Prof. Milazim Krasniqi/
Botën e ka kapluar epidemia e lajmeve të rreme, e dezinformatave, e spinit, e indoktrinimit, e sulmeve ad hominem, e gjuhes së urrejtjes dhe e degradimit të komunikimit medial e politik. Disa prej nesh, vërtet çmeritemi nga pasioni i disa medieve dhe i disa politikanëve për të gënjyer, për të mashtruar. Por, unë besoj se për përhapjen masive të formave të deformuara dhe imorale të komunikimit, më shumë se sa mediet, ka faj vetë publiku. Publiku është shndërruar në një lloj voajeri, që ka qejf të shoh aktet e të tjerëve, që të kënaqë perversitetin që fsheh në vete. Faktikisht, mediet vetëm sa ndihmojnë që të legalizohet perversiteti dhe deskruksioni, i cili ekziston në masat e njerëzve. Mediet e koncentrojnë në agjenda konkrete atë perversitet e destruksion, por ai ekziston dhe vepron në formë okulte në mendimet dhe sjelljet e një pjese të madhe të publikut. Pra, ky publik e dëshiron dezinformatën, e dëshiron sulmin ad hominem, e ka qejf gjuhën e urrejtjes, e ka qejf dhunën. Ndryshe nuk mund të kuptohet shikueshëmria e lartë e debateve me tone fyese dhe klikimet e teksteve me gjuhë të urrejtjes. Kjo është e vërteta e hidhur e shoqërisë sonë. Faji i faturohet medies, por kryefajin e ka publiku i pangopur me perversitete. Po të mos e kishte ky publik në qejf dezinformatën, perversitetin, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën, do ta refuzonte atë përmbajtje mediale. Në atë rast edhe mediet do ta braktisnin, sepse nuk do të kishin kujt t’ia shisnin atë produkt. Pra, ajo që shohim në medie e në politikë, si komunikim i deformuar dhe imoral, realisht është gjendja morale e qytetarëve. E vërteta është se një pjesë e publikut-qytetarëve vuajnë nga këto produkte mediale. Por ata që vuajnë nga presioni që shkakton kjo çoroditje, janë pakicë në shoqëri. Ndaj, ata shikojnë zemërplasur, por nuk kanë asnjë mundësi që ta ndryshojnë gjendjen. Prandaj konsideroj se epidemia e tillë do të përhapet edhe më shumë. Deri kur? Deri sa të instalohet edukimi medial, të ndodhë përmirësimi moral i shoqërisë dhe të funksionojë shteti mirëfilli ligjor. (18 qershor 2017) P.S. kam frikë se për këto vite gjendja vetëm sa është përkeqësuar.