Analizë nga Rafael Floqi
Disa kohë më parë gjatë fushatës presidenciale në një intervistë të drejtpërdrejtë me mua për ALBTVUSA, ish i dërguari i Kosovës për Presidentin Trump, Richard Grenell deklaroi se “Presidenti Trump do ta lirojë ish- Presidentin Hashim Thaçi që ndodhet në Hagë” .
Deklarata mund të dukej elektorale ne atë kohë zgjedhjesh në Michigan, ku duhej që shqiptarët të ndihmonin Trump-in, por Richard Grenell ka reaguar sërish pas protestës së mbajtur të enjten më 7 Gusht kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një shenjë inkurajuese.
Në një intervistë për Klan Kosovën, Grenell e quajti Gjykatën Speciale “një njollë të madhe për evropianët” dhe kritikoi faktin që ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim për më shumë se pesë vjet. “Ky nuk është një sistem i drejtë i drejtësisë. Kur mbani dikë kaq gjatë në burg me akuza të çmendura politike, kjo flet më shumë për ndjekjet politike që po i bëjnë evropianët. Është e tmerrshme dhe tregon natyrën politike të Evropës. Evropa duhet të përqendrohet më shumë në ekonomi dhe më pak në politikë,” tha ai.
Grenell e cilësoi ish-presidentin Hashim Thaçi si “peng” të Gjykatës Speciale. “Ajo që i kanë bërë në pesë vitet e fundit është të mbajturit peng. Është një situatë e tmerrshme dhe duhet të dëgjoni zërat në gjithë Evropën që po thonë se kjo është e papranueshme. Nëse doni një sistem të drejtë drejtësie, kjo është tmerrësisht e gabuar,” u shpreh ai.
Akuzat në Hagë padrejtësi ndaj luftës së drejtë të popullit të Kosovës
Vendimi për lirimin e liderëve të UÇK-së duhet të jetë një zhvillim historik që shkon përtej një procesi gjyqësor individual – ai prek vetë narrativën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe raportet ndërkombëtare mbi të. Hashim Thaçi, si një nga figurat kryesore të UÇK-së dhe më pas President i Kosovës, ka qenë për shumë shqiptarë simbol i rezistencës dhe sakrificës. Përballja e tij me akuzat në Hagë u pa nga një pjesë e madhe e opinionit publik si një padrejtësi ndaj luftës së drejtë të popullit të Kosovës.
Richard Grenell, ish-emisar special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ka treguar në disa momente mbështetje për drejtësinë dhe ka ngritur zërin për nevojën e proceseve të paanshme së pari me televizionin ALBTVUSA disa kohë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale. Angazhimi i tij, sidomos në planin diplomatik, ka qenë i lidhur ngushtë me ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe shmangien e proceseve të politizuara edhe pse i akuzuar si mik i serbëve. Por Grenell në moment nuk ka asnjë pozicion zyrtar në lidhje me Kosovën dhe ndërmjetësimi që bëri në Venezuelë ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime në departamentin e shtetit me sekretarin Rubio.
Stili diplomatik i Grenellit
Richard Grenell ka një vijë të qartë në karrierën e tij diplomatike: ai nuk ndjek gjithmonë protokollin e diplomacisë klasike, por preferon ndërhyrje të shpejta, të drejtpërdrejta dhe me efekt politik të menjëhershëm – një stil që e përdori si ndërmjetësues për dialogun Kosovë–Serbi dhe e ripërdori së fundi në Venezuela që me gjithë lirimin e disa pengjeve çoi në vendosjen e 50 milionë dollarëve kërkesë për kokën e Maduros.
Në Kosovë (2019–2020), si i dërguar special i Presidentit Trump, Grenell shmangu diskutimet e gjata mbi çështjet historike dhe politike, duke u fokusuar te marrëveshje ekonomike dhe projekte konkrete (linja hekurudhore, marrëveshja për fluturime, energjia). Ai e paraqiti veten si menaxher marrëveshjesh, jo si negociator ideologjik. Në Kosovë, kjo solli nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit (2020), e cila ishte më shumë një paketë ekonomike e ndërmjetësuar nga SHBA, sesa një zgjidhje e drejtpërdrejtë e statusit politik. Po bën marrëveshje të fokusuara tek objektiva të prekshme: lirimi i amerikanëve, kthimi i të dëbuarve, zbutje selektive e sanksioneve (p.sh., për Chevron) në Meksikë , njësoj si në rastin e Kosovës, kjo e vendos Grenellin në qendër të suksesit diplomatik, por edhe e ekspozon ndaj kritikave nga brenda administratës (në këtë rast nga Marco Rubio dhe të tjerë).
Ish-Prokurori Jake Smith me sindromën “Anti-Trump”
Nga ana tjetër, Prokurori Jake Smith, në rolin e tij ligjor, si në rastin e Thaçit dhe atë të hetimeve kundër Trump përfaqëson një sistem që shpesh është kritikuar për mungesë të balancës në trajtimin e palëve në konflikt. Megjithatë, çdo vendim për sa i përket liderëve të UÇK-së, nëse mbështetet nga prova të pamjaftueshme ose shkelje procedurale, do të tregojë se drejtësia nuk duhet të bazohet në agjenda politike, por në fakte të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, ishte po ky Jake Smith si prokuror federal i emëruar si këshilltar special për të trajtuar hetime specifike, duke përfshirë disa akuza që lidhen me Presidentin Donald Trump. Raportet nga viti 2023 deri në vitin 2025 sugjerojnë se Smith ka drejtuar hetime për çështje të tilla si trajtimi i dokumenteve të klasifikuara nga Trump ose hetime të tjera ligjore. Ka pasur presion politik dhe publik nga mbështetësit dhe aleatët e Trump, të cilët e kanë kritikuar rolin e Smith si të motivuar politikisht ose të padrejtë. Trump dhe ekipi i tij ligjor kanë denoncuar publikisht këshilltarë specialë si Smith, duke i cilësuar hetimet si një “gjueti shtrigash” ose persekutim. I këtij mendimi është dhe Grenell i cili e lidh qëndrimin anti- Thaçi të Smith me atë anti-Trump.
Në interviste me mua Grenell pat thënë se kur Kosova ishte afër të një marrëveshje me Serbinë. Sipas tij: pasi një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të, e mbylli dosjen dhe u largua. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarë amerikanë dhe Jack Smith kaloi vite gjoja “duke hetuar krimet e luftës.” “Dy ditë më vonë, mora vesh se Smith pat thënë: “Nuk mund ta mbyll këtë çështje .” Tre apo katër javë më vonë, Jack Smith shpalli aktakuzën kundër Thaçit. Dhe pikërisht para se të vinte në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi u dërgua në Hagë dhe ai është ende aty në burg.”
Ç’tregojnë protestat masive në Prishtinë
Mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të protestuar kundër Dhomave të Specializuara për Krime Lufte (njësoj si “Gjykata Speciale”) që gjykon ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i mohojnë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe disa partie politike e veteranë të tjerë. Protesta u zhvillua me moton “kundër padrejtësisë” dhe “në mbrojtje të së vërtetës”. Në disa artikuj u tha se gjykata “po deformon historinë e Kosovës” dhe po mundohet “ta njollosë luftën çlirimtare”. Dhomat e Specializuara pranuan prova materiale të dorëzuara nga institucione të Serbisë—si Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Brendshme dhe Komanda për Kosovën dhe Metohinë.
Kjo ngjarje shkaktoi reagim kritik nga Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi pranimin e këtyre dokumenteve si “thellësisht të papranueshëm”, duke e quajtur si një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje ndaj viktimave të luftës.
OVL-UÇK dhe organizata si SHIL dhe SHFD kritikuan rrëzimin e një mocioni mbrojtës, duke e cilësuar si “zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë”. Ato paralajmëruan se gjykata po bëhet “mjet për rishkrim të historisë” dhe jo një garant për drejtësi të paanshme.
Një komunikatë e OVL-UÇK kritikoi gjithashtu kufizimet procedurale në Dhomat e Specializuara si pjesë të një “sulm të strukturuar ndaj së vërtetës për luftën çlirimtare”
Analistët kanë vlerësuar vitin 2025 si “vit i zgjidhjes”, duke theksuar presionet mbi dëshmitarët dhe mungesën e mjaftueshme të aktakuzave për disa krime të pretenduara. Në muajt e fundit, Dhomat Speciale dënuan tri ish-pjesëtarë të UÇK-së me 7 vite burg për pengim të drejtësisë. Gjykimi aktual vazhdoi me dëshmitarë të larguar dhe me dënime për pengim të drejtësisë, por edhe me kritika për procesin dhe paanshmërinë.
Nevoja e një marrëveshje Kosovë -Serbi sa më eminente
Fjalët e Richard Grenell, si ish-i dërguari presidencial për negociatat Kosovë–Serbi, hapin një dritare të qartë mbi një realitet të thjeshtë: “Ballkani ka nevojë jo vetëm për marrëveshje politike, por për një themel të fortë ekonomik, këtë ai e ka cituar edhe në një intervistë me mua gjatë fushatës elektorale. Grenell kujton se Presidenti Trump e udhëzoi të mos humbiste kohë në retorika politike, por të punonte për zhvillimin ekonomik — për të krijuar vende pune të paguara mirë, për t’i dhënë shpresë të rinjve dhe për t’i mbajtur ata në vendin e tyre. Qëllimi ishte i qartë: ekonomia të bëhej ura që lidh popujt, duke zbutur konfliktet e trashëguara.
Ky koncept është më tepër idealist dhe parë me syrin e biznesmeni se ekonomia i zgjidh të gjitha, dhe kjo ishte para se vetë Trump të ndeshej me realitetin kokëfortë të luftës dhe paqes si me Rusinë dhe Ukrainën dhe Gazën dhe Izraelin kur interesat janë territoriale përtej atyre ekonomike.
Por në të njëjtën kohë doli ideja e shkëmbimit të territoreve, të cilin Grenell e mohon se ka qenë objekt i bisedimeve dhe që ai të kishte pasur dijeni. Edhe pse koncepti pat qarkulluar qysh nga fillimi i viteve 2000, ai u bë realisht temë serioze ndërkombëtare vetëm më 2018 me promovimin nga Hashim Thaçit m e mbështetjen e Edi Ramës ( të Sorosit Ballkani i, Hapur” dhe gatishmërinë e Aleksandar Vuçiçit për ta diskutuar, të lehtësuar në heshtje nga disa figura ndërkombëtare si Mogherini e Bolton, por qe kundërshtuar fuqishëm nga Gjermania dhe një pjesë e madhe e BE-së.
Në intervistë me mua Grenell tha se problemi i kufijve, nuk kishte qenë temë e bisedës dhe se ideja ishte futur nga këshilltari Bolton dhe ishte kundërshtuar fuqishëm nga zonja Merkel.
Në një konferencë shtypi në Berlin, kancelarja Angela Merkel , aso kohe pat thënë se : “Kufijtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të vendosur dhe të palëvizshëm… Kjo duhet të thuhet përsëri dhe përsëri, sepse herë pas here shfaqen tentativa për të diskutuar kufijtë, dhe ne nuk mund ta lejojmë atë.”
Dhe pse ne interviste Grenell pohoi se kjo nuk ishte tema e takimit, por edhe po te hidhej aty, ne e kishim të qartë reagimin e znj. Merkel më 2018, për idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë–Serbi kur pat deklaruar se : “Integriteti territorial i shteteve në Ballkan nuk është monedhë që mund të shkëmbehet për një paqe afatshkurtër.”
“UÇK është lavdi, jo akuzë”
Por çdo zhvillim ekonomik ka nevojë për një themele të forta kombëtare dhe për një të vërtetë historike të pandryshueshme. Për shqiptarët, ky themel është Lufta Çlirimtare e UÇK-së — një epope e përmasave historike, që i dha fund një epoke shtypjeje dhe i hapi rrugë lirisë. UÇK-ja nuk ishte vetëm një formacion ushtarak; ajo ishte vetë zemra e kombit në momentin më kritik, një sakrificë që ndryshoi përjetësisht hartën politike të Ballkanit dhe fatin e shqiptarëve.
Sot, kjo histori përballet me një sfidë të re: deformimin e saj. Gjykata Speciale e Hagës, e krijuar jashtë territorit të Kosovës dhe me varësi të dukshme nga faktorë të jashtëm, ka dhënë deri më tani një bilanc të padrejtë — shumicë të akuzuarish shqiptarë dhe pakicë serbësh, duke krijuar një narrativë të rrezikshme që e zbeh realitetin e krimeve të luftës. Ky është një rrezik jo vetëm për imazhin e UÇK-së, por për vetë të ardhmen e kombit, sepse historia e shtrembëruar është një armë po aq e rrezikshme sa edhe agresioni ushtarak.
Në thelb, lirimi i tyre do të ishte jo vetëm një lehtësim personal për individët e akuzuar, por edhe një rehabilitim i pjesës së historisë së Kosovës që lidhet me luftën për liri. Ky moment duhet të shërbejë si thirrje për bashkim kombëtar dhe për të forcuar imazhin e Kosovës si një shtet që respekton drejtësinë, por nuk lejon që ajo të përdoret si mjet presioni politik.
Pikërisht protesta e 7 gushtit nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo është një thirrje e ndërgjegjes kombëtare, një manifestim i krenarisë dhe i mbrojtjes të së vërtetës. Është një ribashkim popullor që i kujton botës se pa sakrificën e UÇK-së, nuk do të kishte as shtet të pavarur, as mundësi për zhvillim ekonomik, as marrëveshje tregtare e as hapje kufijsh. Ata dërguan mesazhin e qartë: që historia e Kosovës nuk mund të ribëhet nga të huajt.
Njohja e dyanshme mes Serbisë dhe Kosovës. A është e mundshme?
Propozimi amerikan për njohje të dyanshme mes Serbisë dhe Kosovës, që po përmendet tani në kontekstin e Presidentit Trump, lidhet me disa arsye strategjike dhe politike që bashkohen në këtë moment:
Presidenti Trump, ka interes të tregojë rezultate të prekshme në politikën e jashtme. Një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë do të shërbente si shembull i aftësisë së tij për të zgjidhur konflikte të vjetra, sidomos në një rajon ku edhe administratat e mëparshme amerikane nuk kanë arritur zgjidhje përfundimtare.
Richard Grenell ka qenë emisar i posaçëm për dialogun Kosovë–Serbi dhe ka ruajtur kontakte të forta në të dyja palët. Ai ka interes ta përmbyllë procesin që nisi gjatë mandatit të tij, dhe momenti i tanishëm i shërben për të rikthyer vëmendjen te diplomacia e administratës Trump.
Me lirimin e mundshëm të liderëve të UÇK-së, rritet disponimi politik në Kosovë për të marrë vendime të mëdha dhe për t’i dhënë fund disa pengesave historike. Në këtë klimë, një marrëveshje e njohjes së dyanshme do të kishte më pak rezistencë nga ana e opinionit publik.
Për SHBA-të, njohja e ndërsjellë do të stabilizonte rajonin e Ballkanit, do të rriste ndikimin amerikan në raport me BE-në dhe Rusinë, dhe do të mbyllte një nga dosjet më problematike të pasluftës në Evropë.
Beogradi dhe Prishtina janë nën presion për shkak të krizave ekonomike, energjetike dhe të sigurisë. SHBA mund të shfrytëzojë këtë moment për të ofruar stimuj ekonomikë dhe politikë në këmbim të njohjes së ndërsjellë.
Në thelb, ndodh tani sepse është një kombinim i interesit të Trump, i klimës së re politike pas zhvillimeve në Hagë, dhe i momentit të favorshëm diplomatik ku të dyja palët mund të pranojnë kompromis për të marrë mbështetje të madhe ndërkombëtare.
Dhe propozimi i kongresistes republikane Claudia Tenney e caktuar si bashkwkryesuese Kaukusit serb në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, e angazhuar në çështjet që lidhen me të drejtat e serbëve në Kosovë, duke përfshirë edhe legjislacionin lidhur me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, nuk vjen tani më kot.
Më 25–30 korrik 2025, Tenney dhe Chrissy Houlahan (demokrate) i dërguan një letër presidentit amerikan Donald Trump, duke i bërë thirrje që të ndërmjetësojë një marrëveshje normalizimi që të përfshijë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në letrën e publikuar në rrjetet sociale, ato theksuan se ky është një moment unik historik për paqe afatgjatë në rajonin e Ballkanit, duke sugjeruar edhe një vizitë të mundshme të Trump-it në të dyja vendet si pjesë e procesit ndërmjetësues. Ky veprim u përshëndet nga ekspertë dhe media si një impuls i ri drejt një marrëveshjeje finale, duke vënë theksin në rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme për paqe në rajon. Kjo letër edhe pёr shkak të lidhjeve të Tenney me lobin serb duhet të ketë marrë miratim nga Beogradi pёr të zbutur presionin amerikan të presidentit Trump në lidhje me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.
Kjo deklaratë për ndërmjetësim nga lobi serb, mund të shihet si frikë e Serbisë për një marrëveshje që do të anonte më shumë nga Kosova, duke pasur parasysh lidhjet e Vuçiçit me Rusinë ,situatën e vështirë të tij politike në Serbi, dhe përkrahjen që Trump hapur i ka bërë Presidentes Osmani edhe pse ka mënjanuar disi Kurtin.
Përdorimi i ndikimit amerikan për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi
Në këtë kuptim, mesazhi i Grenell për fokusin tek ekonomia dhe mesazhi i protestës për mbrojtjen e historisë nuk janë të ndara — ato janë dy anët e së njëjtës medalje. Ekonomia ndërton të ardhmen, historia ruan shpirtin e kombit. Pa njërën, tjetra është e rrezikuar.
Gjatë presidencës së Trump (2017–2021), SHBA vazhdoi të mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë forcimin e marrëdhënieve ushtarake dhe diplomatike.
Në vitin 2020, administrata Trump ndërmjetësoi një marrëveshje ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, por marrëveshja nuk përfshinte njohjen reciproke zyrtare, dhe temat kryesore politike mbetën të pazgjidhura. Trump shfaqi mbështetje të fuqishme për njohjen e Kosovës, por nuk insistoi në presion të fortë ndaj Serbisë për njohje reciproke. Albin Kurti është kryeministri i Kosovës, i njohur për qëndrimet e tij të forta kombëtare dhe shpesh kritik ndaj ndërhyrjeve të jashtme që cenojnë sovranitetin e Kosovës. Në periudha të ndryshme, Kurti kritikoi disa nga kushtet e vendosura nga SHBA në marrëveshjet ekonomike që nuk trajtonin çështjet politike thelbësore si njohja reciproke.
Kurti ka shprehur edhe herë pas here rezerva ndaj disa ndërmjetësimeve amerikane, duke kërkuar që ato të jenë të balancuara dhe të respektojnë sovranitetin e Kosovës. Në nivel politik, figura si Claudia Tenney (përmendur më parë) kanë tentuar të nxisin një rol të Trump në ndërmjetësim, e pranueshme edhe për kryeministrin në detyrë Albin Kurti i cili ka folur, për njohje reciproke nga Serbia.
Shqiptarët, kompleksi i inferioritetit dhe rasti i Kosovës me Gjykatën Speciale
Kompleksi i inferioritetit tek shqiptarët nuk mbetet vetëm tek fushat e kulturës, gjuhës apo modës – ai shpesh merr formë politike dhe juridike, duke bërë që udhëheqësit tanë të pranojnë marrëveshje ose struktura që vende të tjera nuk do t’i pranonin kurrë pa kushte të forta.
Rasti më i freskët dhe i rëndë është ai i Kosovës dhe pranimi i Gjykatës Speciale, një strukturë gjyqësore e krijuar jashtë vendit, me gjyqtarë e prokurorë të huaj, për të hetuar ekskluzivisht ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trashëgimi nga periudha e pasluftës – Pas vitit 1999, vendimmarrja kryesore në Kosovë ishte e kontrolluar nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i dhe ambasadat kryesore. Kjo krijoi një kulturë politike ku “po nuk e tha i huaji, nuk vlen”. Mungesë përvoje shtetformuese – Udhëheqësit e dalë nga lufta nuk kishin një traditë të gjatë qeverisjeje; për shumë vendime madhore prisnin miratimin nga Brukseli ose Uashingtoni. Presioni diplomatik – BE dhe SHBA e paraqitën Gjykatën Speciale si “test besnikërie” dhe “garanci për të ardhmen e Kosovës në perëndim”. Në vend që të kërkonin rishikim të mandatit apo garanci të barazisë para ligjit, udhëheqësit kosovarë e pranuan në formën më të ashpër.
Pranimi pa kushte qe shenja e kompleksit
Hashim Thaçi dhe klasa politike e asaj kohe pranuan vetë tezat e huaja për krijimin e Gjykatës Speciale: U legjitimua ideja se vetëm gjyqtarët e huaj mund të bëjnë “drejtësi të paanshme”. U pranuan rregulla procedurale që shpesh janë më të rënda se në gjykatat ndërkombëtare për krime lufte. Nuk u kërkua balancë për hetimin e krimeve të palës serbe – njëanshmëri që asnjë vend normal nuk do ta pranonte.
Kjo nuk ndodhi vetëm nga frika e sanksioneve diplomatike, por edhe nga një bindje e brendshme se “ne nuk jemi të aftë të gjykojmë vetë” dhe se “mirë është si thonë të huajt”.
Për pasojë u bë dëmtimi i sovranitetit juridik – Kosova ka një gjykatë që nuk është as plotësisht e saj, as plotësisht ndërkombëtare, por e vendosur jashtë vendit dhe mbi institucionet e Kosovës. Goditja e imazhit të luftës së UÇK-së – Duke pranuar të vetmin narrativ të të huajve për “krimet e luftës”, Kosova dobësoi argumentin e vet historik dhe moral. Dobësim politik i udhëheqjes – Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, që mendonin se po fitonin pikë me ndërkombëtarët, përfunduan të izoluar dhe të akuzuar nga po ata ndërkombëtarë.
Kjo histori është shembull klasik se si kompleksi i inferioritetit përkthehet në vet shkatërrim politik:
Udhëheqësit e Kosovës menduan se duke treguar bindje absolute ndaj kërkesave të huaja, do të garantonin mbështetje të përhershme ndërkombëtare.
Në fakt, pranuan një mekanizëm që më pas u përdor kundër tyre dhe kundër vetë narrativës së pavarësisë së Kosovës. Ironikisht, kjo i dha Serbisë një mjet të fuqishëm propagandistik, duke e paraqitur luftën çlirimtare si kriminale.
Mësimi që nuk duhet harruar
Kompleksi i inferioritetit nuk është vetëm ndjesi e brendshme – është një sëmundje politike që mund të shkatërrojë arritjet kombëtare në tavolinën e negociatave. Rasti i Gjykatës Speciale duhet të mbetet një shembull i hidhur: kur nuk beson tek vetja, do të shkruash historinë me fjalët e të tjerëve – dhe ata rrallë e shkruajnë në favorin tënd.
Prandaj, sot shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në disa fronte: të punojnë për një zhvillim ekonomik që mban të rinjtë në vend në Kosovë, të sigurojnë sovranitet mbi tërësinë territoriale dhe të mbrojnë me vendosmëri të vërtetën e luftës çlirimtare.
Vetëm kështu sigurojmë që sakrifica e djeshme të mos shkojë dëm dhe që e nesërmja të ndërtohet mbi themele të forta.
Dhe që besojmë tek ndërkombëtarët duhet që Grenell/ Amerika të realizojë premtimin e tij për lirimin e Thaçit me shokë, ashtu siç ma pat premtuar me gojë mua vetë ai gjatë një interviste.