
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit Nju Jork, janar 2026/
Abaz Kupi përfaqëson një ndër figurat më të rëndësishme të luftës antifashiste në Shqipëri. Agresioni fashist mbi Shqipërinë në 7 prill të vitit 1939 e gjen Abaz Kupin me gradën ushtarake major me detyrë shtetërore si oficer xhandarmërie në Durrës. Ai së bashku me ushtarakë e vullnetarë të tjerë u bëri një rezistencë për rreth 36 orë zbarkimit të ushtrisë italiane në portin e Durrësit, fakt i cili u mohua gjatë regjimit komunist në vitet1944-1990. Edhe në vitet e para pas rrëzimit të komunizmit justifikimi i historiografisë zyrtare për këtë mohim të rolit të tij në qëndresën e 7 prillit justifikohej me faktin se, sipas tyre, ai thjesht bëri detyrën shtetërore për të cilën paguhej. Po Mujo Ulqinaku, për të cilin ia vlen vërtet të nderohet për aktin e tij heroik deri në sublimitet në qëndresën e 7 prillit, a nuk ishte edhe ai ushtarak në detyrë?!Edhe më tej, ende edhe sot nga historiografia zyrtare shqiptare roli i Kupit në luftën antifashiste është i pa vlerësuar siç duhet. Në këtë kumtesë do përpiqem të paraqes kontributin e major Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve, sidomos ndaj atyre italianë, mbështetur në të dhënat e gjykimet e misionarëve perëndimorë, sidomos anglezë, si dhe të disa studiuesve të ndryshëm vendas e të huaj.
Qëndresa e tij ndaj pushtimit fashist jo vetëm nuk u pa me sy të mirë, por bëri që ai të futej në listën e personave të kërkuar për t’u ndëshkuar nga okupatori. Për këtë Abaz Kupi u detyrua të largohet për në Stamboll të Turqisë. Përkrahja e, më pas, njohja e luftës antifashiste të popullit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha dhe ardhja e misionarëve anglezë në Shqipëri bëri që ai të kthehet në atdhe në 7 prill të vitit 1941. Kthimi u realizua nga Jugosllavia me ndihmën e nacionalistit Muharrem Bajraktari. Me t’u kthyer në Shqipëri iu bashkua Frontit të Bashkuar të Rezistencës, së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, Mustafa Gjinishin dhe Muharrem Bajraktarin. Këtë datë të kthimit të tij si dhe frontin e krijuar albanologu Robert Elsie e cilëson edhe si datë të themelimit të lëvizjes së rezistencës nacionaliste: Legalitetit. Më tej po ky autor thekson se Abaz Kupi ishte një nga figurat kryesore në Konferencën e Pezës më 16 shtator të vitit i942, qëllimi i së cilës ishte bashkimi i lëvizjeve të ndryshme të rezistencës antifashiste në një front nacionalçlirimtar. Duke patur në konsideratë figurën, autoritetin dhe aftësitë e tij mbledhja e Pezës e zgjodhi atë anëtar të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Ndërsa historiania ruse Nina Smirnova shkruan se është për t’u përmendur si një arritje që në këtë Këshillë nacionalistët, me në krye Abaz Kupin, fillimisht, përbënin shumicën dhe konkretisht për këtë ajo shprehet: “… Një arritje e rëndësishme e konferencës qe zgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili do të drejtonte të gjitha veprimtaritë e organizmave të ulta. Përfaqësimi në këtë këshill u përcaktua si më poshtë: katër vend i zunë nacionalistët (Abaz Kupi, Baba Faja Martaneshi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi) dhe tre komunistët (Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi)- Në korrik të vitit 1943 u kthye në Shqipëri Sejfulla Malëshova, i përfshirë në përbërjen e Këshillit të Përgjithshëm, ai “drejtpeshoi” përfaqësimin e komunistëve me atë të nacionalistëve…”
Pas kthimit në atdhe Abaz Kupi me forcat e tij nacionaliste u dallua për një rezistencë të dukshme kundër pushtuesve italian. Këtë e pohon edhe diplomati anglez Reginald Hibert në një libër të tijin mbi Luftën nacionalçlirimtare në Shqipëri. Kur ndalet te ditari i misionarit aleat anglez, gjeneralit Dejvis mbi rolin e luftës së forcave nacionaliste në Shqipëri, ai shkruan: “… Na u paraqit Baba Faja, dervishi bektashi i famshëm për rezistencën e tij të hershme kundër italianëve. Ai solli me vete jehonën e madhështisë e të karakterit të kohërave të vjetra. Ai me Myslim Pezën dhe Abaz Kupin ia kishin dhënë ngjyrimin e rezistencës “nacionale” LNÇ kur u formua në Pezë në shtator 1942.”
Lidhur me aktivitetin e tij luftarak antifashist pak është shkruar apo evidentuar në literaturën apo shtypin brenda Shqipërisë. Madje dhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri vendi i Abaz Kupit, sidomos për rolin e tij në Luftën Antifashiste jo vetëm nuk është evidentuar si duhet, por paraqitet i zbehtë, madje në historiografinë zyrtare vijon të etiketohet si “kolaboracionist”. Edhe në Historinë e Shqipërisë të botuar nga Akademia e Shkencave në vitin 2002 pothuaj Abaz Kupi nuk përmendet fare. Ndër historianët e pakët vendas, është prof. Kristo Frashëri, i cli në librin e tij Historia e qytetërimit shqiptar, botuar në vitin 2008, lidhur me forcat politiko-luftarake që përbënin rezistencën antifashiste në Shqipëri, citon ministrin e jashtëm gjerman të kohës Ribentrop, i cili pohon se “tri ishin forcat politike që vepronin në atë kohë të Shqipëri. Në radhë të parë, shënonte Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, të cilin sipas tij e kryesonin Abaz Kupi dhe Myslym Peza së bashku me komunistët shqiptarë .
Në radhë të dytë, shtonte se ishte në formim e sipër një qeveri “kombëtare”, të cilën do ta kryesonin Mark Gjin Markaj me Mithat Frashërin, Hasan Dostin dhe Faik Qukun, … . Forcën e tretë politike e përfaqësonin, po sipas tij, disa personalitete të paangazhuara në dy grupimet e para.” Siç shihet edhe vetë pushtuesi gjerman, i sapoardhur në Shqipëri, në vitin 1943 pranon se një nga krerët e rezistencës kryesore antifashiste në Shqipëri ishte Abaz Kupi. Ndërkohë që historiografia zyrtare e kohës nuk e përmendte fare këtë fakt, madje në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të vitit 1985 Abaz Kupi nuk përfshihet qoftë edhe si zë i veçantë
Më shumë aktivitetin e tij e kanë paraqitur studiues e gazetarë të emigracionit shqiptar në diasporë, sidomos në SHBA, Pas vitit 1990, mes të tjerëve, dallohen Markensen Bungo dhe Dalip Greca. Lidhur me kontributin e tyre për ndriçimin e figurës së Abaz Kupit një panoramë dhe një analizë të qartë na jep Klajd Kapinova në një artikull të tijin botuar nga gazeta Dielli. Këtu artikullshkruesi thekson se Bungo ka arritur të na sjellë edhe një monografi kushtuar Abaz Kupit, redaktuar me mjeshtëri nga Dalip Greca. Në këtë monografi një vend qendror zë roli i madh i Kupit në lëvizjen dhe luftën antifashiste, duke e vlerësuar atë si personazh kryesor të qëndresës antifashiste, “duke u dalluar si luftëtar, organizues dhe udhëheqës ne përpjekje të reja e të pashtershme për të fituar lirinë dhe pavarësinë shtetërore…”
Deri në vjeshtën e vitit 1943 Abaz Kupi dhe forcat e tij luftarake kishin kryer disa aksione të suksesshme kundër pushtuesve italianë. Ky kontribut i tij u vlerësua edhe në Konferencën e Labinotit të korrikut të vitit 1943, ku ai u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Hapi i tij më i rëndësishëm në shërbim të luftës së përbashkët antifashiste ishte iniciativa e tij për të organizuar mbledhjen e Mukjes në fillim të gushtit të vitit 1943. Duke qenë urë lidhëse mes dy forcave kryesore që drejtonin lëvizjen e deriatëhershme antifashiste: Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste si ndikoi fuqishëm në bashkëpunimin mes këtyre forcave për një luftë të përbashkët kundër fashizmit pushtues. Për ta bërë realitet këtë bashkëpunim, nën drejtimin e Abaz Kupit, dy ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Mukjes, pra në datat 4 dhe 5 gusht 1943, forcat partizane dhe ato nacionaliste zhvilluan një betejë të përbashkët kundër ushtrisë italiane që marshonte drejt Matit. Pushtuesit fashistë pësuan humbje të rënda, duke u vrarë rreth 150 vetë, 40 u plagosën dhe 7 vetë u zunë robër. Mes të vrarëve ishte edhe komandanti i forcave italiane, koloneli Skampa.
Por, prishja e kësaj marrëveshjeje nga komunistët në mbledhjen e tyre të shtatorit të po atij viti në Labinot të Elbasanit, bëri që ai të tërhiqet nga bashkëpunimi me komunistët dhe nga Fronti Nacionalçlirimtar, i dominuar tashmë prej tyre. Në nëntor të vitit 1943 ai themeloi dhe drejtoi Lëvizjen e Legalitetit, e cila siç pohon edhe albanologu Robert Elsie, menjëherë u njoh si forca e tretë e rezistencës, pas Frontit Nacionalçlirimtar i kontrolluar nga komunistët dhe Ballit Kombëtar të nacionalistëve republikanë.
Formimi i organizatës së Legalitetit u pa si kërcënimi kryesor për komunistët, të cilët synonin që pas mbarimit të luftës antifashiste të ushtronin të vetëm pushtetin e tyre, duke mënjanuar nacionalistët e duke mohuar rolin e tyre në qëndresën antifashiste. Këtë synim e vë në dukje edhe diplomati Hibbert në librin e tij mbi Luftën e dytë botërore në Shqipëri, duke u shprehur: “… Gjenerali Dejvis pati takimin e parë me Enver Hoxhën më 31 tetor 1943. Gjatë bisedës u duk hapur se ata (komunistët) nuk ishin të përgatitur të përballonin një dimër të ftohtë dhe ofensivën gjermane.
Por, që nga rënia e Italisë ishin kapur shumë pas mendimit për rrugët me të cilat do të shtinin në dorë kontrollin e vendit dhe të mposhtnin nacionalistët kur të vinte ora e çlirimit.” Në këtë bisedë gjanerali anglez Dejvis u përpoq të bindte Enver Hoxhën për të bashkëpunuar edhe kundër pushtuesve të sapoardhur gjermanë me forcat e Ballit dhe të nacionalistëve të tjerë, përfshirë dhe ato zogiste. Enver Hoxha si përgjigje dha një pohim jo të sinqertë, pasi më pas, shumë shpejt, ndryshe veproi. Me iniciativën e tij Abaz Kupi u përjashtua nga rradhët e Frontit Nacionalçlirimtar dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Njëkohësisht komunistët urdhëruan forcat partizane që t’i trajtonin forcat luftarake të Ballit dhe të Legalitetit njëlloj si forcat pushtuese gjermane. Këto vendime bënë që nga fundi i vjeshtës së vitit 1943 e deri në fund. lufta antifashiste e forcave partizane të drejtuara nga komunistët më tepër se e tillë të ishte një luftë civile, për të siguar pushtetin pas mbarimit të Luftës së Dytë botërore. Dhe kështu ndodhi.