• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ide të thella nxisin punë të mëdha

July 24, 2021 by s p

(Rreth librit të Bacës Adem Demaçi “Burgjet e mia- fati im i madh”)

Nga: Bardhyl Adem Selimi

Unë jam nga fatlumët që e kam njohur nga afër, për gati 20 vjet, Bacën Adem Demaçi. Para viteve 90 vetëm mjegulltazi, aq sa lejonte shtypi enverist në Shqipëri, ndërsa pas 90 përmes kushëririt tim në Gllavicë të Lipjanit, profesorit Shemsi Reçica, ish i përndjekur politik, gjithashtu. Ai më tregonte që Baca Adem ka folur në takime ndërkombëtare me shumë mirënjohje dhe adhurim për nënën time Vezire, ish mësuesen e tij në fillore në Prishtinë në vitet 1942-1944. Por në vitin 1991, unë e takova vetë Bacën në shtëpinë e nënës sime, ku ai nisi të vinte rregullisht dhe te unë vetë, në Tiranë, po ashtu në Kosovë sa herë unë udhëtoja atje. Madje, ai ka marrë pjesë edhe në veprimtari të ndryshme në Kosovë kushtuar tim eti, Adem Gllavicës dhe nënës time Vezire, në promovim librash dhe në solemnitete të ngjashme. Baca Adem më dërgonte vazhdimisht artikujt dhe intervistat e tij dhënë shtypit dhe radiotelevizionit shqiptar në Kosovë, sikurse edhe tekstet e veprave të tij letrare. Fragmente të këtyre opinioneve dhe qëndrimeve politike të Bacës Adem unë i hodha në një libër që e titullova “Kosova në udhëkryq” botuar në Tiranë më 2004 dhe promovuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve aty. Dy romane të tij, ‘Gjarpijt e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat” i përktheva në esperantisht. Romani i parë u botua në Britani në vitin 2019 dhe tjetri pritet të botohet, së shpejti, në Belgjikë.

E përmenda gjuhën Esperanto, pasi Baca Adem, si vizionar i madh, e ka vlerësuar atë shumë. Gjatë një promovimi të librit të shkrimtarit Eqrem Basha, “Bota është një pejsazh me ngjyra të ndritshme” (në esperantisht) në bibliotekën kombëtare të Prishtinës, në prani të një grupi esperantistësh polakë, ndër ta edhe përkthyesit Tomas Chmielik, Baca Adem u mrekullua nga leksiku dhe tingëllimi i kësaj gjuhe asnjanëse, që mëton t’i ndihmojë kombësit e ndryshëm të mirren vesh ndër vedi pa vështirësi dhe pa paragjykime.

Disa muaj më parë, falë zotit Shqiptar Demaçi, edhe unë u njoha me sprovën “Burgjet e mia-fati im i madh”. Ajo më la, sikurse shumëkujt, mbresa të fuqishme, pasi përcillte një ndjenjë e kumt madhështor: lufta për lirinë kombëtare është e shenjtë, për të ia vlen të flijosh, sepse shumë shpejt kësaj lufte i bashkohen qindra e mijëra atdhedashës, të frymëzuar nga rilindasit  dhe njerëzit e mëdhënj të shqiptarisë. 

Natyrisht, menjëherë më lindi dëshira që këtë sprovë tua bëja të njohur edhe të huajve, fillimisht përmes internetit, buletinit dymujor të Shoqatës Esperantiste Shqiptare e mandej, pse jo, përmes një libri shumëgjuhësh. U këshillova me zotin Selatin Novosella, ish bashkëvuejtës me Bacen dhe, prej vitesh, një mbledhës dhe përhapës i veprës së Adem Demaçit. Ai mori menjëherë pëlqimin e Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë dhe kështu nisëm punën për të siguruar përkthimet në gjuhët më të përhapura të botës. Sërish na ndihmoi esperantoja, rrjeti i miqve të mij esperantistë nëpër botë. Një pjesë të tyre e kisha njohur dhe takuar vetë në Shqipëri dhe jashtë saj, një pjesë përmes internetit. 

U bashkuan edhe të njohur tanë bashkëatdhëtarë, që jetojnë në Mërgatë ose në trojet shqiptare. Me këtë rast ndesha në një dukuri të tillë: shumë bashkatdhetarë, ndonëse kanë jetuar në Mërgatë prej shumë vitesh, nuk e zotërojnë gjuhën vendase, ose nuk guxojnë të shkruajnë në gjuhën vendase. Kështu ata nuk mund të ndihmojnë, sa duhet, në njohjen e atdheut tonë në botën e jashtme. Megjithatë kishte syresh që na dhanë përkthime të mira, si zoti Kopi Kycyku (rumanisht), Nufri Lekaj (norvegjisht), Ibrahim Xhemajli (danisht), Erjon Grori (bashkëpërkthyes i arabishtes nga Kuvajti), Poet Qeriqi (finlandisht). 

Disa të huaj nuk ishin gati të ndihmonin pasi Kosova dhe çështja shqiptare u dukej tepër e largët. Më bëri përshtypje qendrimi i esperantistëve kinezë. Kur i kërkova Shoqatës së tyre qendrorë (që financohet padyshim nga qeveria) më thanë se “jemi shumë të zënë me përgatitjet e festimeve të 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze”! Atëhere iu drejtova esperantistëve të Taivanit që, menjëherë, më sollën përkthimin në tre dialekte të kinezishtes. Paskëtaj, disa esperantistë pensionisë nga Pekini më sollën edhe ata përkthimin në kinezishten zyrtare të Kinës Popullore.  Ҫuditërisht, përkthimet në serbisht, rusisht, hebraisht, flandrisht etj erdhën shumë shpejt, për të cilën miqve përkatës u jam mirënjohës. Tani libri ka dalë në 34 gjuhë (në 37 po të fusim edhe tri dialektet e kinezishtes të Taivanit, Hong-kongut dhe Mërgatës kineze), përfshi anglishten, frëngjishten, gjermanishten, arabishten, bengalishten, spanjishten, portugalishten, turqishten, që mbulojnë të gjitha kontinentet. Fatmirësisht kemi përkthimet edhe në gjuhët e popujve të vjetër por të vegjel si në greqisht, hungarisht, lituanisht, danisht, suedisht, norvegjisht, finlandisht.

Mendoj se dalja e këtij libri është një përvojë e re në llojin e vet dhe do ndihmojë gjithësesi në popullarizimin e Kosovës nëpër botë. Falënderoj Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë të Kosovës dhe redaksinë e kryesuar nga z. Selatin Novosella. 

Lavdi veprës së Bacës Adem Demaçi. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Adem Demaci, Bardhyl Selimi

Adem Demaçi përjetëson amanetin e tij në VATËR

April 2, 2021 by dgreca

-Kolana e veprave të zgjedhura të Adem Demacit, lënë amanet nga vetë ai përmes të birit Shqiptar Demaci, u përcoll sot në Vatër nga Dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens, NY.

Adem Demaçi përjetëson amanetin e tij në VATËR. Pak para se të mbyllte sytë z.Demaçi la një amanet që e tërë krijimtaria e tij letrare, politike dhe filozofike të prehet në VATRËN shqiptare të Amerikës. Shqiptar Demaçi i biri Adem Demaçit i dorëzoi përmes mikut të tij, Doktor Skënder Myrtezanit tërë krijimtarinë e tij të çmuar. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në USA e cila do jetë e aksesueshme edhe për studjues, historianë e albanologë e kërkues shkencorë nga Universitetet perëndimore dhe e gjithë hapsira shqipfolëse. Kjo pasuri kulturore e letrare e bën të pavdekshëm kujtimin e veprës dhe idealeve të Adem Demaçit.

 Ja lista e librave që këtu e tutje do të jenë në dispozicion jo vetëm të vatranëve:

  1. FERKIME
  2. Gjarpërinjtë e Gjakut
  3. Libër për Vet Mohimin
  4. Heli e Mimoza
  5. Nëna Shegë e pesë gocat.
  6. Shkrumbnajë e Dashuri
  7. Dashuri Kuantike e Filanit
  8. Alb Prometeu
  9. Politika dhe Pushka
  10. Tung vargu im

Filed Under: Opinion Tagged With: Adem Demaci, Dr. Skender Murtezani, vepra ne Vater

ADEM DEMAÇI NË KËRKIM TË LIRISË

July 27, 2018 by dgreca

 

-Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare në Kosovë,  edhe me grevë urie në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe/

1 Adem Greca '931 Ali Pdrimja6 Greva1 Rilindja Greva.JPG2 Grand Prishtine 20025 Demaci saharov1 Perf greva 93

-Demaçi në festimin e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës: Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare/

-Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin e shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/

-Me rastin e ndarjes së Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991,  Adem Demaçi tha: Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI- PRISHTINË, 27 Korrik 2018/ Në Kosovë para  çerek shekulli, nga 24 maji deri në  3 qershor të vitit 1993,  u zhvillua një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, e nisur nga simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçi, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

Trokëllima e telexit të raportimeve që bëja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, duke nisur nga 24 maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe. Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar nga Prishtina në Tiranë në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po vijonte të bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi…

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’  të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

 

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për ATSH, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në dokumentar shihet: data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja…

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim…

 

Para  16 viteve, në 12 shkurt 2002,  Adem Demaçi merrte pjesë në festën e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në atë kohë dhe i kisha bërë ftesë të veçantë.

“Festimi i 57-vjetorit të ‘Rilindjes’” ishte mbititulli e “Gazetë që mbajti gjallë fryemën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës” ishte kryetitulli në ballinë, i nxjerrë nga fjala përshendetëse e Adem Demaçit dhe e pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë diplomatët e përfaqësive në Prishtinë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Shqipërisë.  Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin me titull “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, të shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

Adem Demaçi në manifestimin e gazetës Rilindja, mes tjarash, tha:

“Kam nderin dhe fatin që të marrë pjesë në festimin e 57-vjetorit. E di se si ka filluar nxjerrja e gazetës, ka filluar duke sjellë rrotën me dorë. Mustafa Hoxha, Haki Hoxha, Esad Mekuli kanë radhitur me dorë, i kanë nxjerrë gazetat…Falë atyre burrave që punuan në kushte të vështira, Rilindja u shndërrua në tribunë. Përveç materialeve partiake botonte edhe materiale tjera që na shtonin shpresën se një ditë do ta ndjekim sunduesin serb…Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare me kuadrot qe arritën nga Normalja e Elbasanit dhe nga shtetet fqinje, Italia e Austria”.

Në monografi kam shkruar, se para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë. Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Adem Demaçi,  shkrimtar shqiptar nga Kosova,  ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian për mendimin e lirë – Çmimin Sakharov. Në atë kohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Me atë rast të dorëzimit të Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991,  Adem Demaçi, mes tjerash, tha:

“Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.

Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara…”.

LIDHJA PËR DOKUMENTARIN E GREVËS SË URISË SË ADEM DEMAÇIT…:

 https://www.youtube.com/watch?v=Qn0U61s8GQo

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, ne Kerkim te Lirise

ADEM DEMAÇI – FRYMËZUESI I LIRISË SONË

July 27, 2018 by dgreca

1 bytyqi-1

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

Dje shkoi nga bota shqiptare për në amshim Adem Demaçi, ky personalitet unikat, jo vetëm në tërë Lëvizjen tonë kombëtare, por edhe në përmasa ndërkombëtare. Adem Demaçi, ishte shkrimtar e publicist, humanist, simbol i dinjitetit, rezistencës sonë kombëtare për liri, sovranitet dhe bashkim kombëtar. Ai, përherë ishte në shërbim të interesave kombëtare, i gatshëm edhe për tu sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Adem Demaçi, padyshim mbetet personaliteti i veçantë, më i guximshëm dhe më i pathyeshëm i popullit shqiptar në historinë tonë më të re.  Demaçi ishte frymëzues edhe i gazetarëve, të cilët në rrethana okupimi rrezikuan shumëçka për informim  objektiv, fjalën e lirë dhe mobilizimin e popullit në rrugëtimin e tij të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Si gazetar, kam pasur rastin dhe nderin që të takohem, ta intervistoj disa herë Bacën Adem. Ai përherë ishte në shërbim të mendimit të lirë, domethënës, me mesazh shumë të qartë për popullin. E thoshte përherë të vërtetën, ndonëse ajo shpeshherë ishte e hidhur. Mirëpo, ai gjithherë kishte të drejtë, sepse ishte real, largpamës dhe vizionar i madh.

Kur u pa përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë të armatosur nga Serbia, që në krijim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi mu në mes të Prishtinës do të hapë zyren e tij dhe do të veprojë Përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj ushtrie. Kështu, ai do të luftojë me argumente të fuqishme përpjekjet e Serbisë dhe të aleatëve të saj në krye me Rusinë për ta radhitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në mesin e organizatavë terroriste dhe do ti hapë rrugën e legjitimimit në arenën ndërkombëtare si forcë çlirimtare.

Pas luftës, me Bacën Adem kam pasur rastin që të bashkëpunoj, sidomos kur ishte kryetar i Bordit të drejtorëve të Radiotelevizionit public të Kosovës.  Ai angazhohej për informim të lirë dhe që RTK të jetë transmetues i fuqishëm publik vetëm në shërbim të publikut e jo të politikës. Gjatë mandatit të tij ai ka arritur që ta realizojë me sukses misionin e tij.

Si skenarist dhe autor i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, së bashku me regjisorin Ilir Kabashin, autorët e muzikës Ilir e Korab Shaqiri, me montazheren Mellani Devexhiu, si dhe me  mbështetjen e shumë kolegëve të tjerë dhe të menaxhmentit të RTK-së, si dhe me mbështetjen e familjes Demaçi, veçmas të djalit të tij Shqiptarit, bashkëshortes Xhemajlijes, të shokëve të burgut, të veprimtarëve të Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, jemi përpjekur që me materialet e ndryshme arkivore, ku flet vetëm Heroi i Kosovës dhe  Nderi i Kombit, Adem Demaçi, të paraqesim në vija të shkurtëra figurën e njeriut tonë të madh, që tërë jetën e tij  në vazhdimësi ia ka kushtuar popullit tonë të vuajtur. Premiera e filmit dokumentar “Simboli i lirisë”, kushtuar Adem Demaçit, u shfaq në Kino ABC më 17.10.2015 dhe u transmetua drejtpërdrejtë në RTK. Me këtë rast, Demaçit iu dorëzua edhe Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e tij në afirmimin e fjalës së lirë dhe fuqizimin e trasmetuesit publik. Kjo ishte mirënjohje e merituar që iu dha njeriut që përherë luftoi për mendim të lirë dhe informim objektiv sipas standardeve profesionale evropiane.

Me këtë rast do të përkujtoj vetëm dy momente që lidhen drejtpërdrejtë më protagonistin e këtij filmi, me Bacën Adem tonë të madh, i cili mua si gazetar më frymëzoi që ta kryej me sukses misionin tim në rrethana të vështira.

1.Momenti i parë ndërlidhet me një periudhë të rëndësishme historike: përgaritjet për organizimin e Demonstartave studentore të 1 tetorit 1997.

Me rastin e përgatitjes së një emisioni për Televizionin Shqiptar realizuar me qëllim të sensibilizimit të opinionit në prag të Demonstratave studentore të 1 tetorit të vitit 1997, kontaktova me Bacën Adem dhe e kërkova mendimin e tij lidhur me këto demonstrata. Ai pa asnjë hezitim shprehu gatishmërinë që të japë një deklaratë në mbështetje të pa rezervë të Lëvizjes studentore dhe premtoi se do të marrë pjesë në demonstratë, për dallim nga shumë politikanë dhe udhëheqës te asaj kohe që nuk kishin guximin dhe vullnetin të mbështesnin këtë Lëvizje historike që po ndodhte dhe që po i hapte rrugë luftës clirimtare të UÇK-së.

  1. Momenti i dytë, është pikërisht periudha e luftës çlirimtare.

Baca Adem asokohe ishte Përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së. E thirra në telefon dhe kërkova që të takohemi dhe të këmbejmë disa opinione lidhur me zhvillimet e atëhershme dramatike në Kosovë dhe në vecanti për sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën e drejtë të UÇK-së përmes realizimit të emisioneve televizive për Televizionin Shqiptar dhe po ashtu përmes shpërndarjes së të vërtetës për UÇK-në përmes qendrave televizive botërore.

Baca Adem më sugjeroi të takohemi në parkun e Taukbashqes në Prishtinë dhe të bisedojmë më lirshëm ngase mund të na përgjojë sigurimi sekret serb.
Baca Adem i paraqiti në mënyrë të argumentuar disa mendime shumë largpamëse lidhur me zhvillimet ushtarake dhe politike në Kosovë dhe mu lut që tu përcjellë këto mesazhe posacërisht disa eprorëve të lartë të shkolluar që tashmë ishin angazhuar në SHP të UÇK-së se si të koordinojnë veprimet luftarake dhe ato poltitike e të mos jepnin deklarata politike kontraverze që po krijonin huti në popull. Ai si gjithmonë ishte optimist për përfundimin e suksesshëm të luftës sonë. Mirëpo, insistonte që fati i Kosovës të zgjidhet njeherë e përgjithmonë, pa bërë asnjë kompromis në dëm të popullit shqiptar. Mu për këtë nuk u pajtua që të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës dhe dha dorëheqje nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së. Ai kishte argumentet e tij për rezervat në Marrëveshjen e ofruar.

Më 17.02.2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, Demaçi mori pjesë si mysafir nderi në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës dhe ishte i bindur se kështu u realizua vetëm një pjesë e synimit të tij dhe të popullit tonë. Ndërsa, bashkimi kombëtar  mbetet obligim i këtij brezi dhe i brezave të ardhshëm.

Shkurja në amshim e Adem Demaçit, është humbje e pakompenzueshme për popullin tonë. Mirëpo, ai në kujtesën tonë do të mbetet njeri i guximshëm, i pathyeshëm, vizionar i madh dhe mobilizues për të ardhmen e popullit tonë.  Vepra e tij, do të jetojë gjithmonë dhe do të përkujtohet nga ne dhe brezat e ardhshëm si  shembull konkret se si duhet punuar dhe sakrifikuar për interesa madhore.

4 Bytyqi

Nga promovimi i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, Prishtinë, 17.10.2015

2 Mirnjohje

Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e Adem Demaçit në afirmimin e fjalës së lirë dhe zhvillimin e transmetuesit public të Kosovës – RTK-së

3 RTK

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Adem Demaci, Frymezuesi i Lirise, Nuhi Bytyçi

Shuhet simbol i rezistencës, Adem Demaçi-3 tri ditë zie

July 26, 2018 by dgreca

  • Presidenti Thaci: Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës !
  • Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

-Kryeministri Haradinaj-Familjes Demaçi: Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja/

1 Adem Demaci

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Adem Demaçi, veprimtar e simbol i rezistencës shqiptare në  Kosovës ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.Lajmi u bë i ditur sot, pak më parë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pasi u mbajt një minutë heshtje.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e kujtohet për sa të ketë jetë”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që po kryesonte seancën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd.

Lidhja Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.

LDK thekson se, Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb.

Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

***

Kryeparlamentari Veseli: Adem Demaçi, frymëzimi dhe krenaria jonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizitë të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha.

Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë.

Ngushëllime, Kosovë.

***

Haradinaj ngushëllon Familjen Demaçi

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar Familjen Demaçi pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi:”Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të pathyeshëm të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës intelektuale, Adem Demaçi.

Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet dhe punohet për vendin, andaj lavdi e përjetshme punës dhe veprimtarisë suaj.Në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta, familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në kohërat më të vështira për Kosovën ishin frymëzim dhe guxim për arritjen e synimeve të qytetarëve për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”.

Ramush Haradinaj,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

***

Presidenti Meta ngushëlloi presidentin Thaçi për vdekjen e Adem Demaçit

  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike ka pranuar ngushëllimet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për vdekjen e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.Duke vlerësuar lart figurën e Adem Demaçit, në emër të qytetarëve të Shqipërisë, presidenti Meta e ka ngushëlluar edhe tërë popullin e Kosovës.Presidenti Thaçi e ka falënderuar homologun e tij shqiptar për ngushëllimet dhe ka theksuar se Adem Demaçi ishte frymëzim i rezistencës jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u shndërruar në ndërgjegje kombëtare.

***

PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë

Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave.Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë.Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë.

I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin.

***

KOSOVA, TRE DITË ZIE PËR VDEKJEN E VEPRIMTARIT ADEM DEMAÇI

-Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës.Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

***

KUVENDI MBLIDHET NESËR NË SEANCË KOMEMORATIVE, NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT

 Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, sonte në orët e vona ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në nderim të tij, Kryesia mbajti një minutë heshtje.Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u shprehu ngushëllime familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për humbjen e, siç e cilësoi Veseli, heroit të kombit, Adem Demaçi.Kryesia njëzëri vendosi që nesër në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Po ashtu, u vendos që seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë sot, të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.

***

Lëvizja VETËVENDOSJE: Adem Demaçi, vigan në panteonin e kombit

Lëvizja VETËVENDOSJE shprehet: Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.

Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.

Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!

***

SHENIM: Federata Pan-Shqiptare e Amerieks VATRA i shpreh ngushellimet me te thella Familjes Demaci per humbjen e njeriut te tyre te dashur, luftetarit dhe simbolit te rezistences ne Kosoven e okupuar, luftetarit te paepur  per Liri. Pushofte ne paqe shpirti i Mandeles se Kosoves!

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, Shuhet simbol i rezistencës

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITOI FEDERATËN VATRA
  • Skulptori Gëzim Muriqi vjen me “ringjalljen” e Skënderbeut
  • Mistika dhe Fizika
  • “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – monografi për heroin e kombit Xhavit Hazirin!
  • THE UNITED STATES DAILY (1928) / AHMET ZOGU FALENDERON PRESIDENTIN AMERIKAN CALVIN COOLIDGE PËR NJOHJEN DHE URIMET E TIJ ME RASTIN E NGJITJES NË FRONIN E SHQIPËRISË (TELEGRAMI)
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Kongresistin Torres
  • Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet
  • Shoqata studentore shqiptare në Columbia “Columbia University Albanian Society,” organizon: Bashkëbisedim mbi Eposin e Kreshnikëve
  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT