-Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare në Kosovë, edhe me grevë urie në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe/
-Demaçi në festimin e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës: Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare/
-Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin e shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/
-Me rastin e ndarjes së Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991, Adem Demaçi tha: Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI- PRISHTINË, 27 Korrik 2018/ Në Kosovë para çerek shekulli, nga 24 maji deri në 3 qershor të vitit 1993, u zhvillua një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, e nisur nga simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçi, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.
Trokëllima e telexit të raportimeve që bëja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, duke nisur nga 24 maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe. Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar: “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”
Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar nga Prishtina në Tiranë në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”
KSBE ishte mision evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).
Në atë mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po vijonte të bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi…
Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla, Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.
“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.
Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe të shtypit të lirë…”, thekson ai.
Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…
“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”.
Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.
Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:
“SHIKIMI NGA DRITARJA
Nëse shkojmë mos na vajtoni
Vetëm na këndoni
Se lirinë e përjtuam nga brenda”.
Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për ATSH, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”
Në dokumentar shihet: data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…
E rezistenca, greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja…
Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim…
Para 16 viteve, në 12 shkurt 2002, Adem Demaçi merrte pjesë në festën e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në atë kohë dhe i kisha bërë ftesë të veçantë.
“Festimi i 57-vjetorit të ‘Rilindjes’” ishte mbititulli e “Gazetë që mbajti gjallë fryemën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës” ishte kryetitulli në ballinë, i nxjerrë nga fjala përshendetëse e Adem Demaçit dhe e pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë diplomatët e përfaqësive në Prishtinë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Shqipërisë. Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin me titull “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, të shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.
Adem Demaçi në manifestimin e gazetës Rilindja, mes tjarash, tha:
“Kam nderin dhe fatin që të marrë pjesë në festimin e 57-vjetorit. E di se si ka filluar nxjerrja e gazetës, ka filluar duke sjellë rrotën me dorë. Mustafa Hoxha, Haki Hoxha, Esad Mekuli kanë radhitur me dorë, i kanë nxjerrë gazetat…Falë atyre burrave që punuan në kushte të vështira, Rilindja u shndërrua në tribunë. Përveç materialeve partiake botonte edhe materiale tjera që na shtonin shpresën se një ditë do ta ndjekim sunduesin serb…Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare me kuadrot qe arritën nga Normalja e Elbasanit dhe nga shtetet fqinje, Italia e Austria”.
Në monografi kam shkruar, se para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë. Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
Adem Demaçi, shkrimtar shqiptar nga Kosova, ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian për mendimin e lirë – Çmimin Sakharov. Në atë kohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Me atë rast të dorëzimit të Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991, Adem Demaçi, mes tjerash, tha:
“Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.
Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara…”.