Dr. Naim Musliu
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, që përfshiu gjitha tokat shqiptare dhe copëtimi i tyre, më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke ju dhënë territore shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, lëvizjes kombëtare jashtë Shqipërisë së cunguar iu dha detyrë që edhe më tutje të vazhdoj luftën kundër pushtuesve.
Pas vitit 1912, Kosova dhe viset tjera shqiptare kaluan në duart e shumë pushtuesve. Kështu, nga vitit 1912 deri më 1914, Kosova ishte nën Mbretërinë e Serbisë, kurse në Luftën e Parë Botërore, u pushtua nga austro-hungarezët e bullgarët, ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët dhe u sundua nga Mbretëria Serbe Kroate e Sllovene që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë dhe pushtimi zgjati deri më 1941. Nga viti 1941 deri më 1944, respektivisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi, si atë italian, gjerman dhe bullgar. Më 8 shkurt 1945, Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat komuniste jugosllave, respektivisht serbe, dhe e sunduan Kosovën deri në vitin 1999.
Në anën tjetër shqiptarët nuk u pajtuan në asnjë periudhë me pushtuesit e huaj. Gjatë viteve 1912 – 1913 në krye të Lëvizjes për mbrojtjen e tokave shqiptare ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Elez Isufi e shumë atdhetarë tjerë. Kurse, gjatë Luftës Parë Botërore, çetat kryengritëse i udhëhoqi Azem Bejta, Idriz Seferi, Mehmet Konjuhi etj.
Për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesi serbo-jugosllav dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, në vitin 1918 u themelua edhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që e udhëhoqën Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina etj. Po ashtu, u formuan edhe formacione ushtarake për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesit të udhëhequra nga Azem Bejta e Sadik Rama e Kalosh Dani Zajazi etj.
Gjatë viteve ’30 të shekullit XX, qeveria jugosllave në marrëveshje me Turqinë bëri shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, ku këtë proces e ndaloi fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
Nga viti 1941 deri në vitin 1944, në përjashtim të zonës bullgare që u keqtrajtua populli shqiptar dhe që në mbrojte të saj ishte Hasan Alia me shokë, pjesa tjetër e Kosovës edhe pse nën pushtimin italian dhe gjerman pati një zhvillimit të dukshëm si në drejtat kombëtare edhe ato arsimore. Në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushtuesi komunist jugosllav. Megjithatë, në vitet e para të ripushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte ripushtimin komunist jugosllavo-serb. Në këtë periudhë veprimtari të dendur bëri Adem Gllavica, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Halim Spahiu, Halim Orana, Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha, Shaban Polluzha dhe shumë atdhetarë tjerë.
Nga vitet e 60 deri në vitet e 90 të shekullit XX, shpërthyen demonstrata të shumëta. Ndër më të njohurati isthe ajo e vitit 1968 dhe 1981, ku shpërthyen demonstratat e rinisë studentore në Kosovë për të kërkuar drejtat e tyre, ku në mesin e shumë parullave ishte edhe parulla Kosova Republikë. Ndër ta ishin Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe shumë të tjerë. Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Më 28 mars të vitit 1989, Kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës nën masa të dhunshme të policisë jugosllave-serbe shpalli Deklaratën Kushtetuese, kurse tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pushtuesi jugosllavo-serb e suprimoi autonominë e Kosovës.
Më 7 shtator 1990, nën okupimin jugosllavo-serb në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991, u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Pas zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, u themeluan edhe institucionet e pavarura të Kosovës nga ato që i kishte pushtuesi jugosllav në Kosovë. Në krye të këtyre institucioneve qëndronte presidenti Ibrahim Rugova.
Nga të gjitha këto lëvizje politike në Kosovë, filloi edhe organizimi ushtarak për të filluar luftën për çlirim nga Jugosllavia respektivisht Serbia. Kështu, Adem Jashari në fillim të viteve të ’90 – ta me bashkëpunëtorët e tij duke parë nevojën e domosdoshme filluan t’i organizonin formacionet e para ushtarake.
Adem Jashari lindi në Prekaz të Skenderaj, më 28 nëntor 1955 dhe ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahides. Shkollën fillore e kreu në Prekaz, kurse të mesmen teknike në Skenderaj. Që nga mosha madhore ai ishte pjesë e zhvillimeve politike në Drenicë dhe Kosovë. Për tu stërvitur ushtarakisht, më 3 nëntor të vitit 1991, për disa muaj me një grup shokësh nga Kosova qëndruan në bazën ushtarake shqiptare në Labinot të Elbasanit në Shqipëri. Aty bënin përgatitje ushtarake nga ushtria shqiptare.
Pas kthimit nga Shqipëria, Adem Jashari me shokë, filloi të organizonte aksione të armatosura kundër forcave policore jugosllave-serbe në Drenicë dhe më gjerë. Këtyre organizimeve ushtarake të Adem Jasharit me shokë iu bien në gjurmë regjimi pushtues jugosllav-serb. Kështu, më 30 dhjetor 1990, forcat policore jugosllave-serbe të armatosur me armatime të rënda rrethuan Prekazin. Derisa policia jugosllave-serbe kërkonte që të dorëzohej Adem Jashari, vetëm se filloj lufta ndërmjet Adem Jasharit me të vëllanë dhe shokët e tij dhe forcave jugosllave-serbe. Pas katër orë luftimesh, Adem Jashari me shokë e çanë rrethimin. Kurse, forcat jugosllave-serbe për ta kapur Adem Jasharin angazhuan edhe helikopter. Kështu, ekspedita e parë ushtarake dështoi. Pas këtij rrethimi, Adem Jashari filloi edhe më intensivisht të punoj rreth formimit të Lëvizjes së Armatosur të Kosovës.
Më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj dhunës që përdorte pushtuesi jugosllavo-serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më 27 nëntor 1997, Adem Jashari me njësitin e tij e kreu edhe një aksion të armatosur në Vojnik të Drenicës. Në këtë betejë katër orësh ndërmjet forcave shqiptare dhe atyre jugosllavo-serbe e detyruan policinë jugosllave-serbe të tërhiqej. Në shenj hakmarrje për humbjet nga forcat e UÇK – së, policia jugosllave-serbe vranë mësuesin Halit Gecin para dyerve të shkollës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në mënyrë publike. Pas këtyre aksioneve të UÇK – së filluan të përqendrohen forca të shumta ushtarake jugosllave-serbe në Drenicë, në rrugën Mitrovicë – Skenderaj dhe sidomos në fabrikën e municionit në Prekaz. Kështu, familja e Jasharajve, më 22 janar 1998, u rrethua nga forcat jugosllave-serbe me pretekstin për ta kërkuar Adem Jasharin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas ushtria jugosllave-serbe e sulmoi me armë shtëpinë e Jasharajve, ku edhe Jasharajt iu përgjigjën sulmit. Mbas disa orë luftimesh, forcat jugosllave-serbe tërhiqen në drejtim të Skenderaj. Në këtë betejë mbetën të plagosur dy vajzat e familjes Jashari. Kjo ishte hera e dytë që rrethohet familja e Jasharajve nga forcat jugosllave-serbe. Në fund të shkurtit të vitit 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sulmuan policinë jugosllave-serbe te vendi i quajtur “Gjashtë Lisat” ndërmjet fshatit Qirez e Likoshan. Policia jugosllave-serbe, pas humbjes së betejës nga UÇK – ja, më 28 shkurt të vitit 1998, në shenj hakmarrje sulmuan fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe vranë 24 veta. Adem Jashari me njësinë e tij arrijnë me vonesë, por ata arrijnë të hyjnë brenda fshatrave dhe i tërheqin të plagosurit dhe popullsinë e këtyre fshatrave. Kjo betejë dhe masakra në Qirez e Likoshan shënon fillimin e luftës në Kosovë. Derisa opinioni ndërkombëtar po e kuptonte se Jugosllavia, gjegjësisht Serbia po organizonte terror dhe dhunë të organizuar nga aparati shtetëror jugosllavo-serb ndaj popullsisë shqiptare dhe deri sa diplomacia perëndimore bënte përpjekje të ndalonte këtë, familja Jashari sulmohet për të tretën herë nga forcat jugosllave-serbe. Më 5 mars 1998, forcat e shumta ushtarake policore rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari. Në kullën e Jasharajve gjendeshin 21 anëtarë nga 30 anëtarë të familjes. Aty ishin edhe Adem e Hamz Jashari, babai i tyre Shabani dhe gratë e fëmijët. Kurse të tjerët ishin në Gjermani. Rrethimin policor e ushtarak jugosllavo-serb, i pari e hetoi Adem Jashari dhe kishte deklaruar “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”. Edhe pse babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, kishte kërkuar që të largohen gratë e fëmijët dhe vetë të bëjë rezistencë, këtë nuk e pranoi Adem Jashari, ku tha “Nuk largohem nga shtëpia. Kamë vendos të vdes për Kosovën dhe Shqipërinë”. Kështu filloi një luftë e pabarabartë ndërmjet forcave jugosllave-serbe dhe 22 anëtarëve të familjes Jashari.
Luftimet u zhvilluan deri në mbrëmjen e 5 marsit të vitit 1998, dhe anëtari i parë i vrarë nga familja Jashari ishte gruaja e Adem Jasharit, Adile Jashari. Ajo u vra deri sa e furnizonte bashkëshortin e saj, Adem Jasharin me municion. Kështu, luftimet vazhduan më 6 dhe 7 mars 1998, për tri ditë rresht. Luftimet u zgjerua në gjithë lagjen Jasharaj, ku u solidarizuan me familjen e Adem Jasharit. Kështu në ditën e tretë të luftimeve, më 7 mars 1998, një predhë topi të kalibrit të madh e goditi dhomën ku qëndronin fëmijët, gratë dhe pleqtë e familjes Jashari. Kështu, Adem Jashari duke kënduar e luftuar ra heroikisht me 20 anëtarët e familjes së tij. Pas tij u vra edhe djali i tij 13 vjeçar, Kushtrim Jashari, që po ashtu luftonte përkrah babait të tij. Kështu në betejën e Jasharajve në Prekaz, nga lagjja Jasharaj u vranë 53 veta, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit. Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit mbeti e gjallë, kurse Bashkim Jashari, djali i Rifat Jasharit, e kishte çarë rrethimin dhe ishte larguar nga Prekazi, duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e Kosovës. Të gjithë të vrarët u varrosën në fushën e pajtimit në Prekaz.
Të vrarët nga familja e ngushtë Jashari janë:
- Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
- Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
- Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
- Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
- Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
- Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
- Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
- Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
- Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
- Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
- Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
- Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
- Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
- Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
- Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
- Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
- Adem Shaban Jashari (42)
- Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
- Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
- Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
Të vrarë nga familja e gjerë Jashari janë:
21. Artim Sejdi Jashari
22. Bahtie Muharrem Jashari
23. Abdullah Zen Jashari
24. Blerim Zen Jashari
25. Bujar Zen Jashari
26. Qazim Osman Jashari
27. Nazim Zuk Jashari
28. Beqir Bajram Jashari
29. Halil Bajram Jashari
30. Sherif Brahim Jashari
31. Faik Tahir Jashari
32. Sinan Ramadan Jashari
33. Ali Ramadan Jashari
34. Elheme Uka Jashari
35. Halit Imer Jashari
36. Mihrije Feriz Jashari
37. Hajzer Zymer Jashari
38. Myrtez Zymer Jashari
39. Sabrie Zymer Jashari
40. Hanife Zymer Jashari
41. Hamit Hus Jashari
42. Sala Sheremet Jashari
43. Qerim Hus Jashari
44. Shahin Qerim Jashari
45. Ukshin Qerim Jashari
46. Hajrije Zymer Jashari
47. Hamide Ajet Jashari
48. Kajtaz Maliq Jashari
49. Ajvaz Kajtaz Jashari
50. Smajl Asllan Jashari
51. Sadik Hysen Jashari
52. Afije Hysen Jashari
53. Hamdi Sadik Jashari
54. Elfije Sadik Jashari
Epopeja e luftës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, ndërgjegjësoi botën demokratike dhe liridashëse për gjendjen që jetonin shqiptarët nën sundimin jugosllavo-serb. I gjithë opinioni shqiptarë kudo që ndodhej shprehu zemërim ndaj veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbo-jugosllave. Veprimet tmerruese që ndërmori shteti jugosllav, respektivisht serb, ndaj shqiptarëve e sidomos në familjen Jashari, e dërgoi çështjen e Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në saje të qëndresës së Adem Jasharit me familje, Adem Jashari merr epitetin komandant legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu qëndresa e Adem Jasharit ndikoi tek shumë vajza e djemë që të iu bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën heroizmin e tij luftuan kundër forcave serbe-jugosllave deri në çlirimin e Kosovës.
Me frymëzimin e luftës së Adem Jasharit, lufta vazhdoi dhe dal nga dal përfshinte pothuajse tërë territorin e Kosovës. Nga shumë masakra anekënd Kosovës, në janar të vitit 1999, forcat serbe-jugosllave kryen edhe masakrën e Reçakut, ku luftën e UÇK – së e vendosi në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti jugosllavo-serb e filloi aksionin për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë apo Parisit, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe-jugosllave.
Më 12 qershor 1999, u çlirua Kosova dhe në territorin e saj hyjnë forcat e Nato – s dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri nëpër qytetet e Kosovës.
Vepra heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij, dhe e vajzave e djemve që ranë në luftë për lirinë e Kosovës, bëri që bota perëndimore në krye me ShBA-të të ndërhyjnë për të ndalur luftën shfarosëse të Jugosllavisë, gjegjësisht Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo vepër heroike dhe unikale në botë duhet të jetë vizion dhe frymëzim që gjeneratat e sotshme dhe të ardhshme të vazhdojnë punën që Kosova të ec edhe më tutje drejt një shteti të fuqishëm dhe demokratik për të cilën kanë luftuar breza të tërë.