
Arben Iliazi/
Epokat më produktive nga ana intelektuale e kreative kanë qenë epokat e çlirimit të gjithmbarshëm të individëve nga ato fije që i lidhin me vlerat dhe marrëdhëniet tradicionale. Vlerat letrare afirmohen vetëm duke i parë si shkatërruese të disa skemave, në të cilat kalonte (detyrimisht) edhe arti shqiptar i kohës deri para viteve ‘90. Si talent që spikati menjëherë, Ylljet Aliçka e kuptoi qysh në fillimet e para se atij i binte barra të bënte veprën e vet pasqyrë të jetës shoqërore e individuale të bashkëkohësve të tij.
Librat e tij ishin një sfidë e hapur ndaj botimeve molisëse që propogandoheshin me të madhe. Krijimet e tij shkuan te lexuesi si një dëshmi artistike e problemeve të mëdha shoqërore që brenin Shqipërinë në tërësi, ndaj edhe patën një sukses që rrallë ishte parë . Shkrimtari Ylljet Aliçka ka shkruar për kohën të cilën e ka jetuar, duke ndërtuar artistikisht një realitet tjetër, ku ngjyrat janë nuanca të ftohta, kryesisht të gjitha nuancat e grisë, ndonjëherë ngjyrë me pak shpresë.
Është një prozë e zbulimit së brendshmi të realitetit, të shoqërisë, botës, mentalitetit, shpirtit të individit shqiptar.
Proza e tij shënon, në letrat shqipe, një veçanti të padiskutueshme në sendërtimin e një realiteti artistik të përveçëm, me vlera të modernitetit, me rrëfime që i referohen një sistemi unik njësish dhe rregullash.
Në krijimtarinë e tij ka një grishje të përlotur për mirëkuptim universal.
Ylljet Aliçka ka nisur të botojë letërsi në vitin 1996. Libri i tij i parë është një përmbledhje me tregime. Në vitin 2000, ai botoi romanin “Kompromisi”, i cili do ta rendiste ndër autorët interesantë në letrat shqipe pas viteve ’90. Në vitin 2003 botoi përmbledhjen me tregime “Parrullat me gurë”, i cili do të ekranizohej më pas nga regjisori Gjergj Xhuvani. “Parrullat me gurë” është një ligjërim letrar shumëkuptimësh metaforik, që përcjell të gjallë forcën shkatërruese e thërmuese të sistemit totalitar mbi personalitetin njerëzor. Kjo vepër është pasqyrë e një realiteti absurd, ku personazhet ndihen si të mbyllur në çark. Rrëfimi vjen në një ndërthurje organike të natyrshme, i pasur me aluzione e metafora, e herë i përshtatur në tekste, që ngacmojnë emocionalitetin e lexuesit. Situatat absurde krijohen në një realitet absurd.
Aliçka goditi në shënjestrën që të tjerët nuk mund ta arrinin ose, më saktë , nuk e shihnin dot. Në këtë libër shpaloset spektakli masiv i komunizmit, qëllimi i të cilit ishte poshtërimi i personalitetit njerëzor, në një formë të atillë që nuk është parë në historinë e Evropës.
Ngjarjet zhvillohen në një shkollë fshati. Të gjithë ishin të detyruar t’u bindeshin urdhrave që vinin nga lart. Në qendër të tregimit është historia e një mësuesi të ri që përballet me absurditetin e propagandës.
Mësues Andrea ka një lidhje dashurore me mësuese Dianën. Nxënësit dhe mësuesit ishin të detyruar të shkruanin me gurë parulla nëpër kodra, duke i thurur lavde regjimit në fuqi. Andrean, që kundërshton urdhrat, e transferojnë dhe më pas e arrestojnë.
“Tregim ku kupton se ideologjia s’është veçse një guaskë boshe”, shkroi asokohe Pierre Hazan në “Le Temps”.
“Parrullat me gurë” të Aliçkës kanë një frymë oruelliane. Është një kujtesë nga e kaluara dhe një paralajmërim për ato shoqëri ku rritet kontrolli i qeverisë ndaj gjuhës. Mesazhi i Aliçkës na kujton se, nëse do të ngërthehemi nga propaganda, kemi humbur veten tonë.”, shkruante shkrimtarja amerikane Heather Walsh, në “Fringe”.
Në qoftë se despotizmi komunist nuk do të mbështetej në parrulla, që e ndihmuan aq shumë për t’i shtuar forcën tërheqëse, athere ndjesia ndaj tij do të ishte më pak e mprehtë. Nuk është për t’u habitur që spektakli i totalitarizmit, sidomos ai i formës komuniste, ka bërë aq shumë për të mbjellë dyshime në mendjen e njerëzve, ndaj atyre vlerave e simboleve mbi të cilat mbështetej humanizmi liberal perëndimor për një kohë të gjatë . Libri u botua dhe ribotua në shumë vende të botës.
Shkrimtar me një akumulim të gjithanshëm jetësor, ideor e professional, Ylljet Aliçka trajtoi në librat që pasuan më pas, si: “Rrëfenjë me ndërkombë tarë ” (2006), “Koha e puthjeve” (2009), “Valsi i lumturisë ” (2012), “Metamorfoza e një kryqyteti”,(2019) etj. Çdo marrëzi të absurdit shqiptar, çdo dëmtim dhe ves, duke kujtuar që ato që ne kemi para nesh, janë thjesht dështimet, marrëzitë dhe veset tona. Ngjarjet që përshkruhen në këto vepra i ngjajnë imazheve të kaleidoskopit, të cilat duken gjithnjë të ndryshme në çdo rrotullim, megjithëse kemi përpara ngaherë të njëjtën gjë. Rastësitë, peripecitë, fati ose fatkeqësitë, mund të jenë të shumta, megjithatë ndodh si me cipat e sheqerit: duken si një pafundësi figurash të çuditshme, të ngjyrosura ndryshe, por në fakt janë të brujtura të gjitha nga i njëjti brumë.
***
Shkrimtarët, në tërësinë e tyre, ndikojnë shpesh në sjelljen e publikut. Sepse ne jetojmë në epokën e një profanizmi kulturor. Janë po ato rryma ndjenjash dhe mendimesh që kanë përfshirë intelektualët të cilët, në mënyra dhe nivele të ndryshme, kanë përfshirë edhe një numër të madh personash, të cilët nuk pretendojnë të jenë intelektualë por, megjithatë, reagojnë ndaj urgjencave të kohës.
Libri “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, kur u botua në vitin 2006, pati një impakt të fortë në opinionin publik. Autori u përpoq të demitizojë rëndësinë e ndërkombëtarëve ndaj vendit tonë, nënshtrimin dhe që shoqërohej me një lloj kompleksi inferioriteti butaforik.
Autori apelon që ne të kulturohemi dhe të dalim nga bota jonë e vogël, të rigjejmë kulturën tonë. Vepra synon të lidhë sa më shumë shqiptarët me vendin e tyre, në sajë të vjegave të kujtesës afektive. Kredo të tilla nuk janë abstarksione luksoze.
Aliçka e ka vënë gjithë talentin e tij në shërbim të frymës morale të shoqërisë shqiptare, duke nxitur kombin të përqafojë e të dhurojë vetveten dhe për t’iu kundërvënë të tjerëve me gjuhën, artin, me filozofinë dhe kulturën e tij.
Në kaosin e lirisë, nga krenia fatale rrjedh pashmangshëm shpërbërja e tërësisë shoqërore. Shkrimtari Aliçka u kujtoi solemnisht shqiptarëve vlerat universale, duke luajtur një rol me peshë në historinë tonë shpirtërore. Duke e lidhur progresin moral të shqiptarëve me progresin e tij intelektual e krijues, duke u vendosur në truallin e mbrojtjes së lirive dhe në atë kulturor të formimit të individëve. Është tundimi për të vendosur shqiptarët në një shkallë vlerash, ku të mos e ndiejnë veten inferiorë përballë perëndimit.
“Metamorfoza e një kryeqyteti” ka për objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet 70 deri më sot. Mbrapa personazheve janë njerëz realë, të cilët për imagjinatën e lexuesve që kanë jetuar vitet e diktaturës janë gati-gati të prekshëm si njerëz realë, i urrejnë, i përçmojnë apo i duan ata, varësisht nga eksperiencat jetësore personale.
“Valsi i lumturisë” është një roman fiksion për bazuar mbi historinë e famshme të familjes Popa (Tota), që u “ngujua” në bodrumet e Ambasadës Italiane, para rënies së sistemit diktatorial.
***
Në masën e stërmadhe të produkteve letrare që ka përfituar shoqëria jonë, vetëm disa prej tyre janë përcaktuar të admirohen nga të gjithë dhe të arrijnë statusin e mbijetesës.
Shoqëria shqiptare ka mësuar nga Aliçka disa gjëra, të cilat nuk do t’i harrojë:
-Gjithmonë fantazia e shkrimtarit ushqehet nga një pjesëmarrje e shumëllojshme shoqërore e kulturore, në rrethanat e komunikimit dhe të asocacionit.
-Epokat më të mëdha të arritjeve intelektuale dhe krijuese janë gjithmonë epoka trazirash, sepse shpërbërja e kohezionit shoqëror e moral nuk është tjetër veçse ana e çlirimit të individit krijues.
-Në veprat e shkrimtarit Ylljet Aliçka ndeshim pikëpamjen racionaliste për problemin e lirisë, ashtu siç shfaqet ai në arritjet kulturore. Thelbësore në krijimtarinë e tij është vizioni i një shoqërie që zien nga ana intelektuale, që bën me këmbëngulje një vetëanalizë kritike e që ka një shpërthim të pandërprerë të shprehjes individuale, duke shpëtuar nga grushti i hekurt i traditës, anëtarësisë dhe tribalizmit.
-Heronjtë protagonistë në veprat e tij arrijnë pikën e vet më kulturore, athere kur shpallin armiqësinë e tyre të patundur kundrejt të gjitha formave të ndërvarësisë shoqërore e morale.
-Aliçkaj e merr të mirëqënë pikëpamjen se liria e individëve është vendimtare në çdo periudhë përparimi intelektual.
-Veprat e mëdha të artit dhe të letërsisë nuk krijohen nga organizmat anonime. Ato janë rezultate konkrete të punës së individëve.
Ne mund të pranojmë se në arritjen e një vepre të madhe letrare ka një shkallë relativisht të lartë të veçimit e mbylljes në mendjen e shkrimtarit.
Ka një ndërvarësi shumë të rëndësishme midis artistit dhe qytetit të tij, krahinës, fesë, ndikimeve të tjera të larmishme të mjedisit ku jeton, e që i japin veprës së tij frymëzim e kahje.
-Ylljet Aliçka, në mënyrë të padiskutueshme, krijoi në një periudhë individualizmi shoqëror e moral, e parë në pikëpamje të çlirimit nga kufizimet dhe simbolika e së kaluarës. Ajo u bë përherë e më tepër një epokë e sterilitetit kulturor, e “dobësimit të nervave’, e lëngimit filozofik.
-Është gjithashtu me vend të vërejmë se
as liria e individit, as arritjet individiuale nuk mund të shihen të shkëputura nga rrethanat e bashkësisë. Këto nuk janë rrethana të kufizimit mekanik, por të atyre stimujve dhe vlerave që njerëzit duan t’i shprehin kur mundohen për veprat e tyre e kur duan të mbrohen kundër agresionit pa fre nga jashtë. Kjo nuk do të thotë se mohojmë rolin e individit, as realitetin e dallimeve midis individëve. Vetëkuptohet, kjo do të thotë se nuk pranojmë argumentin e trashë të determinizmit shoqëror, sipas të cilit veprat krijuese të individëve nuk janë tjetër veçse pasqyrim i intresave të grupit dhe kërkesave të grupit.
-Perspektivat dhe motivet nxitëse të mendjes krijuese të lirë, dalin nga bashkësi qëllimesh. Artisti mund t’i ndryshojë ato, t’u japë trajtë tjetër. T’u japë atë intensitet e pamje që nuk e ka dhënë kush tjetër më parë , dhe që nuk do ta japë as në të ardhmen, por gjithsesi ai nuk është i shkë putur nga burimi i frymëzimit të tij.
Secili nga ne, edhe më i shtanguri e i pa gojë, edhe më i druajturi, në qendër të një bote imazhesh…sado intensive e të sublimuara, dallon se mënyrat e shfaqjes së dhuntisë krijuese janë mënyra universale të asaj që rrjedh vetë, e megjithatë diktohet me vetëdije, e që ne e njohim (ose kujtojmë se e njohim) si jetë .
***
Ylljet Aliçka, është një nga shkrimtarët më të përkthyer në 14 gjuhë të ndryshme të botës.
Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, polonisht, anglisht, italisht, e etj, e së fundi në gjuhën esperanto. Ai është autor i disa skenarëve me të cilët është vlerësuar dhe me çmime.
Ka botuar në gjuhë të huaj: “Les slogans de pierre”, përmbledhje me tregime, Francë. “Kompromisi”- Poloni, “I slogani di pietra”- Itali, “Balkan blood, Balkan beauty”, SHBA. Në fushën kinematografike është mjaft i njohur me skenarët e filmave: “Parullat”, bashkëprodhim franko-shqiptar, Kronikë provinciale, bashkëprodhim franko-italo-shqiptar; Ndodhi shqiptare. Është vlerësuar me mjaft çmime letrare e kinematografike, si: çmimi “Teramo”, Itali; çmimi i dytë, “Arts et Lettres de France”, Francë; medalje bronzi nga “Academie Internationale de Lutece”, Francë, ; “Penda e Argjendtë”, në prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, ; çmimi i parë, si skenari më i mirë, “Festivali i filmit shqiptar”, etj.