Nga Arben LLALLA/
Pas disa shkrimeve për afreskun në kishën brenda territorit të Katedrales Ortodokse në Tiranë, KOASh-i nuk është pozicionuar ende se çfarë do të bëjë me afreskun e Janullatosit.Kryeshkelësi i hyjnoreve hesht…Sipas burime nga brenda KOASh-it thonë se kisha në fjalë është mbyllur dhe nuk lejohet hyrja. Afresku është siç ka qenë, i pandryshuar me imazhin e Kryepeshkop Anastasit!Ekipi i ngushtë i Kryepeshkopit me sjelljen e tyre bizantine na bëjnë të besojmë se imazhi fytyrë i mbuluar u bë vetëm për të çoroditur e për të blerë kohë.Disa klerikë e besimtarë që guxuan të sugjerojnë zëvendësimin e kryepeshkopit me Krishtin në këtë afresk, u kërcënuan të rrinë urtë nga besniku më intim i kryepeshkopit: “I biri i Lutfiut”, siç përflitet nga priftërinjtë dhe besimtarët, peshkopi asistent i Fortlumturisë së tij. Ndërkohë një person i besueshëm brenda KOASh-it thotë se ka kërcënime të tilla si: “Nëse vazhdon debati mbi afreskun, do të ndërkombëtarizoj çështjen e Dhërmiut.” Nga ana tjetër, vëzhguesit që njohin mirë mënyrat e kërcënimeve të tilla thonë se afresku në kishën e vogël është një barometër për të parë reagimet, nëse diçka e ngjashme mund të konceptohet e imponohet edhe brenda Katedrales së madhe, apo dhe në kisha të tjera ortodokse në Shqipëri. Sidoqoftë skandali ka sfondin e qartë historik: Projekti i vetshenjtërimit të Janullatosit nisi menjëherë mbas fronëzimit të tij, kur autorizoi librin e një prifti greko-amerikan, i cili ka shërbyer pranë tij edhe në Shqipëri, që u botua anglisht në vitin 1994. Në libër kryepeshkopi barazohet me shenjtorë e martirë të krishtërimit ortodoks: Missionaries, Monks and Martyrs: Making Disciples of All Nations. (Fr. Luke Veronis, 1994.)
Dhe ky labërishte është vetëm fillimi i një letërsie biografike/okultiste që vijoi e zgjeruan Perëndim duke e pikturuar Janullatosin si shenjtor të kohëve tona, i cili jovetëm ringriti kishën e “grekëve-ortodoksë” por madje po ugjillëzoka Shqipërinë duke konvertuar “masivisht” myslimanët në ortodoksë. Kjo përshtypje e rreme u imponua nga fakti se peshkopët e rinj shqiptarë erdhën nga komuniteti mysliman, e jo nga komuniteti ortodoks, gjë që nënkuptonte se ata përfaqësonin një popullsi shumë të madhe e rikthyer në Kishën Ortodokse.
Në perceptimin e ngjizur përmes një propagande të sponsorizuar prej Janullatosit, KOASh-i është një kishë misionare greke, përbërë në shumicë nga grekë e myslimanë të konvertuar sepse nuk paska shqiptarë ortodoks. Kjo është vitrina e KOASh-t në botën e krishterë perëndimore.
Ndërsa në Shqipëri gazeta e themeluar dhe botuar nëndrejtimin e rreptë të Kryepeshkopit (Ngjallja), në pjesën dërrmuese flet vetëm për Anastasin. Krishti vjen gjithmonë mbas Tij. Disa herë gazeta në fjalë ka dokumentuar gjëra të papranueshme për një kishë ortodokse, duke sugjeruar që besimtarët të vendosin një foto të “Kryepiskopit” në krah të ikonave të shenjta.
Shenjt a djall?
Pyetëm mbi këtë çështje specialistë të lëmit në fjalë dhe kemi tashmë mjaft materiale interesante. Përgjigjja më e spikatur na erdhi nga një prift i mirënjohur si autor e teolog i ortodoksisë shqiptare:“Ikonografimi i kryepeshkopit Anastasios Janullatos bash në afresk është në të huajtje me traditën e Kishës Ortodokse Lindore, ashtu siç shprehet ajo sot në dëshminë e kishave lokale të krishtërimit ortodoks, dhe ashtu siç e trashëguam edhe ne në Kishën Ortodokse Shqiptare!
Jo vetëm që Janullatosi na del mbi shenjtorët e mbi Hyjlindësen, duke fluturuar si “Panajia e dytë”, por mëton të na barazohet me vetë Jezu Krishtin: Askush nuk ka guxuar të zëvendësojë në ikonografinë ortodokse Zotin Perëndi, e madje duke iu imponuar Kishës në pamje vegimi si i zbritur nga qielli, e duke e paraqitur trupin në trajtë gjysmëqiellore.
Në këtë afresk Janullatosi fluturon si magjistar mbi Shqipëri për të mahnitur, trembur e pushtuar një fëmijë… Por një fuqi e tillë prej magjibërësi nuk vjen nga Perëndia, por nga “princi i kësaj bote”, djalli vetë! (Joani 12:31)
Përveç perversitetit të autorit në këtë afresk me frymëzim eosforik, dy detaje tradhtojnë jetëshkrimin e Misionarit:
E para, është zgjedhur një i mitur, sepse lidhja e Janullatosit me shqiptarët e rritur nuk ngjizet në dashuri të sinqertë; ajo nuk është marrëdhënie shpirtërore: “mahnitja” e tyre ndaj tij është subjekt shkëmbimesh të vazhdueshme, një lidhje krejt materialiste. Ai e di se nuk mundet as t’i manipulojë, e as t’i hutojë të rriturit. Janullatosi është i vetëdijshëm se të gjithë bashkëpunëtorët dhe ata që e mbrojnë sot publikisht do ta hedhin poshtë shumë shpejt mbas vdekjes së tij; ashtu siç kanë bërë edhe me të tjerë para tij.
E dyta, në përpjekje për ta paraqitur veten sa më të shenjtë, ai dha udhëzime që gjymtyrët e pasme të mos përfshiheshin në afresk. Përse? Antropologjia e krishterë e pranon trupin njerëzor në plotërinë e tij. Por përderisa i sëmuri i lavdisë është në kapërcyell të marrëzisë, dhe përderisa ka klerikë dhe besimtarë që e njohin jetën e tij të dyfishtë në Greqi dhe në Shqipëri, ai ka bërë një lojë “vetënjohje”: Mohohet pjesa e keqe, mëkatëria e madhe, duke rrëfyer “në përulësi” jetëshkrimin e errët; rrugëtimi përmes luginës së lotëve, për të dalë në malin e lavdisë së sotme…
Në debatet publike mbi këtë skandal të KOASh-it, disa studiues argumentuan se afresku nuk mund të bëhej sepse nuk ishte “mbas vdekjes”. Por as mbas vdekjes nuk lejohet të ikonografohet dikush me porosi, sepse nuk pranohet nga teologjia ortodokse. Vetëm ndërgjegjja e Kishës është ajo që dëshmon shenjtërinë e një anëtari të saj, dhe jo individë të veçantë, e aq më keq të interesuarit, me ndihmën e një shteti fqinj…
Jo vetëm mbas vdekjes, por dhe mbas një dëshmie kohëgjatë e të pamohueshme nga populli i Perëndisë, dhe vetëm atëherë, mund të përvijohet në ikona e afreske një anëtar i Kishës. Për më tutje, kjo nuk mund të bëhet pa shquar të gjalla tiparet e domosdoshme të përulësisë, dashurisë, besimit dhe veprave të një të krishteri, pavarësisht rolit të tij në Kishë.
Në të kundërt, tek njeriu Anastas, ne të gjithë jemi bërë dëshmitarë të gjallë të shumë e shumë cilësive tepër negative e të papranueshme edhe për një besimtar të rëndomtë, e aq më tepër për një kryepeshkop që mëton se është i shenjtë. Sot po rendis vetëm disa cilësi të tij:
Mendjemadhësia, megallomania dhe narcisizmi; tre tipare të mjaftueshme për të humbur shpirtin, sipas teologjisë ortodokse.
Ku është ligji i krishterë “unë jam më mëkatari”, pa të cilën nuk mund të shpëtohet shpirti? A nuk na mëson Kisha Ortodokse se djalli u rrëzua nga parajsa pikërisht nga mendjemadhësia, se deshi të barazohej me Perëndinë?
Urrejtja ndaj atyre që nuk i binden ta adhurojnë,dhe persekutimi ndaj atyre që kanë guxuar të zbardhin lojën e tij politike në Kishë.
Janullatosi flet shumë për dashuri, hiqet si dijetar i madh, por kjo është e kundërt me doktrinën ortodokse. Dashuri e krishterë nuk është dashuri për ata që të adhurojnë, por për të gjithë krijesën e Zotit, e sidomos për ata që nuk të lëvdojnë, e madje dhe për armiqtë e tu, zoti Janullatos!
Për sa i përket gjenialitetit të tij, Kisha na mëson se dijetari më i madh është vetë djalli, i cili sipas Shkrimit të Shenjtë e di përmendsh Biblën, gjë që e dëshmoi vetë para Jezuit në shkretëtirë. Madje djalli është dhe çudibërës, sepse bëri mrekulli edhe para vetë Krishtit, për ta hutuar e tunduar Atë. Dija dhe mrekullitë, atëherë, për një njeri me urrejtje e pasione 86-vjeçare, kthehen në pengesë jo vetëm për t’u shpallur shenjtor, por dhe për të shpëtuar shpirtin. Për sa u përket veprave të shumta të Janullatosit, nga pikëpamja e krishterë nuk ka rëndësi se sa bën, por përse i bën?
Kohë më parë media shqiptare publikoi një foto ku afreskut i është vënë një pëlhurë e bardhë si vello nusërore…
Njeriu që bën lojë vazhdimisht në Kishë, tinzar dhe i papenduar, përpiqet të fitojë kohë duke iu hedhur hi syve shqiptarëve, ndoshta për të shkaktuar ndonjë krizë tjetër shqiptaro-greke, në mënyrë që të kapërcehet e të harrohet sakrilegji, e që të dalë prapë në afreskun kishtar fytyra e tij satanike!
Si rrjedhojë, për këdo që ka ndërgjegje kishtare ortodokse, afresku i Janullatosit është përdhosje e faltores Lindja e Krishtit dhe dëshmia më flagrante e vetkultizimit të tij në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Duke përfunduar le të themi se autoportretizimi i misionarit grek në afreskun kishtar është në armiqësi edhe me martirët dhe dëshmorët e kishës vendore, të cilët qëllimisht janë harruar e shpërnjohur nga KOASh-i për afro një çerek shekulli. Dhe mbasi u dëbuan nga historia e rishkruar prej një misioni jo shqiptar, ata sot janë sfiduar e çuar në mosqenie historike.
vaso says
Mekatet e ketij prifti te djallezuar Anoulayua kane filluar qysh kur ky djall futi kembet ne Shqiperi.
Misioni i tij eshte i me paramendim.
Ky djall te shporet nga vendi yne menjihere.
Vet gjesti qe ai kerkon ta ngrej vehten e tij shume lart
eshte nji nder mekatet me te medha qe i behet kishes tone.
Noli yne i madhe se ka kerkuar nji gje te tille.
Koha qe kalon na bind ma terper per bemat e tij djallezore.