Nga Ndue BACAJ
Histori Iliro-Shqiptare e Podgoricës
Podgorica si shumë trojet të tjera të Malit të Zi , kanë qenë që mijëra vitesh më perpara e deri në shek.XIX e fillimin e atij të XX , troje etnike Iliro-Shqiptare , kur zollumi i grabitjes të trojeve shqiptare nga ardhacakët e vonë sllave mori edhe “bekimin” e Europës plakë…Mori “bekimin” me “arsyetimin” pa arsyetim , se keto troje “ishin” të perandorisë turko-osmane , që kishte pushtuar Ballknin dhe Shqiperinë për shekuj edhe për fajin e vetë Europës… Perandoria turke-osmane si pushtuese shekullore në shek.XIX kishte filluar renien pa kthim , ku për të shpetuar çfar të mundte nga vetja , ishte e gatshme të “falte” pa mëshirë trojet shqiptare. Një nga këto “falje” të pa mëshirshme është edhe Podgorica , vijuesja dhe trashigimtarja e qytetrimeve dhe ndertimeve iliro-shqiptare , të fiseve ilire të Labeatëve dhe Diokleatëve , të qyteteve e qendrave të urbanizuara e fortifikuara të Dioklesë , Berziminium-it e Ribnicës e deri vetë Podgoricës… Për të vertetuar këtë histori Iliro-Shqiptare të Podgoricës , mendova t’u referohemen studiuesve , historianëve , albanologëve dhe veprimtarëve të shquar të “letrave” të kësaj fushe , (kryesisht të huaj) , të cilët nuk kanë pasur asnjë interesë e arësye të fallsifikojnë në veprat e tyre historinë e trojeve etnike shqiptare , perpara personalitetit të tyre si studiues , historianë e albanologë të pakontestuar , të njohur e të vlersuar nga peronalitete , akademi e institucione ndërkombëtaretë prestigjoze të kësaj fushe… Mendova ta filloi këtë “punim” me një studim me titull : Shkodra dhe krahinat e saj në mesjetë , të publikuar në vitin 1916 nga historiani , studiuesi dhe njohësi shumë i mirë i historisë së Ballkanit , Prof. Dr. Konstantin Jireçek , nga i cili citojmë : “Trashigimtarja e Dioklesë u bë Ribnica në shek.XII… Sot Ribnicë quhet lumi që rrjedh nëpër qytet të Podgoricës , dhe s’ka dyshim që ky qytet është Ribnica e vjetër. Emri Podgoricë përmendet për herë të parë në ma të moçmin libër noterak të gjyqit të Kotorrit , në të cilin figurojnë trgtarë lëkurash e këpucarë podgoriçaj (viti 1330). Lidhet me emnat e zhupave të asaj kohe ; në anen lindore të liqenit ishte Zhupa e Gores (e Malit) që permendin Presbyter Diocleas dhe dokumentet e Zhiça-s (1220) , ma vonë ndër dokumenta të Prizrenit në kohë të car Stefanit (1348) e në kadastren veneciane të Shkodrës në 1416 , krahinë e Podgorës (Nënmalit). Ende në vitin 1448 kishte selinë e vet në Podgoricë një vojvodë i Despotit Gjergj Fisniku… Qyteti ra shpejt nën zotnim të Venedikut , por qysh mbas pak vjetësh gjejmë aty Turqit , të cilët e mbajten deri në 1877”. 1.
Nëse historiani Prof. Dr. Konstantin Jireçek e cilëson Podgoricën si trashigimtare të qytetit Ilir me emrin e lumit Ribnica , studiuesi dhe albanologu i shquar kroat Dr. Milan Shuflaj , në një vepër studimore të tij në vitin 1924 , kur shkruan për qytetin antik ilir të Dioklesë , ndër të tjera “pohon” se qyeteti antik ilir Berziminium , (sot) trashigohet nga qyteti i Podgoricës… Për këtë citojmë Shuflajn: “Rruga e madhe ushtarake Dyrrhachium –Salona nuk e prekte këtë qytet ; një rrugë e dorës dytë e lidhte qytetin Berziminium (Berzumno, sot Podgorica) me atë rrugë kryesore . Nuk e dimë sa i madh ka qenë qarku i qytetit. Në jug dhe në veriperendim gjendeshin nekropolet. Megjithse qyteti gjendej te gryka e dy lumenjve që kishin ujë të pastër si kristali , dhe megjithse në afersinë e tij kishte edhe burime të mira , romanët kishin marrë ujin e burimit të Cijevnas (Cemit) , që ishte shumë më larg dhe e kishin sjellë në qytet. Ujësjellësi do të sherbente edhe për Berziminium-in ; ai perdorej njëkohësisht edhe si urë për të kaluar Moraçen”.2. Ndersa studiuesi dhe Konsulli i Francës në Shkodër , Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866) , (Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës), në një vepër të tij të konsideruar dhe vlersuar si veper , historike , enciklopedike dhe studimore per një kohë më të vonë ndër të tjera shkruan: “Krahinat dhe komunat (nahijet dhe bajrakët) që së bashku formojnë pashallëkun e Shkodrës kanë pothuajse të gjitha emrin e qytetit ose fshatit ku jeton kryetari (mudiri) i tyre ; ato ndahen si më poshtë: Qyteti i Shkodrës me rrethinat (Nahia e Shkodrës) ; krahina e Tivarit (Nahia e Tivarit) ; Krahina e Ulqinit (Nahia e Ulqinit) ; krahina e Lezhës (Nahia Lesises) ; krahina e Podgoricës , që perfshin Zhabjakun dhe Shpuzën (Nahia Spuz e Podgoricës ) ; krahina e Gucisë dhe e Plavës (Nahia e Gucisë) ; dhe në fund krahina e Bjelopoljes (Nahia e Bielopoj).3. Në brigjet e Ribnicës , lumë i vogël që derdhet jo larg prej saj në Moraçë, gjendet Podgorica , kryeqyteti i krahinës , residencë e një mudiri (guvernatori) dhe e një kadiu…Podgorica është themelua në shek.XV me urdher të sultan Mehmetitt II, mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë dhe jo larg vendndodhjes së këtij qyteti , i cili sipas kolonel Kovaleskit , shtrihej në vendin ku sot gjendet Duklja (Dukla) , një fshat i vogël në veriperendim të Podgoricës , një orë larg saj. Ky udhëtar gjeti aty kolona që ende mbaheshin në këmbë , porta me mbishkrime latine dhe gjurmët e mureve të lashta rrethuese. Podgorica , e ndertuar sipas një plani të çrregullt , rrethohet nga një mur me bedena që e lidh me fortesen e vendosur mbi një kodër të vogël. Fortesa , muret e së cilës po shemben , është e rrethuar nga një hendek tetë metra i gjerë dhe tre metra i thellë , që mbushet me ujë vetëm në dimer. Prej disa vitesh , ajo sherben si garnizon per një trupë ushtarësh të rregullt ,armatimet e së cilës , në gjndje gatishmerie pas luftës së fundit me Malin e Zi , përbëhen nga tetë topa dhe dy mortaje.4.
Siç cituam më sipër Hekardi në vepren e tij pasi “percakton” vend-ndodhjen e Podgorisës cilëson edhe “themeluesin” dhe kohën e themelimitt të saj , duke pohuar se Podgorica është themeluar mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë. Një studiues Italian (Ermanno Armao) kur i referohet historisë së Podgoricës duke iu referuar edhe edhe studiuesve të tjerë shkruan: “Ndersa Hecquard (Hekuard) pohon se Podgorica u themelua në shek.XV me urdhër të Mehmetit II , pushtuesi i Shqiperisë së veriut (i vdekur më 1481), Thalloczy e Baldaçi , pa permendur burimet , e çojnë zanafillen e qytetit në mesjeten e hershme , sipas Jirecek-ut Podgorica permendet pë herë të parë më 1330. Tani e dimë nga Coronelli (hartolog i shek.XVII. N.B.) se Podgorica është themeluar nga Tugemir apo Tihomir , princ i Zetës , vëlla i Stefan Nemajës “zhupan” i Serbisë , marshtrues i shteteve të tij mes viteve 1169 e 1171 , ndërkohë që ky ishte rob i bizantinëve në Kostandinopojë. Ka zevendësuar fshatin tashma të zhdukur të Ribnicës … Podgorica me 8000 banorët e saj , është sot (bëhet fjalë për vitet 1928-1932 kur Armao vizitoi Shkodren e më gjërë , N.B.) një nga qytetet kryesore të Malit të Zi të cilit iu aneksua me 1878 , duke pushuar në ketë mënyrë sundimi i gjatë turk. Gjendet në mes lumejëve Moraça e Ribnica , rreth 20 km nga liqeni i Shkodrës me të cilin bashkohet nga një hekurudhë e vogël. Aty flitet ende shqip me gjithë 54 vitet e sundimit sllav dhe një largim nga vendi i një numri të madh muslimanësh shqiptar të terhequr në Tuz i cili i mbeti Turqisë deri në vitin 1912”.5. Studiuesi francez (Hecquard)në vepren e tij pershkruan më me hollsi qytetin dhe disa vepra ndertimore të tij , nga ku mendova të citoj: “Qyteti – me rrugë të ngushta , tërë dredha e të pista , ndahet në dy lagje , njëra e quajtur Mjeka (Miechia) dhe tjetra Varosh. Midis tyre gjendet pazari , i formuar nga treqind e pesëdhjetë dyqane. Aty çdo të diel , zhvillohet pazari , ku vijnë banorët e maleve fqinje , dhe kur Podgorica nuk është në luftë me Malin e Zi, vijnë edhe banorët e Piperit e të Kuçit”.6. Ndersa një gjeograf e studiues, në vitin 1898 , (në Rrugëtimet Shqiptare), Podgoricën, do t’a përshkruante: “Podgorica, që në gjuhën tonë do të thotë “nën kodër” , ishte para luftës së fundit, një shesh i fortifikuar i sundimeve turke drejt Malit të Zi , pararojë e Shkodrës në luginën e Moraçias dhe të Zetas dhe ishte një qytet tërësisht shqiptar. Tani është kryeqendra e Zetës dhe qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e Malit të Zi. Qytet me tregti të gjallë , ndertuar në të djathtë të Moraçias dhe në dy brigjet e Ribnicës, që është degë e Moraçia. Podgorica njerr një pjesë të madhe të burimeve të saj nga tregtia e pasur që zhvillohet aty, dhe nga mardhëniet e saj me Shkodrën dhe me detin”.7.
Xhamitë dhe kishat..:
Si të gjitha qytetet e tjera të Shqiperisë së Epërme , Podgorica nuk ka asnjë xhami që të bie në sy. Sllavët ortodoksë, edhe pse të shumtë në numër , nuk kanë arritur të marrin leje për të ndertuar një kishë ; kisha që kishin dikur gjendej jashtë qytetit , jo shumë larg kodres së Goricës. Ajo ishte ndertuar mbi rrënojat e kishes vjeter të Shën Gjergjit dhe u shkatërrua me 25 maj 1855 nga muslimanët e Podgoricës , të nxitur nga predikimet e disa ulemave fanatikë e të udhëhequr nga guvernatori i tyre Ali Spahiu. Kur nuk mbeti më asnjë gurë në këmbë këta të pafe iu sullen varreve dhe , pasi nxorren kufomat , iu prenë kokat dhe i ngulen ato në hunjë…
Shkollat… :
Dy priftërinjë sllavë , që mvaren nga peshkopi i Prizrenit dhe bënin administrimin e kësaj famullie dhe , në një godinë ngjitur me kishën , e cila gjithashtu u shkatërrua kishin hapur një shkollë ku fëmijët perfitonin arsimin fillestar falas. Turqit kanë gjithashtu tre mejtepe pak të ndjekura dhe të drejtuara nga hoxhallarë injorant… Krahina e Podgoricës perfshinë bajrakun e Grudës e të Tuzit , bajrakun e Zetës , të Zhabjakut dhe të Fundinës , sikurse edhe ishullin e Vraninës. Sipas shqiptarëve , në këtë krahinë perfshihet edhe pjesa jugore e fisit të Kuçit.8. Me 25 qershor 1856 Kuçasit e jugut të shtyrë nga turqit e Podgoricës , të cilët shpresonin se përmes kësaj lufte kundër Malit të Zi , do të largonin nga vetja ndeshkimin që u kanosej nga se kishin shkatërruar një kishë , kuçasit , pra duke dashur gjithashtu t’u falen sulmet e tyre të fundit kundër Grudës , sulmuan fshatin e Bratonosiçit që i perkiste kuçasve malazez , dogjën dhjetë shtëpi , vranë tre burra dhe plagosen pesë të tjerë…9. Në Podgoricë , kristianët , njëherazi me nizaminë (taksë fikse prej 500 piastrash…) , paguajnë edhe maktuminë që të mos jenë të detyruar të marrin armët kur vendi është në armiqësi me Malin e Zi…10. Podgorica ra nën Malin e Zi në luftën e fundit turko-ruse (me 1877) malazezët morën Podoricën duke perfshirë edhe Trieshin (Triepshin)…11.
Të dhëna për banorët e Podgoricës:
Në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres të vitit 1485 (perpilua nga pushtuesi turko-osman), Podgorica shenohet si Nahija e Podgoricës , ku bënin pjesë : fshati Podgorica me emrat e 40 kryefamiljarëve ose 40 shtepiave (dhe të ardhurat) , të gjithë emrat e kryefamiljarëve janë të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks. Në varësi të nahijes së Potgoricës shenohen edhe fshatrat Kurile , Varoshi i vetë kalasë së Zhabjakut , me emrat e 30 kryefamiljarëve ose 30 shtepiave , (të cilat të gjitha ishin të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B.. Dhe fshati Medon , që varet nga kalaja e Medunit në Kazanë e Podgoricës ; është varosh i kalasë të përmendur më lart. Ketu regjistrohen emrat e 15 kryefamiljarëve dhe po kaq shtepiave ,12. (të gjitha të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B.). Ndersa në registrimin e vitit 1582 (po nga pushtuesi turko-osman), për Podgoricen gjemë të shenuar një popullsi që “permbledhej” në 167 shtepia e 27 beqarë të besimit Kristian , dhe 94 shtepi muslimane.13. Vlenë të cilësohet se Podgorica ishte vendi ku popullsia kishte perqafua besimin e pushtuesit më shumë se asnjë vend tjeter. Gruda që bënte pjesë në këtë Nahije kishte 134 shtepia e 33 beqar të besimit Kristian dhe vetëm 4 shetpia që ishin bërë muslman. Një pershkrim intersant i bënë Podgoricës në vitin 1662 kronisti turk Evlija Çelebiu , i cili ndër të tjera do të shkruante: “…Si dolëm nga Shkodra udhëtuam në drejtim të perendimit nëpër një terren malor (kara daglig) dhe pas …orësh mbërritëm në kalanë e rreptë të Podgoricës , e cila gjendet në skaj të zones kufitare. Emrin e ka shqip në kuotimin… Është ndërtuar nga sulltan Mehmed Pushtuesi (Fatihu) në vitin 883 (1478) , kur mori kalanë e Shkodrës , me qellim që t’a mbronte këtë të fundit nga kusarët shqiptar dhe nga të pafetë venedikas. Është një strukturë katërkëndëshe prej guri të fortë e muresh të trasha , ngritur mbi një hapsirë shkëmbore të quajtur Mali i Zi (Kara Dag) , dhe ka kulla , ledhe mbrojtëse, bedena të dhëmbëzuar , një portë të vetme , si dhe një hëndek të hapur në shkëmb. Brenda në Kala janë Dizdari dhe garnizoni prej 700 trupash…. Podgorica qeveriset nga një subash dhe bënë pjesë në sanxhakun e Shkodrës. Përveç nënkadive që kanë në varësi fshatrat përreth , zyrtarë të tjerë nuk ka . Brenda në kala gjenden 300 shtepi të vogla , një xhami e sultan Mehmed Pushtuesit , një serë hambarësh drithi , depo municionesh artilerie , si dhe sterna uji. Godina të tjera publike nuk ka , qoftë hane , medrese , hamame , ose bezistane.14. Ndersa studiuesi dhe konsulli francez (Hecquardi) në Shkodër në vitin 1851-55 do të shenonte se Podgorica ka 950 shtepi , 630 shtepi të banuara nga muslimanë dhe 270 nga ortodoksë. , popullsia arrin në 6540 banorë. Podgorica është e vendosur në mes të një fushe dhe emri i saj , që në gjuhen sllave nën kodër , mund të shpjegohet vetëm me vendodhjen e saj fare pak larg malit të ulët të Goricës.15. (Hecquardi kur i ndanë shtepiat e Podgoricës sipas besimeve lë mangut 50 shtepia , të cilat mendoj se i perkasin besimit Katolik N.B.) Një burim me vlera për popullsinë shqiptare të disa qyteteve etnike shqiptare , por tashma të okupuara nga sllavët , është edhe studimi e pershkrimi që u bënë këtyre qyteteve prof.Antonio Baldaçi nga i cili citojmë: “Qytetet e Shkupit , Kalkandelës , Gostivarit , Strugës , Ohrit e Dibrës janë qendra shumë të forta shqiptare dhe vetë qyteti i Manastirit (Bitola) ka koloni shqiptare të mëdha në numër. Në kufijtë e mbretërisë së zhdukur të Mailit të Zi , Gjakovës dhe Pejës s’ka tjetër veçse qendra shqiptare kurse rajonet e Grudës e Plavës dhe qytetet e Podgoricës , Ulqinit e Tivarit me rrethinat e tyre përmbajnë grumbullime shqiptare . Me fiset e maleve malaziese , sikurse Hoti , Gruda , Trieshi , popullsia shqiptare e Malit të Zi të vjetër vertitet te 150 mijë vetët. Vetë statestikat jugosllave (të vitit 1921) japin për Malin e Zi (të paktën ai që ishte me traktatin e Berlinit , pra , pa teritorin e pushtuar në luftën ballkanike) 16.826 shqipfolës në një popullsi të pergjithshme prej 199.857 banorësh. Keta shqipfolës gjenden në epërsi numerike në Tivar (11.283 banorë) , në Podgoricë (4.764 banorë) , në Ulqin (3.344 banorë) , në Andrievicë (771 banorë) , në Cetinë (217 banorë)”.16. Një panoramë interesante na jep edhe studiuesja e njohur angleze Edith Durham , e cila ka vizituar e vrojtuar nga afër troje shqiptare e më gjërë , kryesisht ato të veriut , kur shkruan : “Gusht i vitit 1900. Isha në Cetinjë , e këtu për herë të parë kam një fill të lëmshit ballkanik….Në atë kohë Cetina ishte një fshat me çati të kuqe dhe shquhej qartë në mes të një fushe të rrethuar me male. Shumica e kasolleve ishin pëdhese , e në të banonin rreth tre mijë frymë. Nga Cetina shkuam në Podgoricë , ku për herë të parë pashë shqiptarë. Podgorica ishte plot me shqiptarë , të veshur të gjithë me kostume kombëtare , spese deri në atë kohë Mali i Zi nuk kishte bërë shumë perpjekje për ta ndaluar një gjë të tillë…”.17.
Pak fjalë për popullsinë e Podgoricës “sot”..!
Në vitin 1948 Podgorcia (qytet) kishte 14.369 banorë , ndersa në vitin 1991 numri i banorëve kishte shkuar në 117.185 banorë. Një statestikë e vitit 2003 shenon për Podgoricën 136.473 banorë , ku nga kjo statestikë shenohen të regjistruar shqiptarë 9296 banorë , ose rreth 5.5% e popullsisë pergjithshme.18. Ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë së vitit i 2011, në qytetin e Podgoricës jetojnë 150 mijë e 977 banorë , ku vetëm 1404 janë deklaruar shqiptarë ose pak më shumë se 1 % e banorëve të Podgoricës.19.
Analiza etimologjike..:
Një analizë interesante etimologjike të toponimit të Podgoricës dhe toponimeve mbi të cilat është ndërtuar Podgorica e bënë studiuesi shqiptar Preloc Margilaj në një libër interesant të tij , ndaj mendova ta citoj si vijon:
“Podgorica –Pod fjalë sllav , Goric- nga fjala iliro-shqipe gur-i . Sipas kronikës :Birzimino , Burzum. Qytet në fushen e Cemit –Mali i Zi , shtrihet në delten e lumit Ribnica në Moraçë , jo larg qytetit antik Dioklea. Pazari i vjetër i Podgoricës qendron mbi qytetin e vjetër Birzimun , që e kanë quajtur romakët , të huajt dhe banorët e vendit. Në të vertet qyteti më i hershëm është quajtur Alatë.20. Analiza etimologjike (Birzimino)-Toponimi është kompozim ga fjalët birë (vrimë-a) + i , e zi ,zezë. Afer rrjdhjes së Ribnicës në Moraçë , në fund të lumit syza uji (vrima , shpella të thella) që akoma populli i quan rape-gropa dhe pikrisht aty në të dy brigje të lumit filloi urbanizimi i qytetit. Bir/a –vrimë , shpellë + i zi e zezë. Nga thellësia e vrimave (rapeve) uji kalon në pamje mavi , në të zezë. Bir-zi –janë fjalë me kuptimin semantik të gjuhës shqipe , kurse prapashtesa mini sherben per formimin e emrit të toponimit Birzimin. Siç dihet sipas pozicionit gjeografik Podgorica qendron në truallin sizmologjik , kështu që në të kaluaren procese të shpeshta tektonike e kanë ndryshuar relievin e siperfaqes dhe krijuan luginën e lumit Ribnica me rapa (vrima) me thellësi të panjohura. Alata – emri më i moçëm i lumit Ribnica që rrjedhë nëpër qytetin e Podgoricës.21.
Emigrantët Podgoriçanë në Shkodër…:
Edhe sot nëpër Shkodër e rrethina ka banorë e familje që njihen me “identitetin” Podgoriçan. Vetë ky “identitet” tregon se e kanë prejardhjen nga Podgorica. Podgoriçanët si identitet kombëtar në pergjithsi njihen si Malazez (ortodoks të islamizuar gjatë pushtimit turko-osman). Mirpo perkunder ketij identiteti Malazez , ka edhe familje podgoriçane që origjinen e kanë shqiptare. Siç dihet pushtuesi turko-osman, armiqtë kryesor kishte shqiptarët Kristian-katolik , ndersa ortodoksia jo shumë kohë pas pushtimit u nënshtrua dhe me “marifetet” e veta arriti të bëhet edhe aleatë i pushtuesve turq , shpesh edhe në luftën kundër shqiptarëve kristian-katolik. Turqit kishin si qellim jo vetëm nënshtrimin e shqiptarëve katolik , por asgjesimin e besimit të tyre. Në kushtet e rezistencës të popullsisë katolike për ruajtjen e fesë dhe identitetit të të parëve të tyre , pushtuesit turq me kërbaç e kulaç , i “toleronin” katolikët shqiptarë (kryesisht ata të veriut të Shqiperisë) , që nëse nuk donin të beheshin musliman (apo turq siç i quanin në atë kohë ) mund të beheshin ortodoks , dhe të “hynin” nën ombredhen e kishes ortodokse. Në këto kushte ka pasur jo pak shqiptarë që pasi perqafuan besimin Kristian-ortodoks dhe u futën nën kishen ortodokse , dalngadal ata humbën edhe kombësinë , dhe sot ata identifikohen si sllav , malazez apo serb… Në keto kushte duket se edhe katoliket e Podgoricës e rrethinave , u bënë ortodoks me “arsyetimin” se edhe ky është besim Kristian , por që më vonë për aresye ekonomike e privilegje të tjera lanë ortodoksinë dhe perqafuan fenë islame të pushtuesit turko-osman. Kur pushtuesi turko-osman filloi të marrin tëposhten pa kthim , podgoriçanët u gjetën të pambrojtur nga sllavët malazez e serb , që tashma kishin fituar jo autonomin që e ksihin prej kohësh , por pavaresinë. Në keto kushte sllavët ortodoks që kishin grabitur troje shqiptare (edhe me bekimin e Europes plakë ), filluan reprezaljet e deri spastrim etnik nga shqiptarët muslimanë të Podgoricës e më gjërë , të sllavizuar e pastaj “turqizuar”… Sipas një studiuesi të njohur shkodranë prej derës së Bushatëlinjëve, podgoriçanët kanë emigruar në Shkodër në katër “periulla”:
I-Gjatë sundimit të Bushatlinjve ,
II-Mbas Kongresit të Berlinit ,
III-Gjatë luftës së I-rë Botërore ,
IV-Gjatë luftës II-të Botërore .
Për disa familje podgoriçanësh të shpërngulur në Shkodër para pushtimit të Podgoricës prej Malit të Zi , nuk mund të percaktohet një motiv i fiksuar ; emigruan për gjaqe , apo si nëpunës për qellime fitimi. Emigracioni i dëndur i asaj populate nisën mbas invazionit malazias në vitin 1880 , sepse qenë të frikësuar nga persekutimet e malazezve , me qellim çfarosje të muslimanëve , edhe kur ishin të një gjuhe të përbashkët dhe të një kombësie. Krahas urrejtjes kundër muslimanëve të të gjitha vendeve të pushtuara prej tyre , siç ishin Podgorica , Shpuza , Nikshiqi e tj.., malazeztë vepronin edhe me qellim hakmarrjeje kundër tyre ashtu si dhe ndaj shqiptarëve , sepse sëbashku kishin luftuar shumë herë me ta duke derdhur lumenj gjaku deri vonë , perderi sa malazeztë nuk kanë pushuar së plaçkituri , së masakruari e së shkatërruari me qindra herësh vendet kufitare shqiptare”.22.
Podgorica dhe muzeumet e saj :
Podgorica si çdo qender e banuar qytetare , historinë e vet është munduar ta memorizojnë në muzeumet e veta…Unë ketu mendova vetëm t’i paraqes si “listë” muzeumet kryesore të Podgoricës , pa bërë analizen se çfar permbajnë dhe percjellin këto muzeume… të cilat mund t’i vizitojnë çdo i “interesuar”:
Muzeu i qytetit të Podgoricës (Muzej grada Podgorice) ruan trashëgiminë e pasur të Podgoricës. Themeluar në vitin 1950, është i ndarë në katër kategori: arkeologji, etnografi, histori dhe kulturoro-historik. Ruan objekte që datojnë që nga periudha Ilire-Romake
Qendra e kërkimeve arkeologjike (Centar za arheološka istraživanja) u themelua në vitin 1961 Misioni i saj është të mbledhë, klasifikojë, restaurojë dhe të shfaqë vendet arkeologjike.
Muzeu i Marko Miljanov (Muzej Marka Miljanova) në Medun tregon jetën në Mal të Zi gjatë gjatë shek.IX. Është muzeu memorial më i rëndësishëm i Malit të Zi…
Muzeu i Historisë Natyrore (Prirodnjački muzej). 23.
Podgorica dhe shqiptarët…!
Me Podgoricen na “lidhë” historia e autoktonisë mijëra-vjeçare iliro-shqiptare të këtyre trojeve , dhe e trashigimisë Iliro-Shqiptare të qyteteve dhe qendrave të zhvilluara e urbanizuara Ilire si Dioklea , Ribnica e Berziminio mbi të cilat është ndertuar Podgorica e vjeter dhe e re… Me Podgoricën na “lidhin” edhe e një seri ngjarjesh historike në luftën dhe perpjekjet tona për liri , pavarësi e identitet. Këtu unë mendova të kujtoj vetëm dy që më “ngjajnë” si më sinjifikativet , dhe kanë si “mbiemër” Podgoricën. Së pari Kuvendi i Podgoricës , ku me 1-2 prill 1786 do të shpallej konfederata Ilirike me shumë kufijë etnik . Kara Mahmud Pashë Bushatliu , që sipas Pukvilit mbahej si pasardhës dhe ndjekës i gjurmëve të Skenderbeut , dmth si udhëheqës i luftës për çlirimin nga zgjedha turke ,24 , do të mblidhte të gjithë princat shqiptar , të krishterë e muslimanë në Podgoricë , të cilët u betuan bashkërisht mbi Ungjill e Kuran se do të luftonin deri në vdekje kundër armiqëve të lirisë. Ky ishte një hap i rëndësishëm pasi shqiptarët e krishterë dhe muslimanë po bashkonin forcat kundër turqve. Deshira e tyre për liri i kapercente dallimet fetare. Në atë kuvend historik erdhi një senator ngas Raguza që të pergëzonte Mahmudin , kurse Jozefi i II (i Austrisë) i dergoi me cermoni një kryq të madh prej argjendi.25. Së dyti në vitet e stuhishme 1910 -1911 , në Potgoricen e kohes (edhe pse kjo tashma kishte kaluar nën Malin e Zi) , nga dhuna dhe represioni i otomaneve ishin detyruar të strehohen si emigrantë , burra e familje nga më qendrestaret e nacionalistet e Shqiperisë veriore e tjer. Në keto kushte të veshtira Malsoret e strehuar në Mal të Zi , së bashku me Shkodran ,Shaljan e Shoshjan e më gjerë , krijuan Komitetin e kryengritjes , që në histori njihet si Komiteti i Potgorices , me Sokol Bacin , Ded Gjon Lulin , Gjon Nikë Pllucin , Gjekë Marash Gjeloshin, Nikë Gjelosh Lulin ,Tomë e Lekë Zolin ,Lucë Muç Elezin, Kolë Marash Vaten, Nikollë Sokol Bacin dhe Mehmet Shpendin… Ndersa nga Shkodra ishin antarë të ketij komiteti : Luigj Gurakuqi , Hil Mosi etjer, me deget e tij në Viripazar , Tivar , Kotorr e më gjerë…26. Në ato kohë kishte shqiptar nga Shkodra që në Podgoricë kishin ende aktivitete të tyre tregtare , si dhe mejhana siç i quanin atëherë , ku shpesh patriotët shqiptar i kishin vënë në dispozicion të çeshtjes shqiptare , kryesisht kundër pushtuesit turk… Ndersa gjatë regjimit të egër komunist në Shqiperi , ne shefitarët malësor me Malin e Zi , na terhiqte disi media malazeze e Podgoricës më liberale në filma , sport e programe të ndryshme kulturore. Shikimi Televizionëve , por edhe degjimi i radios (atëherë me “mbiemrin e Titogradit) , nuk ishte i lehtë , pasi partia e pushteti komunist në Shqiperi të denonin po të kapnin duke parë TV-t apo degjuar radion e Titogradit… Sidoqoftë në fshahtësi keto media janë “frekuantuar” jo pak nga malësorët , veçanarisht edhe në ata minuta që jepeshin në gjuhen shqipe , pavaresisht se ato kishin Brenda edhe propogandë antikomuniste shqiptare.. Gjithsesi sot mediat e Podgoricës e Malit të zi (publike e private) shikohen e nuk shikohen…
Podgoricës në vitin 1946 iu imponua emri “Titograd” (qyteti i Titos) , emërtim (më sakt homonim) që e mori pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Jugosllavi , me në krye Titon. Homonimin Titograd e mbajti deri në vitin 1992 , kur u zevendësua me toponimin e “vjetër” Podgorica. Sot Podgorica është kryeqyteti i Malit të Zi , që duam apo nuk duam ne historia na e ka lënë perjetësisht fqinjë. Fqinja i mirë thonë se është si vëlla që nuk kerkon hise , në fakt kjo fqinje ka marrë mjaftë “hise”që nuk i takojnë nga trojet tona etnike , një nga keto “hise” është edhe Podgorica , historinë e së cilës u mundova ta paraqes “thjeshtë” per të mos harruar se kryeqyteti i sotëm i Malit të Zi ka qenë që në zanafillen e jetës në këto troje, vetëm Iliro-Shqiptare e kurrë sllave.
Referencat:
1.Vezhgime Iliro-Shqiptare , perpilue prej dr.Ludvig Von Thalloczy , perkthye shqip nga Mustafa Merlika-Kruja ,fq.112 , Shkodër 2004.
2.Milan Shuflaj ; Qytetet dhe Kështjellat e Shqiperisë , Kryesisht në Mesjetë , fq,31 , shtepia botuese Onufri , 2009.
3.Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866) , Konsull Francez në Shkodër , Kalorës i Legjionit të Nderit, Historia dhe pershkrimi i Shqipërisë së Eperme ose i Gegërisë , fq.33 , Plejad 2008.
4.Hecquard , po aty…fq.87-88.
5.Ermanno Armao , Vende , kisha , lumenj , male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore , fq.102-103 , Tiranë: botime Korbi 2006 , sipas botimit të vitit 1933 në Romë.
6.Hecquard , po aty… fq.88.
7.Antonio Baldacci , Rrugëtime Shqiptare 1892-902 , fq.160, sh.b.Argeta LMG, Tiranë 2004.
8.Hecquard , po aty…fq.88-90.
9.Hecquard , po aty…fq.102.
10.H.Hecquard , po aty ,fq.328.
11.Prof. Antionio Baldacci ; Shqiperia e Madhe , fq.256, shb “Eugen” , Tiranë 2006.
12.Defterin i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres i vitit 1485 , fq.134-135 . Akademia e Shkencave të R.P. të Shqiperisë Paraqitja , hyrja , transliterimi , perkthimi dhe komentet nga Selami Pulaha , Tiranë 197).
13.Perparime Huta ; Fshati në Sanxhakun e Shkodrës në shekujt XV-XVI , fq.154-155 , Tiranë 1990.
14.Evlija Çelebiu në Shqiperi dhe në viset fqinje: Kosovë Mal i Zi , Ohër , në bazë të dorshkrimit autograf , perg. Nga Robert Elsie , fq.34-36 , shpb “55” , Tiranë 2008.
15.Hequard , po aty…fq.87.
16.Antonio Baldaçi ; Shqiperia e Madhe , fq.265.
17.Edith Durham , Brenga e Ballkanit dhe Vepra të tjera për Shqipërinë e Shqiptarët , fq.318-319.
18.Zavod za statestiku Crn Gore-MONSTAT.
19.https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.
20.Preloc Margilaj ; Ilirët flasin Shqip –Shqiptarët flasin Ilirisht , fq.86-87, Podgoricë 2000.
21.Preloc Margilaj , po aty fq.132.
22.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet ,traditë , ngjarje , njerëz ,Vllimi II , fq.309-312 , ”Idromeno”, Shkodër 1999.
23.https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.
24.Universiteti Shtetror i Tiranës , Instituti i histories , Stavri Naçi , Pashalleku i Shkodrës nen sundimin e Bushatlijve , fq.175 , Tiranë 1964.
25.Edwin Jacques , Shqiptarët ,historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme , fq.282.
26.Lulash N. Palushaj; Malësia dhe fiset e saj , pjesa e parë ,fq.162-163 , Lezhë 1996