
Avni Alcani/
Prof. Dhimiër S. Shuteriqi, në artikullin “Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar” (Mbi Barletin dhe Shkrime të tjera, 1979) pati shtruar pyetjen: “Ç’u bë letërsia e shkruar shqipe e periudhës para osmane”? (1) dhe përgjigjen e jep po ai vetë, ku shkruan se ajo ishte zhdukur, apo “e konsideruar e zhdukur”.
Por, për ekzistencën e një letërsie në gjuhën shqipe para periudhës osmane, Shuteriqi ka sjellë disa fakte, siç janë ato të kronikës së arqipeshkvit francez të Tivarit, Gulielm Adae, i cili sjell dëshmi për ekzistencën e një literature shqipe me gërma latine, të shkruar në viset e Shqipërisë së Veriut. “Në vitin 1332, – shkruan ai, – arqipeshkvi francez i Tivarit, Gulielm Adae, nuk thotë vetëm se shqiptarët kanë një gjuhë të tyre, por dëshmon se, se duke “pasur një gjuhë tjetër, fare të ndryshme nga ato latine, megjithatë ata kanë në përdorim, si dhe në të gjitha librat e tyre, shkronjën latine”. Me këtë rast mësojmë për ekzistencën e një literature shqipe, të shkruar me gërma latine, në pjesën e parë të shek. XIV”.(2) Pas pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtria osmane, shkruan ai, shkrimet dhe librat shqipe me alfabetin latin në shek. XIV e lart, u zhdukën, ashtu siç u zhdukën edhe shkrimet shqipe me alfabete të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Shuteriqi ngulmon, “jemi të sigurtë se kanë ekzistuar, posa i gjejmë te arbëreshët e Italisë në shek. XVI”.(3)
Dihet se pas vdekjes së Skënderbeut, një pjesë e popullsisë dhe e aristokracisë arbërore emigruan në Itali. Dh. Shuteriqi, duke iu referuar kronistit italian G. Marafioti, që shkruante se në vitin 1601 abëreshët e Kalabrisë i kishin ndërtuar kishat e tyre dhe se arbërorët katolikë i kryenin ritet fetare sipas zakonit latin, kurse arbërorët ortodoksë sipas ritit greko-bizantin.(4) Shuteriqi shkruan: “…dhe kjo gjuhë, na mëson historani i Kalabrisë, është e pastër nga fjalët e greqishtes (të cilën ai e njeh mirë) Këta arbëreshë duhej domosdo të kishin edhe libra fetarë shqip, se pa libra nuk bëhen shërbesat.(5)
Po ku i kishin gjetur librat e shërbesave arbëreshët në vitin 1601? A mund t’i kishin ribotuar librat e tyre në mërgim? Ndofta, por do të kishte qenë e pamundur që ta rishkruanin gjuhën e tyre, shkruan Shuteriqi, pasi botimi i një libri në ato kohë kishte kosto të madhe dhe arbëreshët ishin qenë të varfër, pasi shumica e tyre ishin larguar vetëm me rrobat e trupit, për t’i shpëtuar shtypjes dhe linçimit të ushtrisë otomane. Por Shuteriqi insiston, “që ata (arbwreshët, A.A), zakonin e ushtrimit të kishës në shqip, librat e tyre të shërbesave, i sollën nga atdheu”,(6) që do të thotë se arbërorët i kishin pas sjellë me vete librat në gjuhën e tyre, me të cilat ata do t’i kryenin shërbesat fetare.
A ishte “Psalltiko” pasardhës i një tradite të shkrimit shqip para pushtimit osman?
Në një artikull të botuar në vitin 2018, kam çfaqur mendimin tim se dorëshkrimi i gjetur në fshatin Polis, ne titullin “Psalltiko”, “është pasardhës i një tradite të hershme të shkrimit të shqipes para pushtimit turk…”.(7) Këtë përfundim e kam mbështetur te disa faktorë historikë, si dhe te përfundimi i analizave shkencore të dy prej studiuesve më të njohur këtij dorëshkrimi, siç janë prof. Dh. Shuteriqi dhe prof. I. Zamputi.
Por cilët ishin faktorët historikë që kanë ndikuar, që shërbesat kishtare në trojet shqiptare të kryheshin në gjuhën shqipe? Pas ndarjes së kishës, në ortodokse në lindje, me qendër në Kostandinopojë dhe katolike në perëndim, me qendër në Romë, kishat në trojet shqiptare u ndanë në kisha katolike në veri dhe kisha ortodokse në jug. “Në Shqipëri, – shkruan Shuteriqi, – copëzimi i madh feudal e krahinor, pushtimet e huaja, lufta fetare, dëmet që pësonte vazhdimisht përpjekja kulturore e vëndit, s’kishte si të mos shkaktonin edhe lëkundjet në mënyrën e shkrimit të shqipes në alfabet”.(
Me siguri që në fillimet e saj, priftërinjtë arbërorë kanë pasur coroditje, pasi meshat në veri mbaheshin në gjuhën latine dhe ato në jug mbaheshin në gjuhën greke, apo dhe në sllavishten zyrtare. Në këto kushte priftërinjtë mund dhe duhet të kenë përdorur gjuhën shqipe, për t’u kuptuar nga populli, pasi popullsia vendase nuk i kuptonte mirë as në latinishten dhe as në gjreqishten, apo sllavishten.
Në disa nga zonat më të thella malore, ku ishte e vështirë që të kontrollohej nga qendrat kishtare, ka pasur më shumë liri për përdorimin e gjuhes vëndase. “Sundimet sllave në mesjetë, – vijon Shuteriqi, – mvarja e kishës në Shqipëri të Mesme dhe pjesërisht të jugut nga patriakati i Ohrit, lufta kundër kishës byzantine, bënë që shqiptarët e këtyre anëve ta shkruajnë shpesh gjuhën e tyre me alfabete të krijuara në fytyrën e glagolitikut (alfabeti i parë i krijuar për gjuhët slave, A.A.)”.(9) Një fakt tjetër nund të ketë qenë dhe përhapja e ideve humaniste në fund të mesjetës, ndikimet kulturore të kohës dhe dobësimi i kontrollit të drejtpërdrejtë nga qendrat kishtare. Një ndikim ka pasur edhe përhapja e bogomilizmit (shek. 9-14) në disa pjesë të Ballkanit, e cila ishte një lëvizje “proteste sociale me karakter anrifeudal dhe platform fetare…, masat popullore ballkanase, midis tyre dhe shqiptarët, vazhdimisht të e të varfshtypur e të varfëruar në kulm, hidheshin edhe kundër kishës byzantine apo dhe asaj slave…”.(10) Lëvizja heretike qe aq e madhe, shkruan Shuteriqi, sa, nga dëshmia e një kleriku anonim perëndimor, del se arbëreshët ishin, në fillim të shek. XIV, të një sekti të vecantë Kristian, pra të një lloj herezien të tyre. Krerët e kishës së tyre, shkruan Shuteriqi, “…kur predikonin, ishin të detyruar të përdornin gjuhën e masave, gjuhën popullore… Një nevojë e tillë praktike, ndër të tjera nevoja të mundshme, si, p. sh., nevoja e teksteve të posacme kishtare për herezinë, conte natyrisht në shkrimin e gjuhës”.(11)
Në vitin 1965, në Konferencën e Parë të Studimeve Albanolojike, prof. I. Zamputi, gjatë një diskutimi, kishte paraqiyur tezën e tij, se autori i dorëshkrimi të Polisit ishte anonim dhe se libri ishte hartuar në shek. e 16-të, d.m.th., në kohën e Buzukut. Për këtë ai shkruan: “Na bile kemi një mendim personal: ndikimin e padiskutueshëm të Rinashimentos italiane (Rilindjes italiane – Shënimi im A.A.) qi mendojmë se ka në pikturën e Onufrit tonë të shekullit të XVI-të, ia detyrojmë pikërisht këtij kontakti dhe kësaj pozite që patriarkia e Ohrit kishte kundrejt arbëreshëve. Nuk do të ishte e pamundur, – vijon ai, – që Anonimi i Elbasanit të jetë një bashkohës i Onufrit, pra jo i shekullit të XVIII-të, as i shekullit të XVII-të, por i të XVI-tit”.(12) Nuk duhet të harrojmë, e mbështet argumentin e tij Zamputi, se “Anonimi i ynë nuk asht përkthim i ungjillit, por i disa copave nga ungjijt e ndryshëm, të caktueme për t’i lexue gjatë meshimit. Asht pra nji meshar, që hyn në lëvizjen e futjes së gjuhës shqipe në celebrimin e meshës, po ashtu si qe përpjekja e Buzukut”.(13)
Rreth 14 vite pas Konferencën e Parë të Studimeve Albanolojike, në vitin 1979 prof. Dh. Shuteriqi paraqitet më i avancuar me tezat e reja të tij, si për kohën e hartimit, ashtu dhe për vëndin e origjinës së dorëshkrimit. Në librin “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), ai përmend viset e mundshme të origjinës së dorëshkrimit, që, sipas tij, janë Shpati, Polisi dhe Vërça. Prof. Shuteriqi shkruan: “Janë vise kulture me vlera të shquara, vise prej ku kanë nismën njëra nga familjet më të vjetra të feudalëve shqiptarë, Aranitët (shek. X-XVI) dhe shteti i tyre… Polisi ishte kryeselia e Gjergj Aranitit, e shtetit të tij… Kishte arsye dhe mundësi të plota që në një trevë të tillë gjuha shqipe të shkruhej me kohë dhe herët (shënimi im-A.A.”.(14) Dhe ishte pikërisht Polisi, vendi ku e kishte origjinën dhe ku ishte zbuluar dorëshkrimi ynë, dhe është më se e mundshme që në këtë trevë, ku ka qenë kreqendra e shtetit të tij, të ketë pasur një traditë të shkrimit shqip.
Përfundime
Që nga botimi i parë i prof. Shuteriqit (viti 1949) dhe deri në botimin e fundit të dr. R. Elsie (viti 1994), rrugëtimi i dorëshkrimit ka kaluar përmes debateve dhe problematikave të ndryshme, veçanërisht të përqëndruara rreth autorit, vëndit dhe kohës kur është hartuar dorëshkrimi.
Studiuesit që kanë trajtuar çështjen e autorësisë së dorëshkrimit kanë hasur vështirësi në përcaktimin e autorit, për shkak se emri i tij nuk figuronte mbi kapakun e librit. Por dhe mungesa e një libri të dytë të ngjashëm, i shkruar me të njëjtin alfabet si i pari, e ka vështirësuar gjetjen e autorit dhe të kohës. Për kohën se kur dhe për vëndin e ku është hartuar dorëshkrimi studiues të ndryshëm kanë pasur pretendime të ndryshme, të cilat, shpesh herë, kanë qenë kontraditore, duke e vendosur në kohë dhe në vënde të ndryshme.
Por, sa kohë që nuk do të kemi një raport shkencor nga specialistët e fushës, për moshën e pergamenit dhe të tekstit të dorëshkrimit, do të ketë përherë hamendësime dhe supozime të ndryshme. “Studimet e mëtejshme historike dhe gjuhësore, – shkruan prof. Zamputi, – do të vlejnë për të zgjidhë problemet e shumta e të koklavituara, por me randësi që dalin për historinë e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës sonë në përgjithësi, kur të përcaktohet me saktësi autorësia e dorëshkrimit, pra edhe e epokës dhe e vendit ku u hartue”.(15) Për të përcaktuar kohën e saktë, se kur është hartuar dorëshkrimi i librit “Psalltiko”, do kërkohet ndihma e specialistëve të fushave të tjera të shkencës, siç janë specialistët e gjuhësisë historike, të cilët merren me analizën e teksit të vjetër dhe studimin në zhvillim të gjuhës në kohë, si dhe ndihma e specialistëve të fizikës bërthamore, të cilët kryejnë analizën e pergamenit me metodën e karbonit C14, që përcakton moshën saktë të tij. Duke gjetur moshën e pergamenit, do të mund të gjëndej afërsisht edhe mosha e dorëshkrimit.
_________________________
1) Dh. Shuteriqi: “Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar”. Mbi Barletin dhe Shkrime të tjera, f. 26, Tiranë 1979.
2) Po aty, f. 24.
3) Po aty, f.26-27.
4) “Fano gl’uifficij della chieza secondo l’uso latino e Greco” (Ata i ndërtojnë zyrat e kishës sipas zakonit latin dhe grek). Shuteriqi 1979, f. 41
5) Po aty, f. 27.
6) Po aty.
7) Alcani 2018: “Psalltiko”. Përkthimi i parë shqip orthodoks i Biblës. “Gazeta Shqiptare”, 15 korrik 2018.
Shuteriqi 1979, f. 18.
9) Po aty.
10) Po aty, f. 22.
11) Po aty, f. 25.
12) Zamputi 1965, “Diskutim rreth kumtesës së prof. M. Domit”, Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, Tiranë 1965, f. 400.
13) Po aty, f. 400.
14) Shuteriqi 1979, f. 34-35. Polisi “ishte kryeqendra e Gjergj Aranitit dhe e pasardhësve të tij, me kështjellën në Kryekorrë (Crepakore-Krepi i Korrës), midis Vilanit e Sopotit të sotëm”. Shuteriqi 1981: Aranitia në vitin 1467, Rev. Studime historike, f. 135; “S’ka asnjë dyshim se, më 1454, me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm… me kryeqendër Komnenovilin, “Qyteti i Komnenit” … që s’ishte tjetër veçse Polisi, apo Vilani i sotëm, lagje e Polisit”, Shuteriqi 1981: f. 130.
15) Zamputi 1965, f. 399.