Rafaela Prifti/
Kur lexova pyetjen e një lexuesi që pyeste nëse një biçikletë që prodhon energji elektrike mund të furnizojë shtëpinë ashtu si edhe një gjenerator, desha të di më shumë. Veçanërisht në kohën e festave shpenzimet përfshirë ato të energjisë i kalojnë kuotat e muajve të tjerë. Zbukurimet e ndriçuara dhe vargjet e llampushkave brenda në shtëpi dhe në oborre e shtojnë konsumin e energjisë rreth pesëdhjetë kilovat në orë mesatarisht dhe ne shpenzojmë qindra, dikush deri edhe mijëra dollarë gjatë muajit të festave për faturën e energjisë elektrike. Sa për ilustrim, rrugë pas rruge lagjja Dyker Heights e Bruklinit ka vila dy a tri-katesh të stolisura nga varganë dritash shumëngjyrëshe që ngjajnë si ujëvara luminishente. Është e natyrshme të ndjesh admirim për banorët e shtëpive që e praktikojnë këtë traditë vit pas viti vullnetarisht duke i dhënë famë vendbanimit të tyre në kohën e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve.
Kureshtja më shtyu të pyes sesa paguajnë banorët për këtë spektakël zbukurimesh të ndriçuara.
Varësisht nga metrat e varganëve me drita, instalimi dhe paketimi (nëse e bëjnë vetë apo kanë punësuar kompani të specializuara) shpenzimet shkojnë nga 1,000 deri në 20,000 dollarë për familje. Një shtëpi në Amerikë mesatarisht konsumon 1,000 kilovat orë energji në muaj. A është e mundur qe njeriu të gjenerojë vetë kaq kilovat orë duke i dhënë një biçiklete të montuar në vend? Kurrsesi jo, as përafërsisht. Pedalimi me një shpejtësi mesatare jep rreth 100 vat d.m.th. aq sa një llambe njëqind vatëshe. Edhe sikur t’i japësh biçikletës për tetë orë për tridhjetë ditë rresht pa pushim në fundjavë do arrije 24 kilovat orë energji, që përbën një përqindje të vogël të përdorimit mujor të energjisë. Nga një lexim i shpejtë është e qartë se shpërpjesëtimi midis energjisë që mund të prodhojmë vetë dhe asaj që çdo njeri nga ne konsumon është diçka që të bën të mendosh.
Sa shumë konsumojmë në raport me sa pak kontribuojmë. Po ta ilustrojmë me shembullin e biçikletës, nga tetë orë pedalimi njeriu arrin të jap 0.8 kwh pra kaq do kishte në dispozicion për vete. Nëse i duhet më shumë se kaq do duhej të blinte energjinë e prodhuar nga të tjerë. Me zbulimin e energjisë së fosileve dhe në sajë të fuqisë së prodhuar prej saj, ne përdorim mesatarisht aq energji sikur të kishim 40 vetë të tjerë që prodhonin energji nga biçikleta për ne. Ndonëse jemi mësuar me këtë lloj luksi duhet t’i dimë pasojat e mbipërdorimit të kaq shumë energjie dhe të mendojmë për konsum të arsyeshëm nga burime energjie të ndjeshme ndaj kapaciteteve të planetit tonë.