt fare nga hiejet e randa heroike – tragjike – dramatike të jetës së vet, por e pushtoj dhe e pushton edhe sot njatë jetë të vrantë me njenën anë nëpër mendime të fella e kanune gjeniale, dhe më tjetrën (anë) me një humor djellor dhe me një buzëqeshje të kënaqshme dhe fisnike. Njaj humor i thjeshtë dhe fisnik i dallon si qiellin me tokën burrat e vërtetë shqiptarë dhe gratë e vërteta fisnike nga grindavecarët tutankamona të kafehaneve dhe morracaket kukuvajka të gjyteteve tona. Sepse, si tha Goethe-ja, humori i vërtetë asht karakteristika e një shpirti të madh dhe heroik (shif Grekët e Vjetër!). “Der humor sieht hinter dem Zufall das Schicksal. Er verknüpft Endliches mit dem Unendlichen, und lehrt, wie man mit einem Lächeln das Schicksal besiegen kann”(Dessoir, Ästhetik, p.170). Dhe njaj humor çlirimtar dhe shelbues shifet, si thamë, sidomos nër vjershnime dhe kallxime popullore, shifet edhe nër vallet e këndueme dhe të këcyeme të popullit, dëgjohet nër festa e argtime të fshateve e të maleve nga kangët e bejtaxhinjve të mirënjoftunë… por aj humor vezllon e xhixhillon aty e këtu edhe te Naim Frashëri, te Asdreni, te Çajupi, të Loni Logori, te Ali Asllani, te Prendushi, te Koliqi etj., e sidomos te tre bejtaxhijt e kalemit: Lazër Shantoja, F.Noli dhe Gj.Fishta (me gjithë që këta të tre e përvetojn tepër shpesh humorin e vet në një sarkazëm therrëse-përmbytëse apor nër parodina e forma të ndryshme burleske-groteske!)… Sidoqoftë, edhe nga këto të gjitha nuk shifet asnjë iskër nër veprat e Lasgushit!…