Nga PAOLO VALENTINO
Mësymja kundër Ukrainës do t’i ketë kushtuar deri tani Rusisë më shumë se dhjetëmijë të vdekur. “Kemi patur një numër humbjesh të llahtarëshme: në vetëm një javë kemi humbur të njëjtin numër të ushtarëve të misionit në Siri për tetë vite” vënë në dukje për Corrieren burime ushtarake ruse.
Po të vërtetohet, do të bëhej fjalë për një shifër të tmerrshme, që flet shumë për vështirësitë e hasura nga ushtria e Kremlinit, megjithë epërsinë mbytëse në mjete e në njerëz.
Por mbi të gjitha është një shifër që shumfishon problemet e Vladimir Putinit, në lidhje me bastet e jetës. Atë që mund t’a shuguronte si rimëkëmbësin e Rusisë së Shenjtë, Carin që ka bashkuar Botën Ruse, siç ëndërron. Ose mund t’i japë një goditje ganduese prestigjit dhe autoritetit të tij, deri n’atë pikë sa të bëjë t’i lëkundet pushteti.
Lajmet nga terreni thonë se komandat ruse kanë ndryshuar taktikë e që tani vija e sulmit po bëhet më mizore, më pak e kujdesëshme për çmimet qytetare të bombardimeve. “Putini don një fitore ushtarake dhe e don shpejt, përparësia është bërë pushtimi i Kievit”, thonë burimet, simbas të cilëve regime change, ndryshimi i regjimit me përzënien e Zhelenskit, i vënë si synim në fillim, nuk është më i dëshirueshëm nga Kremlini. Përkundrazi, “Një fitore ushtarake do të lejonte detyrimin e kushteve të një marrëveshjeje me qeverinë e sotme.”
A është i qëndrueshëm Vladimir Putini, mbi bazamentin deri tani të paprekshëm e të paprekur, mbi të cilin prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh “mbretëron” mbi Vëndin me njëmbëdhjetë orë të ndryshme. Apo edhe për të do të vlejë ligji i pashkruar nga autokratë e diktatorë, fati i të cilëve shpesh ndërthuret me aventurat ushtarake?
Përgjigja e parë e shumë analistëve dhe sipërmarrësve është që Putini është ende në kontroll të plotë të të gjitha levave të pushtetit, e veç asaj ka një bazë të fuqishme të opinionit publik që i miraton vendimet edhe në sajë të forcës e depërtimit të propagandës së tij. “Ka një pushtet të plotë – thotë një biznesmen italian prej shumë vitesh në Rusi – dhe edhe se gjëndja po i shtyn disa nga oligarkët të shprehin pakënaqësi, këta zëra nuk kanë asnjë mbështetje politike ose ushtarake”.
Sigurisht e bën të fortë edhe njëfarë mosbesimi i thellë që përshkon një pjesë të popullsisë ruse, sa i përket mundësisë së një ndryshimi: “Bombardimi i Kievit është një goditje për shumë rusë, që atje kanë t’afërmit e miqtë. Por shumica nuk proteston, ka një pandjesi të thellë sepse janë të bindur se nuk vlen gjë, se gjithshka është e vendosur nga Putini dhe nga pesë o gjashtë shumë të besuarit e tij që e përkrahin”
Por askush nuk mohon krikëllimat, fërgëllimat, shënjat që diçka po lëviz brënda një Vëndi që zbret dalngadalë drejt një faze pasigurie, ashpërsie ekonomike e veçimi nga bota. Janë 6000 arrestimet e forcave te sigurisë në pak ditë të manifestimeve të vetvetishme. Është dridhja e peticioneve e letrave të hapura, samizadt-et bashkëkohorë kundër luftës, që lulëzojnë nga një cep në tjetrin të Vëndit, për të gjitha ato ajo e kundërshtarit Lev Schlossberg, që ka mbledhur 700.000 firma. Janë qëndrimet paqësore dë disa oligarkëve. Si Fridman e Deripashka, të 300 të zgjedhurve vendorë që kërkojnë të bisedohet, të personazheve të sportit e të artit, të tre komunistëve të Dumës që kanë thënë se kanë votuar “po” për njohjen e dy Republikave të Donbasit “n’emër të paqes e jo të luftës”. Ose dhjetramijrat e postimeve mbi mediat sociale, që ftojnë të pushohet agresioni. Dhe janë lulet, mijra buqeta të depozituara në ambasadën e Ukrainës në Moskë.
“Un besoj se Putini mund të bjerë, por jo tashti, duhet kohë”, thotë Valerij Solovej, politolog e historian, që ka drejtuar Departamentin e Çështjeve Institucionale, të famshmin MGIMO, Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Moskës, më parë se të largohej nga puna për opinionet e tij të pavarura. Simbas studjuesit, “gjëndja është e paracaktuar të rëndohet, lufta n’Ukrainë godet ndërgjegjen tonë dhe nivelin tonë të jetesës e do të ketë pasoja shoqërore dhe ekonomike, që mund të shpërthejnë në kriza politike”. Solovej e quan pakënaqësinë e elitave, oligarkive, dhe sipërmarrësve, një faktor i rëndësishëm e vendimtar: “Në lëtë çast nuk janë të gatshëm të flasin me zë të lartë, por nëse shmangia vazhdon do të mundeshin të bashkoheshn, kanë lidhje me disa grupe politike dhe së bashku mund të ushtrojnë një trysni tepër të fuqishme mbi Putinin. Por kjo nuk mund të ndodhë para vjeshtës, regjimi është i fuqishëm dhe shtrëngon vidhat e shtypjes, ka treguar se nuk është i gatshëm të durojë asnjë kundërshti”
Është edhe çështje besnikërie e aparateve të sigurisë, mbi të cilët Putini mban një zotërim të plotë e të pakontrolluar: “Ai do t’ishte në rrezik nëse elitat do të përceptonin se nuk ka më mbështetjen e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të vërtetoheshin protesta masive të popullsisë së pakënaqur”, thotë Abbaz Galljanov, një analist që ka bërë speechwriter për Putinin e tani punon si këshilltar politik i pavarur. Dhe shton: “Nëse do t’a shihnin mjaft të dobësuar e po të bindeshin se mund t’a bëjnë pa rrezik, atëherë elitat do të mund të tradhëtonin Putinin. Por nuk është për nesër”.
Siç na mëson historia, kur Rusia hyn në një smutnoe vremja, në një periudhë të turbullt, janë bujarët ata që përfundojnë së hequri qafe Carin.
“Corriere della Sera”, 2 mars 2022 Përktheu Eugjen Merlika