Avzi Mustafa/
Nga tribuna shkencore me rastin e lindjes së shkrimtarit Mehmedali Hoxhës.
“Shkrimtari nuk ka një botë tjetër, ai krijon një botë të tijën,
një botë që është formuar nga vetja e tij,
nga ndjenjat, mendimet dhe talenti i tij”
Ibraim Kadriu
Mehmedali Hoxha bën pjesë në grupin e atyre shkrimtarëve që vuajtjet dhe padrejtësitë të çdo lloji i mban të heshtura, por para fëmijëve e hap zemrën që t’u sjellë një botë të lumtur nëpërmjet fjalës së bukur. Dihet se shkrimtarët për fëmijë e dinë fare mirë me sa mund e me sa mjeshtri e me sa përkushtim shkruajnë për botën e tyre. Ato shkrime duhet të jenë në përputhje me aftësitë e moshave që kanë ata për të kuptuar që mund të futen sa më lehtë në botën e librit.
Duke pasur parasysh punën krijuese të Mehmedali Hoxhës, ai pa dyshim mbetet njëri nga kultivuesit me të mëdhenj për nxënësit për dashurinë për gjuhën shqipe, si dhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ai gjithë jetën u këndoi fëmijëve, nxënëseve, bukurive natyrore, prindërve, shkollës, mirësjelljes, por edhe vetë mësuesit. Ai edhe vetë ka qenë mësues. Andaj, nëse nuk do të shkruante një abetare ,sigurisht do të mbetej si ai epitafi i Pestalocit “Gjithçka për të tjerët asgjë për vetveten“. E them këtë sepse hartuesit e abetareve burim kryesor i kanë shkrimtarët e llojit të Mehmedali Hoxhës. Vjershat dhe tregimet që i ka shkruar ky shkrimtar kanë qenë burim kryesor i shumë hartuesve të abetareve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë më gjerë
Mehmedali Hoxha jo vetëm që ishte mjeshtër i shkrimit të vjershave për nxënësit, jo vetëm që e redaktonte revistën për fëmijë “Fatosi”, por edhe përvoja e tij si mësues në disa shkolla, si në Gostivar e Strugë, nuk kishte pse të mos i përgjigjej konkursit për të përgatitur një abetare që do t’u përshtatje arritjeve bashkëkohore. Andaj ai me vetëbesim do t’u përgjigjej të gjitha kërkesave bashkëkohore didaktike që për synim i kishin anët funksionale me teknika që do të përshtateshin me veçoritë e moshave dhe të fuqisë intelektuale te nxënësve.
Prandaj në konkursin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës në vitin 1976 do të paraqitet edhe shkrimtari Mehmedali Hoxha dhe nga dorëshkrimet e shumta do të fitojë vetëm një abetare – Abetarja e Mehmedali Hoxhës e cila do hyj në përdorim në vitin 1977 dhe do përdoret deri në çlirimin e Kosovës.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës vjen për nxënësit shqiptarë të Kosovës si një tekst i ri, i cili synonte t’ua mësojë nxënësve lexim-shkrimin fillestar dhe përmes tij t’i përfshijë dhe t’i formojë si individë me një botëkuptim të ri, me vlera të larta humane për botën.
Të gjitha synimet që i kishte Mehmedali Hoxha në kokë i shtroi në abetare, edhe pse ajo u botua vetëm tre vjet para se Kosova të binte në gjendje të rënd nga okupatori serb, kur filluan të okupohen edhe shkollat shqipe dhe largimi i shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Megjithatë, kjo abetare mbeti arma më e fuqishme për disa gjenerata nxënësish të Kosovës, që u përdor në shtëpitë-shkolla që u bënë vatrat alternative të edukimit në Kosovën e okupuar.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës kishte për qëllim të sjellë risi sidomos me vendosjen e nxënësit në marrëdhënie të reja me librin, gjë që kërkonte veprimtari të larmishme të lexim-shkrimit. Kjo abetare, siç thotë Mehmedali Hoxha në intervistën e parë me rastin e fillimit të vitit shkollor: “Si libër i parë Abetarja, të behet një dëshirë, një nevojë për të zbërthyer bukuritë e gjuhës amtare, që shkronja e mësuar të mos jetë brengë, po sukses, zbulim i një enigme të stolisur e të dëshiruar që më parë në kopshtin e rrethanave e të fantazisë në moshën e tij plot argëtim, për të hyrë në botën e leximit direkt. Në aftësitë e të shkruarit të lehtë, në botën e të shprehurit të drejtë me gojë e me shkrim pa shabllone”.
Duke e analizuar Abetaren në brendi, ajo që bie në sy është pasuria e fjalorit, si dhe të folurit e nxënësit me fjalë dhe shprehje nga fusha të ndryshme. Gjithashtu qartë shihet edhe struktura sintaksore e gjuhës shqipe me normë standarde të saj, e cila nxënësve u mundësonte ta artikulojnë dhe të përdorin gjuhën e tyre amë drejt, por edhe me bukurinë e vet.
Po ashtu tekstet e zgjedhura janë në përputhje me moshën e nxënësve, pa e humbur bukurinë e gjuhës. Kjo do të thotë se Mehmedali Hoxhës me këtë abetare, në plotkuptimin e fjalës, i jepet epiteti autor origjinal sesa hartues abetareje.
Për nga struktura edhe kjo abetare ndjek po të njëjtën strukturë si edhe abetaret paraprake, por gjithsesi risitë janë evidente. Abetarja në strukturën e saj përmbahet nga dy pjesë të quajtura periudha.
Periudha përgatitore janë paraparë ushtrimet që kanë të bëjnë me formimin e nocioneve për fjali, për fjalët në fjali dhe për tingujt në fjali. Të gjitha këto veprime janë të shoqëruara me ilustrime mjaft të qëlluara, ku shumë lehtë mund të vërehen jo vetëm botëkuptimi i subjektit, por edhe veprimi, si p.sh.: përgatitja për në shkollë, mirësjellja në rrugë, njohja me profesionet, me punët e njerëzve dhe të kafshove dhe të shpezëve si p.sh. Zogu cicëron, djali punon, nxënësi lexon, nëna thur fanellën, etj.
Periudha e mësimit të shkrim-leximit fillestar është ajo që autori, Mehmedali Hoxha e ka ndarë në
zhvillimi i shkronjave të mëdha të shtypit,
zhvillimi i shkronjave të mëdha e të vogla të shtypit,
zhvillimi i shkronjave të vogla të dorës,
zhvillimi i shkronjave të mëdha e të vogla të dorës, të shoqëruar në mënyrë paralele me ato të shtypit.
Këtë ndarje nuk e hasim në asnjë abetare që nga abetarja e Naum Veqilharxhit e deri te abetaret e fundit që sot janë përdorim
Edhe kjo abetare si libër bazë të nxënësve mbështetet kryesisht në metodën alfabetike pamore dhe në mënyrë të theksuar në metodën analitike-sintetike, duke u mbështetur në natyrën dhe strukturën e gjuhës shqipe si gjuhë me karakter analetiko-sintetik dhe me një sistem gramatikor shumë fleksibil.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës në çdo faqe e zbulon alfabetin e gjuhës shqipe, duke na e prezantuar parimin pamor dhe atë alfabetik. Në çdo faqe të Abetares gjendet shkronja përkatëse. Në krye të faqes, krahas shkronjës, përballë shfaqet fjala apo togfjalëshi i shkronjës përkatëse për ta prezantuar shkronjën përkatëse në pozicione të ndryshme brenda strukturave të fjalëve. Aty kur fjala nuk është mësuar me shkronjat e mësuara, përdoren piktogramet.
Në mësimin e shkronjave te kjo abetare kemi një risi që nuk haset në abetaret e mëparshme për mësimin e shkrim-leximit fillestar – që nxënësi sa më parë ta përvetësojë këtë shkathtësi pa u lodhur me katër forma të një shkronje. Mjeshtëria e autorit dhe përvoja e tij konsiston në atë se ai abetaren e fillon me shkronjat e lehta, që çdo nxënës të mund t’i përvetësojë lehtë, duke filluar nga “A” -ja, “I”-ja, “ O”, “M”, “U” etj., por në këtë abetare kemi përsëritjen prej një faqeje në tjetrën, që sigurisht jep mundësinë e të përvetësuarit të lexuarit të shpejtë, por edhe përvetësimin e shkronjave të dorës. Ja një shembull. Për shkronjën “F” autori mësimin e kësaj shkronje e fillon me titullin “Fatmiri e Flutura”
“Fluturat shkonin lule më lule.
Fatosi dhe Fatmiri dolën në kopshtin e luleve.
Flutura bëni tufën më të mirë për nënën
Fatmiri për mësuesen
Ishte Tetë Marsi- dita e nënave.
Fatosi beri kurorë me lule për t’i uruar
Tetë Marsin motrës punëtore.
Flutura brohoriti:- S’ka si nëna ime!
Fatmiri ia priti:- S’ka me mësuesen time!
Fatosi bërtiti:-S’ka me motrën time!”
Në faqen e Abetares përball kësaj shkronje qëndron edhe teksti për lexim :
FESTA JONË
“Ne sot festojmë. U hap shkolla e re.
Eni të këndojmë!
Fshati kur feston, flamujt valojnë.
…..”
Po në këtë vjershë një strofë është dhënë me shkronjat e dorës:
“Jehon lahuta ditë pa halle.
Shkollat tona luajnë valle.
Bleroi fusha s’mbetëm vonë.
Kaploi dita vendin tonë”.
Dhe në fund të çdo faqeje autori, Mehmedali Hoxha jep një fjali të shkruar me germa të dorës siç është kjo: “Fshati po feston, eni të këndojmë!
Në këtë abetare risi është se mësimi i shkronjave të dorës si dhe ushtrimet e shkrimit, që janë të drejtuara me lëvizje të lira me një distancë të gjerë, të shkruara vetëm nëpër vija horizontale, gjë që nxënësve u jep mundësinë e përvetësimit të shkathtësisë së të shkruarit të afërt e të lehtë me format e modelet që e rrethojnë, që paraqet një mënyrë e të ushtruarit për përvetësimin e drejtë të elementeve të shkruarit
Përvoja e Mehmedali Hoxhës si mësues i parë në shkollat shqipe, përvoja e tij në planin gjuhësor, ishte e madhe dhe ai e dinte se çka u duhet nxënësve për të lexuar rrjedhshëm dhe në të mësuarit shmang të lexuarit me rrokëzim, andaj kërkon mësim me zbërthime dhe analizime, për të shmangur kështu nga nxënësit të mësuarit përmendësh. Në këtë abetare ai me shumë kujdes zgjedh ose adapton fjalë të qarta, të shkurtra e shumë të bukura, duke kërkuar që mësuesit të nxjerrin nga nxënësit intuitën e tyre.
Tekstet që janë prezantuar vjen pas do shkronje që ka të bëjë me leximit të disa teksteve të zgjedhura plotësuese, për të përvetësuar shkronjat dhe për ta shkruar drejt tekstin e këndimit të parë. Tematika e teksteve është e shumëllojshme, ashtu siç thotë vetë autori “ashtu si është vetë jeta e fëmijëve”. Aty gjinden tekste ku shihet qartë niveli këndshëm i shijes letrare të përcjellë me një humor të lehtë. Vetë autori Mehmedali Hoxha do të shprehet kështu: “Dëshira ime ka qenë që se cila fjalë në fjali të ketë kuptim të qartë, të ketë një fjalor të pasur me elementet e poezisë”.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës, përveç tekstit bazë, ofron edhe tregime, fabula, vjersha, gjëegjëza, fjalëshpejta, fjalëkryqe por ajo dallon edhe për nga struktura e gjuhës përmes zgjedhjes dhe përshtatjes së fjalëve të qarta, të shkurtra e të bukura. Por, ajo çka është me rëndësi dhe që duhet të përmendet është orientimi drejt rrugës së organizimit të teksteve si një tërësi. Brenda tyre është e pranishme hyrja, një zhvillim dhe një mbyllje, ku fare lehtë del një moral, një veçori edukative etj.
Sidoqoftë, nëpërmjet kësaj abetareje autori ka dashur të realizojë krahas shkrim-leximit edhe disa objektiva, siç janë: përdorimi i drejtë të gjuhës standarde shqipe; fitimi e shprehive elementare të lexim-shkrimit, nxënësit të shkruajnë duke e lexuar librin, si dhe nxjerrjen e mendimit të nxënësve, pastaj përsëritjen si një nga metodat e të mësuarit të dukurive gjuhësore, duke e marrë parasysh shkronjën, tingullin, rrokjen, fjalën, fjalinë, shenjat e pikësimit dhe disa elemente bazë gramatikore etj.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës mbetet një pasuri kombëtare ku vargon me të gjitha abetaret e gjuhës shqipe si në ndër abetaret më origjinale në trojet tona shqiptare.