
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTASAJ/
Do ta filloja këtë referim me një thenje të një prej figurave më të shquara dhe të nderuara kombëtare, Fan. S. Nolit: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave; të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit”. Si e shumë figurave që kanë lënë gjurmë në historin e kombit tone është edhe ajo e Abaz Kupit. Ai lindi në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Pavarsisht se nuk kishte arsimimin përkates Abaz Kupi u rrit, u edukua dhe formoi fizionominë e tij si ushtarak i çështjeve kombëtare. Ashtu si mjaft të rinj shqiptarë, që vetë tradita e historisë sonë u dha shprehi ushtarake, edhe Abazi shumë i ri i përkrahu dhe ndoqi këto tradita si, dashuria për atdheun dhe armët, trimëria, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin etj. Që në moshë të re, 15-vjeçari Abaz Kupi zgjidhet në vitin 1911 anëtar i Këshillit Kombëtar të krijuar në qytetin historik të Krujës. Ende shumë i ri, kur ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky organizëm, kreu ekzekutimin e kryetarit të rebelëve, Llan Hoxha, i cili kishte përbuzur flamurin kombëtar, duke e zëvendësuar atë me flamurin turk.
Ai luftoi kundër pushtimit osman me mjetet dhe format që afronte koha dhe mundësit që kishin si, me veprime individuale edhe me formacione të vogla, duke kryer atentate, prita e gjer në luftime me forca e mjete më të shumta. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Abaz Kupi doli në krye të krahinës, duke mbështetur dhe përkrahur Kuvendin dhe Qeverinë e Vlorës. Zgjuarsinë ushtarake dhe atë të komandimit, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve e komandantëve të zot, si dhe krenarinë e familjes ai i vuri në funksion të shqiptarizmës. Këto cilësi përbënë karakterin e tij, aq të pranishëm në çdo kuvendim, sidomos në çastet më kritike luftarake-politike, kur çështja shqiptare ishte në rrezik.
Pas formimit të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, së bashku me Ahmet Zogun, Abaz Kupi mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik. Në vitin 1922 shovinistet serbo-malazeze sulmojnë për pushtimin e Koplikut e të Mbishkodrës. Në këto luftime Abaz Kupi shquhet si një komandant ushtarake i zoti, organizator e udhëheqës i 300-400 luftëtarëve krutanë. Me goditjet që i dhanë ushtrive sllave, i theu ato dhe i detyroi të tërhiqen nga krahina veriperëndimore. Ai shërbeu si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit, duke fituar respektin e popullsisë vendase. Në vitin 1934, u gradua major dhe u emërua komandant i xhandarmerisë në Durrës, një pozicion që e mbajti deri në pushtimin Italian.
Në ditet e para të Prillit 1939, Shqipëria rrezikohej të pushtohej nga Italia fashiste. Shteti shqiptar, disi i paralizuar, i paaftë dhe me kapacitete ushtarake të kufizuara, dukej i pamundur të organizohet në përballimin fashist nga një Shqipëri 1-milionëshe, kundrejt një shteti militarë 40-milionësh. Pamvarsisht të gjitha këtyre, me vendim Parlamenti, majori Abaz Kupi vihet në krye e në komandë të rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939. Sipas planit të orientuar nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombtare Sqipëtare, ai do të komandoonte rreth 500 luftëtarë të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, në Portin strategjik të Durrësit. Ai me ato mundësi dhe forca që kishte u përpoq ta mbajë në det ushtrinë pushtuese italjane. Luftimet i drejtoi në brendësi, sidomos në portat e kryeqytetit, që ta pengonte përparimin e shpejtë të ushtris së motorizuar italiane, por ishte e pamundur. Pas pushtimit italian, Abaz Kupi u largua në Stamboll, ndërsa familja e tij u internua fillimisht në Himarë dhe më pas në Itali, në kampet e Brindizit dhe Sienës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Abaz Kupi u kthye në Shqipëri me ndihmën e britanikëve, duke udhëhequr forcat nacionaliste në rezistencën kundër pushtuesve. Emri dhe kontributi i tij doli përsëri në skenën shqiptare. Në historinë e Luftës Nacional Çlirimtare, si në Shqipëri edhe në Ballkan Abaz Kupi përmendet si ndër të paktët krerë që u vu në vijën e parë të luftës me armë. Për këto arsye regjimi fashist dhe qeveritë përkatëse e vunë në epiqendër të ndjekjeve. Nga ana tjeter Abaz Kupi ishte partizan i monarkisë dhe i pikëpamjeve legaliste, një rrymë që qarkulloi në Shqipëri që nga vitet 1920. Bazuar në këto pikpamje, ai nuk i fshehu asnjëher opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Shqipëria etnike dhe e lirë qëndronte mbi këto pikëpamje. Kështu, Abaz Kupin e gjejmë në krye të aksioneve, por edhe duke drejtuar përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme. I përndjekur nga të gjitha drejtimet, detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë edhe ajo e pushtuar nga Gjermania. Këtu Abaz Kupi, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe kosovarë pro luftës së armatosur për shqiptarizmin.
Janë bërthamat e para organizativo-luftarake që, për pak kohë, do të shumoheshin gjer në një ushtri. Si kryetari i kësaj force politike, Abaz Kupi, kryente edhe detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të saj luftarake. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake, me qëllimin që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë, Shkodër, Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi, ngre flamurin kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar. Nisur nga interesat më të larta të kombit dhe ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai në plan të pare kishte bashkimin kombëtar. Kjo u duk qartë në Konferencen e Pezes. Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës e ngre lartë figurën e Abaz Kupit si një prijës patriot e me vizion lufte, si një strateg popullor që kërkonte bashkimin e të gjitha trojeve Shqipëtare. Duhet thënë se sipas dokumentave të kohes gjatë pushtimit gjerman nuk kishte kufi ndarës midis Kosoves dhe Shqipërisë, ky kufi është vendosur në vitin 1948. Në Konferencën e Pezes Abaz Kupi zgjidhet anëtarët i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Në këtë linjë edhe në mbledhjen e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh-së më 5 Korrik 1943 zgjidhet një ndër 13 anëtaret e Shtabit të Përgjithëshëm. Të gjitha këto me pjekurinë, zotësinë, taktin dhe trimërinë që kishte treguar ishin plotësisht të merituara për Abaz Kupin. Ai kishte dhënë mjaft prova, si një antifashist, organizator dhe drejtues ushtarak në luftimet në Matit. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e fort që nuk e lëshonte armikun. Në ndihmë të këtyre forcave erdhi një regjiment i armatosur rëndë ngaTirana. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili për shumë kohë ngeli në malet e Matit. Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë-Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur. Një tjetër betejë zhvilluan forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Sipas buletinit të luftës armiku pas beteje publikoi 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit. Këto beteja të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë dhe për këtë aleatët dërgojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën.
Luftimet zgjaten tri ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste dhe Abaz Kupi u detyrua ti tërhoq forcat në lartësitë e maleve. Më pas, në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bisedimeve ata vendosin që të rifillojnë luftimet guerilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Abaz Kupi dispononte autoritet në krahinat Lezhë – Krujë – Mat. Më 1 Gusht 1943, kur Italia ishte duke kapitulluar, organizohet Mbledhja e Mukjes. Bëhej përpjekja më serioze dhe e fundit, e organizatave të Frontit Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar. Kupi, duke qenë edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, por nacionalist, me Ymer Dishnicën, Mustafa Gjinishin, Gogo Nushin etj., përfaqësojnë Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Pas Konferences pluraliste të Pezes kjo mbledhje ishte e dyta më e rëndësishme, në kontekstin e luftës kundër pushtuesit dhe realizimit të Shqipërisë etnike. Këtu u vendos bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike për luftë të përbashkët kundër fashizmit. Abaz Kupi luajti një rol shumë të rëndësishem në diskutimin dhe përfundimin e punimeve. Mirëpo, Mukja u denoncua nga pala e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe ai përjashtohet dhe largohet nga funksionet e larta të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Abaz Kupi do të kujtohet si një nga ushtarakët më të rëndësishëm të rezistencës antifashiste dhe një mbrojtës i pandërprerë i idealit të një Shqipërie etnike të bashkuar nën kurorën mbretërore, duke kundërshtuar çdo formë të komunizmit. Te personaliteti i tij dukshem u shfaq figura e prijësit ushtarak qëndrimi dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Këto veprime ai i bashkërendoi edhe me veprimtarinë luftarake të formacioneve partizane të Ushtris Nacional Çlirimtare, duke drejtuar si të gjithë komandantët e tjerë të shquar. Luftimet në portin e Durrësit gjatë pushtimit Italjan dhe ato të zhvilluara në Matit nga 01-27 Gusht 1943, që u drejtuan nga Abaz Kupin i treguan më së miri këto aftësi.
Çeta e tij nacionaliste u përfshi në forcat kombëtare çlirimtare dhe plani i tij iu nënshtrua gjykimit të shtabit të përbashkët. Major Kupi duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, duke organizuar prita me mjeshtërin e një komandanti të sprovuar, ku spikat ajo në Qafë-Shtamë. Kjo pritë çoi në befasi, në shpërbërje e deri në shpartallimin e regjimentit italian “Guida”.
Ai nuk e pëlqeu asnjëherë luftën vëllavrasëse dhe gjakderdhjen mes shqiptare. Kur Divizioni i Parë Sulmues i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kryenin operacione mësymëse në veri të lumit Shkumbin, duke kryer edhe masakra nën preteksin që ishin bashkëpuntor të nazi-fashizmit, Abaz Kupi doli hapur kundër tyre, si patriot dhe atdhetar që ishte hapur për një Shqipëri etnike.
Me bindjen e plotë se do të ekzekutohej nga pushteti i ri komunist Abaz Kupi u detyrua të largohen nga atdheu në nëntor 1944.
Në këtë materjal të shkurtër jam përpjekur të paraqes vepren e Abaz Kupit si ushtarak dhe komandant i zoti. Si përfundim ajo që duhet nënvizuar është veprimtaria e shumë burrave të shquar të vendit tonë, që duke i pare e gjykuar nga përkatësia e tyre partiake është hedhur poshtë dhe nuk është vlerësuar e nderuar në tërësin e tyre dhe në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes.
Literatura:
Vangjel Kasapi; Abaz Kupi, udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare, Mars 2015.
Wikipedia, Abaz Kupi.
Peter Kemp “No Colour or Crest”.