Nga Mimoza Dajçi/
Pas ardhjes në pushtet të diktaturës së proletariatit, deri në vitin 1991 në Shqipëri “u aplikua” edhe zhdukja e personave të vrarë pa gjyq. Kanë kaluar 8 vite kur një thirrje e OKB, tërhoqi vemendjen autoriteteve shqiptare se, duhet të sigurojnë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ky lajm u bë i njohur pas vizitës një javore në Shqipëri nga Drejtuesja e OKB-së, Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha – tha ajo – që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Salmi kanë të drejtën e dëmshpërbilimit, mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.
Koha tregon të kundërtën. Këto thirrje e udhëzime të komunitetit ndërkombëtar akoma nuk po zbatohen në Shqipëri. Atje ka shumë probleme që janë lënë “në harresë” e vendi mbulohet nga korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe krimi brënda familjes.
Edhe pse Shqipëria kaloi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë përfunduar proçesin e dëmshpërblimeve për ish të burgosurit dhe internuarit politikë, pjesa dërmuese e të cilëve janë larguar e po largohen nga kjo jetë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marrë as shumën finaciare që u takonte nga torturat e vuajtjet e tmerrshme që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqëndrimit….
Eshtë hapur muzeu tunel – bunker i nëndheshëm i ish qeverisë komuniste në Tiranë, por aty nuk pasqyrohen gjithë plagët që i janë shkaktuar padrejtësisht popullit tonë nga ai regjim mostruoz, i cili sa më shumë të ishte vonuar aq më tepër viktima e të burgosur politikë do të kishim. Të gjithë do të kalonim nëpër atë gijotinë, që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ishte krijuar industria e spiunazhit, zhdukjeve e vrasjeve me edhe pa gjyq.
Në mbështetje të OKB-së për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri dhe për të zgjuar qeverinë shqiptare nga gjumi letargjik, një dokumentar mbi këtë Temë ka realizuar edhe TV i BBC-së. Ku protagonist janë Kryeministri Edi Rama, ish i internuari politik Simon Miraka, ish i burgosuri politik Gjeneral Rahman Parllaku, ish i burgosuri politik Saimir Maloku, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, gazetarja M. Dajçi dhe ish Zv/Ministri Nikolin Kurti. Por akoma nuk po shikojmë dritë në fund të tunelit për realizimin e udhëzimeve të OKB-së.