Derisa politikanët tanë kanë pasuri multi- milionëshe, mijëra familja i kanë sofrat e zbrazura, në të cilat nuk kanë çka të shtrojnë e çka të drekojnë./
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
E kishin pas pyetur fukaran: Allahile apo na tregon se a ish zor mos me pas, me demek me kanë fukura. Ai iu kishte përgjigjur: po nja dy- tre vjet ish bukur zor e më pastaj njeriu po mësojke. Ndërkaq, kur është fjala për politikanët tanë pasanik është diçka krejt tjetër, është një muhabet krejt tjetër, është një vlerësim krejt tjetër. Këta politikan që nga pas lufta kurrë nuk e pushuan vrapin pas shtimit të pasurisë, apo më mirë më thënë kurrë nuk u ngopën. Pra, deri sa fukaraja mësohet me gjendjen e rëndë që e ka, politikanët tanë pasanik kurrë nuk ditën të thonë mjaft. Ndoshta pasuria njeriun e bënë të verbër e të shurdhër, por populli këtë po e sheh dhe po merr informacione gjithnjë e më shumë se sa janë bërë milioner këta politikan që sot rrëfehen se punojnë e angazhohen për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Përralla që si ha hiq pazari. Apo si@ thotë një fjalë popullore: katundi që shihet kallauz nuk do.
Si i shohin të politikanët pasanik të varfëritë
Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë gjendjen e vështirë ekonomike. A ka gjë më të turpshme se sa në këtë gjendje politikanët tanë të krijojnë aso pasurie, të cilën para lufte as ëndërr nuk e kanë parë e as që e kanë poseduar. Athua si e shohin këtë gjendje këta politikan, këtë fukarallëk, i cili në një masë është krijuar pikërisht duke keqpërdorë e abuzuar me paranë e taksapaguesve kosovar dhe formave tjera kriminale. Athua a ndihen keq kur shohin mijëra familje që mëzi e kalojnë ditën me sofër të zbrazët, duke mos pas çka të shtrojnë e çka të drekojnë. Flasin ata shumë e shumë se janë për ndryshime, janë në funksion të luftimit të se keqës, janë për të përmirësuar standardin e qytetarëve, po besa flasin edhe për gjendjen sociale të tyre. Pa dyshim kjo është një hipokrizi. Me fjalë nuk mund të fshihen ato të bëra pikërisht në dëm të qytetarëve. Po të ndiheshin aq keq këta politikan do të duhej në forma konkrete që të ndihmojnë familjet e varfëra me gjithë atë pasuri milionëshe që kanë. Ende nuk ka ndonjë shembull që këta politikan e kanë bërë një gjë të tillë. Me një fjalë, fukaraja me sy të përlotur i sheh këta politikan që kanë shtëpi të bukura e luksoze, vetura, tokë qindra hektarësh, para në banka e çka jo tjetër. Lakmojnë shumë e ankohen shumë për gjendjen e tyre. Por ndihma është e vogël, fare e vogël. Inshalla vijnë ditë më të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj, por nuk besoj se ndryshimet do të vijnë me këta politikan. Rruga e tyre është e mbrapsht, shumë e mbrapsht.
Hapeni sytë qytetarë!
Arsyetimet e politikanëve pasanik as që duhet të peremendën. Si mund të arsyetohet një politikan kur thotë se ka shitë një banesë dhe ka krijuar gjithë atë pasuri kur me ato para as ato vetura që i ka në posedim nuk do të mund t’i blente. Prapë, po themi përralla. E keqja më e madhe është se këta politikan po thirren në kontributin e dhënë gjatë luftës, thuase ai kontribut do të duhet që shpaguhet më këtë pasuri që kanë krijuar. Askush deri me tash nuk ka mohuar kontributin e askujt për atë që ka bërë. Mirëpo, kritika të mëdha po bëhen se si arriti në këtë shkallë kaq të lartë pasuria e tyre multi- milionëshe, aq më parë kur dihet se çfarë gjendje kishin para lufte. Duke parë këtë situatë ,përkatësisht këtë pangopshmeri të politikanëve tanë shtrohet nevojë e domosdoshmëri që qytetarët tanë t’i hapin sytë dhe të mos e përkrahin të keqen, të mos i përkrahin këta politikan që deri me tash dëshmuan qartë se interesi i tyre personal është mbi atë shoqëror.
Më të përfolurit ftojnë për protesta
Dikush nuk e sheh vehtën apo i pëlqen vetja dhe krejt ajo çka ka bërë, edhe pse ajo është në sy për të keq nga të tjerët. Kështu është edhe me disa politikan tanë që ftojnë për protesta, ndërsa në anën tjetër janë njerëzit më të përfolur për dyshimet rreth pasurisë së tyre. Sa është kjo e logjikshme të veprojnë kësisoj kur i gjithë opinioni ka drejtuar gishtin drejt tyre, flasin e çka nuk flasin për ta, me arsye sigurisht. Ndaj, marrja pjesë në këto protesta do të ishte barazi me përkrahjen e gjithë asaj që kanë bërë këta politikan, me të keqën që kanë bërë. Të kuptohemi. Jam për ndryshime. Për ndryshime rrënjësore. Për ndryshime që do të përmirësojnë gjendjen ekonomike në përgjithësi, posaçërisht të qytetarëve që as një euro në ditë nuk kanë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Ndryshime po, por jo me këta njerëz që Kosovën e kanë sjell buzë greminës.