Nga Ardian Ndreca/
I kena ra në qafë e me të drejtë Berishës për mungesën e vullnetit politik për hapjen e dosjeve, pra për nji ligj të lustracionit që ta çlironte ndërgjegjen e shqiptarëve, për aq sa mund të çlirojë kënd nji ligj pozitiv, prej së kaluemes komuniste. Kreu i PD-së i qëndroi së vetes deri në fund dhe nuk i hapi dosjet, madje promovoi dhe u dha poste tepër të nalta deri në minutat e fundit të pushtetit ish hetuesve dhe ish funksionarëve të drejtësisë komuniste. Kah ana tjetër asht e dijtun prej kohësh se ndër rradhët e politikës shqiptare, ashtu si edhe në administratën publike, sillet nji numër i konsiderueshëm ish informatorësh të Sigurimit.
Ky hiatus antidemokratik nuk ia ka vra as synin dhe as veshin atyne demokratëve të ndezun që s’lanë gja pa qitë për gojet kundër regjimit hoxhist por kur bahet fjalë për veprime konkrete heshtin turpshëm. Në këto dekada dosjet janë përdorë, janë shfrytzue dhe vijojnë me qenë nji kapital i çmueshëm për ata që kanë pasë akses në këtë minierë handrakut moral.
Na bane përshtypje të mirë deklaratat e Avokatit të Popullit këto ditë, i cili shprehej për nevojën e nji ligji të lustracionit që të rregullojë edhe çeshtjen e dosjeve. Avokati shprehej se do t’i bashkangjitej shoqnisë civile në hartimin e nji ligji të ri. Tingllonte paksa i çuditshëm fakti që Avokatit i kishte pasë ardhë kjo ide mbas nji vizitet në Gjermani dhe mbas eksperiencës që kishte pasë tue vizitue edhe vendin ku ruhen dosjet e STASI-t! A thue asht e nevojshme për me u sensibilizue për nji çeshtje kaq të randësishme me marrë mundimin e me shkue deri në Gjermani? Në Shqipni ka 20 vjet që flitet për ketë gja e vetëm kjo do të kishte mjaftue me pasë lëvizë sadopak vendit deri tashti. Megjithatë, ma mirë vonë se kurrë.
Shpresojmë që shoqnia civile, e cila tek ne për shumëkend, përfshi edhe të nënshkruemin, asht nji entitet abstrakt pa konsistencë të mirëfilltë, të lëvizin! Deri tashti as ajo, as OJQ-të e mjera së bashkut me fondacionet e shoqatat e padukshme, që nuk bajnë tjetër veçse thithin pare fondacionesh, individësh dhe qeverishë të hueja, nuk e kanë marrë mundimin me ba diçka konkrete. Roli i pakuptimtë i gjithë kësaj yjësie të shueme u pa krejt qartë gjatë grevës së ish të përndjekunve politik vitin që shkoi, ku edhe vetë Avokati i Popullit shkëlqeu me qëndrimin e tij tejet periferik e kuptimpakët. Shoqnia civile tek ne asht e pafuqishme si nji “e” pazane që shtrihet prej Konispolit në Vermosh. Prandaj lustracionin mund ta bajë vetëm nji vullnet i fortë politik dhe askush tjetër.
Lustracion rrjedh prej lustratio të latinëve, skaj që shenjonte nji ceremoni purifikuese; kjo e fundit presupozon në historinë e besimeve vetëndërgjegjsimin rreth nji faji. Tek ne subjektivisht nuk mund të flitet për vetëndërgjegjsim dhe për ndjenjën e fajit, pse ende kurrkush prej ish nomenklaturës komuniste nuk ka kërkue falje për vuejtjet që ka shkaktue. Sot mikrofonin e kanë marrë rishtas në dorë Nexhmije Hoxha, Kristofor Martiro, Dilaver Bengasi etj., pra ideologët e krimit, hetuesit, kriminelat e gjithë zarbot që vritnin e pritnin të mbrojtun prej nji regjimi çnjerzor.
Mjerisht shqiptarët, të gatshëm me u vra vlla me vlla për nji vijë ujit e për do gardhiqe, janë gati me durue si deve të topituna prej të nxehtit gjithë ketë spektakël të ndytë që ua servirin mediat imorale.
Çfarë ndjenjë fajit dhe çfarë purifikimi mund të kërkojmë kur ndërgjegja e do shkarthave këtej e andej kufinit politik ndien sot nostalgji për Enver Hoxhën dhe kohën e tij!
Fenomeni i nostalgjisë në vendet e ish Lindjes komuniste njihet, madje për të gjermanët kanë nxjerrë edhe nji term të posaçëm: Ostalgie, nostalgjia për Lindjen. Tek ne, që ishim karikatura e komunizmit, shihet sot edhe karikatura e Ostalgisë e përfaqsueme prej këtyne kriminelave të papenduem që justifikojnë krimet e veta dhe mundohen me nxjerrë në pah anët gjoja të mira të atij sistemi.
Tashma detyra për nji ligj të ri të lustracionit i takon Edi Ramës. Shpresojmë ta bajnë sa ma parë dhe sa ma mirë, nuk i mungojnë as votat në parlament dhe as modelet legjislative. Me nji akt të tillë do të kishte rastin me i tregue të gjithëve se partia e tij s’ka lidhje me të kaluemen por don vërtet nji rilindje, e në rastin e lustracionit rilindja kalon përmes ndërgjegjsimit të fajit dhe ndërshkimit moral të fajtorëve. Për pajtim nuk ka nevojë, pse jemi popull pa ndërgjegje historike, çdo vit mësimet i nisim te abetarja.
Viktor says
Shejet e para qe na dha Edi Rama krijoin dushime shum te forta per vjen politike dhe qeveritare qe aj do te njekin. Me Pandeli Maikon dhe Gramos Ruçin ne qeveri nuk mund te shpresohet se dosjet do te hapen. Perkundrazi integriteti i dosjeve mund te rrezikohet. Artikujt qe po botohen prej shtypit te majtes na informoin se socialistatat jan ma fort te interesuem me rihabilitue figurat e Mehmetit dhe te Enverit se sa me zbardh historine marksiste shqiptare. Shif “elogjet” per Mehmet Shehun ne gazeten Panorama (http://www.panorama.com.al/2013/07/15/elozhet-per-mehmet-shehun-ruci-ishte-pjese-e-beselidhjes-ne-luften-kunder-nazizmit/).