
Prof.as.dr. Jonela Spaho/
Gjuha është qënësia e shpirtit të një kombi. Përpjekjet për shkrimin e shqipes dhe krijimit të një alfabeti të saj, kanë qënë probleme që kanë preokupuar vazhdimisht eruditët, ideologët dhe gjuhëtarët, veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë, ku gjuha u pa si elementi vendimtar i përhapjes së kulturës, dijes dhe arsimit. Emancipimi i një kombi fillon nga gjuha e tijdhe proceset letrare, në shumë vende të botës, kanë qënë domosdoshmërisht të lidhura me procesin e shkrimit dhe zhvillimit të gjuhëve kombëtare. Mjafton të përmendimin periudhën e humanizmit evropian, ku vlerësimi për njeriun u bë njëkohësisht me vlerësimin e gjuhës popullore dhe jo më kot, Dante i madh e shkroi “Komedinë hyjnore “ në gjuhën e popullit, pra në gjuhën italiane dhe jo latine, që konsiderohej në atë kohë si gjuha e kulturës. E përmendëm këtë, për të theksuar se problemi i një alfabeti për të shkruar gjuhën shqipe, për të krijuar një letërsi të shëndoshë, që do të mbështetej fuqishëm në një gjuhë të shkruar dhe të njehësuar, do të bëhej preokupimi themelor i romantikëve tanë, i ideologëve dhe shkrimtarëve që shihnin, njëkohësisht, te gjuha një kulturë dhe një emancipim shoqëror dhe shpirtëror.
Kjo e dyta lidhet detyrimisht me procesin letrar, sepse shkalla e zhvillimit të proceve letrare është njëkohësisht dhe balanca e zhvillimit kulturor e shpirtëror të një kombi.
Natyrisht, në kushtet e rënda të një okupimi shekullor, ku padija, injoranca dhe prapambetja ishin thembra e Akilit, dhe ku numri i analfabetëve ishte tragjik, shtrohej detyra e shkrimit të shqipes, në mënyrë që ajo të arrihej të mësohej në shkollat fillore të Shqipërisë, kryesisht nga fëmijët shqiptarë. Hapja e një rrjeti shkollash shqipe, që zuri vendin kryesor në ideologjinë e Rilindjes sonë, lidhej domosdoshmërisht me hartimin e abetareve për mësimin e kësaj gjuhe dhe të copave të leximit që do të shoqëronin këto abetare. I detyrohemi veçanërisht periudhës së Rilindjes sonë që, si në të gjitha fushat e jetës shpirtërore dhe materiale, dha kontributin e pakrahasueshëm dhe në fushën e letërsisë sonë për fëmijë dhe kjo njihet së pari si meritë e abetareve të para të shkrimit të shqipes, të cilat veç të tjerash ishin të pajisura me tekste leximi për dhënien e njohurive dhe mësimin e gjuhës.
Por duke ditur që një nga qëllimet kryesore të rilindasve ishte dhe edukimi i brezit të ri, te i cili ata shihnin ardhmërinë dhe që letërsia për fëmijë misionin e parë ka edukimin, këta autorë të parë të abetareve kanë meritën se, me pjesët e tyre të leximit hapën siparin e letërisë së shkruar shqipe për fëmijë. Ndërkohë që shekulli i XIX, për të cilin po flasim, kishte krijuar kryevepra të pavdekshme në thesarin e librit për fëmijë, duke nxjerrë Andersenin, Grimët e mëdhenj, Koladin, Karolin, Tuenin, De Amiçin, me vepra që dhe në kohrat moderne vazhdojnë të tregojnë se si shkruhet një letërsi për fëmijë, ajo e jona po hidhte hapat e saj, e brishtë, e varfër, e vogël, po megjithatë ekzistente, si për të treguar se dhe në mes të shkretëtirës mund të gjendet një oaz, mund të mbijë një filiz.
Megjithëse shkëputja e letërsisë sonë për fëmijë nga abetaret dhe librat e këndimit ishte mjaft e vonë, përsëri ne mund të pohojmë me bindje se kjo letërsi, së paku deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, bëri jetën e vet pikërisht në këto abetare dhe u zhvillua si letërsi artistike plotësisht në funksion të shkollës shqipe dhe të mësimit të gjuhës amtare, të përhapjes së dijes jo vetëm te të vegjlit, por dhe te analfabetët e rritur, pra u zhvillua në funksion të edukatës kombëtare të të gjitha moshave.
Por le të ndalemi më konkretisht te tri abaterat e para të shkrimit të shqipes, për të hetuar në to fillesat e letërsisë për fëmijë, dhe për të parë se cila prej tyre shënon fillimin e kësaj letërsie. Akademiku Bedri Dedja thekson se: “Letërsia origjinale artistike për fëmijë , me sa dimë gjer tani në bazë të të botimeve të njohura, fillon me veprën e Kristoforidhit. Alfavitari është vepra e parë origjinale e Kristoforidhit për fëmijë”. Afavitari i Kristoforidhit,i cili përmban copza leximi nga bibla, portrete kafshësh dhe shpendësh, vjershën “Ylli i vogël lart në qiell” dhe përrallën “Dy dhitë “, sigurisht është një nga kontributet më të mëdha të fillimit të letërsisë sonë për fëmijë, me vlerë të pamohueshme, por nëse ndalemi te “Evëtari” i Veqilharxhit dhe vështrojmë me kujdes anën letrare të tij, del se fillimet e letërsisë origjinale shqipe për fëmijë duhet t’i kërkojmë pikërisht atje. Këtë e thekson dhe Prof.Rexhep Qosja, i cili thotë: ” Pas Naum Veqilharxhit, ndër shkrimtarët e romantizmit tonë që do t’i kushtojnë kujdes letërsisë për fëmijë, dallojmë Kostandin Kristoforidhin, i cili në “Alfavitarin shqip” do të botojë disa copa letrare për fëmijë, kurse në dorëshkrim do të lerë dhe vjershën e përshtatur prej letërsisë angleze ”Ylli i vogël lart në qiell” dhe Sami Frashëri, i cili në “Abetaren e gjuhës shqip”, të botuart në vitin 1886, do të sjellë një sërë prozash të shkurtra pëtr fëmijë.”
Ky pohim i Prof. Qoses është i saktë për sa i përket Naum Veqilharxhit, i cili cilësohet prej tij si shkrimtar për fëmijë. Ka disa arsye pse duhet të vlerësojmë Veqilharxhin të tillë:
Së pari, sepse në fletën e parë të abetares së vitit 1844 gjendet strofa e një poezie shqip me titull “Epar e të mësuarit frikë e perëndisë”, ku autori reket të japë një shpjegim të vështirësive që mund t’i dalin kujtdo kur nis një punë, duke pasur parasysh veten dhe ata që do të mësojnë shqip me këtë evëtar, dhe gjithashtu në faqen e dytë të abetares së një viti më pas, ai vendos një tjetër vjershë me katër vargje: “Kurkush në mënt të vet./ Mos mburet se ndiçfet./ Pa dashun i madhi zot./ Fletë pema s’lëshon dot”. Siç e shohim, këto dy strofa të tij nuk janë pa vlera letrare, ato janë brenda stilit të tij të këshillave dhe porosive morale, me ngjyresë fetare, gjë që ai do ta zhvillojë më tej në porositë dhe fjalët e urta që do të botojë në abetaren e dytë. Këto dy strofa origjinale shënojnë, pa dyshim, fillimin e letërsisë shqipe për fëmijë.
Së dyti, ai boton një sërë porosish morale dhe fjalë të urta dhe këto përforcojnë profilin e tij si shkrimtar që inicion letërsisë për fëmijë, sepse dihet se qëllimi kryesor i letërsisë për fëmijë është edukimi, pavarësisht se te këto fjalë të urta spikat dukshëm moralizimi i hapur, gjë që është e kuptueshme për stadin fillestar të zhvillimit të kësaj letërsie. Këto porosi më pas do t’i shohim të shfaqura në një formë apo tjetër dhe te Samiu, Mjeda, Naimi etj. Porositë e tij janë të ngjashme me porositë biblike: ”ndero prindërit, ndero zotin, mos vidh, mos i bëj keq tjetrit, mos u zi, trego fajin mos u mburr” etj. Këtij funksioni i përgjigjen dhe 16 pjesët e shkëputura nga historia e Dhjatës së Vjetër, të cilat ai i quan ”mpsomje”, në të cilat spikat aftësia e tij selektive për të sjellë 16 histori moralizuese dhe filozofike nga Libri i Shenjtë dhe që iu vlejnë fëmijeve.
Së treti, pavarësisht se këto shkrime nuk u takojnë gjineve dhe llojeve letrare, nuk mund të mos vërehet vlera letrare artistike e gjuhës së tyre. Në këto shkrime mund të vërehen vlera estetike, të cilat duken sidomos në naracionin e thjeshtë, të qetë dhe pa teprime, në nelogjizmat që përdor ai, jo vetëm për pastëritnë e gjuhës, por dhe për t’i dhënë frazës ngjyrim emocional. ”Veqilharxhi shkruan me një gjuhë të urtë dhe poetike që është gjuha e shkrimeve profetike
Nga sa theksuam më sipër, nuk ka dyshim se Veqilharxhi me “Evëtarin” e tij shënon fillimin e letërsisë sonë për fëmijë. Shtypi rumun i kohës në një artikull të Raduleskut, na e vërteton këtë kur shkruan: ”Meriton të kihet parasysh dhe të lavdërohet përpjekja për të cilën ky burrë i kulturuar, 20 vjet të jetës së tij iu kushtoi shpikjes së këtyre shkronjave, po përpiqet ky vëllai juaj që t’u japë bazat e një letërsie”.
Më pasdo të ishte Kostandin Kristoforidhi me” Abetar shqip” (1872), (A.Bishqemi argumenton në një shkrim të tij se kjo abetare duhet të mbante si vit botimi 1866, për disa arsye që ai i parashtron aty), që siç u përmend më sipër është vepra e parë origjinale e tij për fëmijë, në të cilin do të përfshiheshin copa me karakter letrar dhe tregime fetare, të cilat janë të ilustruara me skica dhe këshilla për fëmijë. Kristoforidhi shkon një hap më përpara se Veqilharxhi, jo vetëm me pastërtinë e gjuhës, me afrimin që iu bën ai dialekteve, por në këto copëza ai paraqitet dhe një njohës i mirë i botës dhe psikologjisë së fëmijve. Ashtu si Veqilharxhi dhe ai iu referohet së pari teksteve biblike, Dhjatës së Vjetër dhe të Re, të cilën ai e njeh shumë mirë dhe si përkthyes i teksteve biblike.Ai iu referohet këtyre shkrimeve duke selektuar copëza të këndshme leximi me mesazhe të fuqishme edukuese, ashtu siç di të mësojë vetëm “Libri i Librave”. Por Kristoforidhi nuk qëndron vetëm këtu; nga copëzat me karakter fetar ai kalon në artikujt letraro – shkencorë, duke na dhënë një sërë portrete kafshësh dhe shpendësh me një rigorozitet të madh shkencor. Shkurt, qartë dhe në mënyrë që fëmija ta thithë sa më shpejt njohurinë, ai jep cilësitë kryesore të kafshëvë, llojet në të cilat ndahen, si ushqehen, si jetojnë etj, dhe e gjitha kjo në jo më pak se 20 rreshta. Ai mundohet të fusë në këto copëza humorin si dhe shembujt nga jeta, psh tek “Merimanga” ai thotë: ” Çunat e këqinj janë si merimanga që gënjejnë të tjerët, për t’i prishur të tjerët dhe ata që venë prapa tyre janë porsi mizat budallaqe, që shkojnë me këmbët e veta dhe bien në lak”.
Veçanërisht duhet përmendur te abetarja e Kristoforidhit vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” , që mund të cilësohet pa frikë si një nga poezitë më të bukura për fëmijë që dhe sot vazhdon të zërë vend në tekstet shkollore. Kjo vjershë është frymëzuar nga poetet angleze En dhe Xhejn Tejlor, të cilat në vitin 1804 botuan përmbledhjen e tyre poetike për fëmijë, ”Poezi origjinale për mëndje fëminore”, e cila përbën një nga kryeveprat poetike për të vegjlit në shekullin e XIX dhe poezia më e mirë e këtij vëllimi është cilësuar nga kritika “Thë stars at night”. Prof Odise Grillo në veprën e tij “Panoramë letrare”, ka mundur të sjellë versionin original të kësaj poezie, përkthimin e poetit Zyber Elshani dhe vjershën e Kristoforidhit dhe duke i krahasuaar këto tre krijime del se Kristoforidhi ka bërë një krijim original dhe të papërsëritshëm duke marë prej motrave Tejlor vetëm simbolin e yllit dhe të qiellit. Vjersha me të drejtë mund të cilësohet si një perlë e krijimit artistik në vargje për fëmijë. Vlen të përmendim në këtë kuadër dhe përrallën “Dy dhitë”, ku ai shfrytëzon me mjeshtëri një motiv ezopik, për të dhënë më pas një krijim original me vlera artistike dhe morale, ku tregohet se ku e çon njeriun toleranca dhe mungesa e saj.
Fillesat e letërsisë për fëmijë në abetaret e para mbyllen me “Abetare e gjuhës shqip”(1886) e Sami Frashërit, e cila i kalon kufijtë e tekstit shkollor me artikujt tregimet e përrallat që përmban. Samiu në këtë abetare paraqitet jo vetëm si linguist dhe pedagog i shquar, por dhe si shkrimtar për fëmijë, sepse pjesët e abetares së tij janë shembull i gjuhës letrare shqipe dhe janë shkruar në mënyrë të tillë, që së bashku me mësimin e gjuhës shqipe të ngjallin tek të vegjlit ndjenja fisnike dhe t’ju rrënjosin atyre koncepte të drejta morale.
Si shkencëtar,i kombinuar më së miri me pedagogun, ai krijon artikuj letrarë më karakter mësimor si delja, fotografia, anija etj, të cilat kanë karakter diturak dhe japin njohurinë e domosdoshme për mëndjet fëminore. Pra, ndryshe nga Kristoforidhi, ai e shtrin rrezen e vështrimit jo vetem mbi objekte të botës shtazore, por dhe asaj materiale e kozmike.
Atë frymë edukuese dhe moralizuese profetike, që Veqilharxhi dhe Kristoforidhi e përcollën me tregimet biblike, Samiu e përcjell me përallat e tregimet e tij origjinale, të cilat janë vërtet tërheqësë dhe me vlera letrare. Tregimet: “Të vijë keq për gjërat me shpirt”, “Mos e fshih fajin “, “S’ka googol” etj, ai i harton bukur me shëmbuj të gjallë nga jeta e fëmijve, pa nguruar të japë në to mësimin moral.
Ndërsa përrallat janë kryeveprat e tij në prozë, të cilat dhe pse të marra nga subjekte të njohura popullore ose fabulistike, flasin shumë për aftësinë e Samiut si mjeshtër për depërtimin në botën e fëmijve. Katër përrallat më të bukura të abetares janë; ”Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët ha ti, mbill ti të hanë të tjerët”, ”Kush s’punon mbetet i uritur” dhe “Fili”. Ajo që të bie në sy menjëherë, është se tematika kryesore e tyre fokusohet tek puna. Me sa duket, Samiu si pedagog e ka kuptuar se një ndër vlerat kryesore për edukimin e njeriut është puna.Ndërsa tregimi “Soloni dhe Krisua”, nga mesazhi që përcjell dhe vlerat artistike, është më e realizuara në gjithë prozat e tij. Mesazhi filozofik që ai përcjell përfshin gjithë moshat, duke na dhënë mësimin e madh se: ” Të lumturit s’bëhet vetëm me pasje, se shumë të pasur janë aq të mjerë sa u kanë zili të varfërve”. Dhe vjen dita që Krisua kupton drejtësinë e fjalëvë të Solonit dhe gjen në to të vërtetën e përjetshme.
Gjithë sa përmëndëm më sipër padyshim vlejnë të cilësonen jo vetëm si fillesa, por dhe si zhvillimi i letërsisë sonë për fëmijë, e cila gradualisht, nga abetarja në abetare, nga njëri libër shkollor te tjetri, reket ta çajë kornizën e këtij kuadri dhe të dalë si degë e pavarur në trungun e letërsisë së kombit tonë. Këto fillesa të rëndësishme vendosën themelet e shëndosha, mbi të cilat u zhvillua gjithë letërsia jonë për fëmijë, jo vetëm gjatë Rilindjes, por dhe më tej.